Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Shkrimet e Hershme: Letra e Shën Ignat Hyjmbajtësit

    Ignati i Antiokisë

    Letra drejtuar efesianëve


    Shënim: të gjitha letrat e shën Ignatit, pasi janë përkthyer prej greqishtes së re, janë rishikuar, për hir të qartësisë dhe korrektësisë së përkthimit, duke i krahasuar me variantin në anglishte marrë nga “Early Christian Fathers”, Philadelphia, The Westminster Press, 1953. Shënimet në fund të faqes dhe në fillim të çdo letre janë marrë prej këtij të fundit, pasi janë redaktuar në përshtatje me nevojat e tekstit. Gjithashtu, pas pëkthimit jemi këshilluar dhe me “Hermeneia – Ignatius of Antioch”, Fortres Press, Philadelphia, 1985.

    Kjo letër u shkrua në Smirnë, ku Iganti dhe rojet e tij ushtarake bënë një ndalesë në rrugën e tyre për në Romë, që kalonte nga rruga veriore për në Troas, kjo është më e gjata nga letrat e tij. Katër delegatë, duke përfshirë peshkopin modest e të drojtur, Onesimin, ishin dërguar nga Kisha pranë e Efesit për të përshëndetur dhe inkurajuar dëshmorin. Njëri prej tyre, dhiakoni Burrus, më pas e shoqëroi Ignatin deri në Troas dhe ndoshta bëri kopistin e tij.
    Ignati gjen rastin të falenderojë efesianët për dashamirësinë e tyre. Ndërsa i lavdëron ata për njëshmërinë dhe ortodoksinë e tyre, i paralajmëron të ruhen nga skizma dhe herezia e përhapur docetiste, e cila ishte përhapur nga mësues endacakë.

    Unë, Ignati, që quhem edhe Theoforus , së bekuarës për madhështinë e përmbushjes së saj nga Perëndia Atë, e paracaktuar që përpara jetëve të gjendet përgjithmonë në lavdi të përhershme, të pandryshueshme, të bashkuar dhe të zgjedhurës me pësimin e vërtetë dhe vullnetin e Atit e të Jesu Krishtit, Perëndisë tonë, Kishës fatlume që gjendet në Efes të Azisë , i uroj të provojë gëzim shumë të madh e bashkuar me Jesu Krishtin.

    1. Pranova, me dëshirën e Perëndisë, emrin tënd shumë të dashur, të cilin e keni me natyrë të drejtë, në përputhje me besimin dhe dashurinë e Jesu Krishtit, Shpëtimtarit tonë dhe, duke qenë imituesit e Perëndisë, përmbushët plotësisht veprën që u është besuar duke e ripërtërirë me gjakun e Perëndisë. 2. Sepse, pasi dëgjuat se vij nga Siria i lidhur në pranga për hir të emrit tonë të përbashkët dhe të shpresës, duke shpresuar se me lutjen tuaj do të arrij në Romë të luftoj me bishat, që, kështu, të mund të bëhem nxënës, vrapuat të më shihnit. 3. Pra, ngaqë u gëzova, në emër të Perëndisë, nga turma juaj e madhe, i jam mirënjohës dashurisë së papërshkruar të Onesimit , i cili është peshkopi juaj sipas mishit , të cilin uroj ta doni ashtu siç dëshiron Krishti dhe t’i ngjani të gjithë. Se i lavdëruar është ai që ju dha një peshkop të tillë, pasi jeni të denjë.

    2. Gjithashtu, edhe për bashkëskllavin tim, Burrusin, i cili është dhjakoni juaj sipas Perëndisë dhe i bekuar në të gjitha, uroj të mbetet i qëndrueshëm që t’ju nderojë edhe ju edhe peshkopin. Por edhe Krokusi, i denji i Perëndisë edhe i juaji, të cilin e pranova si shembull të dashurisë suaj, më çlodhi në të gjitha. Dhe atë le ta lehtësojë Ati i Jesu Krishtit, bashkë me Onesimin dhe Burrusin, Euplin dhe Fronton, përmes të cilëve ju pashë të gjithëve juve me dashuri. 2. Do të dëshiroja shumë t’ju isha i dobishëm, natyrisht, nëse jam i denjë. Pra, i ka hije të lavdërojmë me çdo mënyrë Jesu Krishtin i cili ju lavdëroi, që, të bashkuar në një nënshtrim dhe duke u bindur peshkopit dhe pleqësisë të jeni të shenjtë në të gjitha.

    3. Nuk ju urdhëroj sikur të jem dikushi. Pasi, edhe pse jam në pranga për emrin e Tij, ende nuk jam plotësuar në mësimin e Jesu Krishtit. Pasi tani filloj të bëhem nxënës dhe ju drejtohem si bashkënxënësve të mi, sepse duhej që unë të vajosem prej jush me besim, këshillë, durim dhe zemërgjerësi. 2. Por, ngaqë dashuria nuk më lë të hesht për ju, parapëlqeva t’ju lutem të ecni me mendjen e Perëndisë. Sepse dhe Jesu Krishti, jeta jonë e pandarë, mendimi i Atit, ashtu si dhe peshkopët që janë caktuar në skajet e dheut, pasojnë mendjen e Jesu Krishtit.

    4. Prandaj, duhet të ecni së bashku me mendjen e peshkopit, gjë që edhe e bëni. Sepse pleqësia juaj e denjë dhe e lavdërueshme më Perëndinë është e bashkuar me peshkopin ashtu si telat në kitarë. Prandaj, me harmoninë tuaj dhe me dashurinë në një mendje lavdërohet Jesu Krishti. 2. Dhe disa prej jush të mblidheni që, duke qenë në një marrëveshje dhe në harmoni, duke pranuar karakterin e Perëndisë, të himnoni, nëpërmjet Jesu Krishtit , të bashkuar me një zë, Atin, që t’ju dëgjojë dhe t’ju njohë nëpërmjet atyre që bëni, duke qenë gjymtyrë të Birit të Tij. Pra, është mirë të gjendeni në bashkim të përsosur, që të jeni gjithmonë pjësëtarë të Perëndisë.

    5. Sepse, nëse unë në kaq kohë të shkurtër fitova kaq afërsi jo njerëzore, por frymore, me peshkopin tuaj, sa më tepër ju lumëroj juve që jeni të lidhur ngushtë me të, ashtu si Kisha me Jesu Krishtin dhe ashtu si Jesu Krishti me Atin, në mënyrë që gjithçka të jetë e harmonishme në bashkim. 2. Askush të mos mashtrohet; nëse dikush nuk gjendet brenda therores , atij i privohet buka e Perëndisë . Sepse, nëse lutja e njërit apo dyve ka fuqi kaq të madhe, sa më tepër lutja e peshkopit dhe e gjithë Kishës. 3. Ai, pra, që nuk vjen në mbledhje, ky vetë tregon krenari dhe ndan veten e tij. Sepse është shkruar: “Perëndia u qëndron kundër krenarëve” . Le të kujdesemi, pra, të mos i qëndrojmë përkundër peshkopit, që t’i nënshtrohemi Perëndisë.

    6. Dhe, kur shikon ndokush peshkopin të heshtë, t’i frikësohet më tepër; sepse atë që dërgon i zoti i shtëpisë si administrator të tij duhet ta pranojmë ashtu si atë që e dërgoi. Pra, është e qartë se peshkopin duhet ta shohim si vetë Zotin. 2. Vetë Onesimi lavdëron së tepërmi bindjen tuaj tek Perëndia, jetesën tuaj në përputhje me të vërtetën dhe se midis jush nuk ekziston asnjë herezi. Por ju nuk dëgjoni ndonjë tjetër, veç atij i cili ju flet të vërtetat në lidhje me Jesu Krishtin.

    7. Sepse disa e kanë zakon ta mbajnë emrin me mashtrime, ndërsa bëjnë disa gjëra që janë të pahijshme për Perëndinë. Këtyre duhet t’u shmangeni, sepse janë qen të tërbuar që kafshojnë fshehtas dhe duhet të parapërgatiteni për t’u ruajtur nga ata, sepse është vështirë të mjekohen. 2. Ekziston vetëm një një mjek trupor dhe shpirtëror, i lindur dhe i palindur, i cili u bë Perëndi i mishëruar, jetë e vërtetë, që vdiq, që erdhi nga Maria dhe nga Perëndia, së pari me pësim dhe njëkohësisht pa pësim, Jesu Krishti, Zoti ynë .

    8. Pra, të mos ju mashtrojë asnjë, ashtu sikundër dhe nuk mashtroheni, duke qenë të gjithë të Perëndisë. Sepse, kur nuk zë vend asnjë grindje midis jush, e cila mund t’ju mundojë, atëherë jetoni sipas dëshirës së Perëndisë. Jam lëmizhdja juaj dhe pastrohem për Kishën e Efesianëve, e famshme në shekuj. 2.Truporët nuk mund të bëjnë vepra shpirtërore , as shpirtërorët vepra trupore, ashtu si dhe besimi nuk mund t’i bëjë veprat e mosbesimit, as mosbesimi veprat e besimit. Por, ato që ju bëni janë shpirtërore, sepse i bëni të gjitha në Jesu Krishtin .

    9. Por, mësova se kaluan andej disa që dhanë mësim të keq, të cilët nuk i lejuat të mbjellin tek ju duke mbyllur veshët, në mënyrë që të mos pranonit ato që mbilleshin prej tyre, ngaqë jeni gurë të tempullit të Atit, të përgatitur për ndërtesën e Perëndisë Atë, që drejtoheni lartësive me vinçin e Jesu Krishtit, që është kryqi, duke përdorur për litar Shpirtin e Shenjtë. Përsëri, besimi juaj është ai që ju ngjit lart dhe dashuria është rruga që ju drejton tek Perëndia. 2. Ju të gjithë jeni pjesë të një procesioni që mbani brenda jush Perëndinë dhe tempullin, Krishtin dhe shenjtorët; të zbukuruar në të gjitha me urdhërimet e Jesu Krishtit, për të cilët gëzohem, ngaqë u bëra i denjë, me këto që shkruaj, të flas bashkë me ju dhe të gëzohem, sepse në gjithë jetën tuaj nuk deshët asgjë tjetër, përveç Perëndisë.

    10. Por, të luteni pa pushim dhe për njerëzit e tjerë, sepse ekziston tek ata shpresë pendimi që të fitojnë Perëndinë. U lejoni atyre, pra, të mësojnë nga veprat tuaja për t’u bërë dishepuj. 2. Përpara zemërimit të tyre të jeni të butë, përpara mburrjeve të tyre të jeni të përulur, blasfemivë të tyre t’u kundërvini lutjet, përpara mashtrimit të tyre të qëndroni të fortë në besim , në egërsinë e tyre të jeni të qetë, pa u nxituar t’i imitoni. 3. Le të bëhemi vëllezërit e tyre me butësi dhe të përpiqemi të jemi imituesit e Zotit, - kujt iu bë padrejtësi më tepër se Atij, kush u privua, kush u tradhëtua - që të mos gjendet brenda jush egjër e djallit, por të qëndroni trupërisht dhe shpirtërisht të bashkuar me Jesu Krishtin, me qashtëri dhe mendjekthjelltësi.

    11. Janë kohët e fundit; le të turpërohemi pra, le t’i frikësohemi zemërgjerësisë së Perëndisë, që të mos kthehen për dënimin tonë. Sepse, ose do t’i frikësohemi zemërimit të ardhshëm, ose do të duam hirin e tanishëm; një nga të dyja. Mjafton vetëm të jemi me Jesu Krishtin që të jetojmë me të vërtetë. 2. Pa atë asgjë të mos konsideroni të nevojshme, për të cilin unë mbaj prangat, margaritarët shpirtërorë, me të cilat uroj të ngjallem me lutjen tuaj, pjesë e së cilës uroj të jem gjithmonë, që të gjendem në të njëjtin short të të krishterëve efesianë, të cilët ishin gjithmonë bashkë me apostujt, nëpërmjet fuqisë së Jesu Krishtit.

    12. E di kush jam dhe cilëve u shkruaj. Unë jam i denjë për gjykim, ju të mëshiruar, unë gjendem në rrezik, ju jeni të mbrojtur. 2. Ju jeni hyrje e atyre që sakrifikohen për Perëndinë , jeni mësuar bashkë me Palin, të shenjtin, të vërtetin, fatlumin, në gjurmët e të cilit uroj të gjendem kur të fitoj Perëndinë, i cili ju kujton në çdo letër të tij në emër të Jesu Krishtit.

    13. Kujdesuni pra që të mblidheni më shpesh për të falenderuar dhe lavdëruar Perëndinë. Sepse, kur mblidheni shpesh bashkë, me njëshmërinë e besimit tuaj asgjësohen fuqitë e satanait dhe shpërbëhet shkatërrimi i tij. 2. Asgjë nuk është më e mirë se paqja, nëpërmjet së cilës asgjësohet çdo luftë qiellore dhe tokësore.

    14. Asgjë nuk na largon nga këto nëse kemi besim dhe dashuri absolute në Jesu Krishtin, i cili është fillimi dhe fundi i jetës; fillimi është besimi dhe fundi dashuria . Të dyja së bashku, kur bashkohen, janë Perëndia, ndërsa të gjitha të tjerat kanë si pasojë mirëdashjen. 2. Askush nuk mëkaton kur ka besim, as nuk urren kur ka dashuri. “Pema njihet nga fryti” , kështu edhe ata që vërtetojnë se i përkasin Krishtit do të njihen nga veprat e tyre. Pasi tani vepra nuk është çështje vërtetimi, por të qenët në besim të fortë deri në fund.

    15. Eshtë më mirë të mos flasë dikush dhe të jetë, sesa të flasë dhe të mos jetë. Mësimdhënia është e mirë kur ai që e jep mësim e zbaton. Pra, një është mësuesi “i cili tha dhe u bënë” , dhe ato që bëri pa folur janë vepra të denja të Atit të Tij. 2. Ai që ka me të vërtetë fjalën e Jesuit do të dëgjojë dhe heshtjen e tij. Kështu do të jetë i pësosur: fjalët do të jenë veprim dhe heshtja do të zbulojë karakterin e tij të vërtetë. 3. Asgjë nuk i shpëton kujdesit të Zotit, por edhe mendimet tona të fshehta janë pranë Tij. Pra, le të bëjmë gjithçka, sikur të banojë Ai brenda nesh, që të bëhemi tempujt e Tij dhe Ai të jetë Perëndia ynë brenda nesh , gjë e cila edhe është dhe do të shfaqet para nesh prej atyre që bëjmë duke e dashur Atë në mënyrë të drejtë.

    16. Mos u mashtroni vëllezërit e mi. Ata që shkatërrojnë shtëpi “nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë” . 2. Pra, përderisa vdesin ata që i bëjnë këto trupërisht, sa më tepër kur dikush, me mësimdhënien e keqe shkatërron besimin e Perëndisë, për të cilin u kryqëzua Jesu Krishti? Ky, mbasi u bë i papastër, do të drejtohet tek zjarri që nuk shuhet, e njëjta gjë do të ndodhë, gjithashtu, edhe me atë që e dëgjon.

    17. Prandaj edhe Krishti pranoi miro në kryet e Tij, që t’i jepte Kishës paprishjen. Mos u lyeni me erën e keqe të mësimdhënies së sunduesit të kësaj jete, që të mos ju robërojë që të mos ju robërojë që prej kësaj jete. 2. Por, pse të mos bëhemi të gjithë të urtë, pasi fituam njohjen e Perëndisë, që është Jesu Krishti? Përse të humbasim marrëzisht, pa e njohur dhuratën që me të vërtetë na e dërgoi Zoti?

    18. Për ata që nuk besojnë fryma ime e kryqit është skandal, e parëndësishme, ndërsa për ne është shpëtim dhe jetë e përjetshme. “Ku është i dituri, ku është skribi“ , ku është mburrja e atyre që quhen të urtë? 2. Sepse Perëndia ynë Jesu Krishti u mbajt në bark nga Maria sipas ekonomisë së Perëndisë, i ardhur, sigurisht, nga fisi i Davidit , por me anën e Shpirtit të Shenjtë; i cili u lind dhe u pagëzua për të pastruar ujin me pësimin e Tij.

    19. Virgjëria e Marisë dhe lindja e saj, gjithashtu edhe vdekja e Zotit, iu larguan vëmendjes së sunduesit të botës së tanishme - tre mistere buçitëse që u bënë me qetësi Perëndie . 2. Pra, si u shfaqën ndër shekuj? Një yll ndriçoi nga qielli më tepër se të gjithë yjet e tjerë dhe drita e tij ishte e papërshkrueshme; dhe ky yll shfaqur për herë të parë shkaktoi përshtypje të bujshme. Dhe të gjithë yjet e tjerë, bashkë me diellin dhe hënën, formuan një hark rreth këtij ylli, ndërsa drita e tij dallohej nga të gjitha të tjerat. Dhe u shkaktua tronditje, për faktin se kujt i kushtohej ky fenomen i saposhfaqur, i cili ishte i ndryshëm nga ata. 3. Kështu u shpërbë çdo magji dhe u zhdukën të gjitha prangat e ligësisë. Padija u asgjësua, mbretëria e vjetër u shkatërrua, ndërkohë që Perëndia shfaqej me formë njeriu për të sjellë risinë e jetës së përjetëshme , që fillonte prej Atij që ishte i përsosur pranë Perëndisë, prej nga ku fillonin të gjitha, sepse planifikohej asgjësimi i vdekjes.

    20. Nëse më denjëson Jesu Krishti, me lutjen tuaj, dhe është dëshirë e Tij, në letrën e dytë që do t’ju shkruaj do t’ju tregoj si fillova të kthehem tek njeriu i ri Jesu Krisht, në besimin e Tij dhe në dashurinë e Tij, në pësimin dhe në ngjalljen e Tij dhe, për më tepër, nëse Zoti më zbulon ndonjë gjë. 2. Të mblidheni të gjithë së bashku me hirin e emrit dhe me një besim në Jesu Krishtin, i cili trupërisht vjen nga fisi i Davidit dhe është Bir Njeriu dhe Bir Perëndie, që t’i bindeni peshkopit dhe priftërisë me mendje të paçoroditur, duke ofruar një bukë e cila është ilaç pavdeksie, kundërhelm që të mos vdisni, por të jetoni me Krishtin përgjithmonë.

    21. Unë ofrohem në vendin tuaj edhe për ato që dërguat për nder të Perëndisë në Smirnë, prej nga ku ju shkruaj, duke falenderuar Zotin, duke dashur Polikarpin ashtu si dhe ju. Të më kujtoni, ashtu sikundër dhe Jesu Krishti juve. 2. Të luteni për Kishën e Sirisë, nga ku i lidhur drejtohem për në Romë, ndonëse pse jam i fundit prej besimtarëve të atjeshëm, siç u denjësova të gjendem për nder të Perëndisë.
    Qofshi me shëndet me hirin e Perëndisë Atë dhe të Jesu Krishtit, i cili është shpresa e të gjithëve ne.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Per Kishen e Filadelfise

    Ignati i Antiokisë

    Letra drejtuar filadelfianëve


    Pasi lanë Smirnën, Ignati dhe rojet e tij shkelën në Troas, ku bënë një ndalesë përpara se të kalonin me det në Neapoli. Nga Troasi Ignati shkroi tre letrat e tij të fundit. Ndërsa temat e tyre janë ato të njohurat, njëshmëria e Kishës dhe herezitë, e veçanta e rëndësisë së tyre qëndron në faktin se ato u drejtohen kishave të cilat Ignati tashmë i ka vizituar. (Filadelfia ndodhet në rrugën që çon nga Laodicea në Smirnë). Sidoqoftë, letrat pasqyrojnë çështjet e mësimeve të rreme në detaje. Letra për filadelfianët tregon natyrën e gabimeve judaike të cilar janë prekur më parë në letrën për magnezianët; ndërsa ajo për smirneasit shtrihet mbi docetizmin.
    Dy miq të Ignatit, dhiakonët Filo dhe Reus Agathopus, duket se janë bashkuar me të në Troas pas një qëndrimi në Filadelfi. Ata sollën të reja nga Kisha e atjeshme si dhe mbi faktin se elementët kundërshtues të atjeshëm i kishin fyer dhe kishin sulmuar dëshmorin (kryet 6:3, 11). Për t’iu përgjigjur këtyre akuzave dhe për të çjerrë maskën e gabimeve të kundërshtarëve të tij, Iganti shkroi këtë letër. Një cilësi interesante e saj është referimi që i bën një debati aktual që pati me judaistët (kreu 8:2).

    Unë Ignati, që quhem dhe Theoforus, Kishës së Perëndisë Atë dhe Zotit Jesu Krisht që gjendet në Filadelfi të Azisë, të mëshiruarës dhe të mbështeturës në njëshmërinë e Perëndisë, e cila gëzohet me pësimin e Zotit tonë, pa dallime, dhe është e sigurt për ngjalljen me çdo përdëllim, të cilën e përshëndes me gjakun e Jesu Krishtit që përbën gëzim të përhershëm dhe të përjetshëm, sidomos kur është e bashkuar me peshkopin , priftërinjtë dhe dhiakonët, të cilët janë të përkushtuar së bashku me të në mendjen e Jesu Krishtit, të cilët në përputhje me vullnetin e Tij i mbështeti në besim dhe me Frymën e Tij të shenjtë.

    1. Unë e di se ky peshkop nuk e fitoi nga vetja shërbesën që i përket popullit, “as nuk e mori nga njerëzit“ , as me mendjemadhësi, por me dashurinë e Perëndisë Atë dhe të Zotit Jesu Krisht, për butësinë e të cilit qëndroj i habitur, sepse ai kur hesht thotë më tepër nga ata që flasin pa u menduar. 2. Sepse u pështat me urdhërimet, ashtu si kitara me telat. Prandaj lumëron shpirti im qëndrueshmërinë dhe gjakftohtësinë e tij, brenda kuadrit të çdo butësie të Perëndisë së gjallë.

    2. Pra, bij të dritës së vërtetë, t’i shmangeni përçarjes dhe mësimeve të këqija dhe ku ndodhet bariu, atje të shkoni, si dele . 2. Sepse shumë ujqër që frymëzojnë besueshmëri me kënaqësinë e keqe robërojnë ata që ndjekin rrugën e Perëndisë, por, kur jeni të bashkuar, nuk kanë vend mes jush.

    3. Mënjanoni egjërin të cilin nuk e kultivon Jesu Krishti, sepse ajo nuk është e mbjellë e Atit . Dhe i shkruaj këto jo ngaqë gjeta mes jush përçarje, por pastrim. 2. Sepse sa janë të Perëndisë dhe të Jesu Krishtit, ata ndodhen bashkë me peshkopin dhe, përsëri, sa pendohen dhe kthehen në njëshmërinë e Kishës edhe ata do të bëhen të Perëndisë, që të jetojnë në përputhje me vullnetin e Jesu Krishtit. 3. Vëllezërit e mi, mos u mashtroni; ai i cili pason atë që shkakton ndarje “nuk trashëgon Mbretërinë e Perëndisë” . Ai që ndjek mendje të huaj nuk është dakort me pësimin.

    4. Pra kujdesuni të merrni pjesë në një falenderim, sepse një është trupi i Zotit tonë Jesu Krisht , dhe një gotë që na bashkon me gjakun e Tij; një therore, ashtu si një peshkop bashkë me priftërinjtë dhe dhiakonët, bashkëshërbëtorët e mi, në mënyrë që çfarëdo që të bëni, ta bëni ashtu si e do Perëndia.

    5. Vëllezërit e mi, jam shumë i kënaqur sepse ju dua dhe ju siguroj me ngazëllim të jashtëzakonshëm, sigurisht, jo unë, por Jesu Krishti, për të cilin jam i lidhur në pranga, por edhe frikësohem ngaqë nuk jam ende i plotësuar . Por, lutja juaj do të më plotësojë sipas Perëndisë, që të arrij shortin që më është ra, duke pasur si përikje Ungjillin, si të jetë trupi i Jesuit dhe apostujt, si të jenë priftërinjtë e Kishës. 2. Madje të duam edhe profetët, sepse edhe ata predikuan në Ungjill, shpresuan në të dhe e pritën dhe, pasi besuan në të, u shpëtuan, duke qenë të bashkuar me Jesu Krishtin, shenjtorë të dashur dhe të admirueshëm, të shpallur nga Jesu Krishti dhe të bashkuar në Ungjillin e shpresës së përbashkët.

    6. Por, nëse dikush ju interpreton judaizmin, të mos e dëgjoni , sepse është më mirë që një burrë i rrethprerë të dëgjojë për krishtërimin, sesa ai që nuk është rrethprerë të dëgjojë për judaizmin. Nëse të dy nuk flasin për Jesu Krishtin, këta për mua janë qivure dhe varre të vdekurish , mbi të cilët janë shkruar emra njerëzish. 2. Si përfundim, largojuni mjeshtërive të liga dhe kurtheve të sunduesit të kësaj bote, sepse ndoshta të dhunuar nga mendja e tij dobësohet dashuria juaj dhe mblidhuni të gjithë së bashku me zemër të pandarë. 3. E falenderoj Perëndinë tim sepse nuk më vret ndërgjegja ime për ju dhe askush nuk mund të mburret as fshehtas as dukshëm se u bëra barrë e ndonjërit, e vogël ose e madhe dhe uroj që të gjitha sa thashë të mos i mbajnë si elemente tregues.

    7. Sepse, megjithëse disa dëshiruan të më mashtrojnë si njeri, por fryma që është prej Perëndisë nuk mashtrohet. “Sepse e di nga vjen dhe ku shkon” dhe heton të fshehtat . Thërrita fort midis atyre që fola, me zë të lartë, me zë Perëndie: t’i përkushtoheni peshkopit, priftërisë dhe dhiakonëve. 2. Nëse disa dyshojnë se i thashë këto sepse e di largimin e disave, dëshmitari im është ai për të cilin jam i lidhur në pranga, se nuk e mësova nga njeriu, por fryma më tregoi duke thënë këto: “Pa peshkopin të mos bëni asgjë”. Të ruani trupat tuaj si tempuj të Perëndisë, duajeni njëshmërinë, shmangni përçarjen, bëhuni imituesit e Krishtit, ashtu si dhe ai është imitues i Atit të tij.

    8. Edhe unë bëra të njëjtën gjë, si njeri i edukuar për njëshmërinë. Sepse atje ku ka përçarje dhe zemërim, nuk banon Perëndia. Të gjithë, pra, ata që pendohen, i fal Zoti, nëse pendohen që të bashkohen me Perëndinë dhe të pasojnë peshkopin. Besoj në hirin e Jesu Krishtit, i cili do të shkëputë prej jush çdo lidhje robërie . 2. Gjithashtu, ju lutem të mos bëni asgjë me dëshirë grindjeje, por si nxënës të Krishtit; sepse dëgjova disa që thoshin: “Nëse nuk e gjej në arkiva, nuk i besoj Ungjillit” dhe kur u thashë: “Është i shkruar”, m’u përgjigjën se kjo çështje është ende nën diskutim. Për mua arkiv është Jesu Krishti, arkiva të pacënuara janë kryqi i tij, vdekja, ngjallja e Tij dhe besimi nëpërmjet Tij, për të cilat dëshiroj të bëhem i denjë me lutjen tuaj.

    9. Të mirë janë edhe priftërinjtë, por më i lartë është kryeprifti, të cilit i janë besuar të shenjtat e të shenjtave, të vetmit të cilit i janë besuar misteret e Perëndisë. Ky është dera e Atit , nëpërmjet të cilës hyjnë Abrahami, Isaku, Jakobi, profetët, apostujt dhe Kisha. Të gjitha këto për njëshmërinë e Kishës. 2. Por Ungjilli ka diçka të veçantë: praninë e Shpëtimtarit, Zotit tonë Jesu Krisht, pësimin e tij dhe ngjalljen. Sepse profetët e dashur e shpallën, por Ungjilli është përmbushje pavdekësie. Të gjitha së bashku janë të mira, nëse besoni me dashuri.

    10. Meqë, sipas lutjes suaj dhe dashurisë që keni të bashkuar me Jesu Krishtin, mora vesh se Kisha e Antiokisë në Siri është në paqe, ju takon ju, si Kishë e Perëndisë, të caktoni një dhiakon që të dërgohet atje si ndërmjetës i Perëndisë, që të gëzohet bashkë me ta kur të mblidhen të gjithë dhe të lavdërojnë emrin e Perëndisë. 2. Është i lumur në emrin e Jesu Krishtit ai që do të bëhet i denjë të marë përsipër këtë shërbesë, por edhe ju do të lavdëroheni. Nëse dëshironi ju, nuk është e pamundur të dërgohet për emrin e Perëndisë, gjë që e bënë dhe Kishat e afërta, të cilat dërguan peshkopë, priftërinj dhe dhiakonë.

    11. Për Filon, dhiakon nga Kilikia, burrë i provuar, i cili dhe tani më shërben në fjalën e Perëndisë, bashkë me Reus Agathopus, burrë i zgjedhur, i cili më pason nga Siria duke braktisur jetën, të cilët dhe ju japin siguri, dhe unë falenderoj Perëndinë për ju që i pranuat, ashtu si dhe Zoti ju pranoi ju. Por ata që nuk i nderuan uroj të shpëtohen me hirin e Jesu Krishtit. 2. Ju përshëndet dashuria e vëllezërve të Troasit, nga ku ju shkruaj nëpërmjet Burrusit, i cili u dërgua ndershmërisht bashkë me mua nga efesianët dhe nga smirneasit. Uroj t’i nderojë Zoti Jesu Krisht, në të cilin shpresojnë me trup, shpirt, besim, dashuri dhe njëshmëri.
    Qofshi shëndoshë, të bashkuar me Jesu Krishtin, i cili është shpresa jonë e përbashkët.

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Letra drejtuar magnezianëve

    Ignati i Antiokisë

    Letra drejtuar magnezianëve


    Ashtu si efesianët, të krishterët në Magnezi (një vend përreth pesëmbëdhjetë milje larg Efesit) dërguan delegatë për të përshëndetur Ignatin në Smirnë. Midis tyre ishte dhe peshkopi riosh, Damasi. Në letrën e tij për ta Ignati i udhëzon të mos shpërdorojnë rininë e peshkopit të tyre, nxjerr në pah rëndësinë e unitetit dhe nënshtrimit ndaj punëtorëve të Kishës dhe i paralajmëron të ruhen nga gabimet judaike.

    Unë Ignati, që quhem dhe Theoforos, së bekuarës me hirin e Perëndisë Atë nëpërmjet Jesu Krishtit Shpëtimtarit tonë, në emrin e të cilit përshëndes Kishën që ndodhet në Magnezi, pranë Meandrit dhe i uroj të ketë gëzim të madh e bashkuar me Perëndinë Atë dhe Jesu Krishtin.

    1. Duke njohur dashurinë tuaj shumë harmonike sipas Perëndisë, me ngazëllim parapëlqeve t’ju drejtohem me besimin e Jesu Krishtit. 2. Sepse, ngaqë u bëra i denjë të kem një emër që i shkon përshtat Perëndisë, me prangat që mbaj, duke parë Kishat, u uroj atyre të jenë të bashkuara me mishin dhe Frymën e Jesu Krishtit, që të jetojmë përjetësisht, me besim dhe dashuri, para së cilës asgjë nuk është më e pëlqyer dhe, më kryesorja, prej dashurisë së Jesuit dhe të Atit, 3. bashkuar me të cilin, pasi të durojmë dhe t’i largohemi çdo shqetësimi të sunduesit të kësaj bote, do të fitojmë Perëndinë.

    2. Pata fatin e mirë t’ju shoh nëpërmjet peshkopit tuaj të denjë më Perëndinë, Damasit dhe priftërinjve të denjë Basit dhe Apolonit dhe të bashkëskllavit tim, dhjakonit Zotion, të cilin e çmoj ngaqë i bindet peshkopit sikur t’i bindet hirit të Perëndisë dhe priftërisë sikur t’i bindet ligjit të Jesu Krishtit.

    3. Por edhe ju duhet të mos shqetësoheni nga mosha e peshkopit, por, sipas fuqisë së Perëndisë Atë, t’i shfaqni respekt, ashtu si mësova se bëjnë dhe priftërinjtë, të cilët nuk i kushtojnë vëmendje moshës së re që tregon, por, si të urtë më Perëndinë, e pranojnë, ose më mirë jo atë, por Atin e Jesu Krishtit, që është peshkopi i të gjithëve. 2. Pra, për nder të Atij që na deshi, duhet të bindeni pa ndonjë hipokrizi, sepse asnjëri nuk mashtron atë peshkop që duket, por mashtron të padukshmin. Dhe kjo nuk është diçka që i përket njeriut, por Perëndisë që njeh të fshehtat.

    4. Është e domosdoshme, pra, jo vetëm të quheni të krishterë, por edhe të jeni; ashtu si dhe disa e quajnë peshkop, por bëjnë gjithçka pa lejen e tij. Këta nuk më duken se janë të vetëdijshëm, pikërisht sepse nuk mblidhen sipas porosisë.

    5. Meqë gjërat kanë fund dhe gjenden përpara nesh që të dyja, edhe vdekja edhe jeta, prandaj dhe çdonjëri do të shkojë “në vendin e tij” . 2. Sepse, ashtu siç ekzistojnë dy monedha, njëra e Perëndisë dhe tjetra e botës dhe secila ka pamjen e saj, kështu dhe jobesimtarët kanë pamjen e kësaj bote, ndërsa besimtarët me dashuri kanë pamjen e Perëndisë Atë nëpërmjet Jesu Krishtit dhe, nëse nuk vdesim vullnetarisht nëpërmjet tij në pësimin e tij, jeta e tij nuk do të ekzistojë tek ne.

    6. Meqenëse, pra, ju pashë të gjithëve me besim dhe ju desha tek personat e sipërpërmendur, ju porosis të keni kujdes t’i bëni të gjitha me njëshmëri Perëndie; të udhëheqë peshkopi duke simbolizuar Perëndinë dhe priftërinjtë duke simbolizuar apostujt ndërsa dhiakonët, të dashurit e mi të veçantë, të jenë të ngarkuar me shërbesën e Jesu Krishtit, i cili ishte pranë Atit përpara jetëve dhe së fundi u shfaq. 2. Pasi të gjithë keni marrë të njëjtën pozitë të Perëndisë, të respektoni njëri-tjetrin dhe askush të mos e shikojë të afërmin e tij trupërisht, por ta doni gjithmonë njëri-tjetrin të bashkuar me Krishtin. Të mos ketë mes jush asgjë që mund t’ju ndajë, por bashkohuni me peshkopin dhe me të parët si shembull mësimdhënieje dhe pavdekësie.

    7. Pra, ashtu si Zoti nuk bëri asgjë pa Atin edhe pse ishte i bashkuar me të, as nga vetja e tij, as nëpërmjet apostujve, ashtu dhe ju të mos bëni asgjë pa peshkopin dhe priftërinjtë, as të mos bëni diçka vetëm, veçanërisht mes jush, diçka që duket e natyrshme, por në mbledhje. Një lutje, një përgjërim, një mendje, një shpresë me dashuri, me gëzim të përsosur, që është Jesu Krishti, përmbi të cilin nuk ekziston asgjë. 2. Të vraponi të gjithë tek Perëndia si në një tempull dhe si në një therore tek një Jesu Krisht, i cili erdhi nga një Atë, ndërkohë që ishte një me të dhe u kthye tek ai.

    8. Të mos tërhiqeni nga ndasitë, as nga përrallat e vjetra që janë të padobishme. Sepse, nëse deri tani vazhdojmë të jetojmë sipas mënyrës judaike, kemi pohuar se nuk morëm hir. 2. Sepse profetët e hyjshëm jetuan sipas Jesu Krishtit. Prandaj dhe u përndoqën, të frymëzuar nga hiri i Tij që të bindnin ata që nuk bindeshin se ekziston një Perëndi i cili e shfaqi veten e Tij nëpërmjet Jesu Krishtit Birit të Tij, që është Fjala e Tij, i cili erdhi prej heshtjes dhe i pëlqeu në të gjitha Atij që e dërgoi.

    9. Përderisa ata që u rritën me gjërat e vjetra, u afruan në shpresën e re dhe nuk ruajnë më të Shtunën, por jetojnë në përputhje me Ditën e Zotit, prej së cilës lindi dhe jeta jonë, nëpërmjet Atij dhe vdekjes së Tij, - gjë që disa e mohojnë ; me këtë mister morëm besimin dhe prandaj durojmë, që të bëhemi nxënës të Jesu Krishtit, Mësuesit tonë të vetëm. 2. Si do të mundnim të jetonim pa Atë të cilin dhe profetët, duke qenë nxënësit e tij me anë të Frymës, e pritën si mësues, prandaj ai, të cilin me të drejtë e prisnin, kur erdhi, i ngjalli prej së vdekurësh?

    10. Pra, le të mos tregojmë pandjeshmëri përkundrejt mirësisë së tij sepse, nëse na imiton në ato që bëjmë, nuk do të ekzistonim më. Prandaj, pasi u bëmë nxënësit e tij, le të mësojmë të jetojmë sipas mënyrës së krishterë, sepse ai që thirret me emër tjetër përveç atij, nuk i përket Perëndisë. 2. Braktisni, pra, brumin e keq i cili u vjetërua dhe u thartua, dhe shndërrohuni në brumë të ri që është Jesu Krishti. Kriposuni me të që midis jush të mos kalbet asnjëri, sepse do të gjykoheni nga era. 3. Është e pavend të flisni për Jesu Krishtin dhe të jetoni sipas judaizmit. Sepse nuk besoi krishtërimi në judaizëm, por judaizmi në krishtërim, në të cilin, pasi besuan të gjitha gjuhët, u përqendruan tek Perëndia .

    11. Këto, të dashurit e mi, i shkruaj jo ngaqë mësova se disa prej jush ndodhen në këtë gjendje, por si më i vogli prej jush dua t’ju ruaj të mos bini në grepat e mendjemadhësisë, por të jeni në dijeni për lindjen, pësimin dhe ngjalljen, që u bënë në kohën e sundimit të Pontit Pilat, se u bënë me të vërtetë dhe patjetër nga Jesu Krishti, shpresës sonë, prej së cilës të mos ndodhë të devijojë ndonjë prej jush.

    12. Do të dëshiroja t’ju isha i dobishëm për gjithçka, sigurisht, nëse jam i denjë. Sepse, edhe pse jam i lidhur, nuk jam si një nga ju të zgjidhurit. E di që nuk krenoheni, sepse keni brenda jush Krishtin dhe madje, kur ju lavdëroj, e di që turpëroheni, ashtu siç është shkruar se “i drejti akuzon veten e vet” .

    13. Pra, të kujdeseni të bindeni plotësisht për dogmat e Zotit dhe të apostujve “që të bekohen gjithësa bëni” trupërisht dhe shpirtërisht, me besim dhe dashuri, të bashkuar me Birin, me Atin dhe me Frymën, në fillim dhe në fund, bashkë me peshkopin tuaj të denjë dhe me kurorën shpirtërore, e cila është e denjë për t’i thuret priftërisë suaj dhe me dhjakonët tuaj të perëndishëm. 2. Bindjuni peshkopit dhe njëri-tjetrit, ashtu siç iu bind Krishti Atit si njeri, dhe apostujt Krishtit, Atit dhe Frymës, që të ekzistojë bashkim trupor dhe shpirtëror.

    14. Duke ditur se jeni të mbushur prej Perëndisë, ju dërgova disa këshilla të shkurtra. Të më kujtoni në lutjet tuaja që të fitoj Perëndinë; kujtoni gjithashtu dhe Kishën e Sirisë – prej nga ku nuk jam i denjë të quhem. Sepse kam nevojë të madhe për lutjen dhe dashurinë tuaj të bashkuar me Perëndinë - që Kisha e Sirisë të bëhet e denjë të freskohet nëpërmjet Kishës suaj.

    15. Ju përshëndesin efesianët nga Smirna, prej nga ku po ju shkruaj, që janë këtu për lavdinë e Perëndisë, ashtu si dhe ju, të cilët më dhanë lehtësim në të gjitha, bashkë me peshkopin e smirneasve, Polikarpin. Gjithashtu, ju përshëndesin edhe Kishat e tjera që nderojnë Jesu Krishtin. Qofshi shëndoshë, me njëshmëri sipas Perëndisë duke patur Frymën që nuk bën dallime dhe që është Jesu Krishti.

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Letra drejtuar Polikarpit

    Ignati i Antiokisë

    Letra drejtuar Polikarpit


    Bashkë me letrën për Kishën e Smirnës, Ignati i shkroi dhe peshkopit të asaj Kishe, Polikarpit. Polikarpi, një nga figurat më të shquara të Kishës së Hershme, i cili kurorëzoi moshën e tij të vjetër me martirizim, i kishte dhënë Ignatit një mirëseardhje dashamirëse, të cilën ky i fundit e përmend në letra të tjera (Ef. kreu 21; Mag. kreu 15). Kjo është një letër intime dhe personale – më e shkurtra nga të gjitha. Polikarpi ishte më i riu nga të dy, ndoshta në fillim të të dyzetave dhe Ignati është karakteristikisht i drejtpërdrejtë në këshillat e tij. Që Ignati nderohej në mënyrë të veçantë prej peshkopit të Smirnës është e qartë nga letra për Filipianët dhe nga koleksioni i korrespondecës me Ignatin (Polikarpi, Fil. kreu 13).
    Ndjenja e solidaritetit të krishterë i cili mblidhte bashkë kishat vendore është i dukshëm prej delegacioneve të ndryshme që Ignati priti në Smirnë. Sidoqoftë, sugjerimi në letrën për filadelfianët dhe i përsëritur edhe këtu për Polikarpin, që kishat duhet të dërgojnë delegatë në Antiokinë Siriane për të përshëndetur të krishterët në mbarim të përndjekjes, është një dëshmi treguese për ndërgjegjen e përbotshme mbi bashkësinë vendëse. Në kohë kur udhëtimi nuk ishte as i lehtë dhe as i parrezikshëm, dërgimi i lajmëtarëve të tillë rreflekton njëshmërinë e thellë të vëllazërisë së krishterë.

    Unë Ignati, që quhem dhe Thoforus, peshkopit të Kishës së smirneasve, Polikarpit, i cili shqyrtohet nga Perëndia Atë dhe Zoti Jesu Krisht, i uroj të ketë gëzim të madh.

    1. Duke miratuar mendimin tënd në përputhje me Perëndinë që mbështetet si mbi një shkëmb të palëkundshëm, të çmoj jashtë mase, pasi u bëra i denjë të takoj personin tënd të paqortueshëm, dobinë e së cilit do ta dëshiroja në emër të Perëndisë. 2. Të lutem, në emër të hirit që mbart, të vazhdosh rrugën tënde dhe t’i përkrahësh të gjithë në besim, që të shpëtohen. Të ruash vendin me çdo përkujdesje trupore dhe shpirtërore1. Të kujdesesh për njëshmërinë, prej së cilës nuk ka gjë më të lartë. T’i durosh të gjithë, ashtu si Zoti të duron ty. “T’i durosh të gjithë me dashuri”2, ashtu si dhe bën. 3. Të përkushtohesh në lutjet e pandërprera. Të kërkosh më tepër urtësi nga ajo që ke. Të qëndrosh zgjuar, duke patur frymë të pafjetur. Çdo burri foli sipas mënyrës që i përshtatet Perëndisë. “Duro dobësitë”3 e të gjithëve si atlet i përsosur. Atje ku ushtrohet më tepër mundim, atje ka dhe shumë fitim.

    2. Nëse do nxënësit e mirë, nuk do të kesh hir. Të nënshtrosh më të dobëtit me butësi. Çdo plagë nuk kurohet me të njëjtin ilaç. Hidhërimet t’i ndalosh me kompresa. 2. “Të jesh në të gjitha i urtë si gjarpëri dhe i pastër si pëllumbi”4. Prandaj je trupor dhe shpirtëror, në mënyrë që të kesh favoret e botës së dukshme5; dhe të kërkosh të shfaqen të padukshmet, që të mos mbetesh prapa në asgjë dhe të kesh tepricë të çdo dhuntie. 3. Rrethanat të kërkojnë, ashtu siç kapedanët kërkojnë erërat dhe siç ai që përballon furtunën kërkon limanin, që të arrish Perëndinë. Të jesh i arsyeshëm si atlet i Perëndisë. Çështja e mosprishjes është jetë e përjetshme për të cilën dhe ti je i bindur. Garanci për të gjitha të bëhem unë dhe prangat e mia, të cilat i dashurove.

    3. Ata që duken se janë besimtarë dhe mësojnë gjëra të ndryshme, të mos të të habisin6. Qëndro i fortë si kudhra që goditet. Është veti e atletit të madh të goditet dhe të fitojë. Madje, ne duhet t’i durojmë të gjitha për Perëndinë që edhe Ai të na durojë ne. 2. Bëhu më i kkujdesshëm. Studio kohërat. Prit atë që është përtej kohës, të padukshmin, atë që për ne u bë i dukshëm, të paprekshmin, atë që nuk pëson, atë që për ne u bë i pasionshëm, që vuajti për ne me çdo mënyrë.

    4. Vejushat të mos lihen mënjanë. Pas Zotit kujdesu ti për ato. Asgjë të mos bëhet pa miratimin tënd, as ti mos bëj diçka pa pëlqimin e Perëndisë, gjë që nuk e bën. Të jesh i qëndrueshëm. 2. Të bëhen mbledhje më të shpeshta; t’i kërkosh të gjithë emër për emër. 3. Mos përbuz shërbëtorët dhe shërbëtoret7, por dhe ata të mos fryhen nga krenaria, por të punojnë më tepër për lavdinë e Perëndisë, që të fitojnë liri më të madhe prej Perëndisë. Të mos dëshirojnë të lirohen nga Zoti i përbashkët, që të mos bëhen skllevër të dëshirës.

    5. Shmangiu mashtrimeve dinake, ose më mirë bëj fjalime për këto. Motrave të mia t’u thuash të duan Zotin dhe dhe të kënaqen në mish e në shpirt me bashkëshortët e tyre. Në të njëjtën mënyrë, porositi edhe vëllezërit e mi në emër të Jesu Krishtit të duan bashkëshortet e tyre, ashtu si Zoti deshi Kishën8. 2. Nëse ndokush mund të qëndrojë i pastër, le të qëndrojë pa mburrje për nder të trupit të Zotit. Nëse krenohet, humbi, dhe nëse bëhet i njohur më tej se peshkopi, u shkatërrua. Ata dhe ato që martohen të bashkohen me lejen e peshkopit, që martesa e tyre të jetë sipas Zotit dhe jo sipas dëshirës trupore. Të gjitha të bëhen për nder të Perëndisë.

    6. Kujdesuni për peshkopin që edhe Perëndia të kujdeset për ju. Ofertë për ata që i binden peshkopit, priftërinjve dhe dhjakonëve, u bëhem unë dhe paça pjesë tek Perëndia bashkë me ata. Të mundohemi bashkë me të tjerët, përpiquni së bashku, vraponi së bashku, vuani së bashku, flini dhe zgjohuni si administratorë të Perëndisë, përfaqësues dhe shërbëtorë të Tij. 2. Bëhuni të pëlqyshëm tek Ai që u rekrutoi, prej të cilit fitoni dhe ushqimet9. Asnjë nga ju të mos bëhet dezertor. Pagëzimi juaj të qëndrojë si armë, besimi si përkrenare, dashuria si heshtë, durimi si parzmore10. Rezervat tuaja të jenë veprat tuaja, në mënyrë që t’ju kthehen denjësisht si para të rezervuara për ruajtje11. Pra, tregoni zemërgjerësi midis jush, me butësi, ashtu si Perëndia me ju. Do të dëshiroja shumë t’ju shfaqem i vlefshëm për gjithçka.

    7. Meqenëse Kisha e Antiokisë së Sirisë është në paqe, ashtu si më lajmëruan, me lutjen tuaj dhe unë u bëra më i gëzuar në mosharresëm e Perëndisë, sigurisht, nëse me pësimin tim fitoj Perëndinë që ditën e ngjalljes të jem nxënësi juaj. 2. Polikarp i lumur, duhet të bësh mbledhje të pëlqyeshme tek Perëndia dhe të dorëzosh dikë, të cilin e keni të dashur dhe të palodhur, i cili do të mund të quhet njeri që ecën në rrugën e Perëndisë dhe ai të tregohet i denjë të shkojë në Siri, të lavdërojë dashurinë tuaj të palodhur për lavdinë e Perëndisë. 3. I krishteri nuk e sundon veten e tij, por është në dëshirën e Perëndisë. Kjo vepër, kur të përmbushet, do të jetë e Perëndisë dhe e juaja, sepse besoj tek hiri, se jeni gati të bëni bamirësi që i përket Perëndisë. Duke njohur fuqinë e plotë të së vërtetës suaj, ju luta me pak fjalë.

    8. Por, meqenëse nuk munda t’u shkruaja të gjitha kishave, pasi, papritur, do të lundroj nga Troasi në Neapoli, ashtu si urdhëron dëshira e Perëndisë, shkruaju kishave të mëparshme që, duke patur mendjen e Perëndisë, edhe ato të bëjnë të njëjtat gjëra, në mënyrë që sa të munden të dërgojnë këmbësorë dhe të tjerët të dërgojnë letra nëpërmjet atyre që dërgon ti, që të lavdëroheni me vepër të përjetshme, sepse je i denjë. 2. Ju përshëndes të gjithëve sipas emrave dhe vejushën12 e Epitropit bashkë me shtëpinë dhe fëmijët e saj. Përshëndes Atalin tim të dashur. Përshëndes atë që do të bëhet i denjë të shkojë në Siri. Qoftë hiri me të për gjithçka dhe me Polikarpin që e dërgon. 3. Lutem të jeni gjithmonë të shëndetshëm, të bashkuar me Perëndinë tonë Jesu Krishtin në të cilin qëndroni me njëshmëri dhe me mbikqyrjen e Perëndisë. Përshëndes Alkin, emrin tim të dashur.
    Qofshi shëndoshë në emër të Zotit.

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Letra drejtuar romanëve

    Ignati i Antiokisë

    Letra drejtuar romanëve


    Letrën e tij të fundit nga Smirna Ignati e shkruan për Kishën e Romës. Ndryshe nga letrat e tjera të tij, kjo nuk merret me çështje herezie dhe njëshmërinë e Kishës. Kjo letër është më tepër një dokument personal. Në të ai zbulon fare qartë shpirtin e dëshmorit oriental; dhe, në një mënyrë të dyfishtë, është një letër që përgatit udhën e tij drejt martirizimit. Në njërën anë është kërkesë për romakët që të mos ndërhyjnë për të shmangur vdekjen e tij. Në anën tjetër është, ashtu siç ishte, një letër për veten e tij, për ta forcuar atë për gjyqin e ardhshëm. Letra shfaq një tepri zelli që ngjan i çuditshëm për shumë nga ne dhe madje i papajtueshëm për disa. Gjithsesi, duhet të lexohet nën dritën e faktit se Ignati ishte i torturuar nga brutaliteti i rojeve të tij romake (“dhjetë leopardët” e tij, diç i quan ai, kreu 5:1) dhe reagon me mospërmbajtjen e një njeriu që tashmë i është marrë jeta. Disa do të gjejnë në letër një mazokizëm pervers; disa do të shquajnë në të shkëlqimin e shpirtit të dëshmorit. Por, sidoqoftë, asnjëri s’do të humbasë prej vëmendjes sinqeritetin e zjarrtë ose zellin kurajoz të një dishepulli për të vuajtur me Zotin e tij.
    Rroli domethënës që Kisha Romake zinte në imagjinatën e Ignatit është e qartë nga përkushtimi lavdërues, me theksimin e madhësisë së hirit të asaj Kishe dhe me përmendjen e Pjetrit dhe Palit (në këtë radhë!) në kreun 4:3.

    Unë Ignati, që quhem dhe Theoforus, së mëshiruarës nga madhështia e të Lartit Atë dhe Jesu Krishtit, Birit të Tij të vetëm, Kishës, të dashurës dhe të ndriçuarës me vullnetin e Atij që i deshi të gjitha gjërat që ekzistojnë me dashurinë e Jesu Krishtit Perëndisë tonë, e cila kryeson në vendin e romanëve, të denjësuarës më Perëndinë, të hijshmes, fatlumes, të lavdëruarës, të suksesshmes, denjësisht të pastrës dhe të parës në dashuri , asaj që pason ligjin e Krishtit dhe mban emrin e Atit, të cilën dhe e përshëndes në emrin e Jesu Krishtit, Birit të Atit, që trupërisht dhe shpirtërisht janë të bashkuar me çdo urdhërim të Tij, të mbushurve prej gëzimit të Perëndisë pa dallime dhe të pastruarve nga çdo karakteristikë e huaj, uroj të provojnë gëzim shumë të madh, të bashkuar në mënyrë të paqortueshme me Jesu Krishtin, Perëndinë tonë.

    1. Pasi iu luta Perëndisë, arrita të shoh fytyrat tuaja të denja, të cilat kërkoja shumë t’i shihja. Sepse, si i lidhur në pranga për Jesu Krishtin, shpresoj t’ju përshëndes, sigurisht nëse është dëshira të bëhem i denjë të arrij në fund. 2. Sepse fillimi është i lehtë, sigurisht, nëse arrij hirin, që të kënaqem në thirrjen time pa pengesa. Sepse, i frikësohem dashurisë suaj, ndoshta ajo më bën padrejtësi. Pasi, për ju është e lehtë të bëni atë që dëshironi, por për mua është e vështirë të arrij Perëndinë, nëse ju nuk më mëshironi.

    2. Sepse nuk dëshiroj t’u pëlqeni njerëzve, por t’i pëlqeni Perëndisë , ashtu si dhe i pëlqeni. Sepse unë kurrë nuk do të kem rast të tillë të arrij Perëndinë dhe ju, nëse heshtni keni rastin të nënshkruani veprën tuaj më të lartë. Sepse, nëse nuk flisni për mua, unë do të bëhem fjala e Perëndisë, por nëse keni dashuri për mishin tim, unë do të bëhem një zhurmë pa kuptim. 2. Mos më jepni më tepër sesa t’i ofrohem si fli Perëndisë ndërsa therorja është gati dhe, me dashuri, pasi të keni formuar një kor, t’i këndoni Perëndisë Atë bashkë me Jesu Krishtin, se Perëndia e denjësoi peshkopin e Sirisë të gjendet në Perëndim, pasi e ftoi që nga Lindja. Është e mirë të perëndoj nga bota drejt Perëndisë, që të lind në Të.

    3. Kurrë nuk keni dëmtuar ndonjë; të tjerë i mësuat . Por unë dua të jenë të vërtetuara ato që jepni si porosi kur mësoni. 2. Vetëm fuqi kërkoni për mua, të brendshme dhe të jashtme, që jo vetëm të them, por edhe të dëshiroj, në mënyrë që jo vetëm të quhem i krishterë, por edhe të jem. Sepse, nëse jam mund edhe të quhem dhe atëherë do të jem besnik, kur në botë nuk dukem se jam. 3. Asgjë nga ato që duken nuk është e mirë, sepse Perëndia ynë Jesu Krishti, që gjendet në Atin e tij, duket më tepër. Krishtërimi, kur urrehet nga bota, nuk është vepër bindëse, por vepër madhështie.

    4. Unë u shkruaj të gjitha kishave dhe u shpall të gjithëve se vdes vullnetarisht për Perëndinë, sigurisht, nëse ju nuk më pengoni. Ju lutem, mos m’u bëni mirësi shfaqur në kohë të papërshtatshme, më lini të bëhem ushqim për bishat, me anë të të cilave do të mund të arrij Perëndinë. Jam gruri i Perëndisë dhe bluhem me dhëmbët e bishave që të bëhem bukë e pastër e Krishtit. 2. Më mirë t’i lajkatoni bishat që të bëhen varri im dhe të mos lënë asgjë nga trupi im, që të mos i bëhem barrë askujt kur të fle. Atëherë do të bëhem nxënës i vërtetë i Krishtit, kur bota nuk shikon as trupin tim. Përgjërojuni Krishtit për mua që nëpërmjet këtyre instrumentave (bishave) të bëhem sakrificë tek Perëndia. 3. Nuk ju urdhëroj, ashtu si Pjetri dhe Pali; ata ishin apostuj, unë krejtësisht i dënuar, ata ishin të lirë, ndërsa unë deri tani jam skllav . Por, nëse pësoj, do të bëhem skllav i Jesu Krishtit që u lirua dhe do të ngjallem i lirë bashkë me të. Tani që jam i lidhur mësova të mos dëshiroj asgjë.

    5. Nga Siria deri në Romë luftoj me bishat në tokë dhe në det, i lidhur natë edhe ditë me dhjetë leopardë , të cilët janë një kompani ushtarake dhe, kur u bën mirë, bëhen më të këqinj. Por nga këto padrejtësi të tyre po mësohem më tepër “por për këtë nuk jam justifikuar” . 2. Do të parapëlqeja bishat që janë gati për mua dhe lutem t’i takoj shpejt, dhe do t’u lutem që të më përpijnë, jo ashtu si ndodhi me disa që nga frika nuk u afruan. Dhe, nëse ato nuk dëshirojnë, do t’i detyroj unë. Të më falni, unë e di çfarë më intereson. Tani filloj të jem nxënës. Asgjë të mos më tërheqë nga të dukshmet dhe të padukshmet që të arrij Jesu Krishtin. Le të vijë mbi mua zjarri dhe kryqi, përleshjet e bishave, copëtimet, ndarjet, shpërndarja e kockave të mia, copëtimi i gjymtyrëve, bluarja e trupit, mundimet e këqija të djallit, mjafton vetëm të fitoj Jesu Krishtin.

    6. “Asgjë nga të mirat e botës nuk do të sjellë dobi” , as mbretëritë e kësaj bote. Eshtë më e pëlqyer të vdes për Jesu Krishtin , sesa të mbretëroj në skajet e dheut. Kërkoj Atë i cili vdiq për ne; dua Atë që u ngjall për ne. Dhe lindja për mua po afron, kudoqoftë. 2. Më falni vëllezër, mos më ndaloni të jetoj, mos dëshironi të vdes. Atë që do t’i përkasë Perëndisë, mos ia falni botës, as mos e mashtroni nëpërmjet lëndës. 3. Lejomëni të bëhem nxënës i pësimit të Perëndisë tim. Nëse dikush e ka brenda tij, le ta kuptojë atë që dëshiroj dhe le të më ngushëllojë, duke ditur ato që më kanë zotëruar.

    7. Sunduesi i kësaj bote dëshiron të më rrëmbejë dhe të shkatërrojë qëllimin tim për Perëndinë. Asnjë nga ju të pranishmit të mos e ndihmojë, madje bëhuni të mitë, d.m.th të Perëndisë. Mos predikoni Jesu Krishtin ndërsa doni botën. 2. Të mos ketë cmirë brenda jush. Madje, edhe nëse kur të jem aty ju lutem, mos më besoni, madje të besoni në ato që po ju shkruaj, sepse ju shkruaj i gjallë, duke dëshiruar të vdes. Dashuria ime u kryqëzua dhe nuk ekziston brenda meje zjarr trupor, por “ujë i gjallë” që më flet nga brenda meje dhe thotë: “Eja tek Ati”. 3. Nuk kënaqem me ushqim vdekjeje, as me kënaqësitë e kësaj jete. Dua bukën e Perëndisë , pra, trupin e Jesu Krishtin që vjen nga fisi i Davidit dhe pije dua gjakun e tij, i cili është dashuri e pavdekshme.

    8. Nuk dua të jetoj më si jetojnë njerëzit. Dhe kjo do të bëhet nëse ju e dëshironi. Dëshirojeni dhe do të dëshiroheni edhe ju. 2. Ju lutem me pak fjalë, më besoni. Dhe Jesu Krishti do t’jua shfaqë ato, se i them me të vërtetë, goja ime nuk thotë gënjeshtra, me të cilën foli Ati me të vërtetë. 3. Kërkoni që unë t’ia arrij qëllimit. Nuk ju shkrova sipas dëshirës së njerëzve, por sipas mendjes së Perëndisë. Nëse vdes, më deshët. Nëse dështoj, më keni urryer.

    9. Të kujtoni në lutjen tuaj Kishën e Sirisë, e cila në vendin tim përdor si bari Perëndinë. Vetëm Jesu Krishti dhe dashuria juaj do të jetë për të peshkop. 2. Por mua më vjen turp të them se jam prej tyre, sepse nuk jam i denjë “ngaqë jam i fundit prej tyre dhe i dështuar” . Por, nëse fitoj Perëndinë, u mëshirova të bëhem diçka. 3. Ju përshëndet fryma ime dhe dashuria e Kishave që më pranuan në emër të Jesu Krishtit, jo si kalimtarë të rastësishëm, sepse edhe ato që ishin në rrugën ku ecja trupërisht më takonin në qytete.

    10. Ju shkruaj këto nga Smirna mes efesianëve fatlumë . Midis të shumtëve bashkë me mua është dhe Krokusi, emri im i dëshirar. 2. Për ata që erdhën para meje në Romë nga Siria për lavdi të Perëndisë, mendoj se i keni njohur, t’u thoni se ndodhem afër, sepse të gjithë ata janë të denjë përpara Perëndisë dhe përpara jush, të cilët duhet t’i lehtësoni në të gjitha. 3. I shkrova këto për ju më 24 gusht. Qofshi me shëndet dhe të gëzoheni deri në fund duke treguar durim në emër të Jesu Krishtit.

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Letra drejtuar tralianëve

    Ignati i Antiokisë

    Letra drejtuar tralianëve


    Të krishterët në Tralë (një qytet shtatëmbëdhjetë milje në Lindje të Magnezisë) kishin dërguar peshkopin e tyre, Polibin, të përshëndeste Ignatin në Smirnë. Në përgjigje letra e tij është karakterishtike. Temat kryesore janë njëshmëria dhe bindja ndaj punëtorëve të Kishës – çështje të provokuara nga rreziku i përhapjes së herezisë docetiste. Letra përmban gjithashtu disa shkëndija që zbulojnë karakterin e Ignatit. Veçanërisht i goditur është kreu 4 ku ai zbulon natyrën e tij të vrrullshme dhe të zjarrtë e cila bie në sy përballë fisnikërisë së qetë të Polibit.

    Unë Ignati, që quhem dhe Theoforus, Kishës së dashur dhe të shenjtë prej Perëndisë Atë dhe Jesu Krishtit, që gjendet në Tralë të Azisë, të zgjedhurës dhe të denjës prej Perëndisë, që paqton trupërisht dhe shpirtërisht me pësimin e Jesu Krishtit, i cili është shpresa jonë se do të gjendemi bashkë me të në ngjallje, të cilën dhe e përshëndesim në tërësinë e saj në përputhje me karakterin apostolik dhe i uroj të ketë gëzim të madh.

    1. E di se keni mendje të paqortueshme dhe padallueshmëri në durim, jo dhënë hua, por nga natyra, ashtu si ma shfaqi peshkopi juaj Polibi, i cili me dëshirën e Perëndisë dhe të Jesu Krishtit erdhi në Smirnë dhe u gëzua kaq shumë bashkë me mua, që jam i lidhur në pranga për Jesu Krishtin, saqë në fytyrën e tij ju pashë të gjithëve ju. 2. Pra, pasi pranova mirëdashjen e Perëndisë nëpërmjet tij, lavdërova Perëndinë që ju gjeta imitues të Perëndisë, siç mora vesh.

    2. Sepse kur i bindeni peshkopit sikur të jetë Jesu Krishti, më duket sikur nuk jetoni si njerëzit, por sipas dëshirës së Jesu Krishtit i cili vdiq për ne që, duke besuar në vdekjen e Tij t’i shmangeni vdekjes. 2. Sepse është e nevojshme, sikundër edhe bëni, që pa lejen e peshkopit të mos bëni asgjë, por t’i bindeni edhe priftërisë, sikur të jenë apostujt e Jesu Krishtit, shpresës sonë , brenda të cilit do të jetojmë. 3. Por, duhet që edhe ata që janë shërbyes të mistereve të Jesu Krishtit me çdo mënyrë të jenë të pëlqyer prej të gjithëve. Sepse nuk janë thjesht shërbyes të të ngrënave e të të pirave , por shërbyesi të Kishës së Perëndisë. Pra, duhet edhe ata të ruhen nga gabimet si prej zjarrit.

    3. Gjithashtu, të gjithë të respektojnë dhiakonët si Jesu Krishtin, po ashtu dhe peshkopin i cili është simboli i Atit, dhe priftërinjtë si këshillin e Perëndisë dhe bashkësinë e apostujve. Pa këta Kisha nuk ekziston. 2. Prandaj jam i bindur se ju silleni kështu. Sepse treguesin e dashurisë suaj e mora dhe e kam me vete, tek peshkopi juaj, vetë sjellja e të cilit përbën mësimdhënie të madhe dhe butësia e tij fuqi të cilën mendoj se e respektojnë madje dhe të paperënditë. 3. Ngaqë ju dua, po e shmang të shkruarit më gjatë për këtë, edhe pse mundem të shkruaj; nuk do të doja që, ndërsa jam i denjë për dënim, t’ju urdhëroj sikur të jem apostull.

    4. Njoh shumë gjëra mbi Perëndinë, por duhet ta mbaj veten brenda kufijve që të mos humbas prej mburrjes. Sepse tani duhet të kem frikë më tepër dhe të mos merrem me ato që më bëjnë të krenohem. Sepse ata që m’i thonë më fshikullojnë. 2. Sigurisht, e dua martirizimin, por nuk e di nëse jam i denjë, sepse zelli nuk duket tek më të shumtët, por mua më lufton, prandaj kam nevojë për butësi me të cilën asgjësohet sunduesi i kësaj bote.

    5. Mos vallë nuk mundem t’ju përshkruaj gjërat qiellore ? Por frikësohem se ndoshta ngaqë jeni ende foshnja, ju shkaktoj dëm. Dhe të më falni nëse diku, duke mos mundur t’i kuptoni, ngatërroheni. 2. Por, edhe unë, meqenëse jam i lidhur në pranga, nuk do të thotë se mund të kuptoj gjërat qiellore, vendosjet e engjëjve dhe format e sundimeve, të dukshmet dhe të padukshmet dhe, prandaj jam njëkohësisht edhe nxënës, sepse na mungojnë ende shumë gjëra që të mos na mungojë Perëndia.

    6. Pra ju lutem, jo unë, por dashuria e Jesu Krishtit, të përdorni vetëm ushqimin e krishterë dhe t’u largoheni bimëve të huaja, pra, heretikëve 2. të cilët përziejnë vetet e tyre me Jesu Krishtin duke besuar se janë të denjë, sikur ata që japin helm vdekjeprurës së bashku me një përzierje vere dhe mjalti, të cilën e merr me kënaqësi ai që nuk e njeh dhe, kështu, me kënaqësi pi vdekjen e pashmangshme.

    7. Të ruheni, pra, nga këta. Edhe kjo do të bëhet nëse nuk krenoheni dhe qëndroni të pandarë nga Perëndia, Jesu Krishti, nga peshkopi dhe nga porositë apostolike. 2. Ai që gjendet brenda në therore është i pastër, ndërsa ai që bën diçka pa lejen e peshkopit, priftërisë dhe dhiakonit, ky nuk e ka të pastër ndërgjegjen e tij.

    8. Nuk i shkruaj këto ngaqë mësova se ndodh diçka e tillë mes jush, por që t’ju ruaj, sepse më jeni shumë të dashur, duke parashikuar grackat e djallit. Ju pra, pasi të përmirësoheni përsëri në butësi, rindërtoni vetet tuaja me besim, që është trupi i Zotit, dhe me dashuri, që është gjaku i Jesu Krishtit. 2. Asnjë prej jush të mos ketë gjë kundër të afërmit të tij, mos u jepni shkak kombeve, që të mos blasfemohet turma e të përkushtuarve tek Perëndia për shkak të disa të marrëve. Sepse “mjerë ai, për shkak të të cilit emri im shahet para të tjerëve” .

    9. Bëhuni të shurdhër, pra, kur dikush ju flet pa Jesu Krishtin, i cili vjen nga fisi i Davidit dhe nga Maria, që u lind me të vërtetë, hëngri dhe piu, u përndoq me të vërtetë nga Ponti Pilat, u kryqëzua me të vërtetë dhe vdiq, ndërsa shihnin qielloret, tokësoret dhe nëntokësoret. 2 Ai u ngjall me të vërtetë prej së vdekurësh, prej nga ku e ngjalli Ati i tij, mënyrë sipas të cilës Ati me Jesu Krishtin do të na ngjallë dhe ne që besojmë tek ai, pa të cilin nuk mund të jetojmë me të vërtetë.

    10. Por, nëse ca të paperëndi, pra jobesimtarë, thonë se Krishti pësoi në dukje, duke qenë këta të dukshëm, atëherë pse unë jam i lidhur në pranga dhe përse lutem që të luftoj me bishat? Pra, vdes padrejtësisht dhe atëherë them gënjeshtra për Zotin.

    11. Shmangni pra, filizat e këqinj, të cilët prodhojnë frut vdekjeprurës, të cilin nëse e shijon ndokush, vdes menjëherë. Sepse ato “nuk janë bimë të Atit” . 2. Sepse nëse do të ishin, do të dukeshin degët e kryqit dhe fruti i tyre do të ishte i pavdekshëm, mbasi nëpërmjet atij (kryqit) na fton tek pësimi i Tij, përderisa jemi pjesë të tijat. Nuk mundet, pra, të lindet kokë pa gjymtyrë, mbasi Perëndia premtoi bashkimin e gjymtyrëve me kokën, e cila është Ai vetë.

    12. Ju përshëndes nga Smirna, bashkë me Kishat e Perëndisë që janë të pranishme këtu, përfaqësuesit e të cilave më lehtësuan në të gjitha, shpirtërisht dhe trupërisht. 2. Ju luten prangat e mia, të cilat i mbart për Jesu Krishtin dhe kërkoj të fitoj Perëndinë. Të qëndroni në njëshmërinë tuaj dhe të luteni për njëri-tjetrin, sepse duhet, secili prej jush, dhe në mënyrë të veçantë priftërinjtë, të lehtësoni peshkopin, për nder të Atit, të Jesu Krishtit dhe të apostujve. 3. Lutem të më dëgjoni me dashuri që, prej këtyre që u shkrova, të mos dal dëshmitar kundër jush. Madje, të luteni edhe për mua që kam nevojë për dashurinë tuaj bashkë me përdëllimin e Perëndisë, në mënyrë që të bëhem i denjë të arrij fatin që rrethon “që të mos gjendem i padenjë” .

    13. Ju përshëndet dashuria e smirneasve dhe e efesianëve. Të kujtoni në lutjet tuaja Kishën e Sirisë, prej së cilës nuk jam i denjë të them se vij, ngaqë jam i fundit i tyre. 2. Qofshi shëndoshë në besimin e Jesu Krishtit dhe bindjuni peshkopit, sipas porosisë, gjithashtu dhe priftërisë dhe, të doni njëri-tjetrin me gjithë zemër. 3. Fryma ime pastrohet për ju, jo vetëm tani, por edhe kur të arrij Perëndinë , pasi ndodhem ende në rrezik. Por është besnik Ati i Jesu Krishtit dhe do të plotësojë kërkesën time dhe tuajën, para të cilit uroj të gjendeni të paqortueshëm.

Tema të Ngjashme

  1. Shkrimet e Hershme: Didakia
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 09-03-2007, 07:17
  2. Shkrimet e Hershme: Bariu i Hermansit
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 13-12-2006, 08:01
  3. Shkrimet e Hershme: Tertuliani mbi lutjen
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-12-2006, 08:34
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. Sola scriptura ne Kishen e hershme
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 29-07-2002, 16:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •