Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049

    Shqipëria zë vendin e parë në botë për rryshfetet

    Shqipëria zë vendin e parë në botë, përsa i përket dhënies së ryshfetit, duke lënë pas dhe vendet afrikane. Zyrtarë, qeveritarë, gjyqtarë, prokurorë dhe mjekë pasurohen çdo ditë nga ryshfetet që marrin nga qytetarët e thjeshtë, për të mbaruar punët a zgjidhur hallet e tyre. Në klasifikimin e institucioneve më të korruptuar renditet shërbimi shëndetësor, gjyqësori dhe policia, si tre sektorët me nivelin më të lartë të korrupsionit për vitin 2006 në vendin tonë. Kanë qenë përgjigjet e mbi 800 qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë renditur vendin tonë në krye të “top listës” së vendeve më të korruptuara. Shifrat alarmante të vëzhgimit të kryer nga Transparency International në Barometrin Global të Korrupsionit 2006, janë bërë publike dje nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, që ka qenë përfaqësuese e Transparency International në Shqipëri.

    Më të korruptuarit

    Rreth 2/3 e shqiptarëve, të cilët kanë plotësuar pyetësorët kanë pohuar se kanë dhënë rryshfet të paktën një herë gjatë 12 muajve të fundit. Kosto më e lartë e dhënies së rryshfetit figuron në pushtetin gjyqësor. Ndërsa rreth 93% e shqiptarëve vlerësojnë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar dhe vetëm 4% e tyre besojnë në paanshmërinë e sistemit gjyqësor. Në tabelën e vendeve më të prekura nga korrupsioni vendi ynë renditet i pari, duke lënë pas Kamerunin, Gabonin dhe Marokun, pasi më shumë se 40% e të intervistuarve kanë dhënë përgjigje pozitive në lidhje me paratë apo dhuratat e dhëna “nën tavolinë” për zyrtarët. Edhe përsa i përket korrupsionit në jetën politike, shqiptarët të cilët kanë plotësuar formularët, kanë pohuar se politikanët tanë janë të korruptuar, duke u renditur ndër vendet ku 51-70% e popullsisë ka një bindje të tillë. Në këtë listë vendesh ndërkohë hyjnë dhe shtete të tjera ballkanike si Kroacia, Bullgaria, Maqedonia, Rumania.

    Rreth 66% e të pyeturve kanë pohuar se të paktën 1 herë gjatë 2006 kanë qenë të detyruar që të japin ryshfete. Ndërsa përsa i përket veprimeve konkrete të shtetit, në luftën kundër korrupsionit, vetëm 7 % e shqiptarëve të pyetur janë përgjigjur se është shumë efikase, 33% janë përgjigjur se është efikase, 36% e të pyeturve mendojnë se nuk ka qenë efikase, 13% se nuk është luftuar sa duhet korrupsioni me masat e marra, vetëm 4% e shqiptarëve të pyetur mendojnë se në vend që të luftohet korrupsioni, është stimuluar.

    Antikorrupsioni

    “Fatkeqësisht- deklaroi dje kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Kreshnik Spahiu - rryshfeti është kthyer në një gangrenë shoqërore e cila e vendos Shqipërinë në rekordin më negativ botëror. Nëse 2/3 e shqiptarëve aktualisht janë viktimë e rryshfetit, kjo do të thotë se akoma mijëra zyrtarë, qeveritarë, gjyqtarë, prokurorë pasurohen çdo ditë në mënyrë të paligjshme në kurriz të tyre. Kjo analizë mund ta konsiderojë Shqipërinë si republikën e rryshtetit duke cënuar rëndë jo vetëm imazhin e shqiptarëve por edhe integritetin shtetëror”, –ka pohuar dje kreu i ZMQ-së, pasi ka bërë publike raportin e Transparency International.

    “Nëse ka një gjyqtar apo prokuror i cili ende e vë në dyshim korrupsionin brenda sistemit të drejtësisë apo perceptimin që ka populli për këtë pushtet e ftojmë të ballafaqohet në vazhdimësi edhe me këtë sondazh e të mos fshihet apo të bëjë veten pjesë të këtij pushteti të korruptuar,- ka përfunduar kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Qytetarëve.

  2. #2
    Albania

    Një biznesmen amerikan denoncon skemën “Shqipëria 1 euro”
    Agim Blloshmi

    ELBASAN- Investitorët e huaj që kanë ardhur për të përfituar nga skema “Shqipëria 1 euro” kanë hasur në korrupsionin dhe burokracinë e shtetit shqiptar. Një shqiptaro-amerikan, Ruzhdi Gurra, ish-oficer i Forcave Amerikane në Kosovë gjatë luftës kosovare, deklaron: “Pasi dëgjova termin ‘Shqipëria 1 EURO’, vendosa të bëj diçka të mirë dhe problemi më emergjent në Shqipëri është energjia. Bëra projektet e një mini-HEC-i në Dragostunjë dhe mendova të investoj, por jam përballur me një milion procedura burokratike dhe nuk di se si të veproj. Na thonë se do të dalë një ligj tjetër. Atëherë këta le të thonë se nxjerrin ligje vetëm sipas interesave të tyre”.

    Administratori Ismail Leka, i cili ka investuar të paktën 300 mijë euro për ndërtimin e një minihidrocentrali në fshatin Dardhë të Komunës së Hotolishtit në rrethin e Librazhdit, ku ka përfunduar të gjitha fazat përveç ndërtimit të nënstacionit, fajëson strukturat më të larta të shtetit shqiptar për bllokimin e investimeve private në fushën e industrisë energjetike. Edhe biznesmenë të tjerë pretendojnë se në vend të krijimit të lehtësirave që shteti duhet të krijojë në këtë aspekt, po ndodh krejt e kundërta. Ndërsa Imer Lila, një tjetër biznesmen, thotë për gazetën “Albania”: “Ne nuk e kuptojmë se përse vonohen procedurat dhe përse sorollatemi. Kujt i intereson kjo vonesë? Ne rriskojmë dhe në fund nuk marrim asgjë”. Sipas tyre, nëse shteti do t’ia linte privatit këto minihidrocentrale, atëherë do të ishte zgjidhur problemi i energjisë për një pjesë të mirë të kësaj zone. Por, në momentin që ata nisin procedurat dhe kërkesën për t’i marrë ato me koncesion, nisin edhe burokracitë, peripecitë dhe sorollatjet, duke bërë që këta biznesmenë të tërhiqen. Janë ndërtuar një numër jo i vogël minihidrocentralesh në Librazhd, që në kohën e ish-diktaturës, ku rekordin e mbajnë rrethi i Dibrës, me shtatë minihidrocentrale të vogla dhe mbas kësaj vjen Librazhdi, me gjashtë. Vitet e fundit, krahas minihidrocentraleve ekzistuese, ka filluar puna për ndërtimin e të paktën 10 të tjerave, ndërsa janë në proces dhe disa kërkesa të tjera nga biznesmenë të ndryshëm. Rrethi i Librazhdit trashëgon nga sistemi komunist gjashtë minihidrocentrale, përkatësisht atë të Lunikut, Orenjës, Xhyrës, Funarësit, Stravajt dhe atë të Qarrishtës. Këta dy të fundit janë jashtë funksionit, kurse të tjerët janë rehabilituar pjesërisht nga biznesmenë vendas edhe të huaj (italianë) siç është ai i Funarësit. Pra ato që janë riaktivizuar nuk punojnë me kapacitetin maksimal, për shkak të amortizimit të aparaturave, si dhe sasisë së ujit që vete në turbina. Këto hidrocentrale kërkojnë domosdoshmërisht ndërhyrje dhe rikonstruksion të tyre. Duke qenë se buxheti i shtetit nuk e përballon dot një investim të tillë, atëherë kanë dalë garant biznesmenët për t’i marrë me koncesion. Por edhe këta të fundit janë përballur me vështirësi me institucionet shtetërore. Megjithëse interesi i biznesmenëve nuk ka munguar, minihidrocentralet e Librazhdit po dalin jashtë funksionit, për shkak se askush nuk ka vënë dorë në to.

    Prodhimi në total i këtyre minihidrocentraleve është rreth 150 mijë KW për orë. Sipas specialistëve, nëse do të shfrytëzohej kapaciteti maksimal i mundshëm, prodhimi i tyre mund të jetë dyfishi i atij aktual. Një nga më të rëndësishmit e këtyre minihidrocentraleve është ai i Xhyrës, që është dhënë në përdorim. Por edhe nga kjo vepër energjetike nuk merret maksimumi, sepse në të nuk është lejuar të investohet për dyfishimin e kapacitetit prodhues. Madje, këto minihidrocentrale punojnë vetëm kur është në punë rrjeti kryesor. Gjatë krizës së madhe të fundvitit të shkuar, kur Xhyra u shkëput nga sistemi, ajo siguroi energji pa ndërprerje për 800-1200 familje, ku vetëm në krizën e vitit të kaluar furnizoi disa fshatra si atë të Xhyrës, Dragostunjës, Hotlishtit e Dardhës. Gjithashtu edhe minihidrocentralet e tjera furnizojnë vetëm fshatrat përreth me nga shumë pak familje.

    Sipas specialistëve të KESH-it, këto HEC-e nuk zgjidhin kërkesat e popullsisë dhe nuk mundet të punojnë fare në rastin e një shkëputjeje totale të energjisë elektrike. Sepse punojnë së bashku të lidhura me rrjetin. Në rrethin e Librazhdit, kryesisht në luginën e Shkumbinit, por edhe të Qarrishtës, Stëblevës, Polisit, Bushtricës e lumit të Gostimës, janë me dhjetëra kërkesa, ku një pjesë duhej të fillonte transmetimin e energjisë elektrike sorollaten pa asnjë kuptim, duke u thënë që do të dalë një ligj i ri.

    Nëse nuk do të ekzistonin burokracitë dhe neglizhenca e strukturave përkatëse, mbase problemi i energjisë elektrike nuk do të kishte të paktën këto përmasa. Zona e Librazhdit trashëgon një sistem të mirë minihidrocentralesh. Nëse do të menaxhoheshin mirë dhe do të vihej dorë në to, atëherë një pjesë e mirë e zonës lindore do ta zgjidhte njëherë e mirë problemin e energjisë elektrike në sezonin e dimrit. Por, me gjithë krizën, shteti nuk u jep prioritet biznesmenëve të interesuar. Këta të fundit ankohen se sorollaten derë më derë të institucioneve, në tentativë për t’i marrë ato me koncesion, por sërish nuk ia kanë arritur. Pasuritë hidrike në zonën e Librazhdit janë të shumta, por ato nuk shfrytëzohen. Të gjithë këta biznesmenë kanë harxhuar kush më shumë e kush më pak me miliona euro dhe asnjë lloj zgjidhje.

    Vetëm hidrocentrali “Egnatia”, i cili ka filluar që në muajin mars të vitit të kaluar e duhej të përfundonte në fund të muajit nëntor 2006, e ka fuqinë e energjisë për rrethet Librazhd dhe Elbasan 5 mega. Por Egnatia nuk mundet të transmetojë sepse qeveria e tanishme nuk i ka nënshkruar kontratën koncesionare. Ky, sipas Ismail Lekës, administrator i shoqërisë, është hidrocentrali më i madh mbas atij të Lanabregasit. Sot i gjithë qarku i Elbasanit është përballur me mbi shtatë orë ndërprerje të energjisë. Paradite 10:00-14:00 dhe mbasdite 17:30-20:30 dhe në fshat, akoma më tepër, deri në dhjetë orë ndërprerje.

Tema të Ngjashme

  1. Prejardhja e emrit Kosovë dhe emrat e qyteteve te saj
    Nga Vito në forumin Arkeologji/antropologji
    Përgjigje: 48
    Postimi i Fundit: 28-01-2010, 06:43
  2. Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 08-06-2009, 06:27
  3. Mocioni, Berisha flet për gjithçka, por jo për Fazlliç
    Nga njemik në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 19-12-2008, 10:44
  4. "BRIGEL IK" - Është koha për ndryshime.
    Nga Qerim në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 140
    Postimi i Fundit: 22-03-2006, 16:42
  5. Hobi dhe Biznes
    Nga ganoid në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 14-01-2005, 10:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •