Denoncimi i rrallë, arrestohen dy tutoret 70-vjeçare
ROLAND NIKOLLI/ LEZHE
Dy motra të mo-shuara janë prangosur dje pas denoncimit për shfrytëzim prostitucioni nga nusja e djalit të njërës prej të arrestuarave.
Zbulimi i veprimtarisë disavjeçare të plakave është mësuar vetëm kur në lokalin "Babë Mrika" në qytetin e Lezhës është detyruar të "punojë" dhe 19-vjeçarja. Arrestimi i rrallë është kryer paraditen e djeshme në qendër të qytetit, ku ndodhej dhe lokali nën administrimin e Mrika Ndoci dhe Angjelina Preka. Gratë, të dyja rreth të 70-ave, sipas policisë dyshoheshin prej kohësh se e shfrytëzonin lokalin për të tërhequr klientë për vajzat e reja të punësuara aty.
Të joshura nga përfitimi i shumave të konsiderueshme të parave, pas eksperiencave me vajza të tjera, ato kanë dashur ta tërheqin drejt këtij zanati dhe nusen e djalit të Mrikës. Kjo e fundit ishte pronarja e lokalit, ndërsa e motra akuzohet se kryente rolin e "karremit" të tërheqjes së djemve drejt këtij ambienti. Kulmi ka arritur kur dy motrat e kanë çuar të renë në ambientet e lokalit dhe më pas e kanë futur në një dhomë që shfrytëzohej për prostitucion. Aty e kanë kyçur 19-vjeçaren A.N., dhe sipas dëshmisë së bërë prej së resë, i kanë futur brenda njëri pas tjetrit disa meshkuj që e kanë shfrytëzuar seksualisht atë. Të rinjtë kishin bërë pagesën te vjehrra e saj, Mrika, njëkohësisht dhe pronare e lokalit. Policia e Lezhës, që ka bërë arrestimin, pohoi se djali i pronares tutore jetonte në emigracion në Itali dhe e kishte lënë gruan e re për t'i qëndruar në ndihmë vjehrrës. Nuk dihet nëse ai ka pasur dijeni për këtë aktivitet ilegal që e ëma ushtronte, apo faktin e shfrytëzimit të së shoqes, por e reja, menjëherë pasi ka dalë nga lokali i është drejtuar policisë.
Aty ajo ka denoncuar vjehrrën dhe motrën e saj, duke treguar me hollësi se çfarë kishte ndodhur dhe "misionin" që kishte lokali në qendër të qytetit. Menjëherë agjentë të Antitrafikut janë nisur drejt "Babë Mrikës", duke arrestuar dy të moshuarat me akuzën e "shfrytëzimit të prostitucionit" dhe "detyrimit drejt prostitucionit". Sipas burimeve të policisë së Lezhës, e cila po vazhdon hetimet për këtë ngjarje, mësohet se për çdo klient të vajzave që shfrytëzonin ato merrnin nga 2500 lekë. Ndërkohë po verifikohen dhe rastet e vajzave të tjera të shfrytëzuara këtu, të cilat mendohet se kanë bashkëpunuar me pronaret, pasi deri tani nuk ishte regjistruar asnjë denoncim prej tyre. Veprimtaria në mes të qytetit zhvillohej prej 3 vitesh, ndërsa më parë, mësohet se lokali i "Babë Mrikës" ka shërbyer edhe si motel, ku për çdo çift motrat Ndoci dhe Preka merrnin nga 500 lekë.
2500 leke - sipas policisë së Lezhës merrnin pronaret e lokalit "Babë Mrika" për çdo klient që "vizitonte" vajzat e shfrytëzuara në këto ambiente. 3 vjet - mësohet se lokali në qendër të qytetit shfrytëzohej nga ana e dy grave të moshuara, si vend për të mbledhur klientët e prostitucionit.
Gazeta PANORAMA
Krijoni Kontakt