(Marre nga Shekulli)

Për një rol social më të dukshëm…
Funksioni pozitiv i fesë si mjet social për të patur një “ekuilibër shpirtëror” është një nga treguesit e thelbit të saj në shoqërinë moderne. Në këtë mision duket se po ecin institucionet fetare të tre feve kryesore në Shqipëri, të cilat për fat të mirë po tentojnë të konsolidojnë, natyrën sociale dhe rolin e tyre, duke i dhënë fesë dhe praktikave fetare “natyrë civile”. Në mendimin sociologjik bashkëkohor është kristalizuar qartë ky mision i ri komplementar i institucioneve fetare. Feja tashmë është bërë faktor stabiliteti, kudo në këtë botë që ndryshon maramendshëm, në këtë botë në të cilën njeriu i brishtë, i ç’orientuar, është i mbuluar nga streset, në këtë botë të nxitueshme, të rëshqitshme, në të cilën ai është gjithnjë e më i pasigurt!

Shoqëria nuk ka nevojë të sforcohet për integritet fetar.

Në disa rajone të botës, po duket një dukuri që është shqetësuese, e cila shfaqet si ulje e rolit social dhe shpirtëror të fesë dhe zgjerim i përmasave të konkurimit fondamentalist. Nuk ka kaluar shumë kohë kur përfundoi një ndarje e vjetër e botës, ideologjikisht bipolare, midis shoqërisë kapitaliste dhe komuniste, që i solli aq shumë fatkeqësi apokaliptike njerëzimit, dhe në horizont po shfaqet një ndarje e re, e cila, në vend të karakterit ideologjik po shfaqet me natyrë fetare. Vendin e nevojës gjysmë shekullore të ndarjes “dikotomike”, për integritet ideologjik të garantuar militantesk, duket se po e zë një ndarje e re, që shfaqet edhe në shoqërinë shqiptare si atavizëm i njeriut të vjetër, i cili i mësuar për të qenë në “llogore të përjetshme” përballë kundërshtarit, fillon të ndjejë “nevojën” për “integrizma” të rinj, të panevojshëm, arkaikë, me natyrë fetare, etnike dhe rajonale. Duke analizuar këtë dukuri shqetësuese filozofi i madh bashkëkohor spanjoll, Josep Ramoneda, thotë se konflikti me natyrë ideologjike i “nxjerrë nga dera, hyn sërish nga dritarja me “veshje të re, të ndryshuar”.

Feja civile dhe “siguria morale” e shoqërisë

Institucionet fetare, i tre feve kryesore në Shqipëri, duke qenë pjesë e rëndësishme dhe organike e shoqërisë civile, po tentojnë të luajnë rol social pozitiv, duke i shërbyer fuqizimit të jetës shpirtërore dhe të mardhënieve sociale të njeriut. Këtë rol e ka për detyrë çdo institucion fetar, që ka si synim t’i shërbejë shoqërisë, duke qenë në radhë të parë, fe me funksione sociale, ose “fe civile”. Në të gjithë përkufizimet e mundëshme që ekzistojnë deri sot, asnjë autor i shquar nuk ka guxuar të harrojë rolin social të fesë dhe të institucioneve të saj, si pjesë integrale e shoqërisë civile. Madje, në debatin e tanishëm më shumë vlerësohen ato fe që predikojnë vlerat e bashkësisë, se sa ato, që duan të mbështeten vetëm në besimin e individit. Të paktën që nga koha e Rusoit, kjo temë është e hapur dhe e trajtuar gjerësisht si “mision social” i fesë dhe institucionit fetar. Në ditët tona kudo në botë, vazhdon lufta për ta orientuar besimin fetar, nga qytetari dhe hallet e tij, duke i dhënë asaj një natyrë të qartë antropoteologjike. Në mendimin e sotëm “socioteologjik”, ka një përpjekje këmbëngulëse për të ridimensionuar misionin dhe funksionet me natyrë sociale të fesë, e cila është moderne kur shfaqet si “fe civile”.Imperativi i modernizimit, forcimit të aksit humanist dhe shmangia e tendencave primitive të “integriteteve fondamentaliste”, ka shtruar detyrën universale tashmë, që asnjë lloj besimi fetar, në asnjë dogmë të tyre, nuk duhet të ndihen prirje që bien ndesh me detyrat e qytetarisë dhe të shoqërisë civile. Në këtë tentativë kompromisi, midis detyrave të fesë dhe të qytetarisë, disa autorë të kohës sonë, kanë përpunuar platformën dhe kanë definuar detyrat dhe tiparet që duhet të ketë “feja civile”.

Detyra e madhe e shoqërisë së sotme është kthimi i “njeriut në qytetar”, prandaj ka dalë përsëri me forcë thirrja e vjetër, emblemë e shoqërisë civile, se duke krijuar qytetarë, atëhere do të kemi gjithçka që nevojitet. Në këtë detyrë të madhe sociale roli i fesë dhe institucioneve të saj, është fondamental. Vendosja e kësaj detyre në prioritetet e misionit të vet, do të ishte një detyrë madhore që shoqëria shqiptare e pret nga veprimtaria civile e institucioneve të shumta fetare muslimane, katolike, ortodokse. Në kohën tonë shoqatat me natyrë fetare në Shqipëri janë zgjeruar së tepërmi. Ato janë bërë institucione autoritare, në të cilat grumbullohen qytetarë me përkatësi fetare të caktuar. Ky privilegj social dhe institucional është i lidhur me natyrën dhe karakterin social të saj. Në shoqërinë moderne për fat të mirë, roli social i fesë dhe institucioneve të saj, ka tendencë të rritet. Madje, ka autorë, që kanë një besim shumë të madh në aftësitë integruese të saj, duke e quajtur atë si “zemër” të shoqërisë civile. Forca e veçantë dhe roli social i institucioneve fetare, si pjesë e shoqërisë civile, është e lidhur me faktin esencial se ato në natyrën e tyre specifike, nuk i drejtohen “individit të vetmuar dhe të mundur”.Thelbi i institucioneve fetare në Shqipëri është se ato i drejtohen njeriut, për të ngjallur tek ai besim në forcat e tij, për të plotësuar vetë nevojat e veta.

Në institucionet fetare, mbillet fara e besimit, e drejtësisë dhe solidaritetit.
Aty kultivohet stabiliteti shpirtëror. Në shoqërinë tonë e cila për hir të së vërtetës shfaqet ende kaotike, në këtë “botë moderne” e cila nuk mund t’i shpëtojë dukurisë që tenton të izolojë dhe të tjetërsojë njeriun duke e lënë të vetëm dhe pa përkrahje, feja është bërë faktor social madhor komplementar, shprese, besimi, guximi social dhe burim energjish pozitive. Është detyrë e shoqërisë civile, që të bashkojë dhe të lidhë sa më shumë njerëzit në shoqata e grupe interesi me përkatësi të ndryshme. Në këtë kontekst tek institucionet fetare, njeriu besimtar gjen integritetin e tij, duke iu larguar “vetmisë sociale” dhe tjetërsimit. Në një shoqëri të tillë si ajo që po jetojmë, po shfaqet çdo ditë më shumë tendenca e thellimit të treguesve të margjinalizimit dhe tjetërsimit, roli i fesë është i dobishëm, i pazëvëndësueshëm. Nuk mund të mohojë askush se institucionet fetare në Shqipëri në këtë dekadë e gjysëm kanë qenë, “forcë kompensuese”, adekuate në luftën e njeriut modern për të përballuar “baticën” e shoqërisë, e cila ka sjellë valë të fuqishme ankthi, pasigurie, zhgënjimi dhe tjetërsimi. Madje, sipas mendimit tim, në se do të punohet më shumë dhe me objektiva më të qarta sociale, për ta bërë fenë vërtetë “fe civile”, kjo do të ishte një kontribut me vlera të pallogaritshme. Ky rol është bërë akoma më i nevojshëm, për shkak se ato po shfaqen në shoqërinë tonë si institucione masive më potente se shumë institucione laike, forca e të cilëve sot ka tregues në rënie.

Një nga dukuritë e pashmangshme kontradiktore që po shfaqet e fuqishme në shoqërinë shqiptare është thellimi i procesit të “individualizmit”, si dukuri sociale sunduese në shoqërinë tonë. Individualizmi me të drejtë, nga shumë autorë të mëdhenj të fesë, konsiderohet si “produkt laik”, i cili ka “kontribut historik” në deformimin e mardhënieve të njeriut me shoqërinë, duke dëmtuar konceptin, vlerën dhe realitetin e mardhënieve shoqërore. Institucionet dhe shoqatat fetare, janë shumë të ndjeshme ndaj ndjenjës së individualizmit që kultivon shoqëria moderne, që e lë njeriun të vetmuar, të izoluar, pa përkrahje dhe besim tek vetja dhe tek shoqëria. Ato në kushtet e reja kanë si “mision të ri” të kultivojnë një tjetër ndjenjë, që ka të bëjë me lidhjen e domosdoshme që duhet të ekzistojë midis njeriut, shoqërisë dhe zotit. Njeriu modern është në kërkim të “shpirtit të ri social”. Kjo përpjekje është universale, por është evidente edhe në shoqërinë shqiptare, në të cilën kërkesa e njeriut për “identitet social”, shfaqet dukshëm, si luftë për të vendosur relacione. Këtu është roli i jashtëzakonshëm “civil” i institucioneve fetare. Në se nuk kuptohet nevoja për “orientim të ri social” të njerëzve në shoqërinë tonë, kjo do të ndikojë në përkeqësimin e treguesve të jetës shoqërore. Është e vërtetë ajo që thonë dijetarët e fesë, se “në se do të shkojë deri në fund tjetërsimi i njeriut nga njeriu”, kjo do të çojë pastaj edhe në tjetërsimin e njeriut nga zoti. Feja civile i ka të gjitha mundësitë sociale, që të ndikojë në ridimensionimin e raportit midis elementit fetar dhe social.

Ndjenjat fetare janë ndjenja sociale, ndjenja bashkësie, që realizohen jo vetëm individualisht, por edhe si grup social i bashkuar në shoqata, organizata dhe institucione fetare. Ato janë forma të organizimit social, që ndikojnë fuqishëm në ndalimin e thellimit të ndjenjës së njeriut pa shpresë, të hutuar, i paaftë për të gjetur ngushëllim dhe besim. Institucionet fetare në kohën moderne, kanë një funksion social të veçantë, si “mjet” për kontrollin shpirtëror dhe moral të njeriut. Shoqëria civile i ka vlerësuar aftësitë bashkuese që ka “feja civile” për lidhjen midis njerëzve të të njëjtit besim.