Close
Faqja 26 prej 32 FillimFillim ... 162425262728 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 251 deri 260 prej 313
  1. #251
    Balkanweb, • 06/01/2007 - 08:05

    Majko: Berisha, skenar manipulimi me certifikatat
    • Darina Tanushi

    Socialistët akuzojnë Kryeministrin Berisha, se po përgatit skenarin e manipulimit të zgjedhjeve me certifikatat. Dje ata nga negociatat kaluan në sulm, duke bërë publike edhe dokumenta falso certifikatash që janë në duart e popullatës dhe me të cilat, nuk mund të shkohet në zgjedhje.

    “Në sasi të kufizuar, pjesë-pjesë janë konstatuar certifikata të parregullta për gjithë periudhën prej 28 gushtit 2006 deri në datën 12.10.2006. Përveç sasisë prej 1 517 800 që përfaqëson 20% të kontratës, nga kolaudimi kanë rezultuar të parregullta 346 mijë certifikata, ose 23% e sasisë së pritur, por i janë kthyer subjektit “Ilar” për t’u zëvendësuar” deklaroi dje para medias dhe me një skemë të posaçme sekretari i Përgjithshëm socialist Pandeli Majko.

    “Për një sasi prej 123 050 certifikata janë vlerësuar se nuk plotësonin kushtet teknike dhe administrata e vlerësimit teknik nuk ka marrë masa për t’ia kthyer ato subjektit prodhues, por me urdhër të drejtorit të kësaj qendre janë bërë hyrje në magazinë”, -sqaroi më tej Majko. Duke paraqitur një skemë, Majko sqaroi se PS-ja flet për certifikata të cilat kanë filluar shpërndahen më 28 gusht të 2006 dhe deri me 8 shtator kur ka dalë dhe vendimi i qeverisë, të cilat sipas tij nuk janë regjistruar në asnjë vend dhe nuk janë dokumenti i duhur që garanton votimin në zgjedhje. Duke ju referuar deklaratës së Kryeministrit Berisha, Majko tha se “nëse besojmë Kryeministrin Berisha, i bie që nga data 28 gusht deri në nëntor kur ka hyrë udhëzimi për regjistrimin e certifikatave, janë rreth 500 mijë certifikata jashtë regjistrit, të cilëve ne u heqim të drejtën e votimit”.

    “Ne jemi të bindur se nga data 28 gusht deri në nëntor, këtu luhet gjithë mekanizmi dhe skenari i manipulimit të votave”, - u shpreh Majko. Ai tha se “përfaqësuesit e PS-së nuk hedhim asnjë dyshim mbi validitetin. Ne duam të respektohet regjimi i vendosur nga qeveria për regjistrimin e certifikatave”.

    Po dje pasdite, deputeti socialist, Erion Braçe ka bërë publike dy lloje certifikatash që sipas tij, “mbajnë të njëjtin kod dhe numër serie, janë pothuajse identike, janë dy lloje certifikatash që përmbajnë pullën e sigurt, hologramën, edhe tek origjinalja edhe tek e falsifikuara”.
    “Janë që të dyja bosh dhe cilido mund t’i plotësojë këto me emrin e kujtdo”, - tha Braçe. Sipas tij, asnjë komisioner nuk mund t’i dallojë se cili është origjinali dhe cili i falsifikuari në këto kopje, nëse ato mbushen. “Ne kërkojmë që të gjitha këto certifikata t’i nënshtrohen këtij regjimi të regjistrimit, emër, mbiemër, datë lëshimi, lloj certifikate”, - u shpreh Braçe. Sipas tij, “propozimi që bën Kryeministri që të votohet me këto certifikata me zarfe e më pas të verifikohen, është njësoj si të thuash të vjedhim dhe pastaj ta denoncojmë”. “Kjo ka ndodhur shpesh në Shqipëri dhe ka sjellë trazira në zgjedhjet lokale, qoftë parlamentare”, - tha Braçe.

  2. #252

    (Keq)Interpretimi i Raporteve te OSBE-se

    Korrieri, E Diele, 07 Janar 2007

    Certifikimi i politikes
    Nga Arben Rrozhani

    Brenda dy muajve OSBE/ODIHR-i nxori dy raporte per zgjedhjet vendore ne Shqiperi, ende pa nje date te caktuar. Ndersa ne raportin e kaluar te nentorit 2006 jepej nje panorame e gjere e hapave qe jane (zh)bere per procesin elektoral, raporti permbledhes ben nje certifikim te politikes shqiptare ne fundvitin 2006: kush investoi per zgjedhjet dhe kush punoi kunder tyre.

    Dy partite e medha e kane perkthyer ne interes te filozofise se tyre bipartizane permbajtjen e raportit, duke ia hedhur njera-tjetres fajin, ashtu sic ka ndodhur rendom me te gjitha raportet e vezhguesve te huaj dhe duke e lene fajin jetim. OSBE/ODIHR-i me optimizmin e pazakonte dhe qendrimin luajal ndaj qeverive shqiptare, kesaj radhe ka bere nje progres edhe ne performancen para shqiptareve, duke ndare para opinionit publik deri diku shapin nga sheqeri.

    Permes gjashte faqeve te raportit nuk eshte e veshtire te dallohet se dy partite e medha kane qene ne sinkron me sterkembeshat ndaj procesit zgjedhor ne vend. Ato dy here me radhe, nje here me 30 gusht dhe pastaj me 30 dhjetor, doreperdore e cuan fatin e zgjedhjeve ne rruge te mbare dhe po aty e rrezuan pa me te voglin pendim.

    Investimi tyre per zgjedhjet ka qene i pamohueshem: ato dite e nate, bashke apo ndaras, kane punuar per te mos u perballur me njeri-tjetrin, duke patur frike nga vota e elektoratit per mekatet e kryera ne vitet e shkuara kur PS-ja ishte ne pushtet dhe per zullumet e pafundme prej shtatorit 2005 kur PD-ja erdhi ne pushtet. Me pak vullnet per zgjedhje te lira dhe te ndershme, qeveria e qindra milione eurove te mbledhura me shume nga plani i parashikuar do te kishte ndare nje dore, per t’i bere te gjithe shqiptaret me karta identiteti, por partia e z.Berisha nuk mund te ndahet aq kollaj nga sindromi i kutive te mbushura dingas dhe fitorja 99,99 per qind si me 26 maj 1996. Kritiket e kryeministrit Berisha kane shume argumente per ta akuzuar ate si armik te zgjedhjeve te lira dhe te ndershme, qofte edhe me sjelljen e tij gjate muajve te fundit. Pak kohe me pare numri dy i qeverise se Mbreterise Belge garantoi kryeministrin shqiptar gjate nje konference shtypi se Brukseli nuk do te kursehej aspak per te pajisur shqiptaret, nje komb me vetem 3.34 milione banore, me karta identiteti, madje sipas “gojeve te liga” miku belg ia la ne dore ID “Made in Belgium”, shtetasit shqiptar Sali Berisha, i cili “rastesisht” e mori per nje kartvizite!!!!

    PD-ja prej muajsh shpiku pengesa te panumerta per ta bere procesin nje maratone pa fund. Per shume jave roli i prefektit qe duhej te monitoronte listat e zgjedhesve bllokoi procesin, deri sa u hoq dore nga kjo shkelje flagrante e procesit elektoral prej politikes. Me pas u kembengul qe zgjedhesit te mos dilnin nga regjistri i perkohshem, duke krijuar votuesit shtegtare qe do ta minonin procesin, duke i dhene mundesine PD-se qe te merrte disa qindra mijera vota te pamerituara. Guri i fundit mbeten certifikatat, disa qindra mijera dokumente identifikimi, qe jane nje baze e sigurt per nje fitore te pamerituar elektorale.

    PS-ja nga ana e saj ka patur nje vullnet te manget per te hyre ne procesin zgjedhor. Madje mbajtja e zgjedhjeve vendore, ka qene preokupimi minimal i nje opozite qe ka investuar perdite dhe me tituj te zinj demaskimin e qeverisjes se drejtuar nga demokratet, edhe ne ato drejtime ku ajo ka patur sukses te pamohueshem. Nese energjite qe PS-ja ka harxhuar per te shkruar ne derrasen e zeze te selise roze per abuzimet e ekzekutivit te ri, ne kodin e sjelljes se spikeres se Parlamentit, apo per gerr-merret me aleate qe nuk shtojne asnje vote, do te ishin cuar ne shtratin e natyrshem per garantimin e zgjedhjeve te ndershme, Shqiperia nuk do te ishte vonuar per te bere zgjedhje brenda afateve kushtetuese.

    Persa u perket partive aleate ne bashkeqeverisje, roli i tyre nuk doli nga ai i zhvatesve te tortes qeverisese dhe nuk eshte e papritur qe ato nuk paten asnje impenjim per te kontribuar ne afrimin e paleve.

    Ishte merita e LSI-se qe dy parti te koalicionit bashkeqeverisese u ndane nga “kopeja” e PD-se per te shfaqur nje mendim tjeter dhe per te punuar per nje proces zgjedhor. Nuk ishte papritur qe Levizja Socialiste per Integrim spikati kesaj radhe ne raportin e ODIHR-it, per investimin qe ka bere per eliminimin e defekteve te renda qe shoqerojne tradicionalisht zgjedhjet shqiptare. Qe ne tetor 2005, LSI kerkoi nisjen e reformes zgjedhore, duke apeluar te Presidenti i Republikes, dhe me 7 dhjetor 2005, 12 parti parlamentare moren angazhimin per te ngritur nje komision te posacem per reformen zgjedhore, qe vdiq pa lindur. Ne janar 2006 LSI rrezikoi imazhin e saj politik si parti e majte, duke nenshkruar me kryeministrin Berisha, sepse procesi elektoral nuk mund te realizohej pa angazhimin e forces ne pushtet, angazhime qe nuk u mbajten me vone. Ne kulmin e krizes dhjetorin e kaluar, LSI terhoqi me vete edhe dy partite e koalicionit qeverises PDK dhe PBDNJ, perpjekje qe coi ne nje afrim tjeter mes dy partive kryesore.

    Gjysma e dyte e dhjetorit 2006 ishte koha e LSI-se dhe e kryetarit te saj, Ilir Meta, i cili investoi gjithcka qe te nxirrte nga bataku i zullumit zgjedhor politiken shqiptare, por misioni ende nuk eshte i perfunduar. Topi per fat te keq eshte serish per bipartizanin PD-PS dhe aty nuk ka asnje leshim sidomos kur bie fjala per vota te pamerituara, me te cilat sigurohet pushteti qe nuk meritojne shqiptaret.

  3. #253
    Panorama, Faqe 28 - Opinion

    ODIHR, kush e ka fajin?
    Martin Leka

    Pas deklaratës së ndërkombëtarëve lidhur me situatën e zgjedhjeve në vend, si të ishin në një zbor ushtarak, kanë parakaluar nëpër ekrane liderë dhe udhëheqës që nga Berisha, Rama, Majko, Topalli, Rusmajli, zëvendësministri i certifikatave, nënkryetarja e LSI, kryetari i PDK-së, madje kam parë edhe një grua apo vajzë me një zë “kukuvajke”, që të kujtonte ato brigadieret e dalluara të kooperativës, që mbështesnin Partinë (e Punës) në strategjinë e zhvillimit të teknikës luftarake, kur doli në përkrahje të qeverisë dhe kundër opozitës për situatën e krijuar. Tashmë që të gjithëve iu ka ardhur “veza” në të dalë, mundohen të luajnë rolin e Ponc Pilatit. Të gjithë, pa përjashtim, flasin me vendosmërinë e atij që ka të drejtën me vete dhe në fund, qytetari nuk di fare se kush ka të drejtë e kush e ka fajin, duke e degjeneruar kështu situatën në një absurd, ku të gjithë kanë të drejtë e të gjithë kanë faj?!...

    Politika shqiptare duket se nuk ka asnjë shpresë të rigjenerojë imazhin e përbaltur. Në mënyrë të veçantë, këtë imazh duket se nuk mund ta rigjenerojë pikërisht ai që duhet ta kishte bërë me çdo kusht e me çdo çmim: kryeministri Berisha, i cili është nëpër të gjitha dosjet e sirtarëve të kancelarive perëndimore si prishës e si vjedhës i zgjedhjeve. Si i tillë, Berisha duhet të kishte bërë cdo gjë, (sigurisht të ligjshme) për të realizuar premtimin e bërë botërisht: zgjedhje të lira e të ndershme! Situata në të cilën ndodhemi nuk të jep asnjë premisë për këtë.

    Gjithë ecuria e konfliktit të deritanishëm tregon se sa e paaftë është politika shqiptare për të zgjidhur problemet e veta dhe se sa e aftë është ajo kur vjen puna për të krijuar konflikte, artificialë e të paprecedentë, duke e çuar situatën në zgrip. E keqja e gjithë politikës shqiptare këto vite duket se ka qenë një sëmundje e keqe: ajo e marrëveshjeve politike apo partiake që paralelizojnë ose zëvendësojnë ligjin. Madje edhe gjatë kësaj krize disamujore është arritur një marrëveshje, e cila ende nuk është implementuar. Tashmë gjithë problemi ka ngecur tek ai i certifikatave. Të dy kampet japin versionet e tyre, në dukje të besueshme. Por që në thelb, nuk kemi pse t’i biem anash e anash, duket se gjykimet dhe pretendimet e opozitës janë më afër realitetit dhe për këtë gjë ajo këmbëngul. Nëse është i vërtetë konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit se në qarkullim janë rreth 150 mijë certifikata false, kjo do të mjaftonte për të argumentuar falsifitetin e votës së shqiptareve. Imagjinoni, një rikandidat për kryetar komune në një zonë të Tiranës, tregonte dje se kishte humbur në zgjedhjet e kaluara me vetëm 16 vota. Domethënë, do të mjaftonin vetëm 17 nga këto certifikata për ta bërë automatikisht kandidatin kryetar komune?! Ajo që është e vërtetë është se politika shqiptare ende për 16 vjet nuk mundi të unifikojë për qytetarët e vet një dokument identifikimi, por i la ata në fatin e falsifikatorëve të “Rrugës së Durrësit a Kavajës” si piratë!

    Por, nëse për politikën shqiptare nuk kemi ç’të themi, pasi gjërat duken, ajo çka nuk kuptojnë shqiptarët dhe për të cilën duhet të informohen, është roli i ODHIR-it, pjesë e OSBE-së që merret me zgjedhjet. Një opinion mjaft me vlerë i ambasadorit të Shqipërisë pranë OSBE, zotit Zef Mazi, botuar dje në “Panorama”, saktëson fare qartë statusin dhe detyrat e kësaj organizate. Sidomos në planin e asistencës teknike, ky organizëm është bërë pjesë e lojës së zgjedhjeve. Nëse votuesi shqiptar nuk kërkon të dijë detaje teknike që nuk i interesojnë në fund të fundit dhe pse jo, nuk i kupton, atëherë qytetari ka të drejtën legjitime të dijë dhe të informohet nga kjo organizatë nga nëpunësit e tij në Tiranë lidhur me këtë problem teknik. Më thjesht fare, përpara se shefat e tyre në Vjenë apo Bruksel të damkosin politikën shqiptare, qytetarët duhet të dinë konkretisht: si zgjidhet dhe kush nga palët është përgjegjëse për këtë gjendje ku ka ngecur kriza e politikës së zgjedhjeve?

    Zyrtarët e OSBE-ODHIR nuk janë një shoqatë e pavarur apo private, ku mbledhin fonde për rrogat e majme të tyre, por statusi i tyre është më shumë teknik, sesa politik. Ky lloj statusi i obligon ata për të qenë transparentë me shqiptarët, të cilët duhet ta dinë mirë: kush është fajtori, Berisha apo Rama, pushteti apo opozita? Vetëm kështu shqiptarët, të majtë apo të djathtë, do të mund të gjykojnë fajtorin me votë. Përndryshe, nëse ODHIR nuk do ta bëjë këtë gjë konkretisht, faji do të “fshihet” në xhunglën e politikës shqiptare, ku nuk do të ketë “zot nëne” që ta gjejë. Por, ky do të ishte kontributi dhe ndihmesa më e keqe që mund të bënte ODHIR. Këta zyrtarë do të shndërroheshin në spektatorë mjeranë në një ndeshje ku “lojtarët” nuk luajnë, por thyejnë turinjtë e njëri-tjetrit! ODIHR është i detyruar ta bëjë këtë, për sa kohë emri ODIHR përflitet ditë për ditë në të gjitha deklaratat e palëve! Edhe raporti i fundit për situatën e zgjedhjeve dhe atë politike deri më 31 Dhjetor, nuk duket se i vë pikat mbi “i”. Të nesërmen, palët dolën sërish e i dhanë të drejtë vetvetes, sigurisht duke përshëndetur edhe “mësuesin” vlerësues që asnjërës palë nuk i ka vënë “notë”, por që i ka mbetur në klasë të dyja. Ndoshta ekspertët e OSBE-ODIHR duhet të jenë më të drejtpërdrejtë në këtë situatë krize dhe jot ë mbetet vetëm në kuadrin e konstatimeve, ku gjuhën e tyre diplomatike palët e interpretojnë sipas interesave te tyre. Pas një “pauze” të gjatë, ODIHR duhet të mos lërë shteg për asnjë ekuivik, por t’i japë përgjegjësitë konkrete secilës palë. Kjo do të ishte një ndihmesë e madhe jo për politikën shqiptare, por për popullin shqiptar, i cili do të mund të ndëshkonte fajtorët e vërtetë.

  4. #254
    automotive Maska e ClaY_MorE
    Anëtarësuar
    16-05-2004
    Vendndodhja
    Deutschland
    Postime
    4,456

    KQZ: Zgjedhjet në rrezik edhe më 18 shkurt.

    Çlirim Gjata deklaron zyrtarisht se 20 janari ka dështuar.

    Vonesa e kompromisit për zgjedhjet në politikën shqiptare do të lërë në dyshim zhvillimin e tyre më 18 shkurt. Ky është realiteti i vërtetë i situatës së krijuar nga politika shqiptare, i cili është bërë publik dje nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nëse do të mungojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, ka deklaruar se do të rrezikohet edhe data e zgjedhjeve në shkurt. Në një deklaratë për shtyp, kreu i KQZ ka deklaruar publikisht se mbajtja e zgjedhjeve më 20 janar ka dështuar. Ai ka konfirmuar dje atë që ishte parashikuar prej kohësh, por që në asnjë rast nuk u bë publik nga politikanët e mazhorancës, çka është pikërisht dështimi i zgjedhjeve më 20 janar dhe rrezikshmëria e tyre më 18 shkurt. "Zgjedhjet e dekretuara nga Presidenti më 20 janar nuk mund të zhvillohen", tha Gjata. Deklarata e tij ka ardhur fill pas publikimit të raportit paraprak të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve OSBE/ODIHR. Ky raport paralajmëroi dështimin e procesit elektoral të 20 janarit për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës, duke e cilësuar procesin ilegjitim. Kryetari i KQZ u bëri thirrje forcave politike të miratojnë sa më shpejt në parlament ndryshimet e Kodit Elektoral. Në rast të kundërt, Gjata la të kuptohet se vonesat do të vendosin në dyshim edhe zhvillimin e zgjedhjeve më 18 shkurt. Duke cituar raportin e fundit të ODIHR-it, Gjata theksoi se KQZ është përpjekur deri tani të përmbushë detyrat e saj në mënyrë profesionale. Nga citimet e këtij raporti, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shkëputur se "për shkak të mungesës së marrëveshjeve mbi ndryshimin e kuadrit ligjor, KQZ u gjend në një situatë, ku një sërë aktivitetesh të nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve nuk mund të ndërmerreshin". Pas citimeve të këtyre konstatimeve në raportin paraprak të misioni të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Gjata theksoi se edhe pse situata zgjedhore në vend vazhdon të jetë ende e bllokuar dhe forcat politike nuk kanë mundur të gjejnë rrugën drejt konsensusit përfundimtar për zhvillimin normal të Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore, analiza tepër pozitive që misioni i vëzhgimit i ka bërë punës së komisionit, përforcon akoma më shumë bindjen që ky institucion është përpjekur maksimalisht dhe po të njëjtën gjë do të vazhdojë të bëjë dhe në të ardhmen. "Duke pasur parasysh gjithmonë këto pika referimi, KQZ ka insistuar dhe ka kërkuar nga të gjitha palët dhe organizmat që kanë të bëjnë me zgjedhjet, të veprojnë në të njëjtën mënyrë dhe të zbatojnë detyrimet ligjore, por dhe morale që ata kanë jo vetëm ndaj procesit zgjedhor, por dhe ndaj të drejtës më legjitime që kanë shtetasit shqiptarë për të votuar", tha ai. Gjata ka deklaruar se pavarësisht këtyre përpjekjeve, procesi mbeti i bllokuar dhe pa zgjidhje. "Për të gjithë është e tepërt të them se kush duhet të mbajë mbi supe përgjegjësinë e këtij dështimi, por nuk është aspak e tepërt të ritheksoj se askush nuk ka të drejtë të mohojë të drejtën themelore të shtetasve për të votuar", vijoi ai.


    Gazeta Shqip
    Jeta ime, mban emrin e saj..

  5. #255
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    ja dhe kooperativisti i dalluar i Edvinit, spiuni Leka.. i mirnjohur me alarmet qe jepte ne KJ dikur se.. Berisha po dergon tanket ne kufi me Kosoven.. ose se ne x repart ushtarak berisha po pergatit kosovaret ushtarakisht.. pra ti Serbi hapi syte e rriji gati se coc duan te bejne shqipot..

    legen i mbetet legen..

  6. #256
    i/e regjistruar Maska e King_Arthur
    Anëtarësuar
    27-04-2006
    Vendndodhja
    Detroit U.S.A por me zemer dhe shpirt ne elbasanin tim.
    Postime
    2,411
    Rama-Gjinushi rrëzojnë edhe 18 shkurtin, rinxjerrin sebepin e listave zgjedhore

    Aleati i ngushtë i selisë rozë ka zbardhur dje arsyet e vërteta pse PS nuk do të njohë marrëveshjen e 30 dhjetorit. Sipas Gjinushit, opozita do të kërkojë shtyrjen e zgjedhjeve tej afateve kushtetuese, pasi periudha e mbetur është e pamjaftueshme për hartimin e listave zgjedhore. Kësisoj, PS e PSD pritet të refuzojnë sot në takimin me Presidentin, caktimin e ndonjë date konkrete për zhvillimin e zgjedhjeve lokale



    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka përforcuar sërish dje idenë e kërkimit të një shtyrjeje të dytë të datës së zgjedhjeve, duke nxjerrë këtë herë, veç sebepit të certifikatave, edhe shkeljen e afateve kohore për përgatitjen e procesit zgjedhor lokal. “Vendi duhet të shkojë në zgjedhje, vetëm me konsensus dhe me një minimum standardesh. Pavarësisht zgjidhjeve që do të ofrohen, vendi duhet të shkojë në zgjedhje sipas ligjit, ndaj problemet janë mëse të qarta për opozitën, e cila klasifikon listat dhe certifikatat, si dy probleme që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Dy janë çështjet, çështja e afateve për listat, sepse në bazë të “Kodit”, të gjitha afatet kanë skaduar që në muajin maj dhe së dyti, një procedurë e kontrollueshme për certifikatat, në favor të të gjithëve që duan votën e lire”, deklaroi Gjinushi, që ndodhet në pritje të tryezës së sotme që, sikurse është paralajmëruar, do të iniciohet nga ana e Presidentit të Republikës, Alfred Moisiut. Duke minimizuar kostot e këtij bojkoti, kryesocialdemokrati tha se “nuk është kërkuar asgjë, përveç asaj që garanton ligji për certifikatat”. Në këtë kuadër, ai shprehu dje dyshime të forta për zhvillimin e zgjedhjeve edhe në datën 18 shkurt 2007, si afati i fundëm kushtetues për zhvillimin e tyre, pasi, sipas tij, afatet për “listat nuk janë të mjaftueshme”. “Kanë mbetur vetëm 40 ditë dhe kjo nuk mjafton, pasi është një kohë minimale që nuk është përdorur asnjëherë në Shqipëri, për procesin e listave zgjedhore”, tha kreu i PSD-së. Në fakt, opozita ka harxhuar muaj të tërë duke u përleshur me punonjësit e Gardës së Republikës në Kuvendin e Shqipërisë, duke atakuar Prezencën e OSBE-së në Tiranë se nuk po i shkonte pas berihajt dhe nuk ka marrë asnjëherë serozisht mundësinë e realizimit të zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese. Në këtë kontekst, ajo harxhoi shansin e fundit, që ishte marrëveshja e 30 gushtit të vitit të shkuar, për të qenë sa më pranë standardeve optimale që kërkon Brukseli. E tashmë, në kushtet kur ekzistenca e nje skenari sabotazhi është demaskuar edhe nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit që, me anë të zyrtarëve të lartë të saj e ka dënuar këtë bojkot, të ardhur jo si rrjedhojë e një analize të ftohtë të kushteve, por përkundrazi, të një profecie të artikuluar që në janar të vitit 2006, pra vetëm një muaj nga tryeza e thirrur nga ana e kreut të shtetit për reformën zgjedhore, për të gjithë ishte e qartë se asnjë institucion, përfshirë edhe ato të qeverisjes vendore që kanë për detyrë të përgatisin listat, nuk mund të kishte luksin e 6 muajve kohë, aq më tepër ajo pjesë që, teksa homologët e tyre vijonin punën normalisht, tuboheshin çdo 2-3 ditë në hollin e selisë rozë për të lexuar në mënyrë mekanike fletërrufenë e radhës, të gatitur nga kryesocialisti Rama ndaj Ministrisë së Brendshme e kryesisht, ndaj rivalit të tij direkt në zgjedhje, Sokol Olldashit. Për hir të interesave të mbarë shqiptarëve që sigurisht nuk mund të sakrifikojnë për Edi Ramën dhe tufën e “avangandistëve” që mban rreth vetes, lipset të kanalizohen të gjitha energjitë tek realizimi i një procesi normal, edhe pse i paraprirë nga një fazë parazgjedhore anormale.

    Megjithatë, dje Gjinushi zbuloi një tjetër shteg ku ai dhe Rama duket se do të luftojnë për të evituar zhvillimin e zgjedhjeve në 18 shkurt: listat zgjedhore. E nën një gradim të tillë mental, është iluzive të mendohet se sot, Presidenti Moisiu apo nesër, faktori ndërkombëtar, të sjellë në binarë këto segmente destruktive të opozitës aktuale, ndërsa mbetet detyrë e pjesës racionale të opozitës të kryejë sa më parë operacionin për heqjen e këtij cisti kanceroz që po infekton, jo thjesht dy krerë partish, por mbi të gjitha, rrezikon të shtrijë metastazat në shtresa me të gjera shoqërore, përmes skenarit të revolucioneve shumëngjyrëshe.

  7. #257
    i/e regjistruar Maska e King_Arthur
    Anëtarësuar
    27-04-2006
    Vendndodhja
    Detroit U.S.A por me zemer dhe shpirt ne elbasanin tim.
    Postime
    2,411
    Bregu: Edvini po ecën me filozofinë “Pas meje të bëhet qameti!”


    Partia Demokratike ka denoncuar sërish dje sjelljen cinike e indiferente të kryesocialistit Rama, ndaj dushit të ftohtë të dy ditëve më parë nga ana e misionit vëzhgues të ODIHR-it. Sipas deputetes demokrate, kryebashkiakun e tmerron vota e lirë, që do ta largojë nga Bashkia e Tiranës



    Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po tallet me cinizëm, jo vetëm me shqiptarët, por edhe me komunitetin ndërkombëtar. Është kjo deklarata e djeshme e Partisë Demokratike, përmes deputetes dhe njëherazi, zëdhënëses politike të fushatës zgjedhore, Majlinda Bregu. Sipas saj, kryesocialisti Rama, megjithëse pranon kritikat e raportit të ODIHR-it, po vazhdon të mbajë peng votën e shqiptarëve për qëllime personale. “Zoti Rama pranon kritikat, por përdor të drejtën e konsensusit që i njeh ligji, për të dënuar vendin dhe qytetarët e tij, për të dëmtuar procesin e integrimit. Zoti Rama nuk pranon t’i qëndrojë marrëveshjes, të cilën, sipas raportit, Partia Demokratike është e gatshme ta zbatojë pikë për pikë. Dita-ditës po dëshmohet që motoja e Edi Ramës është ‘Pas meje të bëhet qameti!’”, u shpreh dje Bregu. Gjithashtu, deputetja e PD-së tha se Edvini nuk pranon të nënshkruajë marrëveshjen e 30 dhjetorit, të cilën ai, pasi e miratoi, e hodhi poshtë, vetëm se e ka të qartë se vetë është humbës. Duke akuzuar kryebashkiakun si përgjegjësin kryesor për bllokimin e situatës parazgjedhore, deputetja demokrate tha se Rama bllokoi regjistrimin e kandidatëve në zgjedhje, duke mos dërguar komisionerët në komisionet zgjedhore, bllokoi hartimin e listave, nuk pranon të zbatojë marrëveshjen e nënshkruar dhe arsyeja është se ai ka frikë nga vota. “Edi Rama pranon se jo vetëm po përdor mekanizmin bipartizan për të bllokuar procesin zgjedhor, por ndërlikon çdo zgjidhje të mundshme, pra bllokon dhe nuk pranon zgjidhje vetëm e vetëm se mendon se do të qëndrojë në pushtet pa mandat”, përfundoi ajo. Pas kritikave të ashpra të OSBE/ODIHR-it, lidershipi socialist ka zbutur ndjeshëm tonet shantazhuese, me në të nënkryetarit të grupit parlamentar, Petro Koçi, ndërsa dje, vetë kryetari Rama nuk pranoi që t’i përgjigjet asnjë pyetjeje mbi krizën që ka gatitur vetë.

  8. #258
    i/e regjistruar Maska e King_Arthur
    Anëtarësuar
    27-04-2006
    Vendndodhja
    Detroit U.S.A por me zemer dhe shpirt ne elbasanin tim.
    Postime
    2,411
    Presidenti i shqiptarëve apo president për Ramën?

    Ka ndodhur shumë herë që presidenti Moisiu ta përdorë kompetencën e tij në favor të së keqes, në favor të së padrejtës. Ai padyshim që iu largua me shpejtësi të madhe idesë folklorike se do të ishte një president i matur, i përgjegjshëm, për fatin e të gjithë shqiptarëve. Ai nuk ka kursyer dekretet të cilat në rastin e tyre më të mirë ka qenë shprehje e një kokëfortësie, por jo rrallë ato kanë qenë shprehje e mirëfilltë e një background-i të brendshëm të futur thellë deri në inkoshient të një fjalëkryqi që nuk ka asnjë zgjidhje që mbaron me fjalën progres, e vërtetë, e drejtë, etj. Ai ka ngurruar të firmosë dekrete për vlera të vërteta vetëm e vetëm se rrethana subjektive kanë prekur interesat e tij. Por ajo që është më e rëndë është fakti se për një kohë të gjatë ai nuk ka pasur kurrë një reflektim mirënjohës për të gjithë ata njerëz të cilët i bënë atij paraqitjen e duhur, në politikën shqiptare për të dalë president. Por qenë të tjerë njerëz ata që me shpirtgjerësi, me kulturë dhe me inteligjencë e elaboruan personalitetin e tij për president dhe qenë të tjerë njerëz ata që mbushën kabinetin, zyrat e presidencës, ku me ndonjë përjashtim ekstremist të rrallë ata që u shfaqën aty nuk janë askushi në shoqërinë shqiptare, në politikën e saj, në prodhimin intelektual, nuk plotësojnë asnjë kriter. Fjalëkryqi i ngatërruar mund të hedhë hipoteza nga më të çuditshmet, të cilat e thanë pemën e gjelbër të presidencës, por në mosmarrëveshjet dhe moskuptimet e shumta, njeriu i fal dëmtimet personale. Por kurrë nuk mund të falë traumat kaq të rënda, siç është qëndrimi i presidentit ndaj zgjedhjeve. Qetësia e tij, gjakftohësia e tij, deri në qesëndisje, për situatën zgjedhore në Shqipëri, janë shprehje e një hakmarrjeje që është zgjuar kundrejt pikërisht asaj pjese të shoqërisë shqiptare, politikës shqiptare, që i hapi dyert lirisë dhe demokracisë, që është progresi i vërtetë i shqiptarëve në këtë fundshekull, që i dha damkën flamës komuniste, dhe që presidenti nga dollapët e kompetencave të tij nxjerr herë pas here shkresurina për ta goditur si gjithë ata që e kanë urryer këtë liri, këtë vullnet të madh të votës së lirë dhe të demokracisë. Që me Subashin, Moisiu i vinte një bisht të rëndë kazmës socialiste që shkatërron çdo vlerë demokratike. Që 5 muaj më parë presidenti ishte dakord me shtyrjen e zgjedhjeve. Dekretimin e tij ai e bëri me paranojën për ta zënë në grackë qeverinë. Duke zbatuar kushtetutën dhe duke ditur planin e Ramës, ai i fërkonte duart jo pa gëzim dhe për ngjarjen më themelore dhe për konfliktin më destabilizues të kryetarit të PS, Edi Rama, ky njeri që është presidenti i shqiptarëve, nuk ka tekst ndërkohë që duhet të shkumëzonte, ndërkohë që duhej të mos luante nëpunësin e presidencës, por të luante vizionarin, dhe të mos i dhimbsej miqësia e Ramës me familjarët e tij, e cila me dijeninë apo pa dijeninë e tij, në mbrojtje apo në sulm të tij, është kthyer në një bashkëpunim interesash të cilat variojnë shumë keq, politikisht dhe shoqërisht.

    Kompetencat e presidentit dhe pozita e tij kushtetuese i ka dhënë informacionin e duhur për raportet e Edi Ramës me krimin e organizuar dhe seria-killerat. Dhe mbrojtja apo mbështetja e kauzës së Edi Ramës është një fatkeqësi kombëtare. Edi Rama që nuk është votuar asnjëherë ndershmërisht, flet për standarde të zgjedhjeve e për rreziqe certifikatash, kur vetë është i certifikuar si një nga banditët e tenderave apo marifeteve të tjera të bashkisë. Në qoftë se ka një njeri inaktiv dhe bashkëpunues me strategjinë e Ramës, ky është roli i presidentit të tanishëm. Për zgjedhjet ka folur zonja Pack, kanë folur zyrtarë të lartë amerikanë, ka folur Solana, Oli Ren... E kush nuk ka folur. Vetëm presidenti i vendit, që kishte rastin që t’u linte shqiptarëve emblemën e sjelljes së tij demokratike, ka heshtur sikur këto zgjedhje të bëhen në një shtet tjetër. Atëhere presidenti nuk funksionon për të gjithë shqiptarët, por funksionon vetëm për Edi Ramën. Prandaj ai mund të quhet presidenti i Edi Ramës. Ka 100 forma dhe mundësi, janë vetë kompetencat e presidentit ato të cilat në një rast normal do ta nxirrnin në pah lakuriq dhe zbathur se sjellja me zgjedhjet është një vagabondazh dhe një skenar i cili vërtet mund të zgjasë trajtimin e drejtorisë së pritjes disa orë, por në mosha të tilla nuk vlen fjala më mirë vonë se kurrë. Përkundrazi, o sot o kurrë! Përse e ka zënë presidentin kompleksi i urrejtjes ndaj PD-së. Cila dashuri është shfaqur kaq vonë. Përse nuk e kupton dhe nuk është i përgjegjshëm se PD-ja është sot qeveria e shqiptarëve, e dalë nga vota e shqiptarëve. Është vërtet e trishtueshme që kur një presidenti i bie të punojë me personalitete të historisë kombëtare, të shfaqura në nyjet vendimtare të kombit, ai të flirtojë me krijesat politike të krimit, çmendurisë dhe variacioneve me njëqind enigma. Shembuj të çuditshëm politikat dhe ngjarjet politike kanë sa të duash. Shqipëria dhe Tirana është një fshat i madh ku të tëra hapat e vip-ave janë të njohura dhe për rrjedhojë shumë të kuptueshme. Por që një president t’i shkojë fijes së atyre politikave, atyre provokimeve, që destabilizojnë vendin, atëherë një gjyq i rëndë, një gjyq i madh pritet të ndodhë. Dhe kur gjykatës është një popull, të cilit i mohohet vota, kur gjykatës janë tërë shqiptarët që duan të mbërrijnë një orë e më parë në portat e integrimit, atëherë këtij gjyqi nuk i shpëton dot. Çdo gjë mund të fshehë presidenti, por s’mund të fshehë dhe s’mund të heshtë kurrë për seriozitetin dhe përgjegjshmërinë, për dinjitetin dhe integritetin e kësaj qeverie, që brenda një viti hodhi hapin e tetë vjetëve drejt Brukselit.

  9. #259
    Presidenti i shqiptarëve apo president për Ramën?


    Presidenti nuk gezon besimin politik te shumices ne parlament - aktet e tij nenligjore jane thjesht fiasko - ai duhet te dale ne pension perseri, ti gezoje ato te drejtat e privilegjet, po desh te drejtoje edhe ShNUM-in e atyre veteraneve qe kane mbetur, dhe te mos mbetet peng i lojes te papergjegjshme qe po luajne saladini me edverin.

  10. #260

    Kjo eshte nje situate e veshtire e krijuar nga opozita

    Kriza parazgjedhore, Pack fajeson opoziten: Situata e krijuar do te ndikoje negativisht ne perpjekjet per integrimin euroatlantik

    Ora 20:25
    Nga E.M


    WASHINGTON/TIRANE (9 Janar ) -Europarlamentrja Doris Pack ka komentuar serish krizen zgjedhore ne vend duke fajesuar opoziten. Ne nje interviste per zerin e Amerikes Pack tha se kjo eshte nje situate e veshtire e krijuar nga opozita dhe nuk eshte ne te mire te Shqiptareve. Sipas saj ajo cfare po behet sot duhet te ishte bere para 6 muajve. Parlamentarja europiane tha se zhvillimet e tanishme do te ndikoje negativisht ne perpjekjet per integrimin euroatlantik te Shqiperise. Ajo shprehu deshiren per zhvillimin e zgjedhjeve ne Shqiperi, por theksoi se te gjitha zhvillimet aktuale ne vend jane duke u ndjekur me vemendje nga nderkombetaret.

    (News24/Balkanweb)

Faqja 26 prej 32 FillimFillim ... 162425262728 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Fragmente nga Shën Grigor Teologu
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 12-03-2007, 07:40
  2. Spiro Moisiu njeriu më besnik i Enver Hoxhës
    Nga Antimafia në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 15-05-2006, 15:37
  3. Kuvendi që na la trashëgim ADN-në e Dushkut
    Nga Kosovari_78_Ca në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-05-2005, 01:24
  4. Pyetje për Besimtarët Shqiptarë të Krishterë dhe Islam
    Nga dodoni në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 116
    Postimi i Fundit: 06-07-2003, 20:11
  5. Alfred Moisiu
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 16-05-2003, 07:58

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •