(Pjesa e parë): Trajneri i Kombëtares shqiptare dha sot paradite në mjediset e Hotel “Rogner Europark” në Tiranë, një intervistë ekskluzive për sitin Albania-sport.com, ku preku disa nga problemet që shqetësojnë atë si drejtues i pankinës kuqezi.
Albania-sport.com: Zoti Bariç, në emër edhe të stafit të Albania Sport iu urojmë mirësardhjen në faqen më të madhe sportive shqiptare on-line.
Otto Bariç: Edhe unë ndihem i kënaqur që kam mundësi të flas për herë të parë për një faqe interneti shqiptare. Do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve për të cilat ju do të jeni të interesuar.
Albania-sport.com: Zoti Bariç, ju jeni trajneri i tretë i huaj rresht që drejtoni Kombëtaren shqiptare, pas italianit Xhuzepe Dosena, i cili e braktisi përfaqësuesen shqiptare pas vetëm dy takimesh, dhe gjermanit Hans Peter Briegel, i cili vendosi tetë rekorde personale në pankinën kuqezi
Otto Bariç: Po. Për Dosenën unë di shumë pak. Unë e di që ai ka drejtuar Kombëtaren shqiptare, dhe tërthorazi kam mësuar edhe veprimin e tij, të cilën e konsideroj si diçka personale të tij. Nuk mund të them kurrsesi diçka më shumë. Për Hans Peter Briegel, unë mund ta them me plot gojën se ai ka bërë diçka shumë të rëndëisshme ka bërë për Shqipërinë dhe ekipin Kombëtar të futbollit. Unë mendoj se ai ka vendosur rregull në përfaqësuesen shqiptare. Përveç kësaj ai gjeti një ekip relativisht të pranueshëm për nga kualiteti. Për të unë mendoj se ka qenë më e lehtë se sa ekipi që unë pranova të drejtoja. Ai gjeti shumë lojtarë që ishin në vitet e tyre më të mira. Ndryshimi me atë që gjeta unë është shumë i madh. Unë kam shumë lojtarë që janë në përfundim të karrierës së tyre, si Hasi, Tare apo të tjerë. Detyra ime ka qenë shumë qartë e përcaktuar: krijimi i një ekipi me futbollistë të rinj dhe të talentuar. Kjo është edhe qëllimi im kryesor. Unë do të doja të dilja i treti apo i katërti në grup në një grup ku shumë ekipe luftojnë për vendin e dytë dhe të nisja formimi e një ekipi të gatshëm për të përballuar eliminatoret e Kampionatit Botëror (2010).
Albania-sport.com: Ju keni një përvojë të madhe si trajner në arenën ndërkombëtare. Prania e Kroacisë në Botërorin Korea e Jugut-Japoni dhe qënia si drejtues i Austrisë ju ka siguruar një reputacion të admirueshëm ndërkombëtar. Cili është vlerësimi juaj i sinqertë në lidhje me futbollin shqiptar?
Otto Bariç: Shqipëria ka me të vërtetë probleme të shumta, kjo ndikon që ne kemi në përfaqësuese 80% të lojtarëve që aktivizohen në kampionatet e huaja. Unë mendoj se në një fare mënyre ndikon në nivelin e futbollit shqiptar edhe niveli i trajningut. Fatkeqësisht, në Shqipëri nuk ka edhe një Ligë shumë cilësore, po të krahasojmë me kampionatet ku aktivizohen pjesa më e madhe e lojtarëve të kombëtares, dhe po të vazhdojmë më tej me kampionatet e ekipeve që marrin pjesë në grupin tonë, diferenca është akoma më e madhe. Unë e kam të qartë se duhet të kërkoj lojtarë shqiptarë që luajnë jashtë vendit tuaj. Unë kam kontakte me shumë menaxherë të lojtarëve shqiptarë. E konsideroj vetenm me fat që në Hamburg të Gjermanisë ndodhet Zyra e Talenteve e drejuar nga zoti Xhelil Musa, që ka nën vëzhgimin e zyrës së tij praktikisht më shumë se 200-300 lojtarë të rinj nga 17 vjeç deri në 22 vjeç, të cilët aktivizohen ekipe të ndryshme në Gjermani, Zvicër, Austri, Belgjikë, Norvegji, Holandë apo në vende të tjera. Unë duhet të nxjerr përfundime se kush nga këta lojtarë luan mirë, kush aktivizohet më shumë, kush e meriton të kalojë në Kombëtare. Nuk duhet të harroj se dhe në Shqipëri ka shumë talente. Unë besoj se kam bërë shumë dhe ka gjetur të paktën pesë lojtarë me të dhëna premtuese, disa prej të cilëve i kam thirrur edhe në grumbullimin e Antalias. Unë jam i bindur se gjatë muajve të ardhshëm ne do të gjejmë lojtarë të tjerë që ia vlen të punosh. Kjo është e rëndësishme për futbollin shqiptar.
Albania-sport.com: Grumbullimi i radhës është në Antalia të Turqisë, një seleksion të cilën në median shqiptare e konsiderojnë si “Përfaqësuesja B”. Çfarë prisni ju nga kjo fazë përgatitore?
Otto Bariç: Unë kam shumë pak mundësi që ti shoh lojtarët duke luajtur së bshku. Më duhet të shfrytëzoj në maksimum çdo hapësirë për të njohur akoma më shumë lojtarët që kam thirrur. Ka disa që nuk i kam njohur personalisht më parë, por për ta kanë dhënë mendime pozitive ndihmësit e mi, siç është rasti i Migen Memellit. Kovaçiç udhëtoi deri në Bran të Norvegjisë për ta parë atë. Në përfaqësuesen A unë nuk mund të thërras lojtarë që nuk i kam parë kurrë personalisht. Unë mendoj se grumbullimi në Antalia është filtri më i mirë për të gjetur lojtarët që vlejnë për Kombëtaren. Unë nuk mund të them me saktësi se sa prej tyre do të jenë të denjë, por kam bindjen se 50% e tyre do të kenë mundësinë për t’u thirrur edhe për disa herë të tjera. Ajo që duhet të theksoj se 70% lojtarëve që kanë qenë pjesë e grumbullimeve zyrtare nuk kanë mundur të jenë me ne në Antalia, pasi luajnë në Itali, Gjermani, Francë, Belgjikë, Greqi. Në këto vende kanë filluar kampionatet ose janë në prag të rifillimit. Nuk jam ende i bindur për kualitetin e disa lojtarëve të thirrur në Antalia dhe dua ta shfrytëzoj në maksimum këtë grumullim. Tashmë kam krijuar një ide se për kë repart unë duhet të kërkoj lojtarë të rinj. Janë repartet e mbrojtjes dhe të mesfushës. Në mbrojtje ka vetëm lojtarë që luajnë në Ukrainë dhe në Shqipëri: Dallku, Curri, Beqiri dhe nga Shqipëria, Dede e Bulku. Unë duhet të gjej lojtarë të rinj që të plotësojnë me efikasitet këtë nyje të vështirë të Kombëtares. Koha është e shkurtër. Unë duhet të shoh dhe të flas me të gjithë kandidatët për këtë repart. Gjë që nuk është e lehtë pasi më duhet kohë dhe të udhëtoj atje ku ndihmësit e mi më sinjalizojnë se ka një talent. Nga mesfushë nga Shqipëria ka disa lojtarë dhe unë jam mbështetur te Tirana, të cilën unë e konsideroj se është ekipi më i mirë i vendit.
(vijon)....
Krijoni Kontakt