Presidenti konsensual po punon çdo ditë për të rikandiduar për postin e kreut të shtetit në qershor 2007
Edlira Prenga
Zgjedhjet presidenciale janë sfida e radhës e politikës shqiptare që mesa duket MOisiu ka vendosur të jetë përsëri protagonist. Pasi ka arritur të jetë në qëndër të konflikteve të politikës, i atribuohet nga ndërkombëtarët zgjidhja e krizës për reformën zgjedhore, Presidenti ka vendosur të rikandidojë për këtë post. Këtë lajm e konfirmojnë burime pranë kreut të shtetit të cilët pohojnë se lotimi i MOisiut ka baza të konsiderueshme në kuvend. Ndonëse në dukjen e momentit janë ndalur në zgjedhjet lokale, e gjithë sfida është për gjetjen e një presidenti konsensual në korrik të këtij viti që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme. E në këtë linjë Moisiu e sheh veten përsëri si zgjidhje e mirë me rikandidimin e tij. Në këtë linjë po shihen dhe të gjithë lëvizjet e bëra prej tij, sidomos në këtë periudhë zgjedhore. Por me gjithë muajin e fundit mjaft aktiv, dhe takimet e përditshme për të siguruar një proces zgjedhor sipas standarteve Moisiu duhet të bëjë shumë llogari para se ti hyjë kësaj gare. Që në nisje ai ka avantazhe dhe disavantazhe njëkohësisht, pasi shumë grupime politike në Kuvend duan ta kenë të tyrin institucionin e Presidentit.
Lobingjet parlamentare
Ish-kryeministri, Fatos Nano ka bërë të qartë ambicien e tij presidenciale dhe për këtë ka një grup përkrahësish kryesisht socialistë në Kuvend. Do të ishte e thjeshtë për të të fitonte postin e admiruar prej vitesh dhe të synuar publikisht së fundmi, po ti referohemi miqësisë së vjetër dhe të re me Berishën. Me votat e të djathtëve, dhe të socialistëve të cilët një pjesë e duan ende si lider dhe një pjesë nuk do ja prishte qejfin, Nano i luan të gjitha kartat për presidencën e ardhshme. Dhe vete Rama do të ishte dakort me këtë kandidim po ti referohesh faktit se më në fund, katarseset Nano në parti do pushonin së sulmuari liderin e ri rozë.
Në pozita shumë të mira lobingu është dhe LSI e cila tregoi që në fillimet e saj se është një faktor politik, është në gjendje të shkaktojë humbjen e së majtës por dhe ti japin Berishës aq vota sa i duhen për një mazhorancë, për marrje vendimesh si zgjedhja e presidentit, apo ndryshimet në kushtetutë. Nga ana e saj LSI synon ta ketë të vetën presidencën, dhë ka përfolur deri tani disa emra si kandidatë të mundshëm edhe pse së fundmi kjo forcë politike i mëshon idesë për zgjedhje të parakohshme.
Kundër
Kryeministri Berisha, Jozefina Topalli dhe pas kësaj të gjithë të djathtët mund të konsiderohen armiqtë e betuar të presidentit aktual duke pasur parasysh se vendimi i Berishës është ende i padiskutueshëm në PD dhe grupin e saj parlamentar. Demokratët nuk kanë kapërcyer ende bllokimin e shkarkimit të prokurorit dhe zemërimi i tyre errësoi çdo shpresë për bashkëpunim në këtë nivel që kur Moisiut iu faturuan dhe lidhje me krimin. Berisha është një ndër njerëzit që ka sulmuar më shumë kreun e shtetit, edhe pse ka qenë i zgjedhuri i tij. Gjithsesi kreu i qeverisë është gati të bëjë çdo kompromis mjaft që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme, prandaj mbetet për të parë a është përsëri Moisiu kandidatura e konsensusit.
Përkrah
PDK është një forcë politike e rikonfiguruar në parlament e ka një rol tjetër sot po ti referohemi numrit të kartonëve që ngrihen pro apo kundër. Ndoka ka treguar deri tani se nga e djathta është i vetmi që mbështet hapur vendimet e presidentit.
Vlerësimi i ndërkombëtarëve
Kreu i shtetit, Alfred Moisiu gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka marrë një sërë vlerësimesh pozitive për vetë rolin që ka luajtur në momente ngërçi politik. Ai për asnjë moment nuk i ka reshtur bisedimet me palët për një sërë çështjesh të rëndësishme, duke luajtur dhe një rol vendimtar. Rasti më i fundit ishte bllokimi i procesit zgjedhor nga forcat politike, ku ndërhyri vetë Moisiu dhe pas negociatash të tij, partitë arritën të nënshkruajnë një Kod të ri Zgjedhor që solli dhe zhbllokimin e situatës së zgjedhjeve lokale që do të jenë këtë vit. Për këtë ai mori vlerësimin e ndërkombëtarëve dhe në të gjitha raportet e fundit të dhëna prej tyre, roli i kreut të shtetit u cilësua si vendimtar në zgjidhjen e situatës.
Moisiu-presidenti konsensual
Një arsye tjetër që Moisiu mund të aspirojë mandatin e tij të dytë në krye të shtetit, është fakti që ai ka dalë nga konsensusi, ose me saktë nga periudha e paqtë Nano-Berisha në vitin 2002. Sërish mes dy liderëve historikë është e njëjta frymë, por që qëllimet këtë radhë janë të ndryshme. Janë Berisha dhe Nano që nuk e duan më Moisiun në krye të shtetit. Nano kërkon të jetë ai zgjidhja konsensuale, ndërsa Berisha edhe pse e zgjodhi vetë Moisiun, mbeti i “zhgënjyer” prej tij. Rastet e kontestimeve të Berishës, që kur ky ishte në opozitë janë të shumta. Madje ai e cilësoi si të dështuar zgjedhjen konsensuele, qëkurse Moisiu votoi Dëshira Subashin si të zgjedhurën e KLD-së për në KQZ. E që nga ajo kohë janë shënuar marrëdhënie të ftohta mes tyre, duke arritur kulmin me prokurorin e Përgjithshëm, Dhori Sollaku. Madje ky i fundit mund të jetë një precedent që Berishën e bën që të mos përkrahë aspiratën e Moisiut për President, për faktin se ishte Moisiu dhe mbetet sërish kreu i shtetit, ai që vendos për shkarkimin e kryeprokurorit. Por mes avantazheve dhe disavantazheve, kreu aktual i shtetit ka më shumë mundësi që të marrë vota parlamentare se sa një zgjedhje tjetër që ende nuk ka ardhur, e që për të shpëtuar zgjedhjet e parakohshme, duhet të jetë një zgjedhje e majtë. Parë nga të gjitha këto vështrime, Moisiu e sheh si një mundësi të mirë rikandidimin e tij, dhe ku burimet saktësojnë se mbetet një alterantivë që ai e ka të mundur.
Krijoni Kontakt