Doli në treg loja më e re kompjuterike “Counter-Strike – Kosova Freedom”, si dhuratë ekskluzive para hapjes së pakos së Ahtisarit
Ndërrimi i motmoteve i ka lënë të mangët në kënaqësi qytetarët e Kosovës, në pamundësi të këmbejnë dhuratat me ndërkombëtarët, të cilët premtonin se do t’i përmbushin parashikimet me ngulitjen e bredhit të madh të pavarësisë, mu aty përballë kalit të trembur, që aq bukur e shalonte kalorësi i nderit, princi, dhe fisniku i familjes mbretërore të Kastriotëve, Skënderbeu
Agim Vuniqi, Farmington Hills
Viti i ardhshëm do te jetë i nxehtë, se është e drejtë kjo prognozë dëshmojë Drenica. Edhe pse mbetën të paçelura fishekzjarrët e pavarësisë, dhanë një mesazh të qartë se ky vit i festave te trefishta krishtlindje-kurban bajrami dhe ndërrimi i motmoteve i ka lënë të mangët në kënaqësi qytetarët e Kosovës, në pamundësi të këmbejnë dhuratat me ndërkombëtarët, të cilët premtonin se do t’i përmbushin parashikimet me ngulitjen e bredhit të madh të pavarësisë, mu aty përballë kalit të trembur, që aq bukur e shalonte kalorësi i nderit, princi, dhe fisniku i familjes mbretërore të Kastriotëve, Skënderbeu. Premtimi shumë vjeçar se do të përmbushet ëndrra e qytetarëve shumicë të Kosovës (shqiptarëve dhe të tjerëve 95%) në përfundim të vitit 2006 mbet e parealizuar, ashtu si kodi i valltareve të klubeve të natës ( që është një ndër bizneset më rentabile në Kosovën e pasluftës-bile me pas me diçka të mburremi), “ta kallëzon por s’ta jep”. Gënjeshtra e madhe ndërkombëtare e vitit 2006 është ajo që do ta mbajnë mend qytetarët shumicë të Kosovës. Në mungesë të rekuizitave festive, qytetarët kanë filluar të nxehen bile me parodi, politikanët realizuan të drejtën demokratike, të manifestojnë shkathtësitë luftarake në “full kontakt”, shfrynë kolegjialisht mllefin demokratik, dhe ua bënë të mundur policëve të ShPK të përfundojnë me sukses trajnimin në seminarin e përbashkët të mbrojtjes civile “në mbrojtje të demokracisë së stupsit”, që tuboi “kremin” e pushtetit ekzekutiv të Kosovës dhe policët politikisht të pa uniformuar. Seminari-kuvend i dedikohej respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut, në temën “e drejta për t’u mbledhur dhe protestuar në kuvend”, brenda, ngase kjo e drejtë themelore i pamundësohet Lëvizjes “Vetëvendosja”, jashtë. Thënë shkurt e shqip ishte seminar shumë i suksesshëm, u bënë testime të rëndësishme të cilësisë së karriqave, duka ua ngjitur tiketën “1244-pritni edhe një vjet”, shkon. Kësaj radhe u bë vetëm një lëshim i pavërejtur nga bërësit e politikës së madhe, nuk u bë kalkulimi i menjëhershëm i dëmeve materiale, se ato trupore ishin të pakrahasueshme në krahasim me ato të protestës paqësore të mbajtur për nder të ditës së flamurit, të organizuara nga rinia studentore “Lëvizja Vetëvendosja”, që tubojë disa mijë simpatizues.
Në krejt këtë amulli politiko-demokratike, duket se policët e rinj të SHPK, i kanë kuptuar bukur detyrat e bërjes së shtetit, se është kështu u bindën më së miri ministrat (askush mbi ligjin) e lazdruar të qeverisë (Kosumi)-Çeku, të cilët iu nënshtruan kontrollit rutinor të detektorit-jo të rrenave (edhe pse është dashur që moti t’i shohin rezultatet e ngritje-zbritjeve të diagramit, të shënuara nga gjilpëra shumë sensitive që shpreh emocionet e përnjëhershme, që finalizohen nga rezultati - flet drejtë apo gënjen), por të atij të rekuizitave të metalta, të palejuara. U egërsuan ministrat se kishin harruar ç’do të thotë të jesh qytetarë i rëndomtë në Kosovë, vërtet është vështirë këtë ta kuptojnë ngase fusnin duart në xhepin e thellë të buxhetit të konsoliduar të Kosovës, sa herë t’u tekej, dhe përkundeshin nga ninullat e gjokseve të fryrë të këngëtareve të estradës muzikore, duke shijuar lezetin e “eurove” të tatimpaguesve të Kosovës. Bile-bile, “hasreti” i kulturës dardane tha me mburrje “sa për këta do t’i fusja pesë kallashë brenda” (fjalën e kishte për policët e rinj, të cilët zbatonin procedurën normale të sigurisë, si në çdo shtet demokratik). Shtutica tregoi se askush nuk është i paprekshëm, dhe se askush nuk duhet të kursehet nga ligji (ashtu thonë qeveritarët), edhe pse treshi i implikuar në kontrabandë ishin zyrtarë të dy ministrive të koalicionit (LDK+AAK), duke arsyetuar plotësisht instalimin e detektorëve për të cilën gjë kishte vërejtje, të shara, dhe ofshame nga zyrtarët me kravate. Si duket lojërat kompjuterike-animacioni filmik “Counter Strike” – “Condition Zero” ka sfiduar këshilltarët politikë të eksperimentojnë lojën e re në Shtuticë “Counter Strike” – “Kosova Freedom”, para se ta zbulojnë publikisht. Rivalët e regjisorëve demokrat, policët e vërtetë nuk u treguan lojtarë kooperativë, ata nuk ishin lojtarë të sinqertë, ngase më tepër pëlqenin aksionin “live” prandaj konfiskuan 116 copa granata artilerie si dhe granata antitank me dhe pa fragmente të kalibrit 75 mm; dy armë automatike (mitraloz) të kalibrit 7.62 PKT ; një top pa dridhje të kalibrit 75 mm; 2 granata dore së bashku me mbajtëse të armatimit (gjoksore); një sasi e uniformave ushtarake; disa maska kundër helmit; mbi 2500 fishekë të kalibrave të ndryshëm etj. Ky arsenal i armatimit “filmik” iu prezantua opinionit “filmdashës” nga studiot private të Shtuticës, qëllimisht, për t’iu shmangur pagesës së marketingut në televizion dhe gazeta, kështu bile kursehet dhe reklamohet falas. Treshi-përsheshi ministror u treguan shumë “xhentëlmenë” duke ua huazuar dy furgonët (kombi) rivalëve në uniformë si dhuratë reprezentative të bashkëpunimit të ndërsjellët të aktorëve politik-civil dhe të atyre të uniformuar, me rastin e festave të dhjetorit duke ua uruar ndërrimin e motmoteve, meqë ata këtë vit kanë vendosur ta kalojnë të ngujuar duke lobuar politikisht te të burgosurit si elektorat stabil në zgjedhjet e ardhshme.
Krijoni Kontakt