Mbahet në ambientet e MHK-së, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LSHA-së
Një kryesi e re për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve
Pas debatesh të shumta, në një ambient ku artistët përsëri ndihen të përjashtuar, zgjidhet kryetar i ri i LSHA-së, Hysen Sinani, i cili do të përpiqet për afrimin e të gjithë shkrimtarëve dhe artistëve, ndërkohë që kryetari aktual, Zyhdi Morava, deklaron se nuk e njeh këtë kuvend
Mesa duket, dikujt i ka ardhur laku në grykë që ka organizuar në mënyrë kaq të shpejtë dhe të papërgatitur një kuvend të jashtëzakonshëm. Të enjten, në orën dhjetë, në një sallë të marrë me qira në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Si zakonisht, këto vitet e fundit është pikërisht kjo lidhje, e cila i përngjason më së shumti vendeve të botës së tretë me grushtet e shtetit që bën, e cila duhej të ishte lidhja e njerëzve më të kultivuar të vendit; e shkrimtarëve dhe artistëve. Ka vite që lidhja njihet si Lidhja e Shkrimtarëve deri sa kryetari i fundit i kësaj lidhjeje, Zyhdi Morava, e ka legjitimuar këtë emërim. Edhe shumica e pjesëmarrësve në këtë kuvend janë shkrimtarë dhe mungesa e artistëve nga fushat e tjera është e dallueshme shumë lehtë. Një nga përfaqësuesit e paktë të arteve të tjera që ishte i pranishëm, Shpëtim Kushta, refuzoi të kryesonte punimet e këtij kuvendi, i cili u drejtua nga Myftar Gjana, Skënder Kamberi, Adelina Mamaqi dhe Moikom Zeqo. Kompozitori Kushta e justifikoi këtë refuzim duke thenë: “më vjen keq të ju zhgënjej, pasi më zgjodhët, por nuk mund ta pranoj këtë pozicion. Në botën e muzikës, e cila është më pak kakofonike se ajo e shkrimtarëve, ka persona që kanë dhënë një kontribut të jasthtëzakonshëm në kulturën e vendit dhe nuk vuajnë të marrin një karrige. Duhet të krijojmë një kuvend të vërtetë, në mënyrë që të mos na dalin të tjerë kryetarë si ky aktuali që pastaj të na duhet të bëjmë një kuvend tjetër pas disa muajsh. Unë nuk e ndiej të jem kryesues i një kuvendi, i cili duket sikur thotë thjesht “ikni ju të vijmë ne”. Nuk shoh asnjë muzikant këtu. Edhe pse nuk janë shumë veta, ata ekzistojnë. Unë nuk jam këtu për të mbushur mbledhjet pafund të kësaj lidhjeje, e cila e ka kapërcyer pragun e asfiksisë”. Më pas ai vazhdoi: “Nuk më intereson të marr pushtetin pa pushtet që ka kryetari i lidhjes, por do të doja që këtu të mblidheshin njerëz nga të gjitha fushat e arteve dhe të krijojmë një lidhje të vërtetë.” Tëhuajzimi i artistëve të fushave të tjera do të vihej re edhe në fjalët e dëshpëruara të balerinit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, Rexhep Çeliku, i cili pasi pa gjendjen e të ftuarve në sallë deklaroi: “Nuk shoh asnjë artist këtu, as nga Teatri i Operas, as nga Teatri Kombëtar, as nga Ansambli. Unë jam anëtar i LSHA-së që në 1986 dhe nuk kam marrë asnjëherë ndonjë ftesë për të ardhur në mbledhjet e kësaj lidhjeje. Atëherë, çfarë lloj kuvendi është ky, kur këtu nuk ka artistë? Për kë do të votoj unë? Janë 300 artistë, ku janë këta artistë?” Drejtuesi i punimeve të tij kuvendi, Myftar Gjana, shpjegon se: “Vendimi për mbajtjen e këtij kuvendi të jashtëzakonshëm është marrë më 9/10 e kryesisë së zgjedhur nga kuvendi i mëparshëm kur sipas statutit të LSHA-së mjafton 1/3 e kryesisë që të thërrasë një kongres të jashtëzakonshëm. Ky kuvend mblidhet, sepse është shkelur statuti i kësaj lidhjeje i miratuar nga vetë shkrimtarët dhe artistë në të gjitha pikat e tij”. Ndërkohë që, në sallë nuk mungojnë as ata që ngrejnë akuza direkte ndaj Moravës, duke e akuzuar deri për përfitime personale, për dhënien me qira të ambienteve të lidhjes dhe për blerjen e dy makinave me paratë e lidhjes. Ai akuzohet edhe se e ka kthyer LSHA në një vend banal, ku gëlojnë vetëm njerëzit e lokaleve, një institucion ku shkrimtari nuk ndihet aspak i mirëpritur. Për këto pika, duket se të gjithë në sallë janë të një mendje, duhet bërë ndryshim. Atje ku mesa duket çalon puna është fakti se nuk dihet se si të bëhet ky ndryshim. Disa nga pjesëmarrësit në këtë mbledhje kanë hartuar një platformë të re qeverisëse, ku parashikohet një bord drejtues i ri si dhe një kryesi e re prej 17 anëtarësh. Pas diskutimesh të shumta, ku nuk ka munguar edhe ndonjë ngritje zëri dhe ndërprerje e beftë e fjalës, u pranua kjo platformë dhe u vendos të kalohet në votim për kryetarin dhe kryesinë e re të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. U zgjodh një komision votimi që përbëhej nga gjashtë anëtarë: Myftar Gjana, Pandeli Koçi, Violeta Allmuça, Llazar Taçi, Fluturak Gërmenji dhe Shpëtim Kelmendi, i cili numëroi fletët e votimit të fshehtë që u zhvillua në sallë. Në përfundim të mbledhjes u përcaktuan 17 anëtarët e rinj të kryesisë si dhe u zgjodh kryetari i ri i lidhjes, Hysen Sinani, me 55 vota kundrejt 18 votave të Moikom Zeqos. Kandidati tjetër i mundshëm, Albert Zholi, u tërhoq nga kandidimi, duke deklaruar: “Jam një nga të parët që kam kërkuar të mbahet ky kongres i jashtëzakonshëm dhe kam qenë ndër të parët që kam denoncuar sjelljet e Zyhdi Moravës, por nuk mundem kurrsesi të bëhem pjesë e një kongresi që mbahet në kushte të tilla.” Ndërkohë që, nga të zgjdhurit në kryesinë e LSHA-së ishte edhe Rexhep Çeliku, i cili nuk e pranoi pozicionin. Ai u shpreh: “Faleminderit, unë nuk dua post. Dua të organizohem me shokët, me miqtë e mi që janë artistë. Për mendimin tim, nëse do të mbani një kuvend dhe ky kuvend do të jetë i jashtëzakonshëm, atëherë këtu duhet të jenë të paktën dhjetë për qind e këtyre artistëve.” Ndërkohë, kryetari i LSHA-së, Zyhdi Morava, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë kuvend, tha se nuk e njeh këtë kuvend, pasi është i paligjshëm dhe se nuk largohet pa iu kërkuar dorëheqja nga anëtarët e lidhjes që janë mbi 400 persona dhe ata që e kanë votuar ishin mbi dyqind persona. “Është e drejta e kryetarit të jetë në një kongres të tillë, i cili ka ankesa për të. Në fund të fundit, unë duhet t’iu përgjigjem ankesave të tyre. Zyra ka qenë e hapur për të gjithë dhe kushdo ka pasur të drejtë të bëjë ankesa”, - tha Morava. Ai shtoi: “Ky është një kongres për interesa të ngushta personale.”
Krijoni Kontakt