Kufinjtë e luftës në Kur'an
http://admirim.blogspot.com/2006/12/...s-n-kuran.html
Të prirë nga dëshira e tyre për të sulmuar Kur'anin, mohuesit i përdorin shpesh vargjet Kur'anore që kanë të bëjnë me luftën duke i izoluar ato nga rrjedha në të cilën gjenden dhe duke bërë komente tërësisht të pabaza. Nëse këto vargje studiohen në prizmën e logjikës së përgjithshme të Kur'anit dhe të rrjedhës në të cilën gjenden, do të kuptojmë se nuk ka kundërthënie ndërmjet tyre. T'i analizojmë këto vargje:
8:38. Thuaju atyre që nuk besuan nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t'u falet e kaluara, po nëse vazhdojnë, ligji (i Zotit), i zbatuar ndaj të parëve është i ditur (edhe ju do t'ju zë).
8:39. Luftoni ata derisa të mos mbetet idhujtari (besim i kotë), e i tërë adhurimi të bëhet vetëm për All-llahun. Po nëse ata ndalen , All-llahu është mbikëqyrës për atë që veprojnë. (8:38-39)
Këtu kemi një urdhër për luftë me qëllim të mbrojtjes. Nëse lufta ndërprehet nga ana e mohuesve, atëherë Zoti është mbikëqyrës për atë që veprojnë ata.
Luftoni ata që nuk besojnë All-llahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar (haram) atë që e ndaloi All-llahu dhe i dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen në dorë e duke qenë të mposhtur. (9:29)
Këtu nuk flitet për të gjithë ithtarët e librit, por vetëm për ata që i përmbushin kriteret e përmendura(nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ndaloi All-llahu- luftën, padrejtësinë, shtypjen e të tjerëve, etj.) Lufta kundër tyre mund të zhvillohet vetëm me qëllim të mbrojtjes apo të ndalimit të padrejtësive. Kjo mund të konfirmohet edhe nga rrjedha e vargjeve në kaptinën 9. Tevbe dhe nga vargjet që gjenden në kaptinat tjera të Kur'anit. Të shohim këto vargje:
2:190. Dhe luftoni në rrugën e All-llahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën).
2:191. Dhe luftoni ata kudo që t'i zini, dëboni prej vendit ata sikurse ju përzunë ata juve. Provokimi (fitneja) është më e rëndë se vrasja. Mos i luftoni ata pranë xhamisë së shenjtë (Qabes) deri sa ata t'ju luftojnë juve aty, e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata. I këtillë është ndëshkimi ndaj pabesimtarëve.
2:192. Dhe nëse heqin dorë, pra All-llahu është Ai që fal dhe që mëshiron.
2:193. Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe deri sa të aplikohet feja vetëm për All-llahun. E në qoftë se ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë lëreni armiqësinë, përveç atyre që janë zullumqarë.
Mirëpo nëse një popull prish paqen, All-llahu na urdhëron që të luftojmë me ta:
9:13. Përse të mos e luftoni një popull që thyen zotimet e veta dhe tentuan të dëbojnë të dërguarin? Në të vërtetë ata ua filluan të parët luftën. A u frikësoheni atyre? Më e drejtë është t'i frikësoheni All-llahut, nëse jeni besimtarë.
9:14. Luftoni ata, All-llahu i dënon dhe i mposht ata nëpërmjet jush, e juve ju ndihmon kundër tyre dhe shëron zemrat e njerëzve besimtarë.
9:15. Dhe Ai mënjanon brengat nga zemrat e tyre. All-llahu ia pranon pendimin atij që do. All-llahu i di të fshehtat, me urtësi zgjidh çështjet.
Ndërsa, në kohë paqeje, Zoti na urdhëron që të sillemi në mënyrë tolerante me çdo njeri:
Pritet që All-llahu të verë miqësi ndërmjet jush dhe atyre që kishit armiqësi, All-llahu është i fuqishëm, All-llahu falë mëkatet, është mëshirues. All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. (60:7-8)
Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. (2:256)
Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kurr i thirrni në Islam) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: "Ne i besuam asaj që na u zbrit dhe që u zbrit juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij. (29:46)
O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hir të All-llahut edhe nëse është kundër (interesit) vetvetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfnjak, pse All-llahu di më mirë për ta. Mos ndiqni pra emocionin e t'i shmangeni drejtësisë. Nëse shtrëmbëroni ose tërhiqeni, All-llahu plotësisht di ç'ka punoni. (4:135)
O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hirë të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Keni dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni. (5:8)
E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t'i dëgjojë fjalët e All-llahut (Kur'anin), e mandej përcille në vendin e tij të sigurt. Këtë ngase ata janë popull që nuk e dinë (të vërtetën e fesë islame). Si mund të kenë idhujtarët besë (marrëveshje) te All-llahu dhe te i dërguari i Tij, përveç atyre me të cilët keni lidhur marrëveshje pranë xhamisë së shenjtë (Qabes), e derisa ata i përmbahen (marrëveshjes) përmbahuni edhe ju. All-llahu i do ata që ruajnë besën. (9:6-7)
Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. (16:125)
Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)! (109:6)
Dhe me atë që të ka dhënë All-llahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqia në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit. (28:77)
A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e farefisnisë? Të tillët janë që All-llahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verbëroi të parit e tyre. (47:22-23)
...kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur gjithë njerëzit... (5:32)
Adhuroni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet. (4:36)
Në fund, të mos harrojmë edhe një vërejtje që na bën Zoti:
...A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni? Ç'mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në ditën e gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju. (2:85)
Nuk mund të nxjerrim përfundime vetëm nga një varg Kur'anor. Ai duhet të analizohet në dritën e vargjeve tjera të Kur'anit që kanë të bëjnë me çështjen e njëjtë. Ajo që në një pjesë përshkruhet më shkurtimisht, detajizohet në pjesë të tjera të Kur'anit. Prandaj, qëndrimi që muslimanët duhet të kenë ndaj luftës dhe paqes, i mbështetur në parimet Kur'anore, është plotësisht i qartë dhe i saktë, pa asnjë kundërthënie.
Krijoni Kontakt