
Postuar më parë nga
Edvin83
TECi Vlorë, investimi 92 mln euro rezulton i padobishëm
TIRANE- TEC-i i Vlorës edhe pse ka përfunduar në fund të vitit të kaluar, nuk do të vihet në punë pasi energjia që prodhohet prej tij është me kosto shumë të lartë. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta deklaron se termocentrali punon me sasi të mëdha gazi të cilat vendi nuk i ka. Në mungesë të gazit TEC-i punon me naftë, cka e bën koston e 1 kilovat/orë të prodhuar prej tij shumë më të shtrenjtë se sa ta blesh në tregun ndërkombëtar. Kjo do të thotë se investimi me vlerë 92 milionë euro do të mbahet si burim rezervë në raste emergjente.
“TEC-i i Vlorës përfaqëson një konsumator të rëndësishëm të gazit natyror me rreth 250 milionë metër/kub gaz natyror në vit , si nevojë për prodhimin e energjisë elektrike. Është i detyruar të punojë me naftë Diesel me kosto shumë të lartë dhe për pasojë cmimi i energjisë elektrike nga TEC-i i Vlorës është një cmim i lartë. Kjo bën që në këtë periudhë TEC-i të trajtohet si një TEC i sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Pra në rast se importet e energjisë elektrike janë shumë më të ulta se sa prodhimi nga TEC-i padyshim që do të ndiqet politika e importeve” shpjegon Nepravishta.
Kryetari i ERE ka raportuar në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese lidhur me gjendjen e sistemit energjetik vendas. Ai ka deklaruar se gjysma e energjisë që hidhet në rrjet shkon dëm. Një ndër arsyet është niveli i lartë i humbjeve, kostot e së cilës i vuajnë të gjithë qytetarët duke paguar më shtrenjtë për energjinë elektrike.
“Nga 100 kilovat/orë që hidhen, furnizohen vetëm 50 kilovat/orë arkëtohen. Kjo natyrisht është një eficencë jashtëzakonisht e ulët . Rritja e cmimeve vjen nga eficenca e ulët e konsumit të energjisë elektrike, nga humbje shumë të mëdha, dhe kjo përbën sfidën kryesore” tha Nepravishta.
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta ka shprehur pakënaqësi për punën e OSSH tashmë të privatitzuar nga kompania CEZ. Ai ka deklaruar se ka shumë ankesa nga qytetarët kryesisht për faturat e fryra të dritave.
(e.n/News24/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt