Gazeta Sot
Vizita e Berishës terrorizon Beratin
Masa mjaft të rrepta sigurie kanë karakterizuar vizitën e djeshme të Kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Beratit, aq sa mund të thuhet se kjo vizitë ka “terrorizuar” qytetarët e këtij qytetit. Takimi i djeshëm me banorët e qytetit të Beratit është shoqëruar me masa të rrepta sigurie. Dhjetëra civilë e ushtarakë, të ardhur nga Tirana, kanë zënë qysh në orët e para të ditës së djeshme tërë gjatësinë e rrugës automobilistike,Ura e Kuçit-Berat, 26 km, duke vënë nën vëzhgim të gjitha automjetet dhe këmbësorët që lëviznin në këtë rrugë, deri në largimin e kryeministrit nga mitingu i Beratit.
Për herë të parë, nga forcat e Gardës së Republikës nuk janë lejuar militantë të Partisë Demokratike, të dalin me veturat e tyre për të pritur Berishën tek Ura e Kuçit, dhe as në kryeqendrat e njësive të qeverisjes vendore në këtë gjatësi rruge, si në Poshnje, në Urën-Vajgurore, në Otllak etj. Ndërkohë, dhjetëra policë pa uniformë, të ardhur nga Tirana, dhe dhjetëra të tjerë me uniformë të policisë së Beratit, kanë mbajtur nën kontroll të gjithë takimin e kryeministrit Sali Berisha, nga fillimi deri në fund. Policë të gardës së republikës, me pushkë snajper, kanë zënë vend qysh në orët e para të ditë, në pikat dominuese, mbi të gjitha godinat përreth shtëpisë së kulturës “Margarita Tutulani”, por edhe tek hotel “Tomorri”, duke mbajtur në mbikëqyrje të gjitha lëvizjet e dyshimta.
Po ashtu, në hyrje dhe në brendësi të shtëpisë së kulturës, më shumë se 30 civilë të togës së shoqërimit kanë zënë vend rreth tre orë përpara takimit dhe kanë kontrolluar imtësisht, duke u bërë kontroll trupor të gjithë personave që hynin në sallë. Janë kontrolluar imtësisht gazetarët, drejtuesit lokal të pushtetit dhe partive të koalicionit të djathtë, kandidatët për kryetarë të komunave dhe bashkive të rrethit të Beratit. Por, me gjithë këtë prani të shtuar si asnjë herë tjetër në takimet e Berishës në Berat, që gjithsesi ka rënë në sy tek të gjithë të pranishmit në këtë takim, nuk pati nga fillimi deri në fund, asnjë incident për t’u shënuar.
Takimi
I shoqëruar nga kryetari i PAA-së, Lufter Xhuveli dhe kryetari i BLD-së, Arjan Starova, kryeministri Berisha e ka bërë ndalesën e parë tek “Kthesa e Lapardhasë” 5 km larg qytetit të Beratit, rreth orës 11.30 të ditës së djeshme, ku ka prerë shiritin e përurimin e segmentit rrugor të rrugës Berat-Ura-Vajgurore, të sapo asfaltuar nga firma “Salillari”, me 57.5 milion lek të buxhetit të shtetit dhe pak pas orës 12.00 ai ka hyrë në sallën e tej mbushur të pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, ku është pritur thirrje e brohoritje entuziaste nga qindra pjesëmarrës në këtë takim elektoral. Në fjalën e tij para të pranishëmve, Berisha ka deklaruar se, këtë herë do t’i japë Beratit një kryetar bashkie, i cili do të shpejtojë ritmet e ndryshimit.
Kryeministri i ka ftuar banorët e Beratit të votojnë kandidatin e PD-së, Sali Hoxha dhe i sigurojë ata se, qeveria e tij do të firmosë mbështetjen e të gjitha projekteve e kryebashkiakut të ardhshëm, si dhe për të gjithë fituesit e së djathtës në zgjedhjet e 18 shkurtit. Berisha garantoi se, brenda këtij viti qeveria do të financojë ndërtimin e unazës së re për qytetin e Beratit, ndërtimin e një parku të madh industrial, financimin e përfundimit të plot të rikonstruksionit të rrugës nacionale Berat-Lushnje, financimin e asfaltimit të rrugës nacionale Poshnjë-Fier, por edhe financimin e rikonstruksionit të shumë rrugëve bujqësore dhe turistike të këtij rrethi.
Duke kërkuar votat për kandidatin e PD-së, Kryeministri Berisha akuzoi kundërshtarin e tij socialist, Fadil Nasufi, për abuzime me fondet e taksa paguesve, duke e quajtur atë “Edvinist”. Gjatë mandatit të tij, Fadil Nasufi, tha Berisha, ndërtoi vetëm tre apartamente për qytetarët e Beratit dhe një vilë për vete, sa një pallat pesëkatësh.
Krijoni Kontakt