Bashkia e Tiranës ka promovuar dje internetin falas për të rinjtë, në një ceremoni të organizuar para Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Ky do të jetë stacioni i parë i internetit wireless, pasi sipas kreut të bashkisë, së shpejti do të ketë edhe pika të tjera në të gjithë Tiranën. Nëpërmjet shërbimit të Internetit wireless (pa kabllo dhe antenë), të rinjtë do të mund të navigojnë në internet duke siguruar kështu aksesin në informacion në çdo orë të ditës apo të natës. Rama tha se projekti "Internet falas" do të shtrihet në të gjitha parqet e kryeqytetit, si dhe në biblioteka. "Kjo është hapësira e parë e internetit pa pagesë për të gjithë të rinjtë", tha Rama. Sipas tij, qëllimi i kësaj iniciative nuk është të mbetet vetëm në një zonë të Tiranës, por mendohet të shtrihet në disa zona të saj, ku të rinjtë të mund të klikojnë në faqet e tyre të preferuara. Projekti synon të shtrihet edhe në parqet e kryeqytetit dhe pranë Bashkisë së Tiranës, me qëllim që të rinjve t‘u ofrohen të gjitha lehtësitë për të cilat ata kanë nevojë. Ky projekt vjen në vazhdën e prioriteteve të Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve miqësore për të rinjtë nëpërmjet integrimit të shërbimeve bashkëkohore dhe krijimit të hapësirave të reja për ta. Wireless, është linjë interneti që mund të lidhet me kompjuterin pa kontrata paraprake dhe pa linjë kabllore. Për të mundësuar këtë shërbim, kostoja shkon për Bashkinë e Tiranës. Dje, linja u testua me sukses në një nga vendet më të populluara para Piramidës, ku morën pjesë dhjetëra të rinj, të cilët me kompjuterët e tyre "lap-top" hynë direkt në internet pa pagesë.
gazeta Shqip
Krijoni Kontakt