Dialogu ndërmjet muslimanëve duhet të ketë përparësi
http://admirim.blogspot.com/2006/10/...het-t-ket.html
S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar. (Kur'an, 49:10)
Në Kur'an, All-llahu na njofton se besimtarët janë vëllezër. Është shumë me rëndësi që të jetohet sipas shpirtit të vëllazërisë të përshkruar në Kur'an dhe që dallimet midis muslimanëve të konsiderohen si pasuri kulturore.
Dialogu midis shoqërive është bërë edhe më i rëndësishëm në këtë kohë kur bota ka nevojë për paqe dhe qetësi. Njerëzit kanë nevojë që mosmarrëveshjet, problemet dhe keqkuptimet t'i zgjidhin me metoda paqësore, duke qenë tolerantë dhe të mëshirshëm. Mirëpo, duke marrë parasysh gjendjen e botës Islame sot, duhet t'i jepet më shumë rëndësi dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet muslimanëve. Nuk është e pranueshme që ata që e besojnë All-llahun si të Vetmin Zot, i besojnë të dërguarit të njëjtë, i përmbahen rregullave të Librit të Shenjtë të njëjtë, të kenë mosmarrëveshje, të mos shprehin dashuri dhe mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit, të mos sillen me mëshirë ndaj njëri-tjetrit, të mos ndihmohen dhe të mos bashkëpunojnë.
Në moralin Islam, në themel merren besimi dhe vlerat e përbashkëta, e jo ndarjet. Muslimanët duhet të përkrahin njëri-tjetrin në çështjet parësore dhe duhet t'i marrin me të mirë dallimet në çështjet sekondare.
Në sjelljen e një muslimani ndaj një muslimani tjetër, gjëja e parë që duhet të kihet parasysh është se ai që e ka pranë është një vëlla i tij nga feja. Pa marrë parasysh racën, gjuhën, vendin, medhebin, opinionin, të gjithë muslimanët janë vëllezër.
Shembulli më i mirë i dashurisë ndërmjet muslimanëve është ai i muslimanëve të Mekkes dhe Medines, pas hixhretit të Muhammedit s.a.v.s. dhe shokëve të tij për në Medine. Edhepse mekkasit dhe medinasit nuk i lidhte gjaku dhe vendi, ata treguan një pasqyrë të vërtetë të vëllazërisë Islame, të bazuar në besimin e tyre të përbashkët. Muhammedi a.s. ka thënë:
Besimtarët në dashurinë, mëshirën dhe mirësinë ndaj njëri-tjetrit janë si një trup: nëse një pjesë sëmuret, i gjithë trupi ndan pagjumësinë dhe rrufën e tij.
Muslimanët e duan njëri-tjetrin për të fituar kënaqësinë e All-llahut. Ata e dinë se ndihma reciproke, vëllazëria dhe ndjenja e bashkimit janë dhunti të mëdha dhe duhet të jenë shumë të durueshëm për mbrojtjen e kësaj vëllazërie dhe këtij bashkimi. All-llahu thotë në Kur'an:
...përmirësoni gjendjen e unitetit tuaj dhe nëse jeni besimtarë, respektoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij. (8:1)
Çdo besimtar duhet të jetë tolerantë, i durueshëm, të punojë për të mirën e besimtarëve të tjerë.
All-llahu thotë : "...mos u përçani mes vete e të dobësoheni" (Kur'an, 8:46) Normalisht se midis muslimanëve mund të ekzistojnë dallime kulturore, rajonale dhe tradicionale në kuptimin dhe praktikimin e disa gjërave. Mund të ketë mendime, komentime dhe medhebe të ndryshme. Ajo që nuk duhet të ndodhë është që për shkak të këtyre dallimeve një grup muslimanësh të ndahet nga të tjerët, të ndërprejë dialogun me ta, t'i konsiderojë të tjerët të huaj dhe jo të barabartë. Kjo nuk është një gjendje që duhet të pranohet. Nga kjo gjendje duhet të ruhen me shumë kujdes ata që i frikohen All-llahut dhe që besojnë se do të japin llogari në Ditën e Gjykimit.
Muhammedi a.s. na ka treguar rrugën që duhet të ndjekim kur ka thënë: "Unë ju lë dy gjëra, të cilat nëse i përqafoni fortë, kurrë nuk do të jeni në humbje: Kur'anin dhe sunnetin (shembullin) tim." Neve na takon t'i përmbahemi kësaj. Është urdhër i Zotit tonë që të përqafojmë fenë e drejtë dhe të largohemi nga përçarjet.
Të gjitha organizatat e shoqëritë civile dhe mediat e muslimanëve duhet të përpiqen që të nxisin bashkëpunimin ndërmjet muslimanëve dhe të tejkalojnë barrierat e dallimeve ndërmjet tyre.
Ejani t'i bashkojmë muslimanët ashtu siç na urdhërojnë All-llahu dhe Muhammedi s.a.v.s. T'i pajtojmë muslimanët që nuk falen në xhamitë e njëri-tjetrit, që nuk japin selam, që nuk lexojnë librat e njëri-tjetrit, që për dallime të vogla i konsiderojnë vëllezërit e tyre muslimanë si armiqë. Le të bëhen xhamitë, shtëpitë e All-llahut, jo vende të këtij apo atij grupi, jo të këtij apo të atij medhebi, por të të gjithë muslimanëve. Le të japin selam të gjithë muslimanët ndërmjet veti, le të bisedojnë të gjithë. Le të tregojnë mirëkuptim ndërmjet veti. Le të përfundojnë ndasitë në bazë të mendimeve apo ndasitë personale. Dhe të gjithë muslimanët, të bashkuar dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin, le të përpiqen për t'iu afruar më shumë All-llahut, t'i shërbejnë më shumë fesë së Tij.
Dhe kurrë të mos e harrojmë këtë urdhër të All-llahut:
Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtoni dhuntinë e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntitë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së Xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu All-llahu ua sqaron juve argumentet e Veta që ju të gjeni të vërtetën e lumtur. (Kur'an, 3:103)
Burimi: revista "Ilmi Arastirma", nr. 20, shkurt 2006
Krijoni Kontakt