Gazeta “Les Echos”: Gazmend Toska i dha Francës tekstilin e ri


Shqiptari që rimëkëmbi industrinë tekstile franceze


Gazeta prestigjioze e sipërmarrjeve në Francë ka komentuar kohët e fundit guximin e shqiptarit të vetëm për të ndërhyrë në ndërmarrjet e falimentuara franceze, duke i risjellë në jetë vetëm duke u mbështetur në talentin e tij.

Shqiptari që ka studiuar në Francë, Gazmend Toska, pasi ka shpëtuar nga papunësia dhjetëra punëtorë francezë, duke rimëkëmbur disa nga bizneset e dështuara tekstile në këtë vend, tashmë ka mundur të hapë kapitalin e tij, duke u shënuar si një nga shqiptarët e rrallë që ka çarë në vorbullën e fuqishme të biznesit të Francës, si lider i një biznesi të suksesshëm. Në shkrimin e gazetës “Les Echos” thuhet se: Rimëkëmbësi i ndërmarrjeve të tekstilit, sapo ka hapur kapitalin e holdingut të vet GLAM ndaj kapitaleve të grupit të investuesve FINORPA. S’është hera e parë që Gazmend Toska aplikon këtë praktikë. Ky shqiptar, për nga origjina e tij, pasi punoi për shumë kohë si kuadër i lartë në Rhone-Pulenc (që mban sot emrin Rhodia), pranoi në vitin 2001 t’u dilte zot fatit të ndërmarrjes RPCT - filial i specializuar në “enkollazhin“ e fillit sintetik, në verilindje të Francës, e cila regjistronte deficite të rënda prej shumë vitesh dhe ndodhej në prag të falimentimit. Pesë vjet më vonë, kjo ndërmarrje është tërësisht e rimëkëmbur. Sot ajo ka dhjetëra punëtorë dhe regjistron një shifër prodhimi vjetor me vlerë prej 3 milionë eurosh.

Në vitin 2003, inxhinierin e tekstilit e kërkoi për ndihmë grupi industrial “Chargeurs” për të vënë në duart e tij uzinën SEOT, në qytetin Saint-Quentin, e specializuar në urdisazhin e tekstileve. Ai e kaloi me sukses sfidën. Firma SEOT afishon sot shifrën prej 2 milionë eurosh në shitje produkti. Në vitin 2005, ky shef jo i zakonshëm ndërmarrjesh, admirues i madh i bashkatdhetares së tij Nënë Tereza pranoi sfidën e tretë, akoma më të vështirë për t’u realizuar, duke marrë mbi supe barrën e uzinës “Rhodia Performance Fibres” me një sipërfaqe prej 13.000 m3, pranë qytetit të Arras-it. Në vitin 2004 uzina prodhoi 12 000 ton fibra sintetike, por humbi 8 milionë euro nga shitja e produktit të saj me vlerë totale prej 40 milionë eurosh. Gazmend Toska evitoi mbylljen e uzinës dhe mundi të mbante në punë 70 punëtorët e saj, pa asnjë ndihmë tjetër veç 1 milion euro të dhëna nga buxheti i qarkut.

Një vit më pas, “Rhoedia Performance Fibres” e riemërtuar “Lamato” është rimëkëmbur krejtësisht. Shifrat e shitjes janë përgjysmuar qëllimisht (sigurisht) deri 20 milionë euro për vitin 2006. Por struktura e sotme dinamike ka eliminuar inercinë e dikurshme dhe ndërmarrja del tashmë me fitime. “Unë kam shkuar të takoj personalisht të gjithë klientët e mi për t’u dhënë atyre edhe numrin tim personal, që të mund të më telefonojnë për çdo problem, në çdo moment, qoftë edhe në orën 2 të natës. Kjo është ndoshta simbolike, por bën që të ndryshojë gjithçka në marrëdhëniet tona”, thotë ai. Drejtuesi shqiptar 40-vjeçar synon sot të zgjerojë llojshmërinë e aktivitetit të kësaj ndërmarrjeje. Ky aktivitet ka qenë i orientuar drejt tregut të tapeteve të gamës së lartë, në sajë të prodhimit të fillit të teknologjisë së lartë poliamid 66. Toska i ka hyrë projektit për ta shndërruar fillin në rezistues ndaj zjarrit, për të hapur mundësinë e prodhimit të tapicerive të avionëve. Ndërkaq, ai ka filluar prodhimin e fibrave abrazive dhe synon zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Kurse projekti i tij për zhvillimin e polimereve synon futjen në tregun aziatik. Këto zhvillime parashikohen të bëhen me Rhodian, si partnere, që mbetet furnitori kryesor për Lamato-n. ”Ne i jemi futur punës me shpirtin e maratonistit dhe jo me atë të sprinterit. Deri tani kemi fituar një betejë, por për të fituar luftën na duhen akoma tre-katër vjet”, shpjegon stilin e vet drejtuesi. Kapaciteti prodhues i uzinës mund të rritet deri në 65 milionë euro. Me sa duket janë këto perspektiva që kanë joshur investimin e kapitaleve të grupit FINORPA deri në nivelin e 27 për qind të kapitalit të holdingut GLAM, emër i formuar nga inicialet e emrave të familjes së Gazmend Toskës.

Gazeta PANORAMA