Mendimi Ekonomik në historinë e njerëzimit dhe Kur’ani
http://admirim.blogspot.com/2006/12/...istorin-e.html

-Hyrje

Çështjet ekonomike kanë preokupuar njeriun gjatë gjithë historisë. Aristoteli dhe Platoni kanë shkruar rreth problemeve të pasurisë, pronës e të tregtisë. Ata patën qëndrim negativ ndaj tregtisë. Romakët huazuan idetë ekonomike nga Grekët dhe patën qëndrim të njëjtë ndaj tregtisë. Kisha e konsideroi tregtinë si inferiore ndaj bujqësisë. Gjatë shekullit të XIX u shënuan kthesa të shumta në botëkuptimin ekonomik. Adam Smith-i dhe John Stuart Mill-i besonin në pronë private, në tregje të lira dhe në parimin e konkurrencës. Thomas Maltus-i kishte një qasje pesimiste ndaj ekonomisë. Sipas tij, ushqimi në të ardhmen do të rritej sipas progresionit aritmetik (2-4-6-8-10), kurse popullsia kishte tendenca të rritjes sipas progresionit aritmetik (2-4-8-16-32). Ai si faktorë që mund të ndikonin në balancimin e kësaj gjendjeje përmendte: luftërat, epidemitë dhe urinë. Po ashtu, propozonte limitimin vullnetar të popullsisë përmes martesës së vonshme dhe familjeve të vogla.

-Përcaktimi i mendimit ekonomik…

Besime dhe ideologji të ndryshme janë munduar që të ofrojnë zgjidhje adekuate për problemet ekonomike të njerëzimit. Zakonisht, ideologjitë e besimet e një shoqërie kanë ndikuar në rrjedhën e marrëdhënieve ekonomike të saj. Ne këtu do të përmendim disa ideologji më me ndikim dhe mënyrën se si ato e kanë perceptuar ekonominë.

-Hinduizmi

Sistemi ekonomik i kastave që lindi në Indi para 3000 vitesh nën ndikimin e klerit ligjvënës Arian, e ndau shoqërinë në 4 kasta: Brahmanët (kleri), Kshatrët (luftëtarët), vajsët (bujqit dhe tregtarët) dhe sudrët (punëtorët, shërbëtorët). Ky sistem i padrejtë ndikoi në diskriminimin dhe eksploatimin ekonomik të klasave më të ulëta. Ata që merreshin me aktivitete ekonomike ishin në shërbim të klerit. Në Kushtetutën e Indisë të vitit 1948 u ndaluan praktikat e tilla, por ato janë ende mjaft të përhapura.

-Krishterimi

Disa pasuse Biblike na japin të kuptojmë se në Krishterim varfëria preferohet ndaj pasurisë dhe aktivitetit ekonomik. Në vargun Luka 18:25, shkruan:

… është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.

Poashtu, sipas Lukës 6:20, "të varfërit janë të bekuar".

Në Dhjatën e Vjetër, gjejmë një ndalim selektiv të kamatës:

Të huajit (jo-hebreut) mund t`i japësh hua me kamatë, por jo vëllait tënd, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në të gjitha gjërat mbi të cilat do të vësh dorë në vendin ku je duke hyrë për ta pushtuar. (Ligji i Përtërirë 23:20)

Shën Augustini ka thënë: "Biznesi në të vërtetë është gabim, sepse e largon shpirtin nga e Vërteta, që është Zoti".

Kleri i krishterë administronte shuma të mëdha të tokës dhe të pasurive të tjera dhe kishte fuqi të madhe ekonomike dhe politike. Gjatë epokës së iluminizmit, një ndër shkaqet e luftimit të ashpër të Kishës ishte dominimi i saj i padrejtë në sferën ekonomike.

-Komunizmi

Komunizmi është një ideologji që mundohet të formojë një shoqëri pa klasa, që do të bazohej në pronësinë e përbashkët të mjeteve të prodhimit dhe në mungesën e pronës private. Ideologët komunistë propozonin rrënimin e sistemeve të tjera të qeverisjes përmes revolucioneve, shpesh herë të përgjakshme. Duke mohuar çdo vlerë shpirtërore, imponuan mentalitetin materialist mbi shoqëritë në të cilat merrnin kontrollin. Në shtetet socialiste, ekonomia është e komanduar nga qeveria qendrore. Ajo përcakton se çka, si dhe në ç' masë duhet prodhuar. Në këtë mënyrë, qeveria mund të veprojë në kundërshtim me preferencat dhe qëllimet e individëve dhe përzihet në mënyrë arbitrare në jetën private të tyre. Vendet komuniste pjesën më të madhe të buxhetit e investonin në ushtri dhe kishin kufizime të shumta të tregtisë. Problemet më të mëdha në ekonominë socialiste janë: burokracia dhe mungesa e produkteve të shumta.

-Kapitalizmi

Kapitalizmi është sistem ekonomik në të cilin individët dhe firmat e biznesit realizojnë prodhimin dhe shkëmbimin e të mirave dhe të shërbimeve përmes një rrjeti kompleks të çmimeve dhe të tregjeve. Në të dominon prona private. Termi "kapitalizëm" u përdor për herë të parë nga Karl Marx-i në mesin e shekullit të XIX. Filozofi skocez Adam Smith ndikoi më së shumti në formësimin e teorive kapitaliste. Ai parashikonte se kombinimi i interesit personal, pronës private dhe konkurrencës ndërmjet shitësve në tregje do t'i shpiejë prodhuesit si me një "dorë të padukshme" në një përfundim që nuk e kishin planifikuar, në mirëqenien e shoqërisë.

Edhepse modele teorike të dhëna nga ithtarët e kapitalizmit premtojnë një shoqëri të zhvilluar, botëkuptimi që historikisht qëndron prapa tij ka ndikuar që ai të shndërrohet në një nga format e eksploatimit të shumë popujve të botës. Darwinizmi social, aplikimi në shoqëri i teorive evolucioniste të Charles Darwin-it, i cili jetën e sheh si një luftë të pamëshirshme për ekzistencë, ka pasur ndikim të madh në shoqëritë kapitaliste. Kështu që, kapitalistët promovuan individualizmin dhe materializmin. Si rrjedhojë, lindën probleme të tilla si: distribuimi inefiçent i pasurisë, tendenca ndaj monopolit e oligopolit, imperializmi, inflacioni i lartë, pabarazia, papunësia, jostabiliteti ekonomik, ndotja e ambientit, etj. Nevojat e shteteve të varfëra për ndihma në formë kapitali, teknologjie e ekspertize organizative sot e kësaj dite nuk përmbushen si rezultat i këtij mentaliteti dominant.

-Islami

Në Kur'an i jepet rëndësi e madhe rregullimit të jetës ekonomike të njeriut. Këtë mund ta ilustrojmë më së miri nëse e shikojmë dhe e vështrojmë suren Bekare. Në ajetet Kur'anore 2:261-266 mësojmë rreth bekimeve që do t'i gëzojnë ata që shpenzojnë pasurinë e tyre për bamirësi:

Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e All-llahut është si një kokërr prej të cilës mbijnë shtatë kallinj, ndërsa në secilin kalli ka nga njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është Bujar i Madh, i di qëllimet. Ata që për hir të All-llahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet të Zoti i tyre, për ata nuk ka frikë, ata as që do të brengosen. Një fjalë e mirë dhe një lehtësim (që i bëhet lypësit) është më e dobishme se një lëmoshë që përcillet me të keqe. All-llahu nuk ka nevojë për askë, është i Butë. O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson All-llahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar që mbi të ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan. All-llahu nuk udhëzon popullin jobesimtar. E shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre e duke kërkuar kënaqësinë e All-llahut, i përngjan një kopshti në një rrafshnaltë që i bie shi i madh, e ai jep fruta të dyfishtë. Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton). All-llahu sheh atë që veproni. A dëshiron ndonjëri prej jush që ka një kopsht me hurma e rrush, në të cilin rrjedhin lumenj, që në të ka nga të gjitha frutet, e atë (pronarin e kopshtit) ta ketë kapur pleqëria dhe ai të ketë pasardhës të mitur, e atë (kopshtin) ta godasë ndonjë stuhi me zjarr e ta djegë. Kështu All-llahu jua sqaron argumentet që të mendoni.

Edhe ajetet 267-273 të këtij kapitulli kanë të bëjnë me çështje ekonomike. Në këto ajete jepen udhëzime rreth mënyrës së dhënies së lëmoshës dhe rreth kategorive të njerëzve (institucioneve) që duhet t'u jepet ajo:

O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dinë se All-llahu s'ka nevojë për ju, është i Madhëruar. Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija, e All-llahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; All-llahu është Dhurues i Madh, i Dijshëm. Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush. All-llahu di për atë që e keni dhënë nga pasuria ose keni zbatuar ndonjë premtim, e për ata mëkatarët nuk ka ndonjë ndihmëtarë. Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqiat. All-llahu është i njohur hollësisht për veprat tuaja. Nuk është obligim yti (Muhammed) udhëzimi i tyre (në rrugë të drejtë), All-llahu e shpie në rrugë të drejtë ate që do. Çkado që të jepni nga pasuria, e keni për veten tuaj, po mos jepni për tjetërkë, por vetëm për hir të All-llahut, e çkado që t'u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t'u kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju. (jepni) për të varfërit që janë të angazhuar në rrugën e All-llahut dhe nuk kanë mundësi të gjallërojnë me tokë, duke qenë se ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur. Ata i njeh nga vetë pamja e tyre (të rraskapitur), por nuk kërkojnë e as nuk i mërzitin njerëzit. Pra çkado që të jepni nga pasuria, s'ka dyshim se atë All-llahu e di shumë mirë.

Nga studimet bashkëkohore ekonomike mund të kuptojmë se kamata shpesh merr rolin e agjentit të jostabilitetit ekonomik. Norma e interesit ndikon në rënien e nivelit të investimeve kapitale, shkakton rritje të inflacionit dhe zvogëlim të papunësisë si rezultat i investimeve spekulative, e jo të atyre produktive. Poashtu, kamata është një mekanizëm i rishpërndarjes së pabarabartë të pasurisë, përmes të cilit të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfërit më të varfër. Pas ajeteve që kanë të bëjnë me bamirësinë, në kapitullin e 2-të (Bekare) të Kur'anit theksohet ndalimi i aktivitetit me kamatë:

Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrehen ndryshe pos siç ngrehet i çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: "Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj si kamata!" e All-llahu ka lejuar shitblerjen, ndërsa ka ndaluar kamatën. Atij që i ka aritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalur (prej kamatës) atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te All-llahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë. All-llahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, All-llahu nuk e do asnjë besëprerë dhe mëkatar. S'ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e falën namazin dhe e dhanë zekatin, ata i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike as brengosje. O ju që besuat, keni frikë All-llahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk heqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me All-llahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj - askë nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni. Po në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje deri sa të vijë në një çlirim. E t'ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës, ajo, nëse e dini është shumë më e mirë për ju. Dhe ruajuni ditës kur do të ktheheni te All-llahu, dhe secilit njeri i plotësohet ajo që ka fituar, dhe atyre nuk u bëhet e padrejtë. (2:274-281)

Në këtë sure gjendet edhe ajeti më i gjatë në tërë Kur'anin, i cili poashtu ka të bëjë me një çështje ekonomike- në këtë rast me evidentimin e marrëdhënieve tregtare:

O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga gjiu juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar All-llahu. Le të shkruajë, ndërsa atij le t'i diktojë ai që pranon borxhin, le t'i frikësohet All-llahut, Zotit të tij e të mos lërë mangët asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mentalisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t'ia përkujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë te All-llahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëherëshme (dora-doras) që e praktikoni mes jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mosrespekt i juaj (ndaj dispozitave të All-llahut). Keni frikë All-llahun se All-llahu ju dhuron dituri (të jashtzakonshme), All-llahu është i Gjithdijshëm për çdo send. (2:282)

Në Kur'an ekzistojnë edhe rregulla e parime të tjera të shumta rreth aktiviteteve ekonomike. Le t'i përmendim disa prej fakteve që nxjerrim nga Kur'ani:

1. Sistemi ekonomik në Islam bazohet në drejtësi:

All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim. (16:90)

O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete. (4:29)

Mos iu afroni pasurisë së jetimit derisa ai të arrijë pjekurinë, (mund t'i afroheni) vetëm në mënyrë më të mirë, zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën… (6:152)

Masën mbusheni kur matni dhe peshoni me peshojë të drejtë (precize). Kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë. (17:35)

Plotësoni matjen, e mos u bëni prej atyre që lënë mangu! Dhe matni me peshojë të saktë (precize). Dhe mos leni mangu sendet e njerëzve, e mos bëni shkatërrime në tokë. (26:181-183)

Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë. Ata që kur masin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, e kur u masin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu. A nuk e dinë të tillët se kanë për t'u ringjallur? Në një ditë të madhe, në ditën kur njerëzit ngriten (prej varrezave) për të dalë para Zotit të botëve. (83:1-6)

2. Ndalohet monopoli apo qarkullimi i pasurisë vetëm nga një klasë e caktuar:

… Që ajo (pasuria) të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj. (59:7)

3. Pronar Absolut është Zoti:

Dhe vetëm të All-llahut janë ç'ka në qiej dhe në tokë. (53:31)

4. Zoti është Furnizuesi (teoria e Malthus-it nuk ka marrë parasysh këtë):

All-llahu është Furnizues i madh. (51:58)

Sa e sa gjallesa janë që nuk kanë mundësi për furnizimin e vet. All-llahu i furnizon ato dhe juve. (29:60)

5. Pasuria është përmendur në rreth 70 ajete të Kur'anit.

6. Në Kur'an dënohet mbështetja dhe dhënia e tepërt pas pasurisë, përdorimi i saj si mjet lavdërimi e arrogance, cilësimi i grumbullimit të pasurisë si qëllim përfundimtar në jetë:

Jo, nuk është ashtu! Por ju nuk përfillnit bonjakun, nuk cytni njëri-tjetrin për ta ushqyer të varfërin dhe ju e hani me të madhe trashëgimin (pa të drejtë). Dhe pasurinë e doni së tepërmi. (89:17-20)

Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë. (18:46)

Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit), që ka tubuar pasuri dhe që atë e ruan të mos i pakësohet. E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm. Jo, të mos medojë ashtu! Se ai pa tjetër do të hidhet në Hutame (Zjarr). (104:1-4)

7. Nga Kur'ani kuptojmë se vetëm një pjesë e ditës së premte është e caktuar për namaz, kurse tjetra për aktivitet ekonomik:

O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini. E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut, por edhe përmendeni shpeshherë All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim. (62:9-10)

8. Lejohen marrëdhëniet ekonomike edhe gjatë haxhxhit:

Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). (2:198)

9. Tregtia nuk është pengesë për të devotshmit që të jetojnë sipas Kur'anit:

Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet. (24:37)

10. Zoti urdhëron që të shfrytëzohen begatitë që Ai i ka krijuar:

Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj, ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja. (67:15)

11. Ndalohet shpenzimi i tepërt e i pa vend (vetia e konsumerizmit aq e përhapur sot në shoqëritë e zhvilluara industrialisht):

Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfërit, edhe atij në kurbet, po mos shpenzo tepër e pa rrugë. Ata që shpenzojnë tepër janë vllezër të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij. (17:26-27)

…Mos teproni, sepse Ai nuk i do shkapërderdhësit. (6:141)

Zhvillimi i lartë ekonomik që mbretëronte në shoqëritë e para që zbatuan Kur'anin është argument i qartë se ky Libër udhëzon për mirëqenie e standard të lartë jetësor, udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta (17:9).

-Përfundim

Sistemi Hyjnor i Kur'anit ka zgjidhje për çdo problem të njeriut, kurse zgjidhjeve të ideologjive, filozofive e sistemeve të tjera të mendimit u mungon universaliteti dhe urtësia që gjendet në të. Në Islam stimulohet aktiviteti ekonomik (tregtia, prona private), por ky aktivitet kërkohet që të bëhet në pajtim me parimet e drejtësisë, barazisë, mëshirës e solidaritetit ndër-njerëzor.