Nuk zmbrapset Sejdiu
Edhe përkundër
insistimit të përkrahësve
të Nexhat Dacit që lista e
Këshillit të Përgjithshëm
të LDK-së të rishqyrtohet
dhe të plotësohet,
kryetari i sapozgjedhur i
LDK-së, Fatmir Sejdiu,
nuk premton se kjo do
të ndodhë
Besnik RAMADANAJ
PRISHTINË, 14 DHJETOR – Ndonëse
krahu i Nexhat Dacit ende pret përgjigje
për kompromis eventual nga
kryetari i sapozgjedhur i LDK-së, Fatmir
Sejdiu, rreth përbërjes së Këshillit
të Përgjithshëm të LDK-së, ky i fundit
nuk e ka ndërmend të lëshojë pe.
Kryetari i LDK-së dhe i Kosovës,
Fatmir Sejdiu, ka ripërsëritur qëndrimin
e tij se Kuvendi VI i LDK-së ka
marrë vendim dhe do të vazhdohet
me procedura të mëtutjeshme. Duke
mohuar se brenda LDK-së ekzistojnë
krahë, kryetari Sejdiu konstatoi se punohet
me të gjithë energjinë si Lidhje
Demokratike e Kosovës.
“Kuvendi i LDK-së ka nxjerrë një
verdikt të vetin, ka nxjerrë Këshillin e
Përgjithshëm që e ka votuar në atë rast
dhe natyrisht ne do të ecim më tej me
procedurat e nevojshme për konsolidimin
e strukturave të përgjithshme të
partisë”, vlerësoi Sejdiu, pas takimit
që pati me ministrin e Shëndetësisë të
Shqipërisë, Maksim Cikuli.
Ndërkohë, për qëndrimet e krahut
të Dacit, ai tha: “Ata kanë shfaqur qëndrimet
dhe opinionet e tyre në kohën
e kuvendit dhe ato që shkojnë në deklarimet
e tjera, unë nuk kam ndonjë
rrugë zyrtare tjetër, për mua është
shumë e rëndësishme të reflektoj në
zbatimin e synimeve të kuvendit të
LDK-së”.
Megjithëse zhvillimet e fundit në
LDK mund të sjellin rrezikun e ndarjes,
kryetari Sejdiu e mohoi një gjë të
tillë.
“Nuk e di në është dëgjuar nga goja
e ndonjë prej anëtarëve të LDK-së rreth
ndarjes së LDK-së. Është çështje e nevojës
së një kohezioni, çështje e peshës
së fazës që jetojmë, posaçërisht të
detyrave që i kemi si parti politike më
e fuqishme në vend dhe është çështje
e një projekti politik, që e kemi përcaktuar
përtej një dekade e më tepër”, u
përgjigj Sejdiu. Prandaj, ai tha se ka
parasysh që e gjithë kjo kërkesë që
LDK-ja të forcohet, është vetëm në
shërbim të saj. Sejdiu më tej falënderoi
edhe ata që kanë votuar edhe ata që
s’kanë votuar, duke thënë se janë pjesë
e një kontingjenti të përbashkët.
Ndërkaq, sa i përket përcaktimit të
tij se cilin post do ta mbajë, atë të kryetarit
të partisë apo atë të kryetarit të
Kosovës, pasi që Korniza Kushtetuese
e kushtëzon t’i mbajë të dyja postet,
kryetari Sejdiu tha se shpejt do të
marrë një vendim që, siç tha ai, do të
jetë i arsyeshëm dhe do të konsultohet
me të gjithë faktorët e nevojshëm.
Për çështja e ndërtimit të strukturës
së Kryesisë së LDK-së, Sejdiu shfaqi
besimin se kjo do të bëhet shumë
shpejtë. Të pakënaqur me listën e Këshillit
të Përgjithshëm të LDK-së, përkrahësit
e Nexhat Dacit insistojnë të
gjejnë marrëveshje politike me ata të
Sejdiut.
Madje, përkrahësit e Dacit kanë
dhënë një lloj “ultimatumi” prej një
jave, që kjo listë të rishqyrtohet dhe të
plotësohet, për çka kryetari i sapozgjedhur
nuk duket i interesuar që të bëhet.
Krijoni Kontakt