
Postuar më parë nga
AVuniqi
Lufta për shtetin duhet të ndërtohet me pensionimin demokratik të Don
Kishotëve partiak
Demokratët e diasporës i kishin mësyrë me hygjym logut ku ndahej hisja e kulaqit "hyçmet" për të zbrazur energjin e akumuluar nga punët e krahut, por edhe nga demagogjitë klanore të organizimit familiar, e që arritje politike është organizimi i estradave muzikore dhe i humorit naiv, në shtetet prej nga vijnë
Agim Vuniqi, Farmington Hills
Nga haberet që vijnë nga Prishtina sipas Radio Kosovës kuptohet se në Prishtinë kishte pasur dridhje tektoniko-demokratike të tokës, ishte ky një tërmet i vogël demokratik, jo natyror, i shkaktuar nga forcat e brendshme tekno-demokratike, me dëme trupore. Mësohet se tekno-demokratët ushtruan mjeshtrin autoktone gati të harruar, atë të "pehlivanëve" që gjithnjë zgjonte atraktivitet sportiv dhe turistik në Dragashin e Sharit. Shfaqja festive e aranzhuar nga demokratët e LDK-së, zgjojë shumë kërshëri në vend dhe në diasporë. Demokratët e diasporës i kishin mësyrë me hygjym logut ku ndahej hisja e kulaqit "hyçmet" për të zbrazur
energjin e akumuluar nga punët e krahut, por edhe nga demagogjitë klanore të
organizimit familiar, e që arritje politike është organizimi i estradave muzikore dhe i humorit naiv, në shtetet prej nga vijnë. Nuk ndërtohet demokracia në Kosovë me bagazh turistik, ngase kuvendarët-turistë vijnë e shkojnë, ndërsa në Kosovë jetohet dhe frymohet shumë vështirë. Shfaqja dy aktëshe ishte e larmishme "upside-down", së pari u votua kryetari, dhe atë post e fitoi Dr. Fatmir Sajdiu me një diferencë 29 pikësh, 189:160, që ishte e mjaftueshme që fitoren ta shijojnë edhe përkrahësit e tij. Pra zgjedhja e kryetarit ishte dezert e menysë së
përgatitur nga "kuzhinieri" Eqrem Kryeziu. Në LDK fitoi lojaliteti institucional, që aq shumë i mungonte partisë, u zgjodhë edhe kryetari i ri si dezert i përfundimit të aktit të parë, që për kuvendarët ishte vetëm uvertyrë për të demonstruar më vonë angazhimin fizik të demokracisë reale atë të "stupsit demokratik". Shpejt do të harrohej Kuvendi i VI i LDK-së po të mos motivoheshin rivalët politikë pas leximit të listave të anëtarëve të Këshillit të përgjithshëm, ngase atë që ua kishin gatitur shpesh të tjerëve e përpinë vet, kështu e ka vota partiake - ose ta pranosh lojalitetin si kusht të krijosh karierë ose të rebelohesh dhe të shijon
pelimin e votës që të kthen në botën reale, atë të qytetarit të rëndomtë. Nuk do të konsiderohej i suksesshëm ky kuvend po të mos zbulohej logu i procesit demokratik që veç ishte lansuar më heret në kuvendet e disa degëve ai i "grushtit demokratik". Moderatorët stilist, reperë, si kujdestar të ngjarjeve të rëndësishme që vend e pa vend i emërojmë-historike, i ngritën kuvendarët në delirium, me interpretimin e suksesshëm të rep ekzekutimit muzikor "O llokum, o llokum dridhi b... pak më shumë". Skena e koncerteve ua kishte errësuar mendjen pjesëmarrësve, nuk ishin të pajtimit që shfaqja të përfundojë pa klithje triumfale, e meqë militantët agresiv nuk pajtohen me humbje, u kalua nga beteja e votave në atë të grushtave demokratik. Ishte krijuar përshtypja se kuvendi kishte kaluar në montoni dhe se duhej shtuar dinamizmi me identitet Dardan. U konstatua se ka pajtueshmëri koncensuale që shqiptarët janë të begatshëm me identitete prandaj për të argumenuar sa më fuqishëm këtë ndërruan edhe skenën, karrikat fillojnë të fluturojnë nga puna e zellshme e kuvendarëve të LDK-së. Ata përpiqeshin me zell të dëshmonin se projekti "taliban" është "talla valla" prandaj është normale nga ballkanasit plagjiatura. Ishin të tepërta rekuizitat ato duhej demoluar, më bukur është të ulen këmbkryq dhe t'ia gjuajnë njëri tjerit nga një duhan të mbështjellur me gazep (kishte filluar të venitej kujtesa e odave dhe
mjeshtria e mbështjelljes, se aty bile kishte rend, mbështillej ngadalë, por edhe flitej me rend) nga largësia, duke drejtuar edhe një mërhaba të nxehtë. Meqë nuk isha aty nuk mund të dijë saktësisht a kishte mysafir të ftuar nga sektet "shiite" dhe "sunni", meqë "haber kutia" nuk jepte veshjen, kuptova që shumica kishin praktikuar "trefërtalshin" si trend. Çudi përpara njerëzit protestonin në heshtje, kishin shumë probleme dhe nuk debatonin shume, ishin te sinqertë. Ndërsa tash kur filluan të kopjojnë pluralizmin demokratik përbrenda, çdo gjë u kthya në biznes fjalësh, më jep-të jap. Tash debatohet per çdo gjë, shumë fjalë boshe, dhe shumë thasë të mbushur me rrenë, dhe kur t'i ik fija thesit atëherë rrenët marrin frymë. Ndodhë nganjëherë në familjet e mëdha kosovare të lazdrohen fëmijtë dhe kur qethen berret përzihet leshi. Eshtë paksa e panatyrshme te qethen qingjat kohë pa kohë, ndoshta po majen shumë nga muhabetet demokratike. Dhe kur u porositën çunat demokrat t'i ftojnë anëtarët në "party" për t'i gostitur mysafirët me specialitete autoktone me primesa të primitivizmit ballkanas, ata turr e vrap-pa sherre, ashtu siç janë të sinqertë, shumë, japin kumtin para mysafirëve (ashtu si u ka hije me plotë sinqeritet) se paria është duke i qethur delet. Edhe pse raporti meteorologjik prezentonte kohën e kthjelltë pa të reshura: "grushta" e "thyrje karrikash", nuk doli i saktë. Fryjti një erë e madhe demokratike që përzieu leshin pluralist. Ishte vështire t'i fillohej fija lëmshit demokratik, ngase ishte përzier leshi, po të ishte i ngjyrosur do te ishte shumë më lehtë t'i gjindej fija, prandaj duhet plotësuar standardi multi racor, se atij multietnik i ka dalur boja. Sigurisht që të huajt, mysafirë, janë kënaqur me "show" spektaklin, mos
kujtoni që janë befasuar se edhe në Amerikë ka shumë spektakle televizive, vetëm dallojnë vendet, është ky pra yrnek demokratik, shumë origjinal dhe autentik. Sigurisht që në t'ardhmen do të përpunohet prokekti qe do të jetë i koduar me nuancë properëndimore "Pavarësia Don Kishotiste", se sigurisht problemi i rrymës në Kosovë nuk është në termocentrale por në mullinjtë e erës, dhe se lufta për shtetin duhet të ndërtohet me pensionimin demokratik të Don Kishotëve partiak që kanë ngritur shtizat kundër mullinjëve të pavarur të erës dhe orvaten t'ia ndryshojnë drejtimin erës demokratike, dhunshëm, për të prodhuar sa më shume enegji negative, se jemi rrasur me atë pozitive të KEK-ut dhe kështu do të na perzihet leshi të gjithëve. Dhe atëherë do t'a shajmë njëri tjetrin, tërë ditën.., pa të drejtë.
Krijoni Kontakt