Berisha me popullin: KESH përgjegjës.
11/01/07
Kryeministri Sali Berisha ia ka hedhur dje të gjitha përgjegjësitë e krizës së rëndë Korporatës Energjetike Shqiptare, duke larguar gjithçka nga vetja e tij. Kryeministri nuk ka ngurruar t‘ia tërheqë publikisht "veshin" e Korporatës Elektroenergjetike të vendit si shkaktare të kësaj krize. Dhe jo vetëm kaq, por ai ka hequr çdo përgjegjësi nga qeveria duke ia faturuar "faturën e gabimit" KESH-it. "Nuk e nxjerr jashtë përgjegjësisë së saj KESH-in në këtë krizë, jo nga fakti se nuk ka parashikuar thatësirën, por sepse nuk ka përmbushur misionin e saj dhe atë çka qeveria ka premtuar për vitin 2007, energji elektrike 24 orë", tha ai. Kreu i qeverisë bëri me dije se KESH-i u tregua i paaftë për t‘u shkëputur nga praktika e errësirës. Qeveria ka pranuar publikisht edhe krizën që ka pushtuar vendin. Kryeministri u shpreh se Shqipëria nuk ka prodhim të mjaftueshëm energjie. Për këtë qëllim, ky i fundit i vuri si detyrim Korporatës Elektroenergjetike të importojë energji, në mënyrë që të parandalohen mungesat e saj. Qeveria ka vendosur të shtojë dyfish importin e energjisë në periudhën janar-mars. Kriza e errësirës, e cila prej kohësh ka pushtuar vendin dhe kufizimet e shpeshta të ditëve të fundit e ka detyruar Kryeministrin Sali Berisha të miratojë sot importin dyfish të energjisë për 3-mujorin e parë të këtij viti, ndërkohë që nesër nis importi i saj. Berisha, në adresë të gjithë qytetarëve shqiptarë, ka treguar edhe shkaqet kryesore se përse kjo krizë ishte e pashmangshme. "Tre kontraktorë na anuluan kontratat e firmosura muaj më parë", tha Berisha, duke bërë fajtor përveç thatësirës edhe KESH-in. "Tre kontraktorë, në mënyrën më të papritur, anuluan lëvrimin e energjisë së kontraktuar sipas kontratave të firmosura muaj më parë. Një kontratë ishte 100 megavat, e barabartë me kapacitetin e TEC-it që do të ndërtohet në Vlorë", tha ai, duke shtuar se edhe dy kontratat e tjera kishin një detyrim prej 100 megavat. Kjo ndërprerje, sipas Berishës, u bë për shkak se kompanitë pranuan të paguajnë penalitetet, të cilat janë shumë herë më të ulëta në çdo kontratë të parashikuar, sesa çmimi i energjisë që u dy-trefishua. "Në rast se depozitat tona ujore do të ruheshin më së shumti për situatë emergjence, edhe pse ekspertët e energjisë nuk bien dakord, sepse impiantet që prodhojnë mbi 5 miliardë kilovat orë energji në vit nuk mund të shpallen si elemente emergjence, por një pjesë e madhe e kësaj rezerve mund dhe duhet t‘i kalojë emergjencës", tha kreu i qeverisë. Duke u tërhequr "veshin" përgjegjësve për këtë krizë, Berisha theksoi se drejtuesit e entit duhet të kishin një opsion B në rast se vendin do ta kapte thatësira. Kryeministri ka urdhëruar se për tremujorin në vazhdim duhet të ketë tenderime shtesë. "Moti mund të na imponojë të paguajmë penalitete për mosimport në rast se prodhimi ynë i mbulon dhe i tejkalon nevojat, por edhe kjo duhet parë", tha ai, duke shtuar se nuk duhet të kemi asnjë impresion nga kritikat e pabazuara. "Kur ne importonim në pranverë kolagjerët e territ frynë borizanët se po importonim kur digat ishin plot. Duhet të mësohemi të importojmë edhe kur digat janë plot, sepse ato duhet të racionohen në funksion të dimrit, të konsumit maksimal, si dhe të parashikohet edhe thatësira", tha ai. Duke bërë një rezyme, Kryeministri sqaroi se nga vitet ‘80 ndërprerjet kanë qenë të vazhdueshme. "Ne duhet të dalim nga kjo situatë. Zotimi ynë ka qenë se brenda vitit 2007 nuk do të ketë më ndërprerje të energjisë elektrike", tha ai.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt