Të rrëfesh seksin në versionin islamik
Shekulli
09-12-2006
KAJRO - Heba Kotb është një myslimane konservatore, e cila shfaqet me kokën mbuluar dhe, një herë në javë del në televizor për të folur mbi seksin. Pikërisht mbi seksin, në programin e saj që titullohet “Big Talk”, Kotb u përgjigjet pyetjeve që i drejtohen nga myslimanët nga e gjithë Lindja e Mesme mbi çështjet më intime, duke treguar se nuk janë edhe aq konservatorë.
Ajo, në mënyrën e saj shfaqet revolucionare, në një shoqëri ku, të diskutosh mbi këto argumente është ende tabu. "Si përballem më këto argumente? Shumë seriozisht,” thotë seksologia egjiptiane. Heba flet për seksin, ashtu siç e kupton edhe feja myslimane, dhe kjo parashikon ata që janë të martuar. Por besimi nuk e përjashton kënaqësinë, përkundrazi, parashikon se që të dy bashkëshortët duhet të marrin kënaqësi nga raportet seksuale. "Jam shumë krenare për fenë time, – ka shpjeguar Kotb, e cila jep mësim edhe në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Kajros.
Studimet e mia kanë treguar se sa shumë Islami është i hapur mbi çështjet e lidhura me seksin. Kam zbuluar se si Islami e ka kuptuar kënaqësinë e të bërit seks shumë më parë se pjesa tjetër e botës." E folura hapur e Kotb-it duket shumë e guximtë në një fe ku edukata seksuale është minimale, ku kontaktet burrë-grua shkurajohen dhe ku mbi këto argumente flitet vetëm sekret. Kohët e fundit seksologia ka mbajtur edhe disa konferenca në Arabinë Saudite, dhe burrat në sallë janë tronditur nga pyetjet e spektatoreve, që e kanë bombarduar. Heba Kotb është 39 vjeç, e martuar dhe ka tri vajza. Ajo ka studiuar seksologji në Maimonides University, në Florida, ku ka mbrojtur diplomën me titullin "Seksualiteti në Islam”.
Krijoni Kontakt