Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1

    Fëmijët shqiptarë të Don Kishotit

    FEMIJET SHQIPTARE TE DON KISHOTIT

    Alfred Peza

    Prej afro tri javësh, një lajm krejt i veçantë po bën xhiron e botës. Që nga mesi i dhjetorit, më shumë se 300 të pastrehë në Paris kanë ngritur kampin e tyre me çadra të kuqe pranë kanalit Saint Martin në afërsi të Bastijës (rënia e së cilës shënoi dikur triumfin e revolucionit francez) për të tërhequr vëmendjen ndaj kërkesës së tyre për të pasur një shtëpi. Iniciatorja e këtij aksioni është bërë shoqata "Fëmijët e Don Kishotit", për të simbolizuar një luftë gati analoge me atë të personazhit të njohur të Servantesit kundër mullinjve të erës të politikanëve. Aksioni i shoqatave të të pastrehëve e detyroi Presidentin francez, Zhak Shirak, që në fjalimin e fundvitit 2006 të premtonte se kjo është "një e drejtë e vërtetë, një e drejtë ligjore për banesë. Qeveria duhet ta kthejë në realitet këtë të drejtë javët e ardhshme".

    Numri i të pastrehëve në Francë është rreth 100 mijë veta, ndërkohë që në Shqipërinë me vetëm 3,5 milionë banorë, kjo shifër është më e lartë dhe me tendencë për t‘u rritur nga viti në vit. Megjithatë, përveç ndonjë lajmi tek-tuk nëpër mediat e Tiranës dhe botimit të historisë së ndonjë familjeje që jeton në kushte jetese ekstreme, askush nuk e ka ngritur zërin për ta shndërruar këtë çështje në një aksion qytetar, i cili do të detyronte klasën politike dhe qeveritë tona qendrore e lokale që të merreshin seriozisht me realizimin e një të drejte themelore për çdo banor të këtij vendi.

    Politikanët francezë, si në çdo vend tjetër të botës, nuk është se ndryshojnë shumë nga ata shqiptarë, kur është fjala te raporti mes premtimeve dhe bërjes së tyre realitet. Pasi, në fund të fundit, Presidenti Shirak ka 12 vjet në atë post dhe situata e strehimit në vendin e tij nuk është se ka pësuar ndonjë ndryshim të madh që nga 1989-a, kur paraardhësi i tij, Fransua Miteran, premtoi: "Prioritet absolut është hapësira e banimit për më të varfrit". Një premtim që e bëri në 2002-in edhe kandidati për President, Lionel Zhospë, dhe kandidati aktual, Nikolas Sarkozi. Ashtu sikundër premtime të tilla kanë bërë në Shqipëri të gjitha qeveritë socialiste nga 1997 (madje edhe për ata që i humbën shtëpitë në firmat mashtruese piramidale) dhe deri më 2005-ën kur u larguan nga pushtetit. Një premtim të tillë ka bërë edhe Kryeministri Berisha, si edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që në 2001-in kur mori për herë të parë mandatin për ta qeverisur atë.

    Por, ka një ndryshim shumë të madh mes realitetit francez dhe atij shqiptar për këtë çështje, por edhe për të gjitha problemet e tjera social-ekonomike që shqetësojnë shoqëritë tona. I cili nuk ka të bëjë aq me cilësinë e premtimeve të klasës politike, por me nivelin dhe cilësinë e trysnisë, që shoqëritë tona ushtrojnë mbi to, për t‘i realizuar dhe mbajtur këto premtime. Vetëm kur të arrijmë të sheshojmë apo të mbushim plotësisht hapësirën e solidaritetit social, koshiencës qytetare, frymës dhe shpirtit të protestës që ndan shoqërinë shqiptare nga shoqëritë e zhvilluara si ajo franceze, do të arrijmë të shkurtojmë dhe të mbushim disnivelin e madh social-ekonomik e nivelin e zhvillimit demokratik që na ndan prej tyre. Por, kjo nuk mund të arrihet asnjëherë, nëse do të na mungojë një përmasë tjetër, e cila ka të bëjë me dimensionin tonë kulturor, arsimor dhe intelektual.

    Një nga treguesit më të mirë të disnivelit mes koshiencës sociale të shoqërisë shqiptare dhe asaj perëndimore, demonstrohet në raportin që qytetari ynë ka krijuar me krizën e thellë energjetike ku është zhytur vendi, tani në kulmin e dimrit. Në vend që t‘i përqendrojë të gjitha energjitë në zgjidhjen e kësaj emergjence social-ekonomike, klasa politike shqiptare është në kulmin e lojës "tragjikomike" për certifikatat e zgjedhjeve të reja lokale. Më shumë se uji, rrugët, apo sasia e energjisë elektrike në shtëpitë, pronat dhe bizneset e taksapaguesve, liderëve tanë u intereson vetëm kolltuku i vet, që ende nuk fitohet apo humbet për shkak të mbajtjes ose jo të premtimeve elektorale. Është e qartë se niveli i lojës politike dhe i demokracisë në Shqipëri është ende në stadin kur fitorja apo humbja në zgjedhje përcaktohet nga fakti se kush është më "i zoti" jo të fitojë, por që të vjedhë më shumë vota se kundërshtari i tij. Kaq mjafton për të kuptuar se përse konsumohen prej 6 muajsh, kaq shumë energji për çështje të tilla, që nuk kanë asnjë rëndësi për cilësinë e jetës së qytetarëve: certifikatat, data e zgjedhjeve, numri i anëtarëve të KQZ-së etj.

    I gjithë ky teatër absurd luhet para syve të të gjithëve ne. Megjithatë, Shqipëria vazhdon të jetë mjerisht një vend ku qytetarët e saj djegin miliona e miliona fishekzjarrë për të ndriçuar natën e ndërrimit të viteve, por askush prej tyre nuk e ngre zërin për t‘i bërë presion klasës politike, që të miratojë një projekt për ndërtimin pas 22 vjetësh të një burimi të ri për prodhimin e energjisë elektrike. Mijëra shqiptarë mbushin sheshet dhe sallat për mitingjet e liderëve politikë, apo vazhdojnë të ndjekin nga pas kandidatët në fushatën për zgjedhjet e reja lokale. Por, asnjëri prej tyre nuk e ngre zërin për mungesën e dritave në shtëpinë, lagjen, fshatin apo qytetin e tij. Asnjë prej atyre dhjetëra dhe qindra OJF-ve apo organizatave apo lëvizjeve të tjera rinore, studentore, intelektuale, nuk kanë bërë qoftë edhe një protestë gjatë këtij dimri, për të vendosur sadopak nën presion pozitiv qeverinë, në mënyrë që ajo të punojë për ta ndryshuar sadopak këtë realitet të trishtë për një vend normal.

    Kryeministri Berisha ka premtuar se brenda vitit të ardhshëm do të kemi 24 orë drita në shtëpitë tona. Por, nuk do shumë mend për t‘u kuptuar se ky premtim nuk do të realizohet dot, as tani dhe as pas shumë vitesh. Sepse, ndërsa pas vitit 1990 konsumi i energjisë elektrike sa vjen edhe shtohet, rrjeti i shpërndarjes së saj është amortizuar, humbjet në të janë rritur, rreth 100 TEC-e dhe hidrocentrale të vegjël kanë dalë jashtë funksionit. Blerja e dritave me çmime gjithnjë e më të larta është bërë e vetmja alternativë për zgjidhjen e krizës. Bashkë me shtimin nga viti në vit të sasisë së energjisë së importuar, është shtuar edhe barra financiare për këtë zë në buxhetin e shtetit.

    Një tablo e zymtë kjo, që të bën të besosh se këtu duhet kërkuar edhe njëra nga vrimat më të errëta të korrupsionit shtetëror. Opozita e majtë hesht, pasi me siguri ndihet bashkëfajtore, kurse qeveria e mazhorancës së djathtë, bashkë me këtë betejë, po humbet një nga armët e luftës së saj politike, që e riktheu në pushtet. Ndërsa shqiptarët vazhdojnë të dëgjojnë përrallat e tyre dhe të ëndërrojnë se së shpejti do të jenë qytetarë të barabartë të Bashkimit Evropian. Por, kjo ëndërr nuk ka për t‘u bërë kurrë realitet, për aq kohë sa në këtë vend nuk do të kenë lindur ende "Fëmijët e Don Kishotit", që do të luftojnë, si edhe personazhi i njohur i romanit të famshëm të Servantesit, kundër mullinjve të erës së politikanëve shqiptarë.

    Gazeta Shqip
    07/01/2007

    Kur dhe kush do te gjeje njehere kohen qe te merret me problemet me jetike qe shkaterrojne jeten e cdo familje shqiptare, te cdo biznesi dhe te te gjithe shoqerise shqiptare?

    Kur dhe kush duhet te hartoje nje strategji kombetare per nxjerrjen e vendit nga krizat e pervitshme?

    Kur dhe kush duhet te kulturoje dhe emancipoje politiken dhe politikanet shqiptare, qe te zbatojne se pari vete kushtetuten dhe ligjet per te cilat ata ngrejne kartonin?

    Kur dhe kush do ti jape fund lojes adoleshente te luftes politike, qe nuk merr parasysh aspak problemet e shoqerise te cilat ato pretendojne se i perfaqesojne?
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 07-01-2007 më 09:25

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-11-2016, 09:56
  2. Lidhja Shqiptare e Prizrenit
    Nga dodoni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 01-06-2009, 00:29
  3. Pagezimi dhe Martesat Shqiptare
    Nga NoName në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-03-2006, 03:19
  4. Letërsia Shqiptare
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-10-2005, 14:02
  5. Kryengritja Popullore Shqiptare E 1912 – 1915
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-07-2005, 14:44

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •