Tubimi, qindra çamë mblidhen në vijën e kufirit grek
09:17 26/06/06
Organizatorët e tubimit të çamëve në kufirin grek dhe policia shqiptare kanë rënë dakord që homazhet të mos zhvilloheshin në vijën ndarëse të kufirit, por disa qindra metra në brendësi të territorit shqiptar.
Kjo është bërë për të shmangur ndonjë incident dhe për të mos provokuar Greqinë. Qindra shqiptarë të Çamërisë u mblodhën dje ne Qafë Botë, në kufi me Greqinë, ku bënë homazhe dhe vendosën lule e qirinj, në përkujtim të të afërmëve të tyre të masakruar në vitin ?44.
Organizatorët e tubimit në Qafëbotë thonë se kishin kërkuar edhe ceremonialin ta bënin më poshtë, në fushë. Por duke u vlerësuar më afër doganës greke të Qafëbotës dhe për të mos u "përkthyer" keq nga fqinjët, që janë në punë të tyre, policia vendosi që gjithë takimi të bëhej më në brendësi.
Kjo u respektua, kështu u bë dhe çdo gjë shkoi mrekullisht mirë. Jo më pak se 50 autobusë dhe 500 automjete private udhëtuan drejt Qafëbotës.
Me ta u bashkuan edhe qindra fshatarë nga krahina e Konispolit e komuna e Markatit, duke shënuar kështu tubimin paqësor më masiv të organizuar ndonjëherë kushtuar problemit çam. Djemtë që kishin në ?t-shirtet? e tyre simbolin e paqes, një gjethe ulliri të dredhur në trajtën e gërmës "'Ç", që është edhe logo e partisë për drejtësi e integrim, u bënë si "vijat e bardha" për rregullsinë e ecurisë së organizimit.
Shkallët e stadiumit të lojërave me dorë në Sarandë dy ditë më parë dhe gryka e Qafëbotës dje gjëmuan nga thirrjet "E duam Çamërinë". Të rinjtë e mbushur me energji rrezatonin entuziazëm sa thoshe se dje në duart e tyre ishin jo tapitë, por "çelësat" e pronave që kërkojnë, ndërkohë që gra e burra në pleqëri të thellë përloteshin duke qenë këtu si para pragjeve të shtëpive dhe ullinjve që lanë në Pargë, në Paramithi, në Filat e gjetkë. Duke folur me ta, merr vesh se ata nuk ngatërrrojnë shtetin e sotëm grek me atë që kanë bërë kundër tyre bandat e Zervës më 1944. Si folësit edhe dëgjuesit janë në një mendje kur thonë se në zgjidhjen e çështjes çame çon jo emocioni, por argumenti, jo urrejtja, por dialogu, jo heshtja, por sensibilizimi.
Posterat që ngrihen lart nga duar që nuk arrijnë të duken për shkak të dendësisë së manifestuesve paqësorë, përcjellin mesazhe të shkruara në gjuhën shqipe, greke dhe atë angleze. "Një buqetë lule për varret e të parëve tanë", lexonte njera. "Çamëria është çelësi i miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë", tjetra. E kështu me radhë, të gjitha të "qëruara" nga bërtitjet e urrejtja dhe duke bërë ftesë për zgjidhje pronësore pa ndryshim kufijsh. Thelbi i kërkesave të çamëve është përmbledhur në njohjen e të drejtës së pronës mbi tokat, banesat dhe pasurinë tjetër, të regjistruar në kadastrën greke dhe në tapitë e çamëve. Ata duan që të fitojnë pronën, të fitojnë edhe shtetësinë greke duke qenë njëherësh shtetas shqiptarë e me kombësi shqiptare.
E gjitha kjo është "shqip" nga lartësia e foltores, formuluar nga Servet Mehmeti në cilësinë e kryetarit të përgjithshëm të shoqatës "Çamëria", nga Tahir Muhedini, kryetar i PDI, që mendohet si parti e çamëve, e deri te ajo nxënësja vlonjate që me recitimin e saj vibrues rikrijoi tablo nga drama e dëbimit. Një grup fëmijësh të veshur në kostumet e hijshme popullore të krahinës së Çamërisë, të vendosura dorëpërdore me gjyshërit e gjyshet e tyre, u lejuan të venë tufa lulesh e të ndezin qirinj disa metra tej "gardhit" që nuk mund të kapërcehej nga të gjithë. Atë çast pamë të moshuar që riteve të vënies së luleve dhe ndezjes së qirinjve, i shtuan edhe puthjen e gurëve aty rrotull, duke i menduar ata si kryet e të parëve të shuar nën dëbimin masiv.
Në fshatin e braktisur Kllogjer, konturet e ca varreve që nuk ekzistojnë më, u mbuluan nga kurora me mbishkrimin "Në kujtim të viktimave çame" dhe nga lulet plot ngjyra që mbanin në duart që u dridheshin nga emocioni fëmijëve e pleqëve.
http://www.a1tv.al/index2.php?faqe=lajmi&lajmID=271
Krijoni Kontakt