-
i/e regjistruar
Rënia në mëkat
Rënia në mëkat
Gjeneza
Sikundër duket qartë nga historia biblike rënia e njeriut u shkaktua nga ndërthurrja e faktorit të jashtëm dhe të brendshëm. Shohim gjarprin si shkaktues të tundimit dhe si personazhi i gënjimit të gruas. Por megjithëse gjarpri ishte më dinaku nuk mund të ishte më i zgjuar se njeriu, i cili kishte marrë tashmë nga Perëndia privilegjin e sunduesit dhe kishte përcaktuar dhe emrat e kafshëve. Përsa i përket të folurit të gjarpërit mund të jetë një shprehje figurative, por etërit sirianë që i përkasin një tradite, gjuhe dhe mentaliteti shumë të afërt me atë aramaik, pranojnë mundësinë që Zoti e lejoi gjarprin të flasë, ose që Adhami të mund të komunikonte me kafshët. Shohim se edhe tunduesi fillimisht i drejtohet Evës, dhe jo aksidentalisht, por sepse i trmbej Adhamit dhe se Eva ishte më e dobët se Adhami dhe mund të gënjehej më lehtë.
Por një favor që iu bë tunduesit nga ana e gruas, ishte fakti që, ato që ai tha u përkrahën nga lakmia e Evës. Pikërisht për të evituar këtë joshje Perëndia u tha të mos i afroheshin drurit. Ndërsa dhe vetë premtimi që tunduesi bëri nuk ishte me kuptim për Evën, pasi dukeqenëse e mira dhe e keqja nuk ekzistonin si nocione s’ishte e nevojshme që ata t’a njihnin atë. Nga ana tjetër sytë e tyre që shihnin Perëndinë do të hapeshin, për të parë çfarë? Njëkohësisht premtimi i djallit i ishte i kundërt me porosinë e Perëndisë, që do të thotë se dhe vetë gjarpri dëshmonte kundër vet vetes dhe që nuk ishte një gjë e vështirë për t’u kuptuar, por ajo ç’ka solli me të vertetë rënien ishte lakmia njerëzore.
Por pse Perëndia e lejoi tundimin. Për vetë faktin se njeriu u krijua i lirë ai duhej të kishte më shumë se një mundësi veprimi, për të qenë me të vertetë i tillë. Dhe duke mos ekzistuar edhe një mundësi e dytë liria e tij do të humbiste. Por nga ana tjetër Perëndia që i dha njeriut gjithçka nga hiri dëshironte që njeriu t’i merrte ato edhe me anë të drejtësisë. Nëpërmjet ruajtjes ose shkeljes së porosisë, njeriu do të fitonte jetën ose do të vdiste. Sepse dhe vete Perëndia e krijoi njeriun në një gjëndje që ai të vendoste vetë për fatin e tij, gjithmonë brenda lirisë së tij. Të vdiste ose të jetonte.
Megjithatë rënia është një zgjedhje e jona dhe jo diçka e detyruar. Ndonëse ata u tunduan, rënia është pasojë e një dëshire, lakmie njerëzore, pasi tundimi në vetvete punonte kundër tunduesit. Çdo gjë duket qartë Perëndia paralajmëron me vdekjen dhe menjëherë pas urdhërit të Perëndisë shfaqet tundimi, por edhe për vetë ata (njerëzit) tundimi ishte një diçka e pritëshme pasi ata e dinin këtë gjë. Bile shohim që Perëndia përpiqet që të edhe lakminë e tyre t’a shmangë duke u thënë mos ju afroni pemës. Por edhe kafsha që solli tundimin ishte thjesht një zvaranik dhe jo një kafshë e pastër ritualisht, dhe kjo për vetë faktin që tundimi të bëhej sa më i kuptueshëm. Në të njëjtën kohë ndalimi i një peme të vetme në atë kopësht ku kishte dhjetra e dhjetra pemë të tjera, të cilat ata ende nuk i kishin ngjëruar, nuk përbënte një tundim kaq të papërballueshëm, kur për më tepër pema e ndaluar ishte e veshur me vdekjen. Shohim gjithashtu që tundimi vjen menjëherë pas dhënies së porosisë, për të mos lejuar ndonjë justifikim të mundshëm që të mund të thuhej se kishin harruar porosinë, por edhe për të treguar që faza e provës do të ishte shumë e shkurtër. Megjithëse tundimi u shoqërua me gjithë këto shenja dalluese, të cilat përbënin një lehtësim në thelb për njeriun, rënia ndodhi.
Por mjaft interesante është edhe mënyra e rënies, Eva e joshur nga hyjnizimi që i premtonte fruti e ha e para edhe më pas ia jep edhe burrit të saj. Pasi ishte siguruar më parë, se ajo që gjarpri premtoi nuk ndodhi. Por e hëngri e para për të fituar superioritet ndaj burrit të saj, ndaj atij prej të cilit ishte marrë dhe për të cilin ishte krijuar. Kjo vjen si pasojë, pasi ajo vërtet nuk kishte ngrënë realisht frutin, por mendoi kështu pasi rënia në mendjen e saj kish ndodhur që në momentin kur ajo u josh dhe lakmoi frutin. Duke menduar se do të lartësohej në hyjnishmëri ndaj Adhamit, nga i cili ishte më e vogël në njerishmëri.
Megjithatë Eva as u hyjnizua edhe as vdiq, sepse nëse do të kishte ndodhur diçka kjo do ta detyronte Adhamin të mos hante, por tashmë jo nga liria por nga frika. Dhe menjëherë pasi hëngrën që të dy, u shfaqën pasojat, sytë u hapën dhe panë lakuriqësinë e tyre. Që tregon se syri i rënë tashmë nuk sheh si më parë, ai turbullohet, ata e shohin njëri tjetrin jo më me dashuri si më parë, por si objekt dëshire. Dashuria shndërrohet në eros. Ata mbetën lakuriq d.m.th e humbën veshjen e hirit, me të cilën i kishte veshur Perëndia. Tani njeriu ndjek një rrugë të re atë të mosbindjes, duke dashur të ecë i vetëm. Mbulohet me gjethe, gjë që tregon mbylljen e njeriut në vetvete, nga theocentrik kthehet në egocentrik. Largim ky jovetëm nga Perëndia, por edhe nga njëri tjetri.
Por sidoqoftë ende ka shpresë. Ekziston mundësia e shpëtimit. Vonesa e Perëndisë, zhurma e hapave të Tij, zëri i Tij, janë një paralajmërim për njeriun e rënë, që ai të pendohet duke ndjerë ardhjen e Perëndisë. Zoti ende nuk e kishte dëbuar nga prania e tij njeriun ndonëse e dinte se ai kishte mëkatuar. Ai kërkon t’iu vijë në ndihmë me një mundësi të re. Ndërkohë që njeriu largohet vetvetiu nga Perëndia, ai fshihet mes drurëve të parajsës. Gjë e cila tregon një shkëputje nga qielli dhe krijimin e një lidhjeje të re të ngushtë me tokën.
Kështu situata sa vjen dhe rëndohet, Adhami fajëson Evën, Eva gjarpërin. Humbasin pra edhe mundësinë e fundit. Dhe për më keq fajtori bëhet Perëndia. Gruaja që Ti më dhe thotë Adhami, ajo e ka fajin. E thënë ndryshe Ti që me dhe gruan. Këtu fillon edhe dënimi i tyre, vdekja bëhet pjesë e jetës. Por ndonëse vdekja duket si një mallkim që iu dha njeriut, i cili u tundua nga djalli që e pati zili atë. Djalli mendoi do të shkatërronte atë që quhet kurora e krijimit, por edhe vdekja kthehet kundër tij. Sepse bashkë me vdekjen vdes edhe mëkati. Kështu vdekja është mënyrë e providencës se Perëndisë për të mos lejuar përjetësimin e mëkatit, duke u kthyer kështu në formë jete. Bile dhe mallkimi i vuajtjes së lindjes është mënyra për çlirimin e gjindjes njerëzore, gjë që shprehet qartë në peotoevangjelion, si profetci e mishërimit të Zotit.
Kështu megjithëse Perëndia e dëbon njeriun nga parajsa pasi ai ishte larguar vetë më përpara prej saj, Zoti nuk e heq mbrojtjen e Tij prej njeriut. Ai e vesh me veshje lëkure, si shenjë e mbrojtjes dhe e tolerimit.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt