Depozitat, hetues italianë do te mberrijne në Shëngjin
Ekspertë të huaj pritet të vijnë sot në Shqipëri, për të kryer hetimet mbi shpërthimin e ndodhur dy ditë më parë në Shëngjin.
Megjithëse prokuroria e qytetit të Lezhës ka nisur hetimet mbi zbardhjen e ngjarjes, duket se përfaqësuesit e firmës janë skeptikë mbi rezultatet e këtyre hetimeve.
Janë vetë përfaqësuesit e firmës “Taçi Oil”, të cilët kanë kërkuar ndihmën e ekspertëve të huaj për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Shekulli” nga administratori i kësaj firme, Fation Vezaj, sipas të cilit mësohet se firma ka kërkuar privatisht ndihmën e ekspertëve italianë për të gjetur shkaqet e vërteta të shpërthimit të cisternës nr. 3 të depozitave të karburantit në Shëngjin.
Deri në përfundim të këtyre hetimeve, Vezaj nuk preferon të bëjë asnjë koment mbi ngjarjen, ndërkohë që dëmet e shkaktuara llogariten rreth 3 milionë euro.
Për pronarin e njërës prej firmave më të fuqishme të karburantit në vend, zjarri që ka përfshirë depot e tij në Shëngjin, ka qënë i qëllimtë.
Është pikërisht ky dyshim që kanë përfaqësuesit e kësaj kompanie, e që i kanë detyruar ata të kërkojnë ndihmën e ekspertëve të huaj për të zbardhur ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë.
Përfaqësuesit e firmës përjashtojnë çdo mundësi të një shpërthimi aksidental të depove të karburantit, nisur kjo edhe nga masat sigurisë së ndërmarra prej tyre.
“Ne kemi shumë dyshime që gjithçka ka qenë e qëllimshme, nisur edhe nga shpërthimi i ndodhur që e kanë dëgjuar të gjithë banorët.
Megjithatë ne kemi kërkuar ekspertë të huaj privatisht, për të bërë hetimet e duhura dhe presim që sot të vijnë në Shqipëri”,-thotë Rezart Taçi.
Ndërkohë, dyshimet e përfaqësuesve të firmës duket se mbështeten edhe nga banorët dhe rojet e firmës.
Për gazetën “Shekulli”, vendasit thonë se para se të shihnin cisternat e përfshira nga flakët kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm.
Madje, sipas tyre, shpërthimi ka qenë shumë më i fuqishëm sesa ai i ndodhur para pak kohësh në pikën më të afërt të karburantit, ku ndodhen depot e firmës “Taçi Oil”.
“Shpërthimi qe aq i fuqishëm sa ne u zgjuam nga gjumi, pastaj menjëherë dëgjuam krisma automatiku.
Sipas meje, ka qenë një shpërthim tritoli, sepse para ca kohësh tek një pikë karburanti u vu dinamit dhe me thënë të drejtën, shpërthimi i ndodhur dy net më parë ka qenë më i fuqishëm”,-thotë elektricisti i qytetit të Shëngjinit.
Megjithëse përfaqësuesit e firmës nuk pranojnë të bëjnë komente apo edhe të hedhin pista dyshimi mbi autorë të përfshirë në shpërthimin e qëllimshëm të depove të karburantit, vetëm dje në mesditë zjarrfikësit kanë mundur të shuajnë flakët në vendngjarje.
Edhe gjatë paradites së djeshme, rreziku i përfshirjes nga flakët i një cisterne me benzinë ka qenë evident.
Dy zjarrfikëset e ardhura nga Greqia janë munduar të ruajnë cisternën nr. 1 , ndërkohë që vetëm rreth orës 14 është bërë e mundur shuarja e plotë e flakëve.
Po kështu edhe shiu i rënë, ka favorizuar zjarrfikësit e përfshirë në operacionin e shuarjes së flakëve në depozitat e Shëngjinit.
A1TV
Krijoni Kontakt