Plot 25 për qind e popullsisë, vuajnë nga çrregullimet mendore. Stresi, depresioni, madje edhe skizofrenia, janë format e ndryshme të shfaqjes së këtyre problemeve, ndërsa strukturat kompetente, duket se i kanë kushtuar shumë pak vëmendje shëndetit mendor. Këtë e deklaroi shefi i shërbimit të Psikiatrisë, Anastas Suli, i cili theksoi se është e nevojshme që në 100 mijë banorë, duhet të jetë e pranishme një qendër e shëndetit mendor me personel të specializuar dhe të bëhet depistimi i gjithë popullatës, për sëmundjet mendore.
Shëndeti mendor
Tashmë shëndeti mendor është më shumë se problem, për popullatën e vendit tonë. Këtë e thonë shifrat alarmante dhe vetë profesorët që mbulojnë këtë fushë. “Nuk janë pak, por plot 25 për qind e pacientëve që vizitohen në sistemin parësor, vuajnë nga sëmundjet mendore dhe mendoj se nëse bëhet një diagnostikim i gjithë popullsisë, e njëjta shifër do të gjendet”,- thekson Anastas Suli, duke shtuar se ky është një fenomen shumë problematik për vendin tonë. Sipas tij, mund të ketë mijëra persona që vuajnë nga çrregullimet mendore, por që nuk janë evidentuar nga mjekët, ndaj dhe kërkohet një depistim sa më korrekt për shëndetin mendor.
Skizofrenia dhe depresioni
E ndërsa sëmundjet mendore zënë vend në 1/4 e popullsisë, fatkeqësisht sëmundja tepër e rëndë e skizofrenisë, nuk ka kursyer mijëra shqiptarë. “Është për të ardhur keq, por 0.5 deri në 1 për qind e popullsisë vuan nga skizofrenia dhe kjo sëmundje është një nga më të rëndat e sëmundjeve mendore”,- pohon Anastas Suli. Sipas tij, kjo sëmundje e shkatërron në mënyrë sistematike shëndetin mendor, derisa pacientët degradojnë në një gjendje shumë të dhimbshme, duke e humbur çdo aftësi mbi logjikën. Ndërsa, sa i takon depresionit, shifrat janë akoma më alarmante, pasi numri i personave që vuajnë nga kjo sëmundje, zë 7 deri në 10 për qind të popullsisë. “Megjithëse krahasuar me skizofreninë është sëmundje më e lehtë, kjo nuk do të thotë se situata nuk është problematike, pasi çdo çrregullim mendor, sjell shqetësime për personin që e vuan dhe për gjithë shoqërinë”,- thekson Suli, duke shpjeguar se edhe stresi, që është ç’rregullim i shëndetit mendor, gjendet rëndom në popullatën tonë.
Depistimi
“Është i domosdoshëm depistimi i gjithë popullatës për shëndetin mendor dhe të jeni të sigurt, që këto shifra që shpjegova unë do të jenë reale”,- thekson Suli. Sipas tij, fakti që shëndeti mendor i popullatës është cënuar shumë nga çrregullimet mendore, organet kompetente duhet të marrin masa për evitimin e këtij problemi. Kështu puna, sipas Sulit, duhet të fillojë pikërisht me depistimin e popullatës dhe ky depistim të realizohet me ekipe të përbërë nga psikiatër, psikologë, infermierë dhe mjekë specialistë. “Problemi i sëmundjeve mendore, nuk është vetëm problemi i individit që e vuan atë apo i familjes së tij, por ky problem është i gjithë shoqërisë, ndaj dhe nuk duhet të jemi indiferentë përballë këtij fenomeni shqetësues”,- theskon Anastas Suli.
- 1 për qind e popullsisë vuan nga skizofrenia
- 10 për qind e popullsisë vuan nga depresioni
- 3 tipe qendrash mendore duhet të jenë për pacientët
- 1 qendër mendore, duhet të ekzistojë në 100 mijë banorë
Suli: Të sëmurët mendorë, jo në spitale por në shtëpi psikiatrike
Nuk duhet të ketë më spitale të mëdha psikiatrike, por shtëpi të vogla të shërbimit komunitar të shëndetit mendor. Sipas shefit të shërbimit të Psikiatrisë, Anastas Suli, ky është rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe do duhet të fillojë të zbatohet, pasi ky sistem do të ishte shumë më i rëndësishëm dhe me efekte pozitive, për personat që vuajnë nga çrregullimet mendore. “Spitalet e mëdha psikiatrike me një numër shumë të madh pacientësh, duhet të marrin fund, sepse nuk mundësojnë një shërbim cilësor për pacientët”,- thotë ai. Ndërkohë, Suli shpjegon se shtëpitë komunitare për shëndetin mendor, duhet të jenë në 3 forma. Kështu, një formë e këtyre shtëpive, sipas tij, duhet të jetë vetëm për të sëmurët psikikë të rëndë, të cilët kanë nevojë patjetër për praninë e mjekut specialist dhe të infermierit. Ndërsa shtëpitë psikiatrike të mesme, janë forma e dytë ku duhet të presin vetëm pacientët që nuk janë në gjendje të rëndë psikike dhe se munden të kryejnë disa punë të vogla, nën kujdesin e personelit mjekësor. Forma e tretë e këtyre shtëpive, duhet të pranojnë pacientë që kanë dëmtime të vogla të shëndetit mendor dhe se kjo kategori nuk e ka të nevojshme praninë e personelit mjekësor. “Pra, këta pacientë duhet të aktivizohen me punë të vogla dhe t’u krijohet një ambient sa më familjar’ pasi kjo do t’i ndihmonte shumë ata”,- thekson Suli.
Eglantina Bardhi
Krijoni Kontakt