Korçë - Atmosfera e Krishtlindjes
Në qytetin e Korçës, në këtë qytet me tradita të vjetra orthodhokse edhe këtë vit u zhvilluan një sërë aktivitetesh me rastin e Krishtlindjes. Festimet i hapi Festivali Rinor i kësaj Mitropolie, aktivitet që mbledh të rinj nga e gjithë dioqeza e Korçës. Ky aktivitet tashmë një traditë në këtë Mitropoli, mirëpriti të rinj nga Erseka, Pogradeci, Prespa, Devolli, si edhe grupe që përshëndetën këtë aktivitet. Mes këngëve dhe valleve, ky aktivitet hapi rrugën e fillimit të festimeve me rastin e Krishtlindjes. Por duhet theksuar se atmosfera e festës kishte filluar të ndihej që në ditët e para të muajit dhjetor, dhe si padashur të gjithë qenë bërë pjesë e gëzimit që ofronte festa.
Në mbrëmjen e datës 23 dhjetor, në të gjitha rrugët e qytetit shihje njerëz të të gjitha moshave që festonin kolendrat dhe jepnin tek të gjithë lajmin se: “Në qytetin e shenjtëruar u lind foshnja e bekuar…”. Të gjithëve na ishte dhënë rasti të ishim pjesë e korit engjëllor duke përhapur lajmin e lindjes së Shpëtimtarit të botës.
Në datën 25, në të gjitha kishat e qytetit u celebrua Liturgjia Hyjnore, të cilën në kishën katedrale e drejtoi Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Joani. Ai iu bëri thirrje besimtarëve të shumtë që merrnin pjesë, që të kishin shpresë dhe kurajë, sepse drita e mundi errësirën, se Foshnja e Betlehemit ka ardhur për të gjithë dhe të gjithë duhet të gëzohemi. Më pas vazhduan pritjet në selinë e Mitropolisë së Hirshme të Korçës, ku uruan Kryebariun e tyre qindra besimtarë, përfaqësues të pushtetit vendor si edhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Të gjithë përcollën mesazhe paqeje dhe dashurie për të gjithë komunitetin e Korçës.
Data 26, vazhdoi me drekën tradicionale që shtrohet për njerëzit në nevojë të këtij qyteti, drekë në të cilën ndihmoi edhe shoqata “Gruaja Korçare”. Edhe në këtë ditë Hirësia e Tij Imzot Joani theksoi se: “edhe këta njerëz kanë nevojë për më tepër dinjitet dhe dashuri nga e gjithë shoqëria jonë”.
Në datën 27, për të gjithë nxënësit më të mirë të shkollave 9-vjeçare të qytetit të Korçës u shpërndanë dhurata. Në këtë ditë Imzot Joani theksoi se më shumë se kurrë vendi ynë ka nevojë për njerëz të arsimuar dhe të devotshëm, të cilët do të jenë vazhduesit e rrugës së mundimshme për lulëzimin e këtij vendi.
Edhe në datën 28 në bashkëpunim me shoqatën “Gruaja Korçare”, si çdo vit u ndanë dhurata për fëmijët në nevojë. Në këtë ditë Hirësia e Tij bëri apel për të gjithë, se sa e nevojshme është që t’iu qëndrojmë afër këtyre fëmijëve dhe t’iu japim edhe atyre mundësinë që të gëzojnë në këtë ditë të madhe të Lindjes së Krishtit.
Krijoni Kontakt