Familja Rugova mbështet Alush Gashin
Leonard Kerquki
Prishtinë, 2 dhjetor —Alush Gashi me një potez të vetëm ka përmbysur rezultatet për kryetar të LDK së, ka çorientuar delegatët dhe për më tepër ka bërë që dy kandidatët kryesorë, Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci, ta rishikojnë pozicionin e tyre në garë.
Afërsia e tij me djalin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, Ukën, u ka dale kapuç me mëngë atyre që kanë synuar postin e të parit të partisë më të madhe në vend. Ua ka kërcënuar seriozisht pretendimet për fronin e partisë.
Sipas disa burimeve të sigurta të Express, Alush Gashi ka marrë bekimin e familjes Rugova, që të jetë kryetar i ardhshëm i LDK-së. Madje djali i ish presidentit, Uka ka filluar të lobojë në mbështetje të kandidaturës së Gashit.
Sipas këtij burimi, ai u ka bërë disa telefonata kryetarëve të degëve të LDK-së dhe u ka thënë atyre se në Kuvendin Zgjedhor duhet ta votojnë Alush Gashin për kryetar.
Familja Rugova, me të filluar gara për kryetar të LDKsë dhe pas deklarimeve nga njëri apo tjetri krah se e ka mbështetjen e kësaj familjeje, me një deklaratë publike Familjaishin distancuar nga lufta për pushtet në LDK.
Por, djali i dytë i presidentit të ndjerë, duket se ka vendosur që tashmë të distancohet nga deklarata që ka dhënë familja e tij para do kohe. Mbështetja që po ia bën kandidimit të Gashit për kryetar të LDK-së e involvon direkt këtë familje në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të partisë më të madhe në vend.
Te Guri i Zi
Gjithçka kishte filluar me një drekë gjatë shtatorit. Për të përfunduar me atë të 19 nëntorit në restorantin "Guri i Zi" në rrugën që shpie drejt Gjakovës. Aty ishin mbledhur njëzet e një kryetarë të degëve të LDK-së për të sqaruar pozicionet e tyre në procesin zgjedhor që kishte filluar brenda partisë së tyre.
Naser Osmani, kryetar i Degës së Lipjanit, i devotshëm në ndërtimin e unitetit brenda partisë, kishte nisur së bashku me Fadil Feratin, kryetar i Degës së Istogut si dhe Ismet Beqirin, kryetar i Degës së Parë të Prishtinës, për të gjetur rrugën e tretë për kryetar të LDK-së.
Dy figura që ishin në konflikt, Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci, e kishin rrezikuar së tepërmi unitetin e partisë - që në rrugën e nisur të konfliktit e shpinte partinë drejt ndarjes - prandaj, thotë një burim brenda takimit, kjo ka qenë arsyeja kryesore e mbledhjes së kryetarëve të degëve.
Për dijeninë e të gjithëve, dhe për kujtesë të atyre që kanë harruar, kryetarët e degëve në traditën e LDK-së kanë qenë më të respektuarit e Velanisë gjatë një periudhe të gjatë kohore. Degët dhe kryetarët e saj kanë qenë pjesa kryesore e disejnimit të politikës nga zyra e Velanisë e deri në bazë.
Për herë të parë ishte zënë ngoje një tjetër emër për kryetar të LDK-së. Alush Gashi. Një miqësi e hershme me një pjesë të deputetëve, afërsia me ta, të qenit i hapur dhe marrja e rolit kryesor për të bindur Dacin për dorëheqje, i kishte dhënë atij fuqinë e liderit të një pjesë e deputetëve të LDK-së dhe të një pjesë të kryetarëve të degëve të kësaj partie. Hyrje-daljet e shpeshta te familja Rugova. Pastaj edhe pas vdekjes së Rugovës ishte i përzgjedhuri i familjes për ta zëvendësuar atë, thonë burime pranë familjes Rugova.
Kjo kishte bërë që Gashi të jetë figura qendrore dhe e besueshme për t'u kandiduar si personaliteti i tretë në takimin e Gurit të Zi.
Alush Gashi është njeriu që s'e fut LDK-në në konflikt dhe e ruan nga ndarja, kishte qenë konstatimi i personazheve gjatë drekës së 19 nëntorit.
Në fakt, ky konstatim kishte ardhur pas mbështetjes që ka marrë Alush Gashi nga djali i dytë i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, Uka.
Lidhja me Rugovtë
Dy faktorë kanë qenë vendimtarë në përcaktimin e familjes Rugova krah Alush Gashit. E para, përkujdesja e vazhdueshme e Alushit dhe vëllait të tij, Afrimit ndaj presidentit Rugova dhe faktori i dytë, origjina - si familja Rugova ashtu edhe ajo Gashi, vijnë nga rajoni i Istogut.
Sipas një burimi të sigurt të Express, duke e parë luftën për pushtet që zhvillohej Brenda LDK-së, Ukë Rugova i pari iu kishte afruar Gashit për ta porositur atë që të fillojë garën – tashmë me bekimin e familjes së tij.
"Fillimisht Gashi kishte hezituar, por vendosmëria e Ukës që të jetë krah i fortë I tij, e kishte bindur plotësisht atë që të fillojë garën", thotë ky burim i Express.
Më pas, vetë Uka, sipas këtij burimi, është gjuajtur në aksion. Duke iu rekomanduar delegatëve që ta votojnë Gashin në Kuvendin Zgjedhor. Uka ka arritur të sigurojë mbështetjen për Gashin nga një numër i konsiderueshëm i delegatëve të Kuvendit të Përgjithshëm.
Ndërsa, sipas të gjitha gjasave, këtë javë familja Rugova pritet të deklarohet publikisht në mbështetje të kandidaturës së Alush Gashit. Nëse ndodh kjo, atëherë Gashi me gjasë do të jetë kandidat sfidues për kryetar të ardhshëm të LDK-së.
Kush është me Alushin?
Sipas burimeve të Express, Alush Gashi deri më tash ka arritur të sigurojë mbështetjen e rreth 10 delegatëve të Degës së Ferizajt, shumicën e atyre të Istogut dhe Lipjanit si dhe rreth 8 të tjerë në Gjilan, që deri më tash kanë qenë përkrahës të Nexhat Dacit. Gjithashtu sipas këtij burimi, Gashi ka për vete edhe shumë nga delegatët që deri më tash janë deklaruar si të pavendosur.
Deri më tash presidenti Fatmir Sejdiu e ka pasur pothuajse të sigurt fitoren në garën për kryetar të LDK-së. Ai ka pasur një epërsi të konsiderueshme ndaj kundërkandidatit Nexhat Daci. Por, mbështetja që po ia jep familja Rugova Alush Gashit, do t'ia kthejë Sejdiut përmbys rezultatin e arritur.
Megjithatë, zyrtar të LDK-së pohojnë se negociatat për hise në LDK ende nuk janë mbyllur.
Express
Krijoni Kontakt