Nuk fitoi LDK-ja
IBRAHIM REXHEPI
Të shtunën në Sallën e Kuqe të Pallatit të Sporteve
në Prishtinë u pa se sa e brishtë dhe kaotike
është Lidhja Demokratike e Kosovës. Sado që
edhe më herët ka pasur zëra se pas vdekjes së
presidentit Ibrahim Rugova, kjo parti do të kalojë
periudhën më të rëndë që nga themelimi,
megjithatë shpërthimet nuk janë pritur me vrullin
që ndodhi të shtunën mbrëmje.
Delegatë të Kuvendit VI u rrahën me grushte dhe
u gjuajtën me karrige. Kuvendi përfundoi me
sharje, ofendime e ofshamë nga dhimbjet. Nuk
kishte duartrokitje e sjellje të kulturuar, si ndodhi
vetëm disa orë më parë, kur Fatmir Sejdiu u
shpall kryetar i LDK-së.
Mund të përmenden edhe emrat e "të dalluarëve"
në këtë rrëmujë,apo të të arrestuarve dhe
të atyre që kërkuan ndihmën mjekësore. Ata
edhe mund të harrohen. Mirëpo, në historinë e
pluralizmit politik në Kosovë do të jetë e shkruar
se më 9 dhjetor 2006 u rrahën delegatët e
Kuvendit të LDK-së. Se e tëra ndodhi për shkak të
mungesës së komunikimit demokratik, të tolerancës
dhe të respektimit të rendit zgjedhor.
Ka edhe fakte të tjera që do të ngarkojnë zhvillimet
e ardhshme politike në Kosovë. E tëra
ndodhi në një Kuvend të cilin e udhëhiqte
kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Në të dy anët e tij
ishin ulur edhe dy udhëheqës të lartë, Kolë
Berisha, kryetar, dhe Sabri Hamiti, anëtar i Kryesisë
së Kuvendit të Kosovës. Rreth tij ishin edhe një
numër i madh i delegatëve në Kuvendin e
Kosovës, pastaj anëtarë të Grupit Negociues dhe
plot ministra e nënministra. Mos të përmendim
edhe veprimtarë e aktivistë, emri i të cilëve njihet
bashkë me lëvizjet e fundit për çlirimin e Kosovës.
Me një fjalë, aty ishte gati i tërë estabilishmenti
politik aktual. Njerëzit të cilët dinë të flasin për tolerancën,
respektimin e ligjit, funksionimin e institucioneve
dhe forcimin e unitetit, pikërisht në ditët
kur pavarësia duhet të trokasë në dyert e
Kosovës. Por, u pa se pikërisht këta njerëz dinë të
harrojnë se pse janë në institucione dhe cili është
misioni i tyre. U pa qartë se dinë të përdorin forcën
si argument, se për interesa grupore dhe individuale
dinë të fusin në përdorim edhe
mekanizmin e eliminimit dhe të puçeve.
Për fat të keq, të tërën e bënë duke u mbështetur
në demokraci dhe në interesat e Kosovës.
Ajo që ndodhi nuk është shkollë e demokracisë.
Nuk pamë asgjë që është në të mirë të Kosovës,
por as të anëtarësisë së LDK-së.
E ardhmja e LDK-së, por edhe e institucioneve ku
janë njerëzit e saj, është e mjegulluar. Ata që të
shtunën ishin në Sallën e Kuqe, sot, të hënën, a
do të përshëndeten mes vete, kur të takohen në
ambientet e Presidencës, në korridoret e Kuvendit
të Kosovës, në sallat e Qeverisë dhe në zyrat e
ministrave. Apo rrëmuja e së shtunës, përmes
njerëzve të LDK-së do të bartet edhe në institucione.
Këta njerëz, a do të vazhdojnë të identifikohen
si të Dacit e të Sejdiut, duke harruar se shumica
janë të zgjedhur me votën e popullit. Ata në
këtë mënyrë do të tregojnë se sa shumë dinë ta
keqpërdorin këtë votë.
Problemet më të mëdha tek do të vijnë. Do të
ishte mrekulli sikurse fryma e manifestuar në LDK
të mos reflektohet në institucione. Ky tash është
"mision impossible". Posaçërisht se pas fitores së
Fatmir Sejdiut janë paralajmëruar ndryshimet e
mundshme në Qeverinë e Kosovës. Ky mund të
jetë paralajmërim i kaosit institucional edhe për
faktin se sipas Kornizës Kushtetuese, Kosova duhet
të zgjedhë kryetar të ri.
Për fat të keq, hapat po ngatërrohen në
momentin shumë delikat për të ardhmen e këtij
populli - vetëm një muaj para se të hapet pakoja
e Ahtisaarit.
Kjo frikë është më e madhe për faktin se u pa se
LDK-së i mungon personaliteti që qetëson dhe që
bashkon, asaj si tërësi i mungon demokracia e
brendshme dhe tash nuk ka forcë që mund të
bashkojë taborret që të shtunën procesin zgjedhor
e finalizuan me grushte.
Tash edhe LDK-ja do të jetë tjetër. Ajo më nuk
mund të thotë se është forcë motorike e të gjitha
proceseve të avancuara. Përderisa nuk sanon
gjendjen, ajo do të jetë simbol i tensioneve, përplasjeve
dhe e destabilitetit
Krijoni Kontakt