Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049

    Exclamation OKB: Trafikantët shqiptarë, të lidhur me "lordët" e drogës

    (Marre nga "The Herald", perkthyer per Shekullin)

    Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka renditur trafikantët shqiptarë të drogës si të lidhur direktme "lordët" e opiumit në Afganistan. Sipas gazetës britanike "The Herald", në Shqipëri, sikurse në Afganistan, Pakistan, Turqi e Kosovë ekzistojnë të ashtuquajturit lordë të drogës, të cilët janë përfituesit e vërtetë të narkotrafikut. Sipas "The Herald", e cila ka cituar një raport të Kombeve të Bashkuara, Perëndimi duket se po blen parcelat me opium të Afganistanit, pasi heroinë e lirë ka filluar të shfaqet nëpër rrugët e Britanisë, vetëm pak muaj pasi u raportua se një sasi opiumi u mblodh nën hundën e trupave të Mbretërisë së Bashkuar.

    "Rrëshira" e ndarë në pako nga fermerët, në Helmand shitet për 55 paundkilogrami. Përdoruesit e blejnë me 100 paund gramin, por mbingopja e shfaqur së fundmi tregon se në rrugë çmimi ka rënë me 28 paund për gram, duke rritur mundësinë e rënies në grackë për të rinjtë. Trafiku ilegal i narkotikëve zë mbi 40 për qind të GDP-së së Afganistanit dhe shumë shpesh është i vetmi burim jetese në komunitetet e zonave rurale. Talebanët nuk merren me kultivimin e opiumit. Kryengritësit lejojnë njerëzit e zakonshëm të sigurojnë jetesën. Sipas Kombeve të Bashkuara, përfituesit e vërtetë janë rreth 30 grupe të fuqishme, të lidhur me lordët e drogës në Afganistan, Pakistan, Turqi, Shqipëri dhe Kosovë.I gjithë misioni i rrezikuar i NATO-s në këtë vend është duke u përpjekur që t'i heqë Afganistanit rolin e liderit botëror të narkotrafikut.

    Përgjigja e qeverisë së Kabulit, e mbështetur edhe nga politika e Shteteve të Bashkuara, është shkatërrimi i fushave me lulëkuqe dhe procedimi rastësor i trafikantëve. Duke vepruar kështu, ajo vetëm shtyn komunitetet e privuara nga mjetet e jetesës në krahët e talebanëve. Megjithatë, ekziston një alternativë që mund të kënaqë nevojat e fermerëve dhe të ndihmojë në dobësimin e karteleve që kontrollojnë narko-biznesin. E gjithë bota është duke vuajtur sasinë e pakët të morfinës mjekësore, ndaj edhe opiumi që lehtëson dhimbjet mund të tregtohet si kodeinë dhe morfinë. Të 6100 tonët e papërpunuar të opiumit afgan që u korrën vitin e kaluar mund të prodhonin 600 ton barna. Gjithë çka nevojitet është iniciativa politike dhe financiare, duke licencuar kultivuesit e lulëkuqeve.

  2. #2
    Gazeta Shqiptare, 09/02/2007 - 08:30

    Antikorrupsioni që nuk i pelqen Berishes

    Brenda një dite të vetme në Shqipëri mund të ndodhin shumë gjëra. Brenda një dite të vetme mund të sigurohet një dëshmi fotografike e hipokrizisë së thellë politike të maxhorancës së sotme për luftën kundër korrupsionit. Në mëngjezin e djeshëm, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së Pavel Vaçek akuzoi politikën e sulmeve si penguese të punës së përditshme të prokurorisë. Po në të njëjtën ditë, në të njëjtën sallë, Kryeprokurori i Përgjithshëm pranon se sulmet e politikës e kanë bërë të vështirë përmbushjen e funksioneve kushtetuese të institucionit që ai drejton. Pak mbas mesditës, një prokuror i krimeve të rënda, i impenjuar në një hetim kundër korrupsionit, mbasi ishte vënë në qendër të akuzave nga TV Klan (të implikuar në hetime) dha dorëheqjen nga çështja që po hetonte.

    Për të ndjekur të drejtën e tij për t’u mbrojtur nga ky lincim publik, ju desh të zgjedhë dorëheqjen nga çështja që po hetonte si prokuror. Eshtë ekzaktësisht ajo që Sollaku dhe Vaçek kërkuan të thonë duke denoncuar rrezikun që sjellin sulmet politike duke penguar punën e prokurorëve.

    Kësaj rradhe politika ndikoi që prokurori i krimeve të rënda, të bëhet dhe vetë viktimë e “krimit” mediatik. Kishte hyrë në folenë e grenxave. Ndoshta kishte hyrë në thellësi të atij mekanizmi qesharak që funksionoi si zemberek i prishur ore nën urdhërat e klanit të lidhur me pushtetin dhe që është denoncuar ditë mbas dite nga media.

    Nëse ka një çështje të pastër korrupsioni të vërtetuar në të gjithë elementët e tij në Shqipëri, kjo është dosja e KKRT-së. Sinqerisht jemi thellësisht të zhgënjyer nga ajo që po ndodh me këtë institucion dhe lidhjet e tij me politikën zyrtare”, kjo është vetëm një pjesë e një sinjali konfidencial i ardhur në Shqipëri vetëm pak ditë më parë. Eshtë ende herët për të thënë më shumë. Dhe është, për të qenë më të saktë vetëm një parasinjal. Një nga ata të shumtët që mbajnë shënim për paudhësitë që bëjnë të paudhët në Shqipëri. Por që i paguajnë shqiptarët.

    Për më shumë se dy muaj, media e lirë ka denoncuar këtë skandal politik, ekonomik e mediatik, duke refuzuar të besojë se as inisiativa dhe as përkrahja e hapur për projektin e nisur më pak se dy javë mbas ardhjes në pushtet e zotit Berisha, lidheshin direkt me kryeministrin Berisha. “I kam urdhëruar vartësit e mi që të lexojnë çdo ditë shtypin dhe të japin përgjigje publike për të gjitha akuzat që ngrihen nga shtypi. Nuk do të ketë më padi penale për gazetarët, do të ketë vetëm zbardhje e të vërtetës”, betimi i dikurshëm i kryeministrit po merr tashmë shijen e hidhur të gënjeshtrës. Vartësit e zgjedhur prej tij heshtin. Ai vetë hesht. Skandalin dhe provat për skandalin Doktor Berisha i ka çdo ditë në tavolinën e punës, por jashtë mureve të zyrës ai dërgon jashtë vetëm heshtjen e tij. Një lloj heshtjeje që e bën, të paktën në sy të publikut, bashkëautor në këtë skandal. Eshtë më lehtë të besohet ky variant sesa të besohet se dhe betimi i dikurshëm i kryeministrit për transparencë e luftë kundër korrupsionit, mund të rreshtohet në listën e gjatë të të pavërtetave të tij para dhe pas elektorale.

    Zoti Kryeministër, autori i sulmeve më të egra të kryera ndonjëherë ndaj ndonjë individi dhe institucioni, Sollakun e ka sulmuar madje edhe më egër se vetë Nanon, tashmë ka mësuar dhe një të vërtetë tjetër. Jo atë që i tha dje paradite Vaçek, as atë që pohoi dhe armiku i tij Sollaku. Kryeministri mësoi se njerëzit tek të cilët ai kishte varur shpresat për të luftuar korrupsionin, mund të lincohen publikisht dhe në sy të tij. Për të mos thënë me bekimin e tij.

    Klani i madh, paradhoma e të gjithë asaj pjese të margjinalizuar të pushteteve në Shqipëri në këto vite të jetës së tij, dha një provë kundër tutorit dhe mentorit të vet politik. Apo mikut të ngushtë, siç e cilësojnë ata vetë. Një provë të hipokrizisë të njeriut që u vetëshpall armik i korrupsionit, por që korrupsionin e sheh vetëm tek kundërshtarët e tij. Që e sheh luftën kundër kësaj sëmundjeje jo si mision, por si armë politike për të mbrojtur pushtetin.

    Në një situatë të tillë, në celularin e kryeministrit duhet të ketë vend dhe për një SMS “lutëse” nga media e lirë për të zgjidhur një hall: Na denonconi edhe ne!

Tema të Ngjashme

  1. Pasqyra e temave historike
    Nga Fiori në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 31-05-2011, 15:43
  2. Misioni Amerikan Në Shqipëri (1946)
    Nga DriniM në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 30-07-2010, 21:39
  3. Gjergj Kastrioti sipas pikëpamjeve antishqiptare
    Nga Davius në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 77
    Postimi i Fundit: 28-04-2006, 12:45
  4. Cili është synimi i AKSH-së?
    Nga Faik në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 04-12-2003, 04:22
  5. Permbysja e rregjimit ne 97, Revolucion komunist?
    Nga Seminarist në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 28-05-2003, 23:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •