Kosovë, lulëzon tregtia e pasaportave
06/12/2006
Për 300 euro, mund të t’i nxjerr të gjitha dokumentet brenda një dite”, - thotë Sajo, ish-pjesëtar i policisë serbe në Kosovë që tani jeton në Rozhajë të Malit të Zi. “Të gjitha përnjëherë - certifikatën e lindjes, atë të nënshtetësisë, letërnjoftimin edhe pasaportën”. Sajo u shet kosovarëve dokumente të Jugosllavisë. Ka shumë të tillë si ai në Mal të Zi, por dhe Kosovë, ku po lulëzon tregtia fitimprurëse e pasaportave dhe dokumenteve të tjera të nxjerra në mënyrë ilegale. Kosovarët rregullisht u paguajnë shuma të mëdha të parave njerëzve si Sajo, për të nxjerrë versione të reja të pasaportave të vjetra jugosllave. Si ish-shtetas të federatës së vjetër jugosllave, shqiptarët e Kosovës kishin letërnjoftime dhe pasaporta jugosllave deri në vitin 1999. Por, pasi konflikti mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u zgjerua dhe pasi qindra mijëra njerëz u përzunë në vendet fqinje, autoritetet serbe ua konfiskuan shumicës prej tyre, dokumentet personale. Në janar të vitit 2001, UNMIK-u filloi të lëshojë dokumente të udhëtimit nën emrin e tij. Shumica e shteteve i pranojnë këto dokumente, por vetëm kur janë të shoqëruara me viza, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia janë të vetmet që nuk kërkojnë viza. Mirëpo, dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut nuk e kanë zgjidhur problemin dhe as nuk e kanë shkatërruar tregun e dokumenteve ilegale. Shumë shqiptarë ende preferojnë pasaportat e vjetra jugosllave, pasi me to, edhe pa viza, mund të hyjnë në disa vende në rajon si në Bullgari, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Në Fushë Kosovë, tre kilometra larg Prishtinës, gjen një radhë të madhe të shqiptarëve duke pritur për dokumente të reja jugosllave jashtë zyrës së ruajtur mirë, të quajtur Qendra për Paqe dhe Tolerancë. Në të vërtetë, kjo është një qendër e pasaportave dhe dokumenteve, një nga disa zyrat e administratës serbe që kanë mbetur në Kosovë. Ministria e Brendshme e Serbisë konfirmon se shumë banorë të Kosovës qendrore, serbë dhe shqiptarë, e përdorin këtë qendër për të nxjerrë dokumente. Miodrag Jankoviç, një zyrtar i kësaj ministrie, i tha të përditshmes “Koha Ditore”, se që nga qershori i vitit 1999 e deri më prill 2006, kjo ministri ka pranuar 179,409 aplikacione për pasaporta të reja dhe i ka lëshuar 164,493 pasaporta. Mirëpo, qendra nuk mund t’ua zgjidhë të gjitha vështirësitë e udhëtimit shqiptarëve nga e gjithë Kosova. Shpesh, për të marrë dokumentet shqiptarët e zonave të Serbisë jugore duhet të shkojnë në Serbi, kurse për të shkuar në Serbi iu duhen dokumentet, sepse policia në kufirin administrativ me Serbinë nuk i njeh dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut. Këtu hyjnë në lojë ndërmjetësuesit, ata që kanë lidhje me zyrat e pasaportave në Serbi. Me “bashkëpunimin” e tyre, e gjithë puna e ngatërruar mund të zgjidhet fare lehtë. Ndërmjetësuesit mund t’i gjesh jashtë zyrës së Fushë Kosovës. Ata janë shqiptarë dhe u ofrojnë shërbime bashkëkombësve të tyre, të cilët ose nuk kanë kohë për punë administrative, ose nuk i kanë të gjitha dokumentet për të kryer punë. Zyrat e dobëta dhe procedurat e mëdha burokratike nënkuptojnë se edhe aplikantët me letrat në rregull ballafaqohen me vonesa që zgjasin me javë, para se t’i marrin pasaportat. Shumë prej tyre nuk mund të presin aq gjatë. Zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës, SHPK, të cilët e ruajnë zyrën e pasaportave të Fushë-Kosovës, nuk i trazojnë fare ndërmjetësuesit. Këtë nuk e bëjnë as policia speciale e UNMIK-ut. Por, ndërmjetësit veprojnë në zbrazëtirat ligjore që ka Kosova dhe situatën e pazakontë që është krijuar. Edhe republika e pavarësuar së fundmi e Malit të Zi formon një lidhje vitale në dallaveret me pasaporta dhe dokumente tjera. Qendra e këtij aktiviteti është Rozhaja, një qytet multietnik me një komunitet të vogël të shqiptarëve, i cili gjendet rreth 10 kilometra në perëndim të vendkalimit kufitar të Kullës. “Këtu janë shitur gjysma e shtëpive dhe tokave të Kosovës pas vitit 1999,” - thotë një kamerier. Që nga ajo kohë, Rozhaja e ka mbajtur rolin e saj si një vend ku mund të bëhen marrëveshje që kanë të bëjnë me Kosovën dhe ku ndërmjetësuesit mund të krijojnë kontakte të mira me ish-policët, të cilët ende kanë lidhje me zyrat e ministrisë serbe të punëve të brendshme. Në një kafene të mbushur, afër stacionit te autobusëve, një kamerier nuk u befasua fare kur e pyetëm rreth nxjerrjes së pasaportave. Ai na ofroi të na njoftojë me një ish-polic të Kosovës, i cili kishte bërë tregti pasaportash në atë kafene për një kohë të gjatë. Kamerieri na e shkroi numrin e tij të telefonit. “Sajo ka lidhje të mira në polici... ai është në këtë biznes prej shumë vitesh”, - na sqaroi. Sajo ka punuar për nëntë vite në Kosovë, në Vushtrri, deri në qershor të vitit 1999, kur regjimi serb u tërhoq. Ai na tha se ish-policët janë zakonisht pikat e para të kontaktit mes të ndërmjetësuesve dhe zyrave të SUP-it. “Unë u marr 50 euro për të dyja dokumentet, certifikatën e lindjes dhe atë të shtetësisë,” - tha ai. “Nëse i doni të gjitha përnjëherë, duke përfshirë edhe pasaportën, kjo do t’ju kushtojë 300 euro.” “Por, këto çmime vlejnë vetëm për ata që vijnë me mua deri te SUP-i lokal për të dhënë shenjat e gishtërinjve,” - vazhdoi ai. “Atyre që nuk mund të vijnë, u kushton shumë më shtrenjtë, - rreth 900 euro.” Çmimi shumë më i lartë për këtë të fundit e pasqyron faktin se kjo praktikë është rreptësishtë joligjore. Kosovarët tani i kanë dy mënyra për t’i nxjerrë dokumentet personale, metodën e rregullt dhe rrugën e shpejtë. Ndërsa rruga e shpejtë sa vjen e popullarizohet, shumë ankohen se procedura e rregullt po ngadalësohet gjithnjë e më shumë.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt