Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 18
  1. #1

    Kryeministri i Bavarisë, për herë të parë në Tiranë në vitin 1984

    Kryeministri i Bavarisë, për herë të parë në Tiranë në vitin 1984


    Djemtë e Shtrausit: Të pathënat e vizitave në Shqipëri



    Afrim Imaj

    “Do të shkonim për pushime në Greqi dhe duhej të përshkruanim rrugën nëpër territorin shqiptar. Për herë të parë na krijohej mundësia për të parë Tiranën dhe menduam të qëndrojmë aty së paku disa orë.

    Por ndodhi që vizita private të merrte karakter zyrtar nga autoritetet vendase dhe kjo na detyroi ta zgjasnim atë disa ditë”. Zbardhet më në fund misteri i vizitës së kryeministrit të Bavarisë në Shqipëri në mesin e viteve ‘80. Për herë të parë dy djemtë e Josef Shtrausit, Max dhe Franc Shtraus rrëfejnë për gazetën “Panorama” të vërtetën për mbërritjen e babait të tyre në vendin tonë, në verën e vitit 1984. Dëshmia e tyre u jep fund dilemave dhe komenteve të shumta të konsumuara qysh atëherë e deri më sot, sidomos nga ish-krerë të politikës komuniste, që deshën ta kanalizonin si një kontribut të tyre. Shtraus ishte i pari personalitet i lartë i Evropës Perëndimore, që vizitonte Shqipërinë qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Ngjarja e rrallë do të trajtohej nga propaganda komuniste herë si shprehje e interesimit të autoriteteve zyrtare gjermane për vendin tonë, herë si sukses i diplomacisë shqiptare për të tërhequr investimet perëndimore. Në varësi nga rrjedha e bisedës në takimet e drejtuesve shqiptarë me mysafirin special, orientohej jehona e vizitës, ku njëherazi me optimizmin për “suksesin e politikës komuniste” shfaqej edhe vrazhdësia nga pakënaqësitë që krijonte një lloj këmbëngulje e Shtrausit për të bërë lëshime, sidomos në qëndrimin ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut. Por, kryeministri bavarez është bindur në vendosmërinë e palëkundur të autoriteteve vendasve për të mos “lëshuar pe” në konseguencën ndaj marksizëm-leninizmit dhe ka vijuar me kortezinë e takimeve, duke u mjaftuar aty këtu me ndonjë rekomandim dashamirës për zhvillimin e Shqipërisë.
    Unë nuk mundja që për pak kohë ta demokratizoja Shqipërinë, ashtu sikundër as shqiptaria nuk kishte si të më komunistizonte mua”.
    Duke iu kthyer këtij reflektimi të Shtrausit, pas vizitës në vendin tonë, dy djemtë e tij pohojnë më tej shqetësimin e të atit për barrierat e pakuptimta që parashtronin zyrtarët shqiptarë gjatë takimeve me të. Mesazhet konstruktive e miqësore që ofroi Shtrausi gjatë tre vizitave në Shqipëri, vënë në dukje djemtë e ish-kryeministrit gjerman, të cilët kanë qenë të pranishëm në to jo vetëm nuk u deshifruan qartë, por u keqinterpretuan në mënyrën më vulgare. Për ta, shqiptarët humbën një shans jo të vogël në vigjiljen e proceseve demokratike që do të përfshinte në atë kohë Evropën Lindore...

    Max dhe Franc Shtaus i janë përgjigjur pozitivisht interesimit të “Panorama”-s për të sjellë retrospektivën e vizitave të të atit në Shqipëri. Pas kontaktit me ta me postën elektronike, vëllezërit Shtraus kanë preferuar ta zbardhin historinë e vizitave të të atit në Shqipëri nëpërmjet një komunikimi të drejtpërdrejtë. Dhe kanë udhëtuar nga Gjermania në Tiranë falë përkujdesjes së mikut të tyre Klaus, kreu i misionit të PAMEG-ës në Shqipëri. Pastaj kanë mundur të rrëfejnë me detaje gjithçka nga vizita e atit të tyre në vendin tonë në mesin e viteve ‘80. Bashkëbisedimi ka rrjedhur qetë e natyrshëm. Të shkujdesur në pamje të parë, djemtë e ish-kryeministrit të Bavarisë duken të ndjeshëm e të vëmendshëm në atë që tregojnë dhe përpiqen të jenë të saktë në ndodhitë dhe problematikën e vizitave të bujshme të babait të tyre në Shqipëri. Të indinjuar nga varianti i një zyrtari ish-komunist, i cili e ka vlerësuar vizitën e Shtrausit produkt të nismës dhe përkujdesjes të Tiranës zyrtare, qysh në fillim pohojnë se janë gjendur me Shtrausin në vitin 1984 në Shqipëri krejt rastësisht, duke udhëtuar tranzit për në Greqi.
    Teksa këmbëngulin për mos ta vënë këtë në diskutim, kujtojnë se momenti i vizitës së parë në Shqipëri kishte të bënte me një ngjarje të rëndë në familjen e tyre. “Ishte vdekja e papritur e nënës shtysa e vizitës në Greqi, e për pajojë edhe në Shqipëri”, shtojnë ata, duke kujtuar momentet para nisjes atë ditë të nxehtë gushti për në vendin tonë. Më tej, në rrëfimin e tyre shpalosen mbresat nga kontaktet e para me pamjet nga Shqipëria, nga bisedat e takimet me drejtuesit e lartë dhe njerëzit e thjeshtë, nga dialogët me shoqëruesit dhe përkthyesit e deri te shija e menysë që servirnin për ushqim punonjësit e rezidencave qeveritare...

    Ju keni shoqëruar zotin Shtraus në vizitën e parë në Shqipëri. A e mbani mend kohën në të cilën u gjendët në vendin tonë?

    Max: Ishte vera e vitit 1984. Më saktë muaji gusht...
    Franc: Ka qenë data 21 gusht kur kemi mbërritur në Shqipëri.

    Si lindi ideja që kryeministri i Bavarisë, ky personalitet i lartë, të vizitonte një vend komunist si Shqipëria, ku qysh pas Luftës së Dytë Botërore Tiranën nuk e kishte vizituar asnjë politikan perëndimor?

    Max: Vizita e babait tonë në Shqipëri ishte thjesht një rrugëkalim tranzit, një impenjim privat dhe asgjë më shumë. Ishte verë dhe duhej të pushonim si gjithnjë. Këtë herë për arsye familjare zgjodhëm të pushojmë në Greqi. Nuk deshëm të shkojmë si gjithnjë në Francë, ku kishim vilën tonë në bregdet. Sa kishte ndërruar jetë papritur nëna jonë dhe babai mendoi ta ndryshonte mjedisin e pushimeve, për t’iu larguar paksa momenteve trishtuese të shkaktuara nga tragjedia familjare.
    Franc: Ishte pra ideja e babait për të bërë diçka ndryshe, gjë që do të thoshte se nuk do të pushonim në vilën tonë në bregdetin jugor të Francës, por në një vend tjetër. Mesa dukej babai kishte zgjedhur për të pushuar Greqinë.

    Pra, duhej të pushonit në Greqi dhe u gjendët në Shqipëri...

    Max: U gjendëm në Shqipëri krejt rastësisht, në një udhëtim tranzit. Shqipëria ndodhet në mes të rrugës Mynih-Igumenicë, ku ishte destinacioni ynë përfundimtar. Duhej të kalonim në territorin shqiptar, për të mbërritur aty ku kishim menduar për të pushuar. Babai donte që të rrinte vetëm një ditë këtu, të ecte me makinë, të vëzhgonte mjedisin, ta kalonte Shqipërinë vetëm në harkun e 24 orëve. Kjo ishte dëshira e tij për atë moment. Po këtë dëshironim edhe ne. Kalimi nëpër Shqipëri do të ishte kështu edhe një rast i mirë për të parë profilin e një vendi komunist, siç ishte ajo asokohe...

    Çfarë përshtypjesh kishit para vizitës së parë në Shqipëri?

    Max: Ajo që dinim, së paku ne djemtë e kryeministrit të Bavarisë, ishte imazhi i një vendi të bunkerizuar. Pika më e errët e komunizmit! Kjo ishte përshtypja jonë e përgjithshme për Shqipërinë. Një vend pra stalinist, me një diktaturë nga më të egrat në Evropë dhe me një varfëri të jashtëzakonshme. Dinim gjithashtu që aty mbretëronte diktatori Enver Hoxha dhe vetëm kaq...

    Po zoti Shtraus a kishte njohje më të hollësishme për Shqipërinë dhe situatën në të?

    Franc: Ai e njihte Shqipërinë ndër të tjera edhe nga disa informacione të shërbimeve sekrete, por siç thoshte shpesh, ngjarjet që kishin të bënin me të në atë periudhe nuk paraqisnin ndonjë interes të veçantë. Shkurt, ishte indiferent dhe nuk priste ndonjë ndryshim nga zhvillimet në Shqipërinë staliniste.

    Çfarë ju kujtohen nga parapërgatitjet për të siguruar vizitën në Shqipëri?

    Franc: Këtë herë, ndryshe nga rastet e vizitave të tjera, procedura e udhëtimit për në Shqipëri u vlerësua disi delikate. Kjo për sa i përket imazhit që kishte atëherë perëndimi për Shqipërinë. Ne mund të shkonim në Greqi ku kishim vendosur për të pushuar edhe me avion, por gjithnjë në raste të tilla rrugëtimet i bënim në linjat tokësore, madje me “Benz”-in tonë të hapur, tip sportiv, që babai e përdorte sa herë niseshim për diku familjarisht.

    Max: Më kujtohet pasditja kur u ulëm në zyrën e babait dhe filluam të planifikojmë vizitën që do të bënim në Greqi, ku do të kalonim pushimet verore. Vështirësia jonë e parë, pengesa jonë e parë ishte Shqipëria. Lidhur me këtë, babai kishte thirrur në zyrë dy këshilltarët e tij, të cilët e orientonin për rrugëkalimin që do të bënim duke përshkuar territorin shqiptar. Njëri prej tyre, zoti Filer, i tha babait se nuk kishim shanse që të kalonim nga Shqipëria dhe i rekomandoi për të kaluar nga Ohri, pa u futur fare në territorin shqiptar. Babait nuk i pëlqeu kjo ide dhe i tha për të komunikuar me ambasadorin e Shqipërisë në Vjenë, i cili mbulonte edhe Gjermaninë, për të plotësuar procedurën përkatëse. I thoni atij, porositi babai, do të na japi apo jo leje që të kalojmë nëpërmjet Shqipërisë. Dhe kështu u vendos për të zgjedhur kalimin nëpërmjet Shqipërisë...

    Cili ishte reagimi i ambasadorit shqiptar për lejen e kalimit nëpër territorin shqiptar?

    Max: Zoti Filer komunikoi me ambasadorin shqiptar në Vjenë dhe i tha që kryeministri i Bavarisë do që të bëjë një vizitë në Shqipëri. Përse do të shkojë në Shqipëri, i tha ambasadori shqiptar në mënyrë arrogante, duke lënë të kuptojë se nuk ishte i predispozuar për t’i hapur portën Shtrausit. Pasi zoti Filer këmbënguli për të siguruar procedurat nga diplomati shqiptar, nga ana e bashkëbiseduesit nuk u ofrua asnjë zgjidhje, madje u la të kuptohej se Shtrausi në Shqipëri ishte i padëshirueshëm.

    Përfundimisht, ambasadori nuk e dha lejen e kalimit për zotin Shtraus?

    Max: Kërkesa e zotit Fëler ndaj ambasadorit shqiptar në Vjenë për lejen e kalimit nëpër territorin e Shqipërisë të Shtrausit dhe hezitimi arrogant i diplomatit shqiptar, mesa mbaj mend, i përket ditës së premte, diku nga mbrëmja. Ndërkaq, ditën e hënë, ende në mëngjes, ambasadori shqiptar, që mesa kuptohej kishte komunikuar me shefat e tij në Tiranë, mori në telefon nga Vjena zotin Filer dhe i pohoi se kryeministri i Bavarisë është shumë i mirëpritur në Shqipëri. Domethënë një kthesë 180 gradë.

    Me se lidhej kjo kthesë e papritur e diplomatit shqiptar?

    Max: Me siguri që dikush nga shefat e tij në Tiranë shikonte diçka më tej se vështrimi i errët i syve të tij. Dhe ndodhi që ai diplomati i akullt e prepotent të bëhej vetëm për 48 orë një njeri i përzemërt e shumë bujar. Sidoqoftë, fakti që dikush e kishte qortuar për sjelljen e çasteve të para, për Shtrausin ishte një mesazh domethënës...

    Gjatë aplikimit që bëtë në ambasadën shqiptare në Vjenë si e motivuat vizitën në Shqipëri?

    Franc: Aplikimi ynë pranë autoriteteve shqiptare kishte të bënte vetëm me një udhëtim tranzit nëpër Shqipëri. Këtë ua bëmë të qartë edhe zyrtarëve konsullorë. Asnjë qëllim tjetër pra nuk u thamë për vizitën tonë.

    Dhe pas kësaj peripecie procedurale u nisët. Kur mbërritët në Shqipëri?

    Max: Më në fund, pas kësaj peripecie të rëndomtë, një ditë gushti të vitit 1984 mbërritëm në pikën kufitare të Hanit të Hotit të Shqipërisë. Ishim të tre në një makinë “Benz” të hapur nga lart. Të tre ishim të veshur me pantallona të shkurtra.

    Edhe babai, zoti Shtrauz, me pantallona të shkurtra...

    Franc: Sigurisht, edhe babai ishte i veshur me pantallona të shkurtra.

    Thashë që rrugëtimi kishte të bënte me pushimet verore dhe nuk kishim planifikuar vizita zyrtare, ca më tepër takime protokollare. Edhe makina që kishim marrë për këtë rrugëtim ishte një “Mercedes” i hapur, të cilin e përdornim shpesh familjarisht për ditët e pushimeve dhe për fundjava të ndryshme...

    Kush ju priti në Han të Hotit?

    Max: Ishte një grup zyrtarësh, që me sa u sqaruam më vonë drejtohej nga zëvendësministri i Jashtëm shqiptar. Me ta ishte përkthyesi, një shoqërues special, i cili ishte përzgjedhur për t’i qëndruar afër Shtrausit në të gjithë itinerarin.
    Kuptohet, shoferi, personeli i sigurisë...

    Franc: Mbaj mend që ishte një ditë shumë e nxehtë vere dhe gjithçka rreth e qark mbante një ngjyrë të verdhë, në pamjen e grurit të pjekur. Një peizazh gjithsesi trishtues, që me aq sa e vëzhgoje nga jashtë të krijonte imazhin e një vendi të braktisur.

    Si vazhdoi procedura në vendkalimin kufitar?

    Max: Me sa mbaj mend për gjithçka që kishte të bënte me dokumentet që duhen në të tilla raste, u angazhua një nga zyrtarët e ardhur nga Tirana. Po kështu edhe për mjetin me të cilin kishim ardhur deri aty u kujdes një shofer shqiptar, duke sqaruar Shtrausin se gjatë rrugëtimit tjetër do të udhëtonim me një makinë zyrtare.
    Franc: Zyrat doganore ishin vendosur në një godinë të vogël e të mbajtur keq. Në të dyja anët e traut që mbyll kufirin shtetëror pamë ushtarë me helmetë në kokë dhe automatikë në dorë. Një mjedis i vrazhdë të shpalosej para syve. Ndoshta menduam në thellësi do të jetë diçka më mirë...



    Kush ishte Franz Josef Shtraus

    Franz Josef Shtraus lindi në vitin 1915, në qytetin e Mynihut. Studioi për Histori dhe Ekonomi në universitetin e vendlindjes dhe u diplomua në fundin e viteve ‘30. Në vitin 1957 u martua me Marine Zuiknal. Në vitin 1949 u zgjodh anëtar i Parlamentit Federal dhe në vitin 1953 u emërua ministër Federal për Çëshjet Speciale në kabinetin e dytë të kancelarit, Konrad Adenauer. Në vitin 1955 u caktua ministër Federal i Energjisë Atomike. Në periudhën 1956-1962 kreu detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1961 u zgjodh kryetar i CSU (Bashkimit Kristian Social). Pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Mbrojtjes në vitin 1962, nga një konflikt me botuesin e gazetës “Shpigel”, në periudhën 1966-1978 kreu detyrën e ministrit Federal të Thesarit, duke qenë pjesë e kabinetit të Kiesingerit. Në periudhën 1978-1988 ka ushtruar funksionin e kryeministrit të Bavarisë. Ka marrë disa tituj e grada honorifikë nga shumë universitete të botës. Në karrierën politike është njohur për rivalitetin me Helmut Kohl, një personalitet tjetër ky i Gjermanisë së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Falë këtij rivaliteti rezultoi i pasuksesshëm kandidimi i parë i Kohlit për kancelar në vitin 1976. Po kjo barrierë për të do të binte gjatë kandidimit të dytë në vitin 1980, ku Kohl mundi të fitojë. Gjithsesi, kancelari Kohl do të vazhdonte ta kryente detyrën e kancelarit edhe pas vdekjes së Shtrausit, në vitin 1988.



    Shtraus në Tiranë, si Papa në xhami

    Media gjermane në ditën e nisjes së Shtrausit drejt Tiranës

    “Një vizitë absurde dhe pa ndonjë mesazh domethënës”. Ky ka qenë vlerësimi i bërë nga media gjermane për ditën e parë të vizitës së Shtrausit në Shqipëri në gushtin e vitit 1984. Ndërsa kujtojnë shqetësimin e gazetarëve vendas për vizitën “aventurë”, siç e vlerësonin ata rrugëtimin e Shtrausit në Shqipëri, dy djemtë e ish-kryeministrit bavarez pohojnë se çdo gjë rreth kësaj është përcjellë me indiferencë në opinionin publik të Gjermanisë. “Ndër ato pak lajme të shkurtra që zunë vend në median e atyre ditëve, thotë Max, tërhiqte vëmendjen një njoftim telegrafik i një të përditshmeje bavareze, e cila në dy radhë pohonte në mënyrë ironike: “Shtraus në Tiranë, si Papa në xhami!” Asnjë zhvillim të ri nuk priste Gjermania zyrtare pas kësaj vizite jo të zakonshme. Shqipëria e asaj periudhe jo vetëm ishte deklaruar botërisht se nuk do të shkëputej nga rruga e diktaturës së proletariatit, por edhe demonstrohej dita-ditës se do të mbetej e vetizoluar brenda bunkerit komunist. “Trokitja e babait në portat e Tiranës as që kishte për mision dekomunistizimin e Shqipërisë, shtojnë dy djemtë e Shtrausit. Nga aq sa iu dha rasti, ai i dha mesazhet e veta nga pozita dashamirësie dhe në mënyrë konstruktive. Po nuk kishte si të kuptohej zëri i tij në ato ditë të përflakura komuniste”. Gjithsesi, shqiptarët e thjeshtë shpresuan shumë në ndikimin që mund të jepte ky burrë shteti. Po ishin vetëm iluzione...



    neser do te lexoni

    * Befasia e zyrtarëve shqiptarë gjatë pritjes në pikën e kalimit kufitar në Han të Hotit, kur u përballën me kryeministrin e Bavarisë, veshur me pantallona të shkurtra
    * Reagimi i parë i Shtrausit për pamjen e bunkerëve të shumtë përgjatë rrugës automobilistike. Tundimi i përkthyesit Hamlet Bezhani në përgjigje të interesimit për praninë e tyre
    * Sigurimi i Shtetit, në ndjekje të vizitës së mysafirit special. Sa e ndjente Shtrausi dhe bijtë e tij sjelljen e dyfishtë të punonjësve të shërbimit, të cilët në mënyrë të fshehtë duhej të raportonin tek eprorët e tyre për gjithçka të re nga kontakti me miqtë nga Bavaria
    * Profili komunist i protokollit zyrtar dhe komunikimi i sinqertë i njerëzve të thjeshtë

    Gazeta Panorama
    11-12-2006

  2. #2
    kill your idol Maska e Pedro
    Anëtarësuar
    15-01-2003
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    410
    Ky Max Strauß mos eshte valle ai i biri i Franz Josef Strauß, i cili u denua para dy vjetesh me burg per rryshfete, tregti e paligjshme armesh me Arabine Saudite dhe per mospagim taksash?

    Nejse, mire e bejne, qe na ftillojne te pakten, se na hengri veshet njerezia, jo Strauß do e bente Shqiperine lule, jo Shqiperine do e merrte ne patronazh Gjermania etj.

    Ja, e moret vesh tani perse erdhi Strauß ne Shqiperi?

    Gjynah per ata, te cilet e ushqejne mendjen e tyre me legjenda, do tu mbetet mendja pa buke tani.
    Lista nr5

    6 kanatjere
    6 mbathje
    6 shami

    prej kohesh ka vene studjuesit ne mendime,per arsye te mungeses totale te corapeve

  3. #3
    Citim Postuar më parë nga Pedro
    Ky Max Strauß mos eshte valle ai i biri i Franz Josef Strauß, i cili u denua para dy vjetesh me burg per rryshfete, tregti e paligjshme armesh me Arabine Saudite dhe per mospagim taksash?

    Nejse, mire e bejne, qe na ftillojne te pakten, se na hengri veshet njerezia, jo Strauß do e bente Shqiperine lule, jo Shqiperine do e merrte ne patronazh Gjermania etj.

    Ja, e moret vesh tani perse erdhi Strauß ne Shqiperi?

    Gjynah per ata, te cilet e ushqejne mendjen e tyre me legjenda, do tu mbetet mendja pa buke tani.

    Shtraus erdhi dhe dy here te tjera ne Shqiperi, me 1986 dhe 1987 dhe po kete vit u rivendosen marredheniet diplomatike.
    Programet e ndihmes gjermane u hartuan qe e ate kohe dhe moren jete vetem pas vitit 1992.
    Gjermanet permes firmes Salzgitter kerkuan dhe modernizimin e zhvillimin e mineralit te kromit.
    Ka edhe shume te tjera, por ato vijne me kohen.
    Ajo vizita e pare ne pamje te pare duket si "private" por ne fakt ka qene nje testim i pulsit nga perendimi.
    Shtraus nuk ishte nje boyscout.

  4. #4
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Mbërritja e kryeministrit të Bavarisë në Han të Hotit

    Shtraus: Në kufi, ne me pantallona të shkurtra, shqiptarët me kollare

    Afrim Imaj

    “Pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, më në fund mbërritëm në Han të Hotit. Shqiptarët që na prisnin në vendkalimin kufitar u befasuan fillimisht nga paraqitja jonë me pantallona të shkurtra, ndërkohë që kishin rezervuar një pritje zyrtare”.

    Kështu i kujtojnë çastet e para të mbërritjes në territorin shqiptar djemtë e kryeministrit të Bavarisë, teksa sjellin retrospektivën e aventurës së babait të tyre për të vizituar një vend komunist në kulmin e krizës së gjithanshme. Pasi kanë treguar peripecitë e përgatitjes së saj në Gjermani dhe dyzimin e autoriteteve shqiptare për t’iu përgjigjur aplikimit zyrtar për këtë vizitë private, në vijim, Max dhe Franc Shtraus rrëfejnë mbresat nga udhëtimi nëpër territorin shqiptar dhe kontaktet me njerëzit e thjeshtë. Për ta ka qenë një pamje trishtuese dhe një përjetim gjithsesi i veçantë. Mënyra si i ndiqte Sigurimi i Shtetit nëpërmjet njerëzve që i shoqëronin ka qenë tunduese, por në çdo rast e kanë përballuar me shpërfillje, duke i lënë “misionarët” e fshehtë të qetë në punën e tyre. “Ne e dinim këtë qysh para nisjes për në Shqipëri, - vënë në dukje djemtë e ish-kryeministrit bavarez. - Shqipëria ishte një shtet komunist dhe dihej praktika e Sigurimit në këto raste. Ajo nuk ishte i vetmi vend që aplikonte këtë lloj sjelljeje ndaj të huajve dhe sidomos ndaj mysafirëve specialë, siç ishte Shtrausi. Kjo ishte një procedurë standarde e shoqërive staliniste”. Më tej, Max dhe Franc Shtraus sjellin një pjesë të ngjarjeve që kanë përjetuar gjatë kohës që shoqëronin të atin gjatë takimeve në Tiranë, Berat, Gjirokastër...


    Çfarë mbani mend nga prezantimi i parë me zyrtarët shqiptarë në Han të Hotit?

    Max: Qysh në fillim u krijua një situatë delikate. Siç thashë, ne ishim veshur me pantallona të shkurtra dhe kur zbritëm nga makina na priti një delegacion shqiptar i krekosur, me kollare dhe veshje zyrtare, të cilët gjithsesi rezervuan një pritje protokollare. Ishte si të thuash një ballafaqim interesant: ne me pamjen e pushuesve dhe shkujdesjen e një dite të fundjavës, vendasit të tendosur me paraqitjen serioze të një takimi të rëndësishëm. Kaluan kështu disa çaste të papritura për të dyja palët. Dhe pas kortezizë së takimit të parë, miqtë na ofruan një “Mercedes” të zi, nga ata të klasit mesatar dhe udhëtuam për në një rezidencë qeveritare, që ishte diku 20 minuta larg postës kufitare. Ndërkaq, “Benz”-in tonë, që vinte pas makinës qeveritare, e drejtonte një shofer shqiptar.

    Pushimin e parë pra e bëtë në një rezidencë qeveritare. Aty vazhduat të qëndronit me pantallona të shkurtra...

    Franc: Sapo mbërritëm aty, u futëm në një dhomë për t’u qetësuar paksa nga rrugëtimi i largët. Babi na tha që kur të dilnim në sallonin e pritjes të visheshim me kostumet që kishim me vete. Mesa dukej, ai edhe pse u befasua nga pritja zyrtare që nuk e kishim menduar, në shenjë respekti na porositi që t’i përgjigjeshim mikpritjes reciprokisht. Dhe ashtu bëmë. Në sallon dolëm me veshjen serioze.

    Max: Dhe aty sikur u vendos një urë mirëkuptimi në komunikimin dypalësh. Më kujtohet që gjatë atij pushimi, punonjësit shqiptarë të shërbimit të vilës qeveritare na servirën ujë të ftohtë, raki, konjak dhe kafe, madje kafe të fortë. Nuk mbaj mend në detaje për çfarë biseduam ato çaste, po kam parasysh stilin zyrtar me një etikë disi të shtirur të zëvendësministrit të Jashtëm shqiptar, që me sa kuptohej kishte marrë “prokurën” nga maja e kupolës për të qenë kompetenti i kësaj mirëseardhje, që në kushtet e Shqipërisë së asaj kohe ishte një ngjarje jo e zakonshme. Do të vazhdonim kështu vetëm disa minuta në këtë pritje, për të marrë pastaj rrugën drejt Tiranës.

    A ju kujtohen njerëzit që ju shoqëronin gjatë rrugëtimit për në Tiranë?

    Max: Në makinë babanë kishin zgjedhur për ta shoqëruar një njeri të ditur, po gjithsesi një komunist të indoktrinuar. Aleks Buda e quanin. Ai dallohej që kishte lexuar shumë dhe posedonte njohuri të thella, sidomos në fushën e historisë. Kishte lexuar disa enciklopedi, kishte lexuar Biblën, Kuranin, të gjitha librat e marksizëm-leninizmit, kishte lexuar një sërë librash të tjerë, për të cilët fliste me babanë. Mesa dukej ishte hetuar nga “regjisorët” e kësaj pritjeje zyrtare hobi i babait, që ishte historia dhe kishin caktuar për ta shoqëruar një nga historianët më në zë të asaj periudhe. Me sa më kujtohet profesor Buda në atë kohë ishte kryetar i Akademisë së Shkencave.

    Franc: Vërtet që babai dhe profesor Buda kishin bindje e mendime katërcipërisht të kundërta, po gjenin mirëkuptim mes tyre, pa krijuar shqetësime. Se Buda vërtet që ishte me një performancë komuniste, por ishte një intelektual i kultivuar dhe me njohuri të shumta, njeri që kishte dijeni në fusha të ndryshme. Po me sa dukej stalinizmi në të cilin ishte kultivuar si i tillë, e kishte bërë për vete dhe ai në çdo pozicion nuk e fshihte bindjen komuniste. Megjithatë, etika dhe bonsensi gjatë bisedave ishin në një lartësi të admirueshme.

    Pas mbërritjes në Shqipëri, çfarë mundët të korrigjonit nga imazhi që kishit për të para kësaj vizite?

    Max: E ç’mund të korrigjonim nga ajo që e përfytyronim një vend të izoluar, ku liritë dhe të drejtat e tyre shtypen pa kurrfarë droje. Ajo që dinim para kësaj vizite, siç e thamë, ishte se Shqipëria përfaqësonte pikën më të errët të komunizmit. E dinim që ishte një regjim stalinist këtu. Dinim emrin e Enver Hoxhës, që drejtonte me dorë të hekurt. Dinim po kështu që kishte burgje politike dhe shumë censurë. Vërtet që babai ynë dinte diçka më tepër nga ne për Shqipërinë, por ajo nuk kishte asnjë rol për të, kështu që nuk e kishte fare në konsideratë. Ajo ishte totalisht e injoruar prej tij. Shqipëria akoma nuk kishte dhënë ndonjë sinjal për Perëndimin se mund të çbunkerizohej, siç kishin filluar të jepnin disa nga vendet e tjera të Lindjes. Sigurisht që Evropa aty ishte dhe kishte filluar të priste Poloninë, Bullgarinë, Rumaninë, por akoma Shqipëria nuk kishte filluar të përbënte ndonjë interes.

    Franc: Shqipëria dukej ajo që kishim përfytyruar. E zymtë, e vrazhdë dhe me njerëz të shtypur e të stresuar. Më kujtohet kur kalonim në afërsi të Lezhës dhe pamë disa rreshta të gjatë të rinjsh të veshur ushtarakë, me helmetë në kokë në mes të rrugës, që rrinin të tendosur në atë zheg mbytës. Thua se ishin robotë. Të rinj, që ishin ndarë me buzëqeshjen dhe dukej se ishin të destinuar vetëm për luftën. Po kështu pamja e bunkerëve në çdo pëllëmbë tokë të trishtonte, duke të çuar përfytyrimin sikur futeshe në një teatër betejash dhe jo në një vend normal.

    Siç është bërë e njohur më vonë, e gjithë lëvizja juaj gjatë vizitës në Shqipëri është ndjekur në mënyrë të fshehtë nga një grup special i Sigurimit të Shtetit. A e ndjenit praninë e tij dhe a ju kujtohen personazhe të veçanta që herë-herë luanin rolin e shoferit, përkthyesit, recepsionistit etj., gjatë rrugëtimit dhe takimeve në vendin tonë?

    Max: Ne e dinim që Shqipëria ishte një vend komunist dhe pak e shumë e dinim praktikën e Sigurimit të Shtetit. Shqipëria nuk ishte vendi i vetëm që aplikonte këtë lloj sjelljeje ndaj të huajve, dhe sidomos ndaj mysafirëve të veçantë si Shtrausi. Eshtë fjala për Sigurimin e Shtetit. Ishte një procedurë dhe një praktikë standarde kjo e vendeve komuniste të asaj periudhe.
    Pikërisht për këtë babai na porositi ta dëgjonim atë gjatë komunikimit me palën shqiptare dhe të përsërisnim qëndrimin e tij edhe zyrtarisht, edhe privatisht. Ky ishte mesazhi që na dha babai për t’iu shmangur veprimtarisë së punonjësve të policisë së fshehtë. Duhej të thoshim të vërtetën dhe vetëm atë.

    Franc: Për ne problemi ishte i qartë dhe i parrezikshëm, pasi ne do të rrinim vetëm tre-katër ditë. Shqetësimi mbetej për njerëzit që do të na shoqëronin. Në e dinim që pjesa më e madhe e personelit që na shërbente në makinë, hotel, në rrugëtim gjatë bisedimeve ishte pjesë e shërbimeve të fshehta shtetërore. Nuk kishte asnjë dyshim për këtë. Ne e dinim që të gjithë ata çdo ditë dhe në fund të çdo takimi do të bënin raporte për gjithçka, prandaj edhe ishim të kujdesshëm gjatë çdo bisede.

    A konstatuat ndonjë sjellje të veçantë që e dekonspironte këtë lloj shërbimi sekret?

    Max: Na bënte përshtypje sidomos sjellja e shoferit, një mesoburrë ky, që në pamje të jashtme të dukej i përmbajtur e serioz, por në çdo ndalesë dhe sa herë niseshim për diku, nxitonte për të folur e për të komunikuar me dikë në telefon. Kuptohet që mesazhi i këtyre telefonatave bënte fjalë për dinamikën e lëvizjes sonë. Atij dikush ia kërkonte këtë dhe mesa pamë ne, e bënte me një zell të jashtëzakonshëm, ndryshe siç parakuptohej do të kishte pasoja të rënda. Shoferët e makinave të tilla që shërbenin për të huajt që vizitonin Shqipërinë, nga sa kemi mësuar më vonë, në pjesën më të madhe kanë pasur edhe profesionin e detektivit. Po edhe një pjesë e personelit tjetër që punonin për ne, konstatohej lehtë për shërbimin e fshehtë që bënin në varësi të detyrës së Sigurimit..

    Po mënyra e pritjes gjatë ceremonive zyrtare ç’përshtypje ju ka lënë?

    Franc: Në pamje të parë të dukej një protokoll perfekt, me punonjës shërbimi që rrinë si të ngrirë, tipike kjo sjellje për vendet komuniste, sikundër dhe ato fondamentaliste. Po në brendësi gjërat shfaqnin tjetër pamje.

    Max: Konstatuam gjatë darkave dhe drekave zyrtare një rit pak a shumë të pakuptimtë, së paku për ne që uleshim në tavolinë me shqiptarët për herë të parë. Një rit si ai i kinezëve. Sa vinte momenti për të ngritur gotën e pijes që na ishte servirur, shqiptarët çoheshin të gjithë në këmbë dhe zgjasnin duart gati sa nuk thyenim gotat gjatë përplasjes, që shoqërohej me fjalën “Gëzuar!”. Këto lloj zakonesh që kishin të bënin sidomos me mirësjelljen e mikpritjen, pak a shumë ne i njihnim, pasi i kishim ndeshur ato gjatë vizitave në vendet e tjera, ku ende sundonte stalinizmi.

    Pra, kjo lloj sjelljeje, ky protokoll ju la një shije jo të këndshme...

    Max: Përtej ritualit komunist që mbante protokolli i pritjes, si dhe në vendet e tjera të regjimeve totalitare, dalloje një mikpritje njerëzore që të bënte për vete, sidomos për çiltërsinë e komunikimit. Jashtë dekorit bolshevik të pritjes, kishte një jetë tjetër, një shpirt tjetër të ndjeshëm e njerëzor. Korniza, forma, ishte pasqyra e regjimit me sa dukej. Të tjerat ishin pjesë e virtytit shqiptar...

    Franc: Ne në fakt nuk kishim formalitete në këtë lloj vizite, pasi ajo nuk kishte ndonjë pretendim zyrtar. Ishte thjeshtë pjesë e pushimeve tona. Nga ana e saj pala shqiptare çuditërisht e shoqëroi këtë me një kortezi protokollare shumë korrekte. Madje autoritetet shtetërore diktonin një axhendë të përditshme, që nga mënyra si na servirej, nuk e kuptonim gjithë atë impenjim zyrtar...

    Si vazhdonte dita gjatë vizitës dhe takimeve në Shqipëri?

    Franc: Në fakt babait, njerëzit që e shoqëronin, i sugjeronin axhendën ditore dhe, kuptohet, pas mirëkuptimit të tij, gjërat rridhnin thjesht e natyrshëm. Në asnjë rast babai nuk hezitoi t’i përgjigjej kërkesave për takime me zyrtarë të ndryshëm. Bile edhe kur në mjaft prej tyre ndjehej i zhgënjyer, ai përsëri ishte i gatshëm për sa më shumë kontakte...

    Max: Sapo mbërritëm në Tiranë, patëm takime direkte me persona zyrtarë. Gati gjysma e ditës kaloi me ta, pjesa tjetër ishte kohë e lirë, që do të na shërbente për të vizituar kryeqytetin dhe rrethinat. Po edhe gjatë kësaj periudhe duhej të ndjenim “përkujdesjen” e vendasve për objektet që do të vizitonim. Madje ata do të na rrinin pranë në çdo hap. Sidoqoftë, patëm rastin të uleshim edhe me njerëz të thjeshtë. Siç jemi të ulur në klub tani, kështu patëm rastin të uleshim edhe atëherë me njerëz të ndryshëm. Nuk kishte protokoll, salltanete, ulej në fillim babai, personalitete të tjera zinin vendin e tyre, uleshim ne dhe pastaj biseda rridhte lirshëm, natyrshëm. Ishte babai që impononte një rrjedhë të tillë, ku çdo gjë shkëmbehej nga pozita të barabarta...

    Gazeta PANORAMA
    My silence doesn't mean I am gone!

  5. #5
    Kontakti i fundit me zyrtarët shqiptarë


    Foto Çami, Shtrausit: Pa na dhënë dëmet e luftës, nuk ka marrëveshje



    Afrim Imaj

    “Nuk duam ndihma, por reparacionet e luftës, ndryshe nuk do të ketë asnjë marrëveshje”. E veçojnë këtë deklaratë të Foto Çamit djemtë e kryeministrit të Bavarisë, ndërsa kujtojnë mbresat nga takimi i zyrtarit shqiptar në Mynih në vjeshtën e vitit `85.

    Për Max dhe Franc Shtraus ato kanë qenë bisedimet më të vështira dhe më të papritura. I ndodhur aty me një grup ekspertësh për të tërhequr një sasi autobusësh “Man”, lideri shqiptar kishte shfaqur interesimin për t’i bërë një vizitë kryeministrit bavarez, i cili atë pranverë kishte qenë mysafir në Tiranë. “Ndonëse ishte i angazhuar me festimet e 70-vjetorit të lindjes, - nënvizojnë djemtë e Shtrausit, - ai e mirëpriti ofertën e mikut nga Shqipëria. Madje mendoi se mirëseardhja e Çamit do t’i shtonte koloritin ceremonisë familjare. Po në fakt ndodhi krejt e kundërta”. Lajmit të gëzuar të kreut të Bavarisë për ndihmën prej 200 milionë markash që Gjermania kishte vendosur t’ia jepte Shqipërisë, Çami iu përgjigj me një lloj indiference që arrinte deri në shpërfillje. “Jo ndihma, por vetëm reparacionet e luftës!”, ky do të ishte reagimi i parë i zyrtarit të lartë shqiptar. Sakaq, Shtrausi do të mundohej me durim të sillte argumentet e veta, duke theksuar detyrimet e Marrëveshjes së Londrës dhe faktin që Gjermania hitleriane tashmë ishte e ndarë në dy pjesë. Po Çami do të vijonte në të tijën. Madje nuk do të harronte që aty të demonstronte edhe plagët që kishte marrë nga plumbat e ushtarëve gjermanë gjatë luftës. Dhe atëherë kur situata do të mbetej e bllokuar, Shtrausi do t’i drejtohej me një pyetje retorike mikut të tij nga Tirana: “Po Turqisë, Greqisë, Italisë, Austro-Hungarisë ia keni marrë ju shqiptarët reparacionet e luftës?” Po si vazhdoi më tej ky takim i fundit i kryeministrit të Bavarisë me liderët shqiptarë...

    Sa herë ka ardhur Shtrausi në Shqipëri dhe cilat kanë qenë kontaktet e fundit të tij me autoritetet e Tiranës?
    Max: Vizita e parë, siç thashë, ishte thjeshtë private, pjesë e një rrugëkalimi transit për në Greqi. Si e tillë ishte planifikuar për të zgjatur një ditë. Po interesimi i palës shqiptare, me një axhendë të ofruar nga ta miqësisht, të paktën si deklarohej, e detyroi Shtrausin ta shtyjë atë në katër ditë. E gjitha kjo i përket dhjetëditëshit të tretë të gushtit 1984. Në verën e vitit 1985, Shtrausi u rikthye për herë të dytë në Shqipëri. Këtë herë ishin autoritetet shqiptare, që në një mënyrë apo një tjetër, këmbëngulnin për të mos i shkëputur kontaktet. Shtrausi duke qenë i hapur dhe pa komplekse asnjëherë nuk e shpërfilli ofertën e tyre. Gjithnjë me shpresën se një ditë do të gjente mirëkuptimin e tyre...
    Çfarë ju kujtohet nga takimet e tjera pas vdekjes së Enverit me liderët shqiptarë?
    Max: E vërteta është se prania e Hoxhës për Shtrausin nuk përbënte ndonjë shqetësim të veçantë. Ai nuk vuante komplekse gjatë takimeve. Fakti që ofronte mundësi e shanse për një vend të izoluar, për ta nxjerrë nga errësira e bunkerizimit, nuk lidhej fare me emrin e njeriut që zotëronte pushtetin.
    Franc: Rikthimi pas vizitës së parë në gushtin e vitit ‘84, kur ishte ende gjallë Enveri, vijoi me disa takime në Tiranë e Durrës dhe pastaj me vizita në disa qytete në jug të vendit. Vizituam Beratin, Krujën, Gjirokastrën, Vlorën e Sarandën. Ndjemë një përkujdesje të veçantë të zyrtarëve që na shoqëronin gjatë këtyre vizitave, ku na u rezervuan takime e bankete të ngrohta.
    Ishte meraku i tyre që Shtrausi të mbetej i kënaqur nga mikpritja shqiptare, nga menyja e sevirur gjatë darkave, nga pamja e veçantë që paraqisnin disa nga qytetet muzeale në jug të vendit, nga komunikimi miqësor e sjelljet korrekte.
    Çfarë mbani mend nga ky rrugëtim në qytetet e jugut të Shqipërisë?
    Max: Një infrastrukturë gati mesjetare, me rrugë të ngushta e të mbajtura keq, me peizazhe të zhveshur dhe ndërtime provinciale. Vetëm parulla, shumë parulla që të shoqëronin kudo. Më kujtohet një e tillë me pesë germat e emrit të diktatorit, ENVER, që kishte pushtuar tërë shpatet e një mali të madh në afërsi të Beratit. Parullë më të madhe nuk na kishte zënë syri asgjëkund.
    Franc: Një ndriçim i kufizuar gati mbretëronte kudo. Kalonin orët e para të muzgut dhe gjithkund binte errësira. Mbaj mend një pasdite në Gjirokastër. Sa vizituam muzeun diku nga mbrëmja dhe do ktheheshim për të pushuar në hotel. Pas dy orësh nga ky çast qyteti dukej i boshatisur. Këmbë njeriu nuk dukej. Asnjë makinë dhe dritë e ndezur nuk dallohej gjëkundi. Mund të të thoshin: Aty është pylli! Dhe mund ta besoje pa frikë.
    Po nga kontaktet me njerëzit e thjeshtë çfarë ju kujtohet?
    Max: Kontaktet me njerëzit e thjeshtë i patëm shumë të rralla. Autoritetet që na shoqëronin kujdeseshin posaçërisht që të kishim sa më pak të tilla. Ndjehej në sfond angazhimi i Shërbimeve Sekrete për t’i mbrojtur shqiptarët nga kontakti me ne.
    Franc: Përveç zyrtarëve, puna na lidhte që të takonim edhe njerëz të thjeshtë. Kështu mund të themi për kontaktin me kuzhinierin, me ciceronin e muzeut, me recepsionistin e hotelit, me punonjësin e shërbimit etj. Nëse na shmangej në mënyra të ndryshme takimi me një fermer, me një punëtor, me një mjek, me një mësues, këto takime nuk kishin si të na i evitonin.
    Çfarë mesazhesh mundët të merrnit nga këto pak kontakte me njerëzit e thjeshtë?
    Max: Na çudiste një lloj stepje e tyre gjatë takimit me ne. Fjala i huaj, ca më tepër gjerman, për ta tingëllonte si diçka e frikshme. Gjatë bisedës, ndjeheshin të tunduar dhe bënin ç’është e mundur që çastet e kontaktit me ta të mbaronin sa më shpejt. Megjithatë, edhe nga aq sa mund të lexoje në ato pak minuta, dallohej plaga që kishin në shpirt, shquhej drama që përjetonin në sfidën për mbijetesë. Se plaga e shpirtit, lëndimi i tij nuk mund të fshihen, nuk mund të izolohen!
    Në atë periudhë është folur për një takim të bujshëm të Shtrausit me Foto Çamin. A ju kujtohet për se është debatuar gjatë tij?
    Max: Nga sa mbaj mend, në asnjë rast gjatë takimeve në Tiranë e Durrës, ku u zhvilluan bisedime me zyrtarë të rëndësishëm, nuk ka qenë i pranishëm Foto Çami. Madje as e kishim dëgjuar këtë emër. Diçka më vonë jemi njohur me të dhe pozicionin zyrtar që kishte ai në hierarkinë politike të shtetit shqiptar të asaj periudhe.
    Kur jeni njohur me Foto Çamin dhe pozicionin që ai mbante në hierarkinë politike të Shqipërisë?
    Franc: Me Foto Çamin jemi njohur në Mynih. Atje kemi mësuar edhe për detyrën e rëndësishme që ai kishte në hierarkinë politike të Shqipërisë. Ndoshta më parë Shtrausi mund të dinte ndonjë gjë për të, por ne jo.
    Maks: Me Çamin jemi takuar për herë të parë në Gjermani. Bisedimet me të kanë ndodhur pas vizitës së fundit të Shtrausit në Shqipëri.
    A ju kujtohet periudha në të cilën janë bërë këto bisedime të Shtrausit me Çamin në Mynih dhe pse ndodhej aty lideri shqiptar?
    Max: Ditën e atij takimi e mbajmë mend fare mirë, pasi lidhet me një ngjarje familjare. Ishte 6 shtatori i vitit 1985. Pikërisht atë ditë Shtrausi festonte 70-vjetorin e lindjes.
    Franc: Biseda me të do të shënonte një moment jo të këndshëm gjatë asaj feste ceremoniale. Ndërhyrja dhe deklaratat e Çamit do të prishnin për një çast humorin e Shtrausit, po sidoqoftë kjo nuk do të zgjaste shumë. Ishte pra një festë dhe nuk kishte shkak për të qëndruar gjatë në absurdin e shqiptarëve.
    Pra, Foto Çami ishte i ftuari i kryeministrit të Bavarisë për 70-vjetorin e lindjes...
    Max: Jo. As që bëhej fjalë që në këtë ceremoni familjare të rezervohej ftesa për një mysafir nga Shqipëria. Me sa mbaj mend Foto Çami në Mynih ndodhej për tjetër punë dhe ishte ndërhyrja e tij që gjatë saj të takonte edhe Shtrausin. Ai trokiti disi pa ftuar, ndërkohë që nuk e dinte këtë eveniment të tij.
    Si mbërriti Çami te Shtrausi dhe kush ishte njeriu që negocioi për këtë takim?
    Max: Më kujtohet që ofertën për të takuar Foto Çamin Shtrausit ia bëri Karl Joseph Dersch, një mik i familjes sonë, i cili ishte drejtor ekzekutiv i menaxhimit të kompanisë “Benz”. Ai kishte qenë me Shtrausin gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, madje kishte shkëmbyer edhe mendime me palën shqiptare për shtrirjen e investimeve të kësaj kompanie aty.
    Franc: Foto Çami ndodhej ato ditë në Mynih në përbërje të një ekipi shqiptar, që do të tërhiqte disa autobus tip “Man”. Tingëllonte disi i pakuptimtë fakti që në një grup ekspertësh e tregtarësh ishte edhe një udhëheqës politik i lartë si Çami. Me sa dukej pala shqiptare kishte menduar për ta shfrytëzuar këtë mundësi për të marrë edhe ndonjë mesazh tjetër nga udhëheqja e lartë e shtetit gjerman. Po nga mënyra si operoi jo vetëm nuk përfitoi gjë, por i ngriu edhe për më tej marrëdhëniet dypalëshe.
    Çfarë mbani mend nga bisedimet e Shtrausit me Çamin?
    Max: Ishte paraditja e datës 6 shtator 1985. Pasi zoti Karl kishte marrë pëlqimin e Shtrausit për takimin, lajmëroi Çamin dhe e shoqëroi atë për në rezidencën ku do të bëheshin bisedimet. Qysh në komunikimin e parë, babai i tha mysafirit nga Shqipëria se kishte një lajm të gëzuar për të. “Ministria e Zhvillimit të Gjermanisë, - i deklaroi ai me një entuziazëm që i lexohej lehtas në pamje të jashtme, - ka akorduar për vendin tuaj një ndihmë prej 120 milionë markash. Më shumë se kaq, - shtoi Shtrausi, - tashmë Shqipëria ka një pozicion të caktuar në buxhetin tonë, që do të thotë se çdo vit këto fonde do të vazhdojnë të rriten nga 200 deri në 300 milionë marka. Ishte një lajm që u duk i çuditshëm për pjesën tjetër të miqve të Shtrausit, të cilët ndodheshin në atë takim.
    Si e vlerësoi Foto Çami këtë lajm të papritur?
    Franc: Ndërsa Shtrausi fliste me një lloj kënaqësie për atë që më në fund kishte mundur të garantonte nga shteti gjerman për Shqipërinë, Foto Çami rrinte si i mpirë. Fillimisht menduam se këtë gjendje mund t’ia kishte krijuar lajmi i papritur, por ky kishte qenë një iluzion i momentit, pasi më vonë miku shqiptar do bënte jo vetëm mosmirënjohësin, por edhe njeriun që ishte gjendur aty për të kërkuar llogari për borxhe të hershme të Gjermanisë ndaj Shqipërisë.
    Nisi kështu dialogu për reparacionet e luftës...
    Max: Foto Çami pra nuk e mirëpriti ofertën e ndihmës gjermane. Kur Shtrausi e pyeti se si e vlerësonte këtë gjest bujar, Çami u shpreh: “Jam këtu jo për të lypur lëmoshë, po për të këmbëngulur që Gjermania të na kthejë reparacionet e Luftës së Dytë botërore”. Një reagim absurd ky që jo vetëm do ta zbehte entuziazmin e babait, por edhe do ta zemëronte jashtë mase atë.
    Franc: U desh pastaj të dialogohej gati një orë për argumentet dhe kundërargumentet që kishin të bënin me punën e borxhit. Shtrausi e bëri me dije Çamin se Gjermania kishte nënshkruar Marrëveshjen e Londrës, që e përjashtonte nga ky detyrim për Shqipërinë. I theksoi pastaj se “Gjermania e sotme është e ndarë në dy pjesë dhe nuk është më Gjermania e Hitlerit”. I tha gjithashtu se “një kërkesë e tillë është krejt e pakuptimtë dhe të mbetesh skllav i saj për të ngrirë marrëdhëniet mes dy vendeve tona, do të thotë të vazhdosh të mbash në bunker një popull dhe një komb që vuan”. “Jo!”, i tha Çami, duke pretenduar se bënte fjalë për një të vërtetë historike. Madje më kujtohet kur u drejtua me një lloj emocioni nga Shtrausi dhe i përmendi faktin se kishte të bënte me një nga ish-partizanët që ishte plagosur nga plumbat e ushtarëve nazist. Dhe aty për aty diçka tregoi me gisht në njërin nga supet e tij.
    Po më tej, si u mbyllën bisedimet?
    Max: Nga aq sa i argumentoi Shtrausi Çamit absurditetin e kësaj kërkese, më kujtohet ndërhyrja e fundit e tij. “Ju që këmbëngulni për borxhin e luftës që u ka Gjermania, po Turqia, Greqia, Italia, Austro-Hungaria, Serbia, ua ka paguar?!” Deri këtu mund të shkonte durimi i tij dhe priste nga momenti në moment si të bënte një ndarje të butë me liderin shqiptar, që nuk hante pykë.
    Franc: Si kaloi një orë e gjysmë në këtë bisedë të vështirë, babai u çua duke i thënë se nxitonte, pasi e prisnin miqtë në gostinë e 70-vjetorit.
    A këmbënguli më vonë Shtrausi për ta vendosur mirëkuptimin me shqiptarët?
    Max: Ai bëri gati të pamundurën për t’ia dhënë shansin Shqipërisë që të ishte e para nga vendet komuniste që do të vinte në Evropë. Dhe në këtë sfidë të tij nuk rreshti asnjëherë. Më vonë, siç interesoheni ju, Shtrausi vdiq papritur. Shqipëria mbeti për të një mesazh që nuk u kuptua asnjëherë.



    Shtrausi në Shqipëri. Mediat gjermane pas vizitës së fundit
    “Shqiptarët humbën mundësinë për të kapur trenin e Perëndimit”

    “Shqiptarët humbën një shans të mirë për të zënë trenin e Evropës Perëndimore”. Max dhe Franc Shtraus, dy djemtë e ish-kryeministrit të Bavarisë, citojnë kësisoj një opinion dominues të medias gjermane pas vizitave të babait të tyre në vendin tonë, ku Tirana zyrtare nuk mundi të deshifrojë mesazhet njerëzore të tij për ndihmë dhe bashkëpunim. Për më tepër, ata ofrojnë një dokument mediatik, në të cilin është arkivuar precepitimi i qarqeve gjermane rreth kësaj vizite që nuk dha ndonjë shpresë të veçantë për shqiptarët...”Shtrausi vizitoi Shqipërinë komuniste më 21 gusht 1984, ndërkohë që diktatori komunist Enver Hoxha vazhdonte të ishte në krye të pushtetit qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte i pari nga udhëheqësit perëndimorë më të lartë, që vizitonte Shqipërinë e izoluar për dekada. Kjo nxiti spekulimet se Shtrausi mund të përgatiste rrugët për lidhjet diplomatike midis Shqipërisë dhe Gjermanisë Perëndimore, por vizita nuk arriti ndonjë gjë konkrete. Ajo u pa si shumë shpresëdhënëse nga shqiptarët, të cilët akoma e kujtojnë me dashuri dhe nuk e harrojnë liderin e tyre komunist, që nuk ua krijoi mundësinë për të zënë trenin Perëndimor shumë përpara se komunizmi të binte në Evropën Lindore...”Më tej në këtë dokument vihet në dukje se Gjermania Perëndimore zyrtarisht pohonte se lidhjet midis dy vendeve ishin duke vazhduar, veçanërisht nëpërmjet ambasadës shqiptare në Vjenë. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, nënvizohet më tej në dokument, ishte penguar nga kërkesat shqiptare për dëmshpërblimin e luftës dhe këmbënguljen e Bonit që ky shpërblim të mos jepej, për aq kohë sa nuk kishte marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh.



    Shtraus “Gjermania i përmbahet Marrëveshjes së Londrës”

    Kur autoritetet shqiptare i kërkonin Shtrausit reparacionet e luftës, kryeministri i Bavarisë thoshte se ekzistonte Marrëveshja e Londrës që ishte firmosur nga Gjermania dhe mbi bazën e saj ajo nuk lejohej të paguante dëmshpërblime për vende të treta, pa kryer detyrimet ndaj palëve të dëmtuara drejtpërdrejt. Sipas argumentit tjetër të ish-kryeministrit të Bavarisë, Gjermania pas luftës ishte ndarë në dy pjesë dhe asnjëra prej tyre nuk merrte përsipër të kompensonte dëmet e regjimit hitlerian. Ndërkaq, Shtraus, kujtojnë djemtë e tij, i këshilloi me dashamirësi autoritetet shqiptare për t’i mbështetur të tilla kërkesa në konventat dhe instrumentet juridike ndërkombëtare.



    Rrëfim i Kristaq Kules, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv
    Shtrausi në Berat: Piktorë si Onufri janë pjesë e krenarisë kombëtare

    “Ka qëndruar pesë orë Shtrausi në Berat në prill të vitit 1985. U interesua për traditat e qytetit dhe shprehu dëshirën e një binjakëzimi të mundshëm të tij me qytetet gjermane. Ishte i bindur se kështu do t’i hapej rruga një zhvillimi të ri. Premtoi mundësinë e investimeve të kompanisë “Benz” dhe hodhi idenë e bashkëpunimit për industrinë e duhanit”. Kështu e kujton në mënyrë të përmbledhur vizitën e kreut të Bavarisë në qytetin e Beratit, Kristaq Kule, ish-kreu i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, i cili, ka qenë autoriteti më i lartë vendor që e ka pritur mysafirin nga Gjermania. Hobit të Shtrausit për historinë, Kule i është përgjigjur se Berati është një qytet 2400-vjeçar, duke e përkujtuar se si i tillë ishte edhe më i hershëm se Londra. Eshtë interesuar më tej kreu i Bavarisë për traditat e zonës, për prodhimet vendase, për shkollat dhe gjuhën e huaj që bëhej në to dhe të pranishmit i janë përgjigjur me korrektësi. Me interes Shtraus ka ndjekur pastaj muzeun e qytetit dhe është impresionuar nga pikturat e Onufrit, të cilat i shikonte për herë të parë. “Piktorë si Onufri, do të shkruante në librin e përshtypjeve të muzeut, janë pjesë e krenarisë së kombit. Në to ka jetë, art, frymëzim dhe gjetje të rralla”. Në vijim, siç thotë Kule, për nder të tij u shtrua një drekë në pikën turistike “Kala”. Aty sërish biseda ka rrokur çështjet e bashkëpunimit. Shtrausit, që kishte me vete drejtorin ekzekutiv të “Benzit”, i kishte tërhequr vëmendjen prania e makinave të vjetra dhe një shumëllojshmëri e markave të tyre. “Ndoshta ngritja e një filiali të Benzit në këtë qytet, vuri në dukje ai, do ta zgjidhë këtë problem, madje do t’i hapë rrugë edhe eksportit për rajonin”. Kules i ka bërë përshtypje thjeshtësia dhe natyra miqësore me të cilën komunikonte kreu i Bavarisë. Gjithsesi, përmbyll ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv të qytetit muze, Shtraus na vuri edhe në një andrallë jo të vogël. Dhe përmend angazhimin e të gjitha strukturave për të mbushur tregun e boshatisur dhe vitrinat me fruta, perime dhe mallra të tjera që mungonin prej kohësh.

    Gazeta Panorama

  6. #6
    Jozef Straus, ish kryeminister i Bavarise, pjesa nder me konservatore te Gjermanise se at'hershme Perendimore.

    Perse i lindi ne zemer Strausit per ndryshime ne Shqiperi, ose per lidhje te forta ekonomike te saj me Gjermanine?

    Ta marim si te mireqene se Straus shihte larg, dhe ndryshimeve kerkonte tu paraprinte - po a di gje kush se ku i ka interesat me te medha Gjermania?

    Mbetet per tu "hulumturuar".

    Perpjekja tre here e tij, duke filluar qe nga koha kur diktator enveri ishte gjalle, tregon se ai ishte me pikesynim te qarte, por diku ngeci procesi.

    Ketu nuk eshte fjala per komunistifikim apo dekomunistifikim - eshte ceshtje interesash - Straus kishte hyre ne nje zone qe mbase nuk i perkiste Gjermanise per tu futur.

    Ndryshe qendron puna me Polonine, vendet Balltike, e deri ne Kroaci - Slloveni. JU kujtonet aheraj kur Gjermania e njohu e para Kroacine, pavarsisht se kishte nje vendim te Komunitetit te at'hershem Europian per te bere njohje bashkerisht dhe jo te njeanshme, vecmas te vendeve qe po dilnin prej ish-Jugosllavise.

    Strausit nuk u inkurajua ne Shqiperi se nuk ishte zone e "lejuar" per Gjermanine.

  7. #7
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    01-08-2006
    Postime
    143
    [QUOTE=Xhuxh Xhumaku]Jozef Straus, ish kryeminister i Bavarise, pjesa nder me konservatore te Gjermanise se at'hershme Perendimore.

    Perse i lindi ne zemer Strausit per ndryshime ne Shqiperi, ose per lidhje te forta ekonomike te saj me Gjermanine?

    Ta marim si te mireqene se Straus shihte larg, dhe ndryshimeve kerkonte tu paraprinte - po a di gje kush se ku i ka interesat me te medha Gjermania?

    Mbetet per tu "hulumturuar".
    Shqiperia nuk ishte as blloku socialist as i perendimit,keshtu qe gjermani deshi te jap shansin historik te behet monaco e ballkanit

  8. #8
    Nein, adolf, nein.

    Shqiperia nuk ishte thjesht as lindje as perendim, si thoshte ramo, se po te ishte ashtu, ahere do te kishin rene dakord me strauss-in.

    Ne nje fare menyre, Shqiperia nuk ishte "no man's land".

  9. #9
    Dokumenti sekret për marrëdhëniet Tiranë-Bon

    Bisedimet e fshehta me gjermanët në maj të vitit ‘84


    Afrim Imaj

    “Duhet të këmbëngulim për vendosjen e marrëdhënieve me Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo është më shumë se kurrë në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

    Ky ka qenë qëndrimi i Enver Hoxhës gjatë shqyrtimit të bisedimeve të para shqiptaro-gjermane për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe të ndërprera qysh pas Luftës së Dytë Botërore. Më shumë se një deklaratë politike ka qenë një bindje e padiskutueshme, që parakuptonte përballimin e gjendjes së rëndë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Gazeta “Panorama” ka mundur të sigurojë dokumentin e mbledhjes së Sekretariatit të KQ të PPSH, në të cilin u diskutuan rezultatet e bisedimeve të para me autoritetet gjermane të mbajtura në Bon, në maj të vitit 1984. Pasi Ramiz Alia i njohu të pranishmit me problemet dhe rezultatet e këtyre bisedimeve, që për palën shqiptare janë drejtuar nga Sofokli Lazëri, në atë kohë zyrtar i lartë në KQ, u diskutua për mënyrën e reagimit për të kapërcyer vështirësitë në vendosjen e këtyre marrëdhënieve, që vlerësoheshin të rëndësishme e të domosdoshme. Siç del nga zbardhja e këtij dokumenti, të dyja palët janë shprehur të gatshme për këtë akt zyrtar dhe kanë shkëmbyer mendime për ta përshpejtuar procedurën e finalizimit të tij. E vetmja vështirësi që është parashtruar në bisedimet e Bonit ka qenë kthimi i dëmshpërblimeve të luftës për vendin tonë.
    Po si u përvijua më tej dialogu i parë shqiptaro-gjerman? Cili ishte qëndrimi i zyrtarëve të Bonit për detyrimet që rridhnin nga Lufta e Dytë Botërore? Pse hezitonin gjermanët për të kthyer reparacionet për Shqipërinë, ndërkohë që ua kishin kthyer Jugosllavisë, Izraelit, Polonisë dhe disa vendeve të tjera? Si e vlerësonte udhëheqja e lartë komuniste raportin e diplomatëve, që kishin negociuar në Bon për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe?


    MBLEDHJE E SHOKE-VE SEKRETARE TE KOMITETIT QENDROR TE PARTISE
    4 MAJ 1984

    (Bërë në sallën e çlodhjes së aparatit të KQ të Partisë)
    Në mbledhje u diskutua:

    I. Për bisedimet e zhvilluara në Bon lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Republikës Federale Gjermane.
    II. Për disa probleme ekonomike të ditës.
    III. Të ndryshme.
    Morën pjesë shokët Enver Hoxha e Ramiz Alia, si dhe shokët Adil Çarçani e Hekuran Isai.

    PER BISEDIMET E ZHVILLUARA NE BON LIDHUR ME VENDOSJEN E MARREDHENIEVE DIPLOMATIKE MIDIS SHQIPERISE DHE REPUBLIKES FEDERALE GJERMANE.

    SHOKU RAMIZ ALIA: T’ju informoj një çikë, shoku Enver, për bisedimet që bëri shoku Sofo Lazri me funksionarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RF Gjermane në Bon, lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.
    SHOKU ENVER HOXHA: E si vajti ai atje?
    SHOKU RAMIZ ALIA: Në përgjithësi mirë. E kishin pritur në mënyrë shumë korrekte, shumë mirë. Me Sofon kishte biseduar një nga zëvendësministrat e punëve të jashtme që mbulonte drejtoritë e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik e me vendet e tjera të Lindjes, si dhe me sigurimin evropian e Berlinin perëndimor. Në mbledhje kishin marrë pjesë edhe nja dy a tre drejtorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe një referent për Shqipërinë. Pastaj e kishte takuar sekretari i shtetit, që duket është zëvendësi i Gensherit..
    Bisedimet ishin zhvilluar kështu: Në fillim kishte folur zëvendësministri gjerman me terma të përgjithshme dhe për të përshëndetur ardhjen e Sofos, nja tre faqe gjë me të shkruar. E kishte vlerësuar shumë faktin që qeveria jonë e kishte pranuar ftesën e tyre për t’u takuar dhe që dërguam një përfaqësuesin tonë në Bon. Kishte thënë gjithashtu se “ne i kemi ndjekur me interes zhvillimet dhe politikën shqiptare”. Për sa i përket Gjermanisë, kishte shpjeguar, ajo ka nxjerrë mësime nga historia, nga e kaluara. “Gjermania, kishte deklaruar ai, ka qenë vatër lufte këto dekadat e fundit. Tashti ju sigurojmë se ajo ndjek një politikë të paqes” etj., etj. Ai kishte vlerësuar marrëdhëniet e miqësisë me Shqipërinë dhe kishte thënë se “mendojmë që janë krijuar kushtet për të ecur më tej në këtë fushë”. Me kaq e kishte lënë ai bisedën.
    Pasi mbaroi zëvendësministri gjerman, Sofoja kishte paraqitur pikëpamjen tonë. “E kam pak të gjatë”, tha Sofoja në fillim, në fakt kishte nja 10 faqe të shkruara, “prandaj ju lutem kini durim të më dëgjoni” dhe ia këndoi të tëra ç’kishte për të thënë. Fjala e Sofos ishte në planin politik, ashtu siç porositët ju shoku Enver, po në fund ua tha edhe atë që midis nesh ka edhe probleme, siç është ai i dëmshpërblimeve, që duhet të diskutohen. Pasi kishte mbaruar Sofoja, gjermani kishte reaguar, si të thuash, pozitivisht, veçanërisht për vlerësimet politike. Bile i kishte thënë “ne kemi konsideratë të madhe për qëndrimin tuaj shumë korrekt lidhur me problemin gjerman” etj.

    Pastaj Sofoja kishte vazhduar: “Ju shprehët qëndrimin tuaj dhe ne tonin, a nuk i hapim tani kartat, drejt? Siç e shikoni, nga konsiderata juaj e nga konsiderata jonë nuk del asnjë pengesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, midis dy vendeve tona, por midis nesh, siç thashë, ekziston një problem, çështja e dëmshpërblimeve.. Ju këtë e quani ndryshe, ne e quajmë dëmshpërblim. Kjo s’ka rëndësi është thjesht problem emërtimi. Rëndësi ka të gjenden rrugët e zgjidhjes së tij. Për të tjerët rrugëzgjidhje ju keni gjetur, i tha Sofoja. Jugosllavisë, për shembull i keni dhënë, Izraelit, po ashtu. Pra përveç Shqipërisë, s’ka mbetur shtet pa marrë. Fakt është që të dy palët, ju dhe ata keni mbetur të kënaqur, shtypi i këtyre vendeve, revistat, botimet që bëjnë nuk ngrenë më çështjen e dëmshpërblimeve. Pse? Sepse problemi është zgjidhur. Se si e keni zgjidhur atë, është puna juaj”.
    Gjermanët kishin filluar të justifikohen jo nuk kemi dhënë dëmshpërblime, sepse nga pengon Traktati i Londrës etj. Sofoja u kishte thënë që Traktatin e Londrës kot e ngrini, sepse kush e ka nënshkruar atë? E keni nënshkruar ju, anglezët dhe francezët. Mirëpo qysh kur një traktat i nënshkruar nga tre-katër shtete merret normë ndërkombëtare? Një gjë e tillë nuk ekziston as në historinë e diplomacisë botërore dhe as gjëkundi tjetër. Ne nuk e njohim atë, me atë ju nuk mund të paraqiteni për diskutime me ne. Pas kësaj ndërhyrjeje gjermani e kishte mbyllur muhabetin.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Organizata e Kombeve të Bashkuara merr vendime dhe askush nuk i zbaton.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po tamam ashtu i kishte thënë edhe Sofoja, marrin Kombet e Bashkuara vendime dhe s’u imponohen dot të tjerëve, jo më dy-tre vende. Prandaj ky Traktati është juaji, ç’kini bërë ju në mes tuaj, është punë për ju, me Shqipërinë nuk keni bërë gjë. Gjermanët nuk kishin folur më gjatë.
    Pas kësaj kishin filluar të tregojnë si e kanë zgjidhur këtë problem me të tjerët, Jugosllavisë, kishin thënë ata i kemi dhënë kredi.
    Sofoja u ishte përgjigjur, që kjo është e vërtetë, i dhatë kredi dhe pas kësaj Titoja erdhi këtu, në Bon, ku deklaroi se Jugosllavia heq dorë nga dëmshpërblimet. Prandaj le ta bisedojmë më shtruar edhe këtë, se për këtë punë kemi ardhur këtu. Pse Titoja, tha ashtu? Sepse mbeti i kënaqur nga ajo që i dhatë. Tani ju e quajtët atë kredi. Mirë quajeni si të doni, kjo është puna juaj, çështja është që Titoja nga ai çast hoqi dorë nga dëmshpërblimet dhe kjo dihet publikisht.
    Po ja, kishin thënë gjermanët, Jugosllavisë i dhamë kredi me afat shlyerje për 20 vjet se ajo ishte në situatë të vështirë, donim ta ndihmonim!
    “Po shpresoni vallë t’i merrni këto para pas 20 vjetëve”, i pyeti Sofoja?
    Ata të tërë ia kishin dhënë të qeshurit.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Doli se nuk i kanë dhënë kredi, por ia kanë dhënë si dëmshpërblime.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Pastaj ju i keni dhënë para, u tha Sofoja jo vetëm Jugosllavisë, po edhe Polonisë.
    SHOKU ENVER HOXHA: Edhe Izraelit.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Po edhe Izraelit. Ata kishin ngulur këmbë se të gjithëve u kanë dhënë “në formë kredie”. Sofoja këtij qëndrimi iu ishte përgjigjur, duke u thënë, kur pohoj që u keni dhënë para, me këtë nuk them që ta na jepni edhe neve kredi. Jo, ne nuk pranojmë kredi. Kushtetuta jonë na e ndalon këtë po kjo do të thotë që ju keni gjetur një formë për të paguar dëmshpërblimet. Me ata keni gjetur formës e pagesës me kredi, me ne gjeni një formë tjetër. Megjithëkëtë, gjermanët kishin ngulur këmbë në të vetën që s’paguajnë dëmshpërblime etj...etj.
    Bisedimet, shoku Enver, zgjatën 10 orë me ndërprerje. Ato filluan nga ora 10 e mëngjesit dhe vazhduan deri në orën 10 të darkës. Kur arriti koha e drekës “hajde vemi të hamë bukë”, kishin propozuar gjermanët, po edhe atje në tavolinë vazhdonin të flisnin për këto probleme. Pastaj gjysmë ore pushim pas buke u shtruan përsëri në bisedime. Kur arriti koha e darkës, e thirrën të hanin darkë dhe prapë bisedime bënë derisa i mbyllën në orën 10. Bisedimet pra i bënë me ndërprerje, por ndërprerjet i bënë tamam në mënyrë diplomatike, kur ngecnin në ndonjë çështje.
    Kur Sofoja u foli për mospranim nga ana jonë të Traktatit të Londrës dhe u tha se ai është një traktat i firmuar nga tre vende, kurse ju, gjermanët doni ta bëni normë ndërkombëtare, kjo nuk vlen, se po të jetë kështu, atëherë do të bëhet gjullurdi në botë, ata kishin ngecur, s’kishin thënë asgjë, veç zëvendësministri që drejtonte bisedimet me palën gjermane e ndërpreu bisedën duke bërë ftesën: vemi tashti se na pret sekretari i shtetit”.
    Kur u takua me këtë, ky në fillim pyeti se deri ku kishin arritur bisedimet. Zëvendësministri në sy të Sofos u kishte shpjeguar si e kishin shtruar shqiptarët çështjen dhe si e kishin shtruar gjermanët. Sekretari i Shtetit në fjalën e vet kishte thënë: Ne mendojmë që duhet gjetur një modus vivendi, një arranzhëma. Vetëm them një gjë, që vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona do të krijojë kushte për favore ekonomike për Shqipërinë. Në hollësira ai nuk ishte futur.
    Pasi kishin mbaruar me sekretarin e Shtetit, zëvendësministri i kishte thënë Sofos: “Para se të shkojmë në bisedime, të të them dhe unë nja tri gjëra që i kam ngarkesë”.
    “Mirë”, iu përgjigj Sofoja, “m’i thuaj”. (Kjo bisedë është bëtë tetë a tetë, vetëm për vetëm, në frëngjisht).
    E para, megjithëse e mora përgjigjen nga deklarata që bëre me të shkruar, meqë ma kanë ngarkuar si detyrë, do të ta them: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë kontakte me Shqipërinë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
    Sofoja iu përgjigj se e kish thënë me shkrim, po e them tani edhe me gojë: Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as kemi pasur as do të kemi kurrë marrëdhënie diplomatike, sepse ata dhe Bashkimin Sovjetik i konsiderojmë armiq të popullit tonë, të paqes etj.., etj.
    E kam të qartë, i tha gjermani, po jua thashë, meqë ma kanë ngarkuar që tua them këtë.
    E dyta, dimë që ambasadori francez duhet të ketë vajtur në Ministrinë tuaj të Punëve të Jashtme për të shtruar çështjen e arit që keni me anglezët. Dua të di cili është mendimi juaj?
    Sofoja i tha: “Unë nuk jam në dijeni të tërë këtij problemi, sepse ambasadori francez vajti në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme dhe bëri propozimin që dini, ato ditë unë u nisa për këtu. Por një gjë di, që në propozimin francez nuk përfshihet çështja e interesave të arit tonë dhe pa i paguar ato, ky problem nuk mund të zgjidhet. Ky është mendimi im i tha Sofoja, sepse konkretisht këtë punë e di Ministria e Punëve të Jashtme, e cila është duke e studiuar çështjen”.
    Po, vazhdoi gjermani, në qoftë se do të zgjidhet çështja e interesave, do të ketë pengesa nga ana juaj për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Anglinë?
    SHOKU ENVER HOXHA: Jo, nuk do të ketë.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Sofoja iu përgjigj që Anglinë ne nuk e fusim në kategorinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Sovjetik, veçse me të ne kemi këtë problem të pazgjidhur. Po u zgjidh ky krijohen kushte për normalizimin e marrëdhënieve.
    Tashti të vijmë te e treta kish thënë gjermani, te kjo jona, unë i vuri në dukje ai propozoj të bëjmë një komunikatë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona dhe njëkohësisht të nënshkruajmë një protokoll, ku të themi që “menjëherë pas vendosjes së këtyre marrëdhënieve pala shqiptare vazhdon të ngrejë çështjen e dëmshpërblimeve, kurse pala gjermane, zotohet të diskutojë mbi këtë çështje, duke shfaqur pikëpamjet e veta”. Sofoja i ka thënë “ta studiojmë këtë çështje, se nuk mund të vendos unë për këtë”.
    Atëherë mirë, ia priti gjermani, e lëmë me kaq.
    Me një fjalë ky ishte njëfarë, si të thuash, lëshimi nga ana e gjermanëve për të vazhduar bisedimet. Por, me interes ishte mënyra se si e kishte formuluar ai çështjen e përmbajtjes së protokollit: “ju do të flisni për dëmshpërblimet, ne do të shpjegojmë pozitën gjermane”.
    Në vazhdim të bisedimeve mori pastaj pjesë edhe drejtori i Drejtorisë Ekonomike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që merret me marrëdhëniet ekonomike të Gjermanisë Perëndimore me vendet e tjera. Ai kish thënë se bisedimet me jugosllavët për këto çështje kishin vazhduar dy vjet dhe kishte përsëritur historinë e mëparshme, domethënë çështjen e dhënies kredi. Pastaj kish vënë në dukje që, për sa u përket marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, “ne mendojmë se mund të krijohen kushte për t’i bërë lehtësi ekonomike Shqipërisë”, dhe për këto lehtësi ata praktikojnë disa forma pune.
    Cilat janë këto forma që përdorin ata, rreth të cilave, në fakt vërtiten gjermanët?
    E para. Ne, tha ai, mund të çlirojmë nga doganat eksportin gjerman ndaj Shqipërisë. Në rastin konkret Shqipëria do të fitojë deri në 20 për qind të vlerës së mallrave.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Çdo malli që ne importojmë, ata i vënë taksë doganore.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo është një rrugë që, siç tha ai, Gjermania e përdor për vendet në zhvillim. Këtë formë, pra, mund ta përdorë edhe me ne.
    E dyta: Qeveria gjermane jep sigurim për eksport të objekteve të ndryshme. Domethënë, shpjegoi ai, në qoftë se ju blini një objekt në Gjermani, shteti ynë çel kredinë, garanton firmën gjermane për investimet që do të bëjë e që paguhen në fund, me mbarimin e objektit.
    E treta. Me polakët, të cilëve u kanë dhënë kredi për dëmshpërblimet, kanë zbatuar një formë tjetër lehtësie ekonomike. Kanë investuar për prodhimin e gazit nga qymyret. Për këtë, tha gjermani, kemi bërë një marrëveshje me ta, që një pjesë e këtij gazi për një periudhë kohe të na e japin neve me çmime sipas vleftës së koniunkturës. Pra, investimi është yni, objekti bëhet pronë e polakëve, por me kusht që për disa vjet ata të na furnizojnë me gaz.
    Këto forma lehtësish ekonomike kishte përmendur ai, me një fjalë duke bërë aluzion, që edhe ju mund të përdorni forma të tilla lehtësish ekonomike...



    neser do te lexoni

    * Çfarë u vendos në bisedimet e para në Bon dhe cilat çështje u lanë për të diskutuar për një takim të dytë, që parashikohej të bëhej në Romë, Paris, apo Vjenë
    * Cila ishte forma e kredive që parashikonte pala gjermane në kompensim të reparacioneve të luftës dhe si kishte operuar Boni me to në rastin e Jugosllavisë e të Polonisë
    * Pse ishin skeptikë udhëheqësit shqiptarë për kthimin e dëmshpërblimeve të luftës nga pala gjermane dhe si e mendonin ata kapërcimin e këtij ngërçi në vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe
    * Si lindi ideja e kredive të buta dhe oferta për zgjerimin e fabrikës së telave të bakrit në Shkodër, me teknologji gjermane
    * Problemi i interesave të arit nga pala angleze dhe gatishmëria e autoriteteve shqiptare për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Britaninë e Madhe

    Gazeta Panorama

  10. #10

    Foto Çami, Shtrausit: Pa na dhënë dëmet e luftës, nuk ka marrëveshje

    “Nuk duam ndihma, por reparacionet e luftës, ndryshe nuk do të ketë asnjë marrëveshje”. E veçojnë këtë deklaratë të Foto Çamit djemtë e kryeministrit të Bavarisë, ndërsa kujtojnë mbresat nga takimi i zyrtarit shqiptar në Mynih në vjeshtën e vitit `85.

    Për Max dhe Franc Shtraus ato kanë qenë bisedimet më të vështira dhe më të papritura. I ndodhur aty me një grup ekspertësh për të tërhequr një sasi autobusësh “Man”, lideri shqiptar kishte shfaqur interesimin për t’i bërë një vizitë kryeministrit bavarez, i cili atë pranverë kishte qenë mysafir në Tiranë. “Ndonëse ishte i angazhuar me festimet e 70-vjetorit të lindjes, - nënvizojnë djemtë e Shtrausit, - ai e mirëpriti ofertën e mikut nga Shqipëria. Madje mendoi se mirëseardhja e Çamit do t’i shtonte koloritin ceremonisë familjare. Po në fakt ndodhi krejt e kundërta”. Lajmit të gëzuar të kreut të Bavarisë për ndihmën prej 200 milionë markash që Gjermania kishte vendosur t’ia jepte Shqipërisë, Çami iu përgjigj me një lloj indiference që arrinte deri në shpërfillje. “Jo ndihma, por vetëm reparacionet e luftës!”, ky do të ishte reagimi i parë i zyrtarit të lartë shqiptar. Sakaq, Shtrausi do të mundohej me durim të sillte argumentet e veta, duke theksuar detyrimet e Marrëveshjes së Londrës dhe faktin që Gjermania hitleriane tashmë ishte e ndarë në dy pjesë. Po Çami do të vijonte në të tijën. Madje nuk do të harronte që aty të demonstronte edhe plagët që kishte marrë nga plumbat e ushtarëve gjermanë gjatë luftës. Dhe atëherë kur situata do të mbetej e bllokuar, Shtrausi do t’i drejtohej me një pyetje retorike mikut të tij nga Tirana: “Po Turqisë, Greqisë, Italisë, Austro-Hungarisë ia keni marrë ju shqiptarët reparacionet e luftës?” Po si vazhdoi më tej ky takim i fundit i kryeministrit të Bavarisë me liderët shqiptarë...

    Sa herë ka ardhur Shtrausi në Shqipëri dhe cilat kanë qenë kontaktet e fundit të tij me autoritetet e Tiranës?

    Max: Vizita e parë, siç thashë, ishte thjeshtë private, pjesë e një rrugëkalimi transit për në Greqi. Si e tillë ishte planifikuar për të zgjatur një ditë. Po interesimi i palës shqiptare, me një axhendë të ofruar nga ta miqësisht, të paktën si deklarohej, e detyroi Shtrausin ta shtyjë atë në katër ditë. E gjitha kjo i përket dhjetëditëshit të tretë të gushtit 1984. Në verën e vitit 1985, Shtrausi u rikthye për herë të dytë në Shqipëri. Këtë herë ishin autoritetet shqiptare, që në një mënyrë apo një tjetër, këmbëngulnin për të mos i shkëputur kontaktet. Shtrausi duke qenë i hapur dhe pa komplekse asnjëherë nuk e shpërfilli ofertën e tyre. Gjithnjë me shpresën se një ditë do të gjente mirëkuptimin e tyre...

    Çfarë ju kujtohet nga takimet e tjera pas vdekjes së Enverit me liderët shqiptarë?

    Max: E vërteta është se prania e Hoxhës për Shtrausin nuk përbënte ndonjë shqetësim të veçantë. Ai nuk vuante komplekse gjatë takimeve. Fakti që ofronte mundësi e shanse për një vend të izoluar, për ta nxjerrë nga errësira e bunkerizimit, nuk lidhej fare me emrin e njeriut që zotëronte pushtetin.
    Franc: Rikthimi pas vizitës së parë në gushtin e vitit ‘84, kur ishte ende gjallë Enveri, vijoi me disa takime në Tiranë e Durrës dhe pastaj me vizita në disa qytete në jug të vendit. Vizituam Beratin, Krujën, Gjirokastrën, Vlorën e Sarandën. Ndjemë një përkujdesje të veçantë të zyrtarëve që na shoqëronin gjatë këtyre vizitave, ku na u rezervuan takime e bankete të ngrohta.
    Ishte meraku i tyre që Shtrausi të mbetej i kënaqur nga mikpritja shqiptare, nga menyja e sevirur gjatë darkave, nga pamja e veçantë që paraqisnin disa nga qytetet muzeale në jug të vendit, nga komunikimi miqësor e sjelljet korrekte.

    Çfarë mbani mend nga ky rrugëtim në qytetet e jugut të Shqipërisë?

    Max: Një infrastrukturë gati mesjetare, me rrugë të ngushta e të mbajtura keq, me peizazhe të zhveshur dhe ndërtime provinciale. Vetëm parulla, shumë parulla që të shoqëronin kudo. Më kujtohet një e tillë me pesë germat e emrit të diktatorit, ENVER, që kishte pushtuar tërë shpatet e një mali të madh në afërsi të Beratit. Parullë më të madhe nuk na kishte zënë syri asgjëkund.
    Franc: Një ndriçim i kufizuar gati mbretëronte kudo. Kalonin orët e para të muzgut dhe gjithkund binte errësira. Mbaj mend një pasdite në Gjirokastër. Sa vizituam muzeun diku nga mbrëmja dhe do ktheheshim për të pushuar në hotel. Pas dy orësh nga ky çast qyteti dukej i boshatisur. Këmbë njeriu nuk dukej. Asnjë makinë dhe dritë e ndezur nuk dallohej gjëkundi. Mund të të thoshin: Aty është pylli! Dhe mund ta besoje pa frikë.

    Po nga kontaktet me njerëzit e thjeshtë çfarë ju kujtohet?

    Max: Kontaktet me njerëzit e thjeshtë i patëm shumë të rralla. Autoritetet që na shoqëronin kujdeseshin posaçërisht që të kishim sa më pak të tilla. Ndjehej në sfond angazhimi i Shërbimeve Sekrete për t’i mbrojtur shqiptarët nga kontakti me ne.
    Franc: Përveç zyrtarëve, puna na lidhte që të takonim edhe njerëz të thjeshtë. Kështu mund të themi për kontaktin me kuzhinierin, me ciceronin e muzeut, me recepsionistin e hotelit, me punonjësin e shërbimit etj. Nëse na shmangej në mënyra të ndryshme takimi me një fermer, me një punëtor, me një mjek, me një mësues, këto takime nuk kishin si të na i evitonin.

    Çfarë mesazhesh mundët të merrnit nga këto pak kontakte me njerëzit e thjeshtë?

    Max: Na çudiste një lloj stepje e tyre gjatë takimit me ne. Fjala i huaj, ca më tepër gjerman, për ta tingëllonte si diçka e frikshme. Gjatë bisedës, ndjeheshin të tunduar dhe bënin ç’është e mundur që çastet e kontaktit me ta të mbaronin sa më shpejt. Megjithatë, edhe nga aq sa mund të lexoje në ato pak minuta, dallohej plaga që kishin në shpirt, shquhej drama që përjetonin në sfidën për mbijetesë. Se plaga e shpirtit, lëndimi i tij nuk mund të fshihen, nuk mund të izolohen!
    Në atë periudhë është folur për një takim të bujshëm të Shtrausit me Foto Çamin. A ju kujtohet për se është debatuar gjatë tij?
    Max: Nga sa mbaj mend, në asnjë rast gjatë takimeve në Tiranë e Durrës, ku u zhvilluan bisedime me zyrtarë të rëndësishëm, nuk ka qenë i pranishëm Foto Çami. Madje as e kishim dëgjuar këtë emër. Diçka më vonë jemi njohur me të dhe pozicionin zyrtar që kishte ai në hierarkinë politike të shtetit shqiptar të asaj periudhe.

    Kur jeni njohur me Foto Çamin dhe pozicionin që ai mbante në hierarkinë politike të Shqipërisë?

    Franc: Me Foto Çamin jemi njohur në Mynih. Atje kemi mësuar edhe për detyrën e rëndësishme që ai kishte në hierarkinë politike të Shqipërisë. Ndoshta më parë Shtrausi mund të dinte ndonjë gjë për të, por ne jo.
    Maks: Me Çamin jemi takuar për herë të parë në Gjermani. Bisedimet me të kanë ndodhur pas vizitës së fundit të Shtrausit në Shqipëri.

    A ju kujtohet periudha në të cilën janë bërë këto bisedime të Shtrausit me Çamin në Mynih dhe pse ndodhej aty lideri shqiptar?

    Max: Ditën e atij takimi e mbajmë mend fare mirë, pasi lidhet me një ngjarje familjare. Ishte 6 shtatori i vitit 1985. Pikërisht atë ditë Shtrausi festonte 70-vjetorin e lindjes.
    Franc: Biseda me të do të shënonte një moment jo të këndshëm gjatë asaj feste ceremoniale. Ndërhyrja dhe deklaratat e Çamit do të prishnin për një çast humorin e Shtrausit, po sidoqoftë kjo nuk do të zgjaste shumë. Ishte pra një festë dhe nuk kishte shkak për të qëndruar gjatë në absurdin e shqiptarëve.
    Pra, Foto Çami ishte i ftuari i kryeministrit të Bavarisë për 70-vjetorin e lindjes...
    Max: Jo. As që bëhej fjalë që në këtë ceremoni familjare të rezervohej ftesa për një mysafir nga Shqipëria. Me sa mbaj mend Foto Çami në Mynih ndodhej për tjetër punë dhe ishte ndërhyrja e tij që gjatë saj të takonte edhe Shtrausin. Ai trokiti disi pa ftuar, ndërkohë që nuk e dinte këtë eveniment të tij.

    Si mbërriti Çami te Shtrausi dhe kush ishte njeriu që negocioi për këtë takim?

    Max: Më kujtohet që ofertën për të takuar Foto Çamin Shtrausit ia bëri Karl Joseph Dersch, një mik i familjes sonë, i cili ishte drejtor ekzekutiv i menaxhimit të kompanisë “Benz”. Ai kishte qenë me Shtrausin gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, madje kishte shkëmbyer edhe mendime me palën shqiptare për shtrirjen e investimeve të kësaj kompanie aty.
    Franc: Foto Çami ndodhej ato ditë në Mynih në përbërje të një ekipi shqiptar, që do të tërhiqte disa autobus tip “Man”. Tingëllonte disi i pakuptimtë fakti që në një grup ekspertësh e tregtarësh ishte edhe një udhëheqës politik i lartë si Çami. Me sa dukej pala shqiptare kishte menduar për ta shfrytëzuar këtë mundësi për të marrë edhe ndonjë mesazh tjetër nga udhëheqja e lartë e shtetit gjerman. Po nga mënyra si operoi jo vetëm nuk përfitoi gjë, por i ngriu edhe për më tej marrëdhëniet dypalëshe.

    Çfarë mbani mend nga bisedimet e Shtrausit me Çamin?

    Max: Ishte paraditja e datës 6 shtator 1985. Pasi zoti Karl kishte marrë pëlqimin e Shtrausit për takimin, lajmëroi Çamin dhe e shoqëroi atë për në rezidencën ku do të bëheshin bisedimet. Qysh në komunikimin e parë, babai i tha mysafirit nga Shqipëria se kishte një lajm të gëzuar për të. “Ministria e Zhvillimit të Gjermanisë, - i deklaroi ai me një entuziazëm që i lexohej lehtas në pamje të jashtme, - ka akorduar për vendin tuaj një ndihmë prej 120 milionë markash. Më shumë se kaq, - shtoi Shtrausi, - tashmë Shqipëria ka një pozicion të caktuar në buxhetin tonë, që do të thotë se çdo vit këto fonde do të vazhdojnë të rriten nga 200 deri në 300 milionë marka. Ishte një lajm që u duk i çuditshëm për pjesën tjetër të miqve të Shtrausit, të cilët ndodheshin në atë takim.

    Si e vlerësoi Foto Çami këtë lajm të papritur?

    Franc: Ndërsa Shtrausi fliste me një lloj kënaqësie për atë që më në fund kishte mundur të garantonte nga shteti gjerman për Shqipërinë, Foto Çami rrinte si i mpirë. Fillimisht menduam se këtë gjendje mund t’ia kishte krijuar lajmi i papritur, por ky kishte qenë një iluzion i momentit, pasi më vonë miku shqiptar do bënte jo vetëm mosmirënjohësin, por edhe njeriun që ishte gjendur aty për të kërkuar llogari për borxhe të hershme të Gjermanisë ndaj Shqipërisë.
    Nisi kështu dialogu për reparacionet e luftës...
    Max: Foto Çami pra nuk e mirëpriti ofertën e ndihmës gjermane. Kur Shtrausi e pyeti se si e vlerësonte këtë gjest bujar, Çami u shpreh: “Jam këtu jo për të lypur lëmoshë, po për të këmbëngulur që Gjermania të na kthejë reparacionet e Luftës së Dytë botërore”. Një reagim absurd ky që jo vetëm do ta zbehte entuziazmin e babait, por edhe do ta zemëronte jashtë mase atë.
    Franc: U desh pastaj të dialogohej gati një orë për argumentet dhe kundërargumentet që kishin të bënin me punën e borxhit. Shtrausi e bëri me dije Çamin se Gjermania kishte nënshkruar Marrëveshjen e Londrës, që e përjashtonte nga ky detyrim për Shqipërinë. I theksoi pastaj se “Gjermania e sotme është e ndarë në dy pjesë dhe nuk është më Gjermania e Hitlerit”. I tha gjithashtu se “një kërkesë e tillë është krejt e pakuptimtë dhe të mbetesh skllav i saj për të ngrirë marrëdhëniet mes dy vendeve tona, do të thotë të vazhdosh të mbash në bunker një popull dhe një komb që vuan”. “Jo!”, i tha Çami, duke pretenduar se bënte fjalë për një të vërtetë historike. Madje më kujtohet kur u drejtua me një lloj emocioni nga Shtrausi dhe i përmendi faktin se kishte të bënte me një nga ish-partizanët që ishte plagosur nga plumbat e ushtarëve nazist. Dhe aty për aty diçka tregoi me gisht në njërin nga supet e tij.

    Po më tej, si u mbyllën bisedimet?

    Max: Nga aq sa i argumentoi Shtrausi Çamit absurditetin e kësaj kërkese, më kujtohet ndërhyrja e fundit e tij. “Ju që këmbëngulni për borxhin e luftës që u ka Gjermania, po Turqia, Greqia, Italia, Austro-Hungaria, Serbia, ua ka paguar?!” Deri këtu mund të shkonte durimi i tij dhe priste nga momenti në moment si të bënte një ndarje të butë me liderin shqiptar, që nuk hante pykë.
    Franc: Si kaloi një orë e gjysmë në këtë bisedë të vështirë, babai u çua duke i thënë se nxitonte, pasi e prisnin miqtë në gostinë e 70-vjetorit.
    A këmbënguli më vonë Shtrausi për ta vendosur mirëkuptimin me shqiptarët?
    Max: Ai bëri gati të pamundurën për t’ia dhënë shansin Shqipërisë që të ishte e para nga vendet komuniste që do të vinte në Evropë. Dhe në këtë sfidë të tij nuk rreshti asnjëherë. Më vonë, siç interesoheni ju, Shtrausi vdiq papritur. Shqipëria mbeti për të një mesazh që nuk u kuptua asnjëherë.

    Shtrausi në Shqipëri. Mediat gjermane pas vizitës së fundit

    “Shqiptarët humbën mundësinë për të kapur trenin e Perëndimit”
    “Shqiptarët humbën një shans të mirë për të zënë trenin e Evropës Perëndimore”. Max dhe Franc Shtraus, dy djemtë e ish-kryeministrit të Bavarisë, citojnë kësisoj një opinion dominues të medias gjermane pas vizitave të babait të tyre në vendin tonë, ku Tirana zyrtare nuk mundi të deshifrojë mesazhet njerëzore të tij për ndihmë dhe bashkëpunim. Për më tepër, ata ofrojnë një dokument mediatik, në të cilin është arkivuar precepitimi i qarqeve gjermane rreth kësaj vizite që nuk dha ndonjë shpresë të veçantë për shqiptarët...”Shtrausi vizitoi Shqipërinë komuniste më 21 gusht 1984, ndërkohë që diktatori komunist Enver Hoxha vazhdonte të ishte në krye të pushtetit qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte i pari nga udhëheqësit perëndimorë më të lartë, që vizitonte Shqipërinë e izoluar për dekada. Kjo nxiti spekulimet se Shtrausi mund të përgatiste rrugët për lidhjet diplomatike midis Shqipërisë dhe Gjermanisë Perëndimore, por vizita nuk arriti ndonjë gjë konkrete. Ajo u pa si shumë shpresëdhënëse nga shqiptarët, të cilët akoma e kujtojnë me dashuri dhe nuk e harrojnë liderin e tyre komunist, që nuk ua krijoi mundësinë për të zënë trenin Perëndimor shumë përpara se komunizmi të binte në Evropën Lindore...”Më tej në këtë dokument vihet në dukje se Gjermania Perëndimore zyrtarisht pohonte se lidhjet midis dy vendeve ishin duke vazhduar, veçanërisht nëpërmjet ambasadës shqiptare në Vjenë. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, nënvizohet më tej në dokument, ishte penguar nga kërkesat shqiptare për dëmshpërblimin e luftës dhe këmbënguljen e Bonit që ky shpërblim të mos jepej, për aq kohë sa nuk kishte marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh.

    Shtraus “Gjermania i përmbahet Marrëveshjes së Londrës”

    Kur autoritetet shqiptare i kërkonin Shtrausit reparacionet e luftës, kryeministri i Bavarisë thoshte se ekzistonte Marrëveshja e Londrës që ishte firmosur nga Gjermania dhe mbi bazën e saj ajo nuk lejohej të paguante dëmshpërblime për vende të treta, pa kryer detyrimet ndaj palëve të dëmtuara drejtpërdrejt. Sipas argumentit tjetër të ish-kryeministrit të Bavarisë, Gjermania pas luftës ishte ndarë në dy pjesë dhe asnjëra prej tyre nuk merrte përsipër të kompensonte dëmet e regjimit hitlerian. Ndërkaq, Shtraus, kujtojnë djemtë e tij, i këshilloi me dashamirësi autoritetet shqiptare për t’i mbështetur të tilla kërkesa në konventat dhe instrumentet juridike ndërkombëtare.

    Rrëfim i Kristaq Kules, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv

    Shtrausi në Berat: Piktorë si Onufri janë pjesë e krenarisë kombëtare
    “Ka qëndruar pesë orë Shtrausi në Berat në prill të vitit 1985. U interesua për traditat e qytetit dhe shprehu dëshirën e një binjakëzimi të mundshëm të tij me qytetet gjermane. Ishte i bindur se kështu do t’i hapej rruga një zhvillimi të ri. Premtoi mundësinë e investimeve të kompanisë “Benz” dhe hodhi idenë e bashkëpunimit për industrinë e duhanit”. Kështu e kujton në mënyrë të përmbledhur vizitën e kreut të Bavarisë në qytetin e Beratit, Kristaq Kule, ish-kreu i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, i cili, ka qenë autoriteti më i lartë vendor që e ka pritur mysafirin nga Gjermania. Hobit të Shtrausit për historinë, Kule i është përgjigjur se Berati është një qytet 2400-vjeçar, duke e përkujtuar se si i tillë ishte edhe më i hershëm se Londra. Eshtë interesuar më tej kreu i Bavarisë për traditat e zonës, për prodhimet vendase, për shkollat dhe gjuhën e huaj që bëhej në to dhe të pranishmit i janë përgjigjur me korrektësi. Me interes Shtraus ka ndjekur pastaj muzeun e qytetit dhe është impresionuar nga pikturat e Onufrit, të cilat i shikonte për herë të parë. “Piktorë si Onufri, do të shkruante në librin e përshtypjeve të muzeut, janë pjesë e krenarisë së kombit. Në to ka jetë, art, frymëzim dhe gjetje të rralla”. Në vijim, siç thotë Kule, për nder të tij u shtrua një drekë në pikën turistike “Kala”. Aty sërish biseda ka rrokur çështjet e bashkëpunimit. Shtrausit, që kishte me vete drejtorin ekzekutiv të “Benzit”, i kishte tërhequr vëmendjen prania e makinave të vjetra dhe një shumëllojshmëri e markave të tyre. “Ndoshta ngritja e një filiali të Benzit në këtë qytet, vuri në dukje ai, do ta zgjidhë këtë problem, madje do t’i hapë rrugë edhe eksportit për rajonin”. Kules i ka bërë përshtypje thjeshtësia dhe natyra miqësore me të cilën komunikonte kreu i Bavarisë. Gjithsesi, përmbyll ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv të qytetit muze, Shtraus na vuri edhe në një andrallë jo të vogël. Dhe përmend angazhimin e të gjitha strukturave për të mbushur tregun e boshatisur dhe vitrinat me fruta, perime dhe mallra të tjera që mungonin prej kohësh.

    marr nga Panorama - Afrim Imaj

    * * * * *

    E pafalshme humbja e nje shansi te tille per Shqiperine...
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Çështja Çame
    Nga Eni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 154
    Postimi i Fundit: 25-03-2005, 19:56
  2. Veteranët shqiptarë kremtojnë Ditën e Çlirimit të vendit
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 30-11-2004, 02:59
  3. Vrasja e Mehmet Shehut
    Nga erzeni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 16-12-2003, 17:37
  4. Ligji Grek i luftës dhe Shqiperia
    Nga shoku_sar në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 12-01-2003, 22:14

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •