Çfarë është përulësia?
Përulësi është ta konsiderosh veten tënde si mëkatarin më të madh, të mos përbuzësh, të mos fyesh dhe të mos gjykosh asnjë, por të shohësh vetëm mëkatet e tua. Përulësi është të mos kërkosh lavdërime, pasuri, lavdi dhe ndere, duke e konsideruar krejtësisht të padenjë veten tënde për diçka të tillë.
Njeriu i përulur duron me trimëri përbuzjet, sharjet, akuzat duke besuar thellë që këto i vlejnë. Me të gjithë sillet gëzueshëm. Është i gatshëm të ofrojë me dashuri shërbimet e tij ndaj cilitdo. Nuk kushton ndonjë rëndësi në veprat e tij të mira dhe për më tepër nuk bën fjalë për këto, nëse nuk është nevoja.
Një përulësi të tillë uroj t’ju dhurojë Zoti, sepse kjo do t’ju çlirojë nga prangat e mëkatit dhe do t’ju udhëzojë në dashurinë e Atij që “e përuli veten deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Fil.2:8).
Fushat që ndodhen ulët, pothuajse gjithmonë janë pjellore dhe frytdhënëse, ndërsa malet e larta zakonisht janë jopjellore. Dhe kallinjtë që qëndrojnë drejt janë bosh, ndërsa ata që peshojnë poshtë janë plot me kokrra. Fitoni dhe ju zemër të përulur dhe do të pasuroheni me fryte shpirtërore të cilat do të sigurojnë shpëtimin tuaj.
Fushat pjellore vaditen me shiun që bie nga qielli dhe me ujërat që zbresin nga malet. Në mënyrë të ngjashme dhe njerëzit e përulur pranojnë nga qielli në mënyrë të bollshme, hirin e Shpirtit të Shenjtë dhe lartësohen shpirtërisht si malet e larta. Nëse pra dhe qenia juaj jepet në mënyrë të përulur në dëshirën e Perëndisë dhe largohet nga mëkati, atëherë do t’ju vizitojë Shpirti i Shenjtë, Perëndia Ngushëllimtar dhe do të qëndrojë përherë në shpirtin tuaj.
E harroni tashmë rrugën e gjerë! Zoti i mëshirshëm ju drejton në mbretërinë e qiejve nëpërmjet derës së ngushtë. Rruga e lehtë do t’ju drejtojë në shkatërrimin e përjetshëm. Nuk është koha për dëfrime e qejfe. Ungjilli na thotë që janë “të lumur ata që vajtojnë” (Lk.26:1), jo ata që dëfrejnë e argëtohen.
Nëse kërkon nga cilido diçka, ta kërkoni me durimin e Kananeases (Mt.15:21-28).
Ruajeni gojën tuaj nga fjalët e tepërta dhe të padobishme, ushtrohuni në lutjen e Jisuit, përmbahuni, dhe Zoti do t’ju rrethojë me dhuratën e paçmuar të dashurisë së Tij.
Ta doni Zotin dhe të luteni me sigurinë që Ai është ati juaj.
Përuluni përpara gjithë të afërmve tuaj, dhe Zoti, ati juaj i mirë, do të gëzohet për përulësinë tuaj dhe do t’ju përqafojë me dashurinë e Tij.
Nëse tani nuk ndieni ndonjë ngushëllim nga lutja juaj, të jeni të sigurtë se Zoti ju përgatit ngushëllime hyjnore në të ardhmen. Vazhdoni të luteni pa pushim, dhe shpejt do të shijoni ëmbëlsinë e Tij. “Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time. Më nxori jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mi. Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lavdëruar Perëndinë tonë” (Ps.40:1-3).
Kur shikoni t’ju pushtojë pikëllimi, melankolia, përtesa dhe neglizhenca, atëherë detyrojeni zemrën dhe buzët tuaja në punën e lutjes: “Zot, shpëtona ne” (Mt.8:25). Mendoni nëse këto momente të neglizhencës mund të jenë momentet e fundit të jetës suaj. Ndoshta për pak do të pasojë vdekja.. . . dhe pastaj gjyqi i Perëndisë. E lini pra, plogështinë dhe neglizhencën.
Gjithashtu edhe nëse veprat tona të mira bëhen në emër të Perëndisë, nuk janë së pari këto që na shpëtojnë, por mëshira e Perëndisë. Kjo mëshirë hyjnore le t’ju mbulojë dhe ju, gjithë ditët e jetës suaj. Të gjithë ju, të drejtë e mëkatarë, të strehoheni në Zotin tonë mëshirëdashës Jisu Krisht dhe në Atë të mbështetni shpresën tuaj, sepse ajo është “shpresa që nuk turpëron” (Rom.5:5).
Mos përbuzni fjalët e mia dhe mos i mendoni si të vështira për t’u zbatuar. Për Zotin dhe me Zotin, të vështirat bëhen të lehta dhe të pakënaqshmet - të kënaqshme. “Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” (Mt.11:30).
Përgatiti: R. Baba
Krijoni Kontakt