Gazeta sot
Kultura e drejtimit në pikëpyetje
Nga Isidor Koti -
Kokëfortësia absurde e hierarkisë politike në këto kohë të vështira për historinë e Shqipërisë europiane është më shumë se e çuditshme.
Kur bëhet fjalë për integrimin e Shqipërisë në Europë, të gjithë janë gati, por askush nga krerët e partive kryesore në vend nuk lëshon pe, duke e lënë situatën të degradohet deri në atë pikë sa të vihet në pikëpyetje edhe procesi elektoral i zgjedhjeve ta afërta lokale.
Nga kjo situatë lindin shumë pikëpyetje mbi lojën e interesave, por pyetja më pikante që reflekton arsyetimi është: a kanë kulturë të plotë dhe formimi politik politikanët tanë? Në të vërtetë kultura e drejtimit reflekton pasurinë shpirtërore dhe mentalitet-formuese të një kombi. Anëtarët e tij përpiqen të lartësojnë njerëzit e duhur, në mënyrë që t’iu japin rrugëzgjidhje problemeve të panumërta që shoqërojnë jetën e një vendi.
Në mënyrë permanente, populli ynë iu ka dhënë shumë atribute liderëve të tij, duke i lakuar dhe përshëndoshur çdo ditë të vitit, sikur të ishin “perënditë” shpëtuese. Aq sa i kemi nderuar dhe respektuar në kulm figurat tona drejtuese, duke marrë në konsideratë nevojën e motivimit dhe mbështjetjes së tyre reciproke, për të ecur bashkërisht në drejtimin e zhvillimit gjithanshmërisht të shumëdashur. Këto kanë qenë dhe mbeten edhe në ditët tona dy nga lajtmotivet bazë të nderimit të udhëheqjes, për të krijuar imazhin e plotë të një kombi, përballë vetvetes dhe botës që e rrethon.
Shumë politologë ose studies të kësaj shkence e shpjegojnë reagimin sensibël të popullit ndaj liderëve të tij, si një fleksibilitet psikologjik në rezultanten e marrëveshjeve mes palëve për të inkurajuar politikat zgjidhëse të çështjeve që gjenerojnë problem. Kjo ndjeshmëri nuk ka të bëjë thjesht me një interes të njëkahshëm, përderisa votuesi mendon se në duart e liderit të vet do të besojë bindjen e tij dhe anasjelltas, lideri jep kontributin e tij për votuesin duke i shërbyer këtij të fundit në bazë të marrëveshjes ditën e zgjedhjes dhe llogaridhënies sa herë që i kërkohet të përçojë tek zgjedhësit. Teorikisht, në këtë rendiment funksionon demokracia e ngjizur që në poliset greke dhe e dashuruar ndër shkekuj nga popujt, deri në ditët tona kur presupozohet të jetohet koha e artë e pushtetit të popullit.
Edhe ne shqiptarët e kemi njohur mirëfilltazi këtë dimension të rëndësishëm të jetës drejtuese të një shteti dhe i kemi besuar klasës sonë politike shumë e shumë atribute, ndonjëherë edhe të dëmshme. Kjo ka ndodhur sepse besimi ndaj drejtuesve të vet për shqiptarët ka qenë puritan, duke u praktikuar fare pak parimin “beso dhe kontrollo”. Ne kemi mbetur tek besimi dhe jo tek kontrolli. Në të kundërt do të kishim ndryshuar qëndrim ndaj atyre pak drejtuesve që kemi patur dhe kemi ende në pushtet. Ky besim madje ka qenë kokëfortë, duke pranuar rolin e mësimarrësit dhe jo të këshillëdhënësit. E kemi reflektuar këtë vizion në rreze të ulët, veçanërisht gjatë 15 viteve të fundit duke këmbyer njerëzit e njëjtë, në të njëjtat karrike.
Duam apo s’duam ta pranojmë, liderët e vjetër i kemi kthyer në kulte, duke i “adhuruar” ata jo për dobishmërinë, por për personalitetin dhe backraundin politik, i cili realisht ka lënë shumë hapësirë për t’u qortuar. Disa syresh që janë ende nostalgjikë nga regjimi i kaluar vijojnë ende të mbajnë ngjitur në muret e tyre figurën e diktatorit “të pazëvendësueshëm”. Madje atë “ikonë” e pastrojnë, e puthin dhe përloten për të. Qesharake! Por eja dhe mbushi mendjen këtyre njerëzve. se shpëtimtari i vërtetë nuk është ai që është varrosur këtu e 20 vite të shkuara. Fatkeqësisht, kështu ndodh edhe sot me ne shqiptarët e pas viteve 2000, në një formë më të sofistikuar. Kjo tregon qartë se në mentalitetin tonë ka mbetur i njëjti qëndrim ndaj liderëve. Ata vijnë dhe ikin, por “babai” mbetet i pandryshuar.
Nga pushteti i vërtetë që buron prej demokracisë, pjesa bazike e popullit tonë ende nuk ka kuptuar se lideri nuk është mbreti i të gjithëve, por një i zgjedhur i përkohshëm në krye të një territori të caktuar gjeografik, i cili ka përgjegjësi për mirëqënien e zgjdhësve të tij. Nëse nuk e kryen mirë këtë detyrë, ky popull ka të drejtë ta shporrë nga karrikja dhe të zgjedhi një tjetër. Që do të thotë se pushteti i vërtetë nuk është në dorën e një individi, por në duart e vetë popullit. Tradicionalisht ne e kemi ditur nga pikëpamja teorike këtë fakt, por kurrë nuk e kemi vënë në jetë. Një tjetër pikë e rëndësishme, të cilën kemi kohë që e kemi harruar është se liderët tanë nuk vijnë nga kozmosi por nga shtrati i këtij populli që e ka rritur dhe edukuar. Këtu vlen të ndalemi në një këndvështrim të veçatë dhe par-exellent të komunikimit edukativ midis dy palëve.
Politikanët shqiptarë janë konsideruar edukatorët më të mirë të popullit “foshnje”. Ata mësojnë nëpër ekrane si duhet të sillet elektorati (të cilin në shumicën e rasteve e marrin për numër) mësojnë mënyrën e të folurit nëpër manifestime, japin leksione perëndimore në vendin më të varfër të Europës. Sigurisht ky ushqim ka qenë fatkqeqësisht i dashur për një popull të cilit i është fiksuar mirë në mendje se nga goja e drejtuesve rrjedhin xhevahire, ndaj o burra të bëjmë siç thonë ata! Duke i kushtuar më shumë rëndësi pjesës sipërfaqësore, është harruar thelbi apo përmbajtja e kësaj “mësimdhënieje”.
Së paku në këta 15 vjet, politika dhe politikanët ka qenë shkolla e veseve për shqiptarët. Nisur nga fjalët e shthurrura e duke vazhduar në zënka e rrahje me njëri-tjetrin, deri në përdorimin e armëve të ftohta, imazhi tipik i një vendi me huliganë të kulturuar ka qenë leksioni më i keq. Kjo praktikë, e cila ka transformuar demokracinë në anarki të pashembullt, e ka edukuar qytetarinë shqiptare me ndjenjën e urrejtjes dhe të dhunës. Rrjedhimisht kjo histori është reflektuar edhe në jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë, të cilët identifikohen tek njëri-tjetri me liderët e tyre. Pasojat nuk janë të nevojshme të përmenden, përderisa ato i jetojmë pothuasje çdo ditë.
Dikur një teoricienë ka thënë se pushtetarët e një vendi janë kurora e një kombi. Pra, njerëzit zgjedhin në krye udhëheqjen që meritojnë. Por duket se në Shqipëri ka ndodhur krejt ndryshe. Liderët që nuk i janë dashur kurrë këtij vendi, ata janë lartësuar, me apo pa meritë. Kjo na bën të mendojmë se për të gjetur njerëzit e duhur do të duhet një kohë tjetër. Por ka një konkluzion në këtë ritëm, që shumë syresh mund të mos e pranojnë: liderët e rinj eklipsohen nga “peshqit e mëdhenj” të politikës, të cilët për sa kohë do të vijojnë të jenë në krye të fronit, do të lënë në hije risitë që burojnë prej njerëzve që përfaqësojnë mentalitetin e ri dhe progresiv.
Krijoni Kontakt