Besimi i verbër dhe besimi i arsyeshëm
http://admirim.blogspot.com/2006/10/...-arsyeshm.html
Si muslimanë, na ndodh që shpesh të akuzohemi për besim të verbër nga të tjerët. Ata na thonë se i besojmë Kur'anit pa u bazuar në argumente logjike e racionale. Mirëpo, çfarë lloji të besimit propozon Zoti në Kur'an: besim të bazuar në bindje të verbër apo të bazuar në argumente?
Për dallim nga mendimi paragjykues që mbizotëron në shoqëri, besimi i verbër është veçori e mohuesve të Islamit. Ata thonë:
…"Me çfarëdo argumenti që të na vish që me të të na magjepsësh (largosh nga feja që kemi), ne nuk do të besojmë ty". (Kur'an, 7:132)
Po ata (idhujtarët) edhe nëse shohin ndonjë argument (mrekulli) zmbrapsen e thonë: "Kjo është magji e vazhdueshme!" (54:2)
Atë (dënim e marrin) për shkak se atyre u vinin të dërguarit e vet me argumente të qarta, e ata thonin: "A njeriu i thjeshtë do të na udhëzojë neve?" Dhe ashtu nuk besuan dhe u zmbrapsën, po All-llahu nuk ka nevojë për ta; All-llahu është begatshëm, i falënderuar nga vetvetiu. (64:6)
Ata po ashtu pasojnë në mënyrë të verbër traditat e paraardhësve të tyre:
E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): "Pranoni atë që All-llahu e shpalli!" Ata thonë: "Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë!" Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë? (2:170)
E kur ju thuhet atyre: "Ejani te ajo që e zbriti All-llahu dhe te (çka thotë) i dërguari, ata thonë: "Na mjafton ajo në të cilën i gjetëm prindërit tanë", edhe nëse prindërit e tyre ishin që nuk dinin dhe nuk ishin në rrugë të drejtë. (5:104)
Në dialogun e Ibrahimit me popullin e tij edhe njëherë manifestohet besimi i verbër i idhujtarëve:
Lexoju atyre ngjarjen e Ibrahimit.
Kur i tha babait dhe popullit të vet: "Çka jeni duke adhuruar?"
Ata i thanë: "Adhurojmë idhuj, vazhdimisht u jemi besnikë atyre!"
Ai i tha: "A ju dëgjojnë ata juve kur u luteni?"
Ose, "A u sjellin juve dobi apo dëm?"
Ata thanë: "Jo, por kështu i gjetëm se bënin edhe prindërit tanë!" (26:69-74)
Kur dëshirojmë të refuzojmë mendimet e gabuara e të pabaza të të tjerëve, All-llahu na urdhëron që atyre t'u themi:
"Sillni argumentin tuaj po qe se jeni të drejtë?" (2:111; po ashtu shih vargun 21:24)
Nëse ata nuk kanë argumente, atëherë nuk janë duke e thënë të vërtetën. Pra, çdo mendim, ideologji, filozofi duhet shqyrtuar në bazë të argumenteve.
Argumentet për ekzistimin, fuqinë dhe madhështinë e All-llahut, për vërtetësinë e Kur'anit, janë të përhapura në çdo skaj të gjithësisë. Në shumë pjesë të Kur'anit ftohemi të meditojmë rreth këtyre argumenteve:
Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap në të nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që mendon ka argumente. (2:164)
Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. (3:190)
Thuaj: "Vështroni me vëmendje ç'ka (nga argumentet) në qiej e në tokë. Po argumentet dhe qortimet nuk bëjnë dobi ndaj një populli që nuk beson. (10:101)
Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, të cilat i shohin, por ata nuk i vështrojnë fare. (12:105)
All-llahu lëshoi prej qiellit ujë (shi) dhe me të ngjalli tokën pas vdekjes së saj. Në këtë është një argument i fortë për ata që më vëmendje dëgjojnë (e kuptojnë). (16:65)
Ai është që bëri natë e ditën zëvendësuese të njëra-tjetrës dhe për atë që dëshiron të mendoj apo të falënderoj, argument. (25:62)
Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë. Nga argumentet e Tij është krijim i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argumente për njerëz. Nga argumentet e Tij është edhe gjumi juaj natën dhe ditën, edhe përpjekja juaj për të fituar nga të mirat e Tij. Në këtë ka argumente për popullin që dëgjon. (30:21-23)
Ne do t'u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri sa t'u bëhet e qartë se ai (Kur'ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë? (41:53)
Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyjat dhe Ai me fuqinë e Tij mund t'i bashkojë kur do që të dëshirojë. (42:29)
Për besimtarët ekzistojnë argumente në qiej dhe në tokë. Për një popull që sinqerisht është i bindur ka argumente edhe në krijimin tuaj dhe në krijimin e shtazëve të përhapura.
Edhe në ndërrimin e natës e të ditës, në atë furnizim që All-llahu e lëshon prej qiellit dhe me të, pasi të ketë vdekur e ngjall tokën; edhe në qarkullimin e erërave për një popull që logjikon ka argumente. (45:3-5)
Edhe në tokë ka argumente për ata të bindurit. Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni duke e parë? (51:20-21)
Përkundër këtyre argumenteve të panumërta, mohuesit janë këmbëngulës në qëndrimin e tyre. Gjendja e tyre përshkruhet në këtë varg Kur'anor:
Ata që kundërshtojnë shpalljen e All-llahut pa pasur argument, nuk kanë tjetër në zemrat e tyre vetëm se një mendjemadhësi, me të cilën nuk do t'ia arrijnë qëllimit… (40:56)
Në anën tjetër, besimtarët veprojnë kështu:
Argumentet Tona i besojnë në të vërtetë ata që kur këshillohen me to, bien në fytyra (bëjnë sexhde), që madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe nuk bëjnë kryelartësi. (32:15)
Barrierat ndërmjet arsyes dhe besimit nuk ekzistojnë në Islam. Për dallim nga librat e shumtë fetarë jo-hyjnorë, në Kur'an nga ne nuk kërkohet që të heqim dorë nga arsyeja, logjika dhe mendimi shkencor, për të përjetuar porosinë e tij. Përkundrazi, arsyeja dhe logjika e shëndoshë shpiejnë drejt pranimit të besimit. Është ky një nga nga veçoritë e shumta të Kur'anit që vërtetojnë se është Fjalë e Zotit të botëve dhe si i tillë - udhëzues për njerëzimin.
Krijoni Kontakt