09:18 15/01/07
Një shkëndijë që ka dalë bashkë me tymin përmes oxhakut, ka shkrumbuar një banesë në Tetovë, ku tre persona kanë gjetur vdekjen dhe një tjetër është plagosur.
Ngjarja ndodhi të shtunën në mëngjes kur shtëpia e familjes Rrahmani është përfshirë nga flakët.
Sipas burimeve policore, në qytetin e Tetovës, vatra e zjarrit ka qenë në çati dhe gjithçka e ka zanafillën nga oxhaku i ndezur, i cili bashkë me tymin ka nxjerrë jashtë edhe një shkëndijë.
Për pasojë është djegur plaku 82-vjeçar i familjes, Qerim Rrahmani, i cili ishtei paralizuar.
Të njëjtin fat tragjik ka pësuar edhe 62- vjeçari Rrahman Rrahmani, i cili kishte ardhur nga Zvicra për pushimet e dimrit në Tetovë pranë familjes.
Por flakët e zjarrit nuk kanë kursyer as 13-vjeçarin, Ali Rrahmani, qeka humbur jetën bashkë me dy të afërmit e tij.
Banorët e lagjes që kanë ardhur në ndihmë, kanë mundur të shpëtojnë vetëm 15-vjeçarin Idriz Rrahmanin, që ndodhet në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Tetovës.
Sipas burimeve në komunën e Tetovës, flakët e rënë në banesën e familjes Rrahmani, kanë rrezikuar seriozisht edhe shumë shtëpi të tjera në lagjen ku ndodhi incidenti, pasi banesat janë ndërtuar ngjitur me njëra-tjetrën.
Ndërkohë, autoritetet shtetërore të Maqedonisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, ku tre persona gjetën vdekjen dhe një tjetër u plagos rëndë.
Shekulli/ G.S.
Krijoni Kontakt