Projekti i qeverisë po shqyrtohet nga ekspertët e FMN-së

Taksa e sheshtë nis me uljen e sigurimeve shoqërore

Fabiola Çela

Taksa e sheshtë do të nisë të aplikohet në korrik me uljen e taksës së punës ose siç njihet ndryshe kontributi për sigurimet shoqërore.

Por, ky projekt i qeverisë do të mund të vihet në zbatim vetëm nëse marr "Ok" nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas burimeve nga Kryeministria, ekspertët e FMN-së janë duke shqyrtuar projektin e qeverisë dhe ende nuk dihet nëse do të jenë pro apo kundër tij. Kjo, pasi vënia në jetë e këtij projekti është në varësi të të ardhurave që do të arkëtojnë tatimet dhe doganat gjatë 6-mujorit të parë të vitit.

Deklarata
Dy ditë më parë kreu i qeverisë, Sali Berisha, u shpreh se në kuadër të taksës së sheshtë qeveria do të përgjysmojë tatimin mbi të ardhurat personale si edhe tatim-fitimin. Ky është hapi i parë drejt krijimit të taksës së sheshtë. Ndërkohë që do të mbetet e pandryshuar tatimi mbi vlerës e shtuar. Këto kanë qenë detajet në lidhje me krijimin e taksës së sheshtë, e cila ka si synim pagesën në të njëjtën përqindje të tatimeve kryesore të biznesit të madh. Gjatë një takimi me bizneset në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë greko-shqiptare, Berisha është shprehur se Shqipëria do të jetë vendi i taksë së sheshtë ndër më të ulëtat në rajon. "Këtë vit, Shqipëria deri në 1 janar të vitit 2008 do të instalojë taksën e sheshtë në një prej niveleve më të ulëta në Evropë, 10 për qind, duke dalë kështu në krye të të gjitha vendeve për barrën fiskale më të ulët ndaj biznesit",u shpreh ai.
Sipas kryeministrit Berisha, qeveria po bën përpjekje të mëdha për të thjeshtuar të gjithë procedurën burokratike, të mundimshme për çdo qytetar, por veçanërisht për biznesmenin për të cilin koha është vlera më e çmuar. "Ne po përpiqemi të thjeshtojmë të gjitha procedurat, do të instalojmë së shpejti "One Stop Shop", po thjeshtohen me shpejtësi procedurat për dhënien e licencave", ka theksuar ai.

Taksat
Gjatë vitit 2006 taksa e punës ulet nga 29 për qind në 20 për qind. Ulja e masës së kontributit për punëdhënësin me 9 për qind ka bërë që të rritet numri i deklarimit të të punësuarve nga subjektet private të biznesit. Në janar të 2007 qeveria nuk ndërmori asnjë hap për ndryshimin e nivelit të taksave në vend. Por, sipas deklaratës së bërë dy ditë më parë nga kreu i qeverisë Berisha, gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2007 do të ketë ndryshim të nivelit të taksave.
Në paketën fiskale të 6-mujorit të dytë të vitit pritet të pësojë ulje taksa e punës. Ndërkohë që, më 1 janar të vitit të ardhshëm pritet të ulet edhe tatim-fitimi nga 20 për qind që është aktualisht në 10 për qind. Por pavarësisht deklaratës së kreut të qeverisë, çdo gjë do të zyrtarizohet pas shqyrtimit të këtij projekti nga ekspertët e FMN-së, të cilët do të japin edhe vulën përfundimtare nëse ky projekt do të vihet në zbatim apo do të mbetet thjesht në letër.



Diskutimet kanë nisur një vit më parë
Tri tentativat për krijimin e taksës së sheshtë


Një vit më parë kryeministri, Sali Berisha, deklaroi se qeveria do të krijonte taksën e sheshtë. E thënë në një gjuhë më të thjeshtë krijimi i kësaj takse do të thotë kalimin e taksave kryesore, si tatimi mbi fitimin, TVSH-ja dhe tatimin mbi të ardhurat personale në të njëjtin nivel. Rreth një vit më parë qeveria kishte parashikuar që taksa e sheshtë të bëhej 17 për qind. Pas kësaj deklarate të qeverisë reaguan organizmat ndërkombëtare në vend. Ulja në këtë nivel e këtyre tri taksave u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Më pas diskutimet vijuan në krijimin e taksës së sheshtë në nivel 19 për qind, pra duke e zbritur me 1 për qind. Por vetëm dy ditë më parë kryeministri Berisha, deklaroi se kjo taksë do të jetë 10 për qind. Pra, tatim-fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale nga 20 për qind do të pësojnë një ulje drastike me 10 për qind. Ndërsa në projektin më të ri të qeverisë nuk është përfshirë ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH)-së. Kjo taksë pavarësisht deklaratave të një viti më parë nuk do të pësojë ndryshime. Me krijimin e taksës së sheshtë qeveria synon që të tërheqë sa më shumë investitorë të huaj. Ndërkohë, një vit më parë qeveria paraqiti një projektligj, në të cilin përcaktoheshin ulje të ndjeshme të taksave për investitorët e huaj apo vendas. Kështu për të nxitur investimet parashikohet reduktim i taksës së tatimit mbi fitimin deri në 100 për qind, për investimet mbi 10 milionë euro, shtyrje të pagimit të TVSH-së si dhe për disa lloj investimesh sipërmarrësit do të përjashtoheshin nga TVSH-ja.



Taksat

Tatimi mbi fitimin

Eshtë 20 për qind
Do bëhet 10 për qind

Tatimi mbi të ardhurat personale

Eshtë 20 për qind
Do të bëhet 10 për qind

Kontributet e sigurimeve

Punëdhënësi paguan 26.5 për qind
Do të paguajë 10 për qind



10 per qind
është parashikuar të jetë niveli i kontributeve për sigurimet shoqërore pas 1 korrikut. Më 1 janar të vitit të ardhshëm pritet të ulet edhe tatim-fitimi

17 PER QIND
ishte parashikuar që të ishte taksa e sheshtë. Ulja në këtë nivel e këtyre tri taksave u kundërshtua ashpër nga FMN. Më pas diskutimet vijuan në krijimin e taksës së sheshtë në nivel 19 për qind

Panorama