Close
Faqja 8 prej 8 FillimFillim ... 678
Duke shfaqur rezultatin 71 deri 76 prej 76
  1. #71
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Me 1 nëntor Kisha kremton festën e Gjithë Shenjtorëve


    Festa e të Gjithë Shenjtorëve e bashkon në një kujtim të vetëm këtë familje të pafundme, që na e mbush zemrën me ngushëllim. Nganjëherë ndokush ankohet: “Jam vetëm. Ndjehem i vetmuar”. Po nuk është kështu: “Mendo se nuk je kurrë vetëm, se je i rrethuar nga familja e Shenjtorëve, nga shoqëria e shenjtorëve, nga përqafimi i tyre. E ky mendim për praninë e Shenjtorëve në jetën tonë, duhet të jetë i përhershëm, sepse Shenjtorët në qiell nuk mund të rrinë duarkryq.

    Parajsa nuk është strehë e artë pushimi. Parajsa është vendi ku jetohet thellësisht dashuria. E në se urdhërimi i dashurisë vlen për ne në tokë, aq më tepër duhet të vlejë për Shenjtorët në qiell. Prandaj Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, pak para se të vdiste, pati thënë: “Jam duke hyrë në pushim…madje, jo në pushim – vijoi duke e korrigjuar veten – sepse kohën time në qiell do ta kaloj duke bërë mirë mbi tokë”.

    Shenjtorët janë të shumtë e të gjithë janë pranë nesh, sepse kush është bërë një me Zotin, është bashkuar me dashurinë e dashuria nuk mund të rrijë duarkryq. Ky është një mendim që na ngushëllon e na ndihmon t’i përballojmë me optimizëm e me besim të plotë stuhitë e jetës, edhe duke u nisur nga shoqëria e Shenjtorëve.

    Si mund t’ua shpjegojmë njerëzve të kohëve tona ç’do të thotë shenjtëri? Mbi të gjitha duhet ta pastrojmë Shenjtërinë nga një lloj hije irreale që e rrethon nganjëherë. Shenjtorët janë qenie që e jetojnë me fund jetën e tyre. Janë njerëz vërtetë të realizuar. Janë njerëz të suksesshëm, sepse suksesi nuk është fama që fitohet në një kampionat futbolli, në realizimin e një filmi, në çfarëdo lloj pune njerëzore.

    Suksesi i vërtetë i jetës është shenjtëria; e shenjtëria është realizim i plotë i jetës njerëzore. Prandaj Krishti i quan shenjtorët të Lum. Lumnitë janë pikërisht karakteristikë e Shenjtorëve. Të varfrit shpirt, dmth ata që e kanë shpirtin të lirë, ata që janë plot mëshirë, që nuk dinë ç’është urrejtja, që e kanë zemrën të pastër, të papërbaltur, janë njerëz që kanë arritur lumturinë, janë vërtetë të Lum.

    Kur flasim për shenjtërinë, duhet ta kemi mirë parasysh se ideali i shenjtërisë është ideal që e bën njeriun të lumtur, të realizuar, sepse shenjtorët janë ata që e kanë realizuar plotësisht planin e Zotit e, prej këndej, edhe vetveten e tyre si njerëz. Nganjëherë e pyes veten cili është më njerëzor se shën Françesku i Asizit, cili është më burrë se ai e cila është më grua se e Lumja Nënë Terezë.

    Ndonëse janë shembuj tepër të lartë, kjo nuk na pengon të ecim në gjurmët e tyre, sepse kjo është rruga që duhet përshkuar, për ta realizuar plotësisht vetveten. E më kujtohet një thënie e Leon Bloit, një njeriu të penduar, plot zjarr, i cili një ditë pati thënë: “Ekziston vetëm një lloj trishtimi: është trishtimi që na pushton kur mendojmë se nuk jemi të shenjtë e unë dëshiroj që askush të mos e provojë këtë trishtim; dëshiroj që të gjithë të jenë shenjtorë.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  2. #72
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Citim Postuar më parë nga toni77_toni Lexo Postimin
    Me 6 dhjetor nga kalendari kishtar përkujtohet Shën Nikolla, ipeshkëv




    Fama e Shën Nikollës ipeshkëv është universale: dokumentohet nga Kishat dhe veprat e artit, institucionet e traditat e lidhura me emrin e tij. E, megjithatë, të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Pŕtara të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i Mirës, po në Liçie.

    Nikolla vdiq më 6 dhjetor. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i tij nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit.

    Shtatëdhjetë e dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor i qytetit. Më 29 shtator të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një kishë të qytetit, reliket e Shenjtit u vendosën përfundimisht në kriptën e përgatitur pranë bazilikës që u ngrit mbi to. Do të ishte vetë papa Urbani II që do t’i vendoste reliket në lter. Në fund të shekullit XX bazilika, që Papa Piu XII ia besoi dominikanëve, u kthye në vend takimi ndërmjet Kishave të Lindjes e të Perëndimit dhe në seli të Institutit të teologjisë ekumenike “Shën Nikolla”.

    Ne Keshillin e Pare Ekumenik ne vitin 325, Shen Nikolla ishte pjesemarres. Ky keshill shpalli Simbolin Besimit, dhe ai foli kunder heretikeve si Arius me shenjtoret e tjere.

    Ishte jashtzakonist guximtar dhe i mbushur me zellë. Shen Nikolla, i mbushur me zell per ti sherbyer Hyjit, e sulmoi heretikun Arius me fjale dhe e goditi ate ne fytyre. Mirpor per kete arsye, atij iu hoq emblema e ipeshkveit dhe u vendos nen kontrollin e rojeve. Por disa prej Eterve te Shenjte paten te njejtin vegim, pane Vete Zotin dhe qe ia ktheu Shenjtorit Ungjillin dhe emblemen e ipeshkvit. Eterit e Keshilit rane dakord se guximi i shenjtorit ishte i pelqyeshem nga vet Hyji dhe ia riktheun shenjtorin postin qe kishte me parë.

    Pasi u kthye ne dioqezen e tij, shenjtori i solli paqe dhe bekime duke mbjelle fjalen e se Vertetes, duke shkulur me rrenje herezite, duke ushqyer tufen e tij me doktrine te shendoshe dhe duke u dhene ushqim per trupin.

    Sipas traditave dhe gojëdhënave, Zoti neprmjet ketij Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron Mirën nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, ngjall së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët e këndojnë sërish natën e festës së Shenjtit, me devocion të jashtëzakonshëm, nën dritën e qiriut të trashë, ndezur për nder të tij.

    E, gjithnjë sipas traditës, natën e festës, piqet edhe “fërliku i Shën Kollit”, ose flijohet një gjel. Shumë ndër shqiptarët katolikë e ortodoksë mbajnë emrin Nikollë emër që ka marrë një mori trajtash si: Lec, Kolec, Kolë, Nikolin, Koli, Kolin e Lin.

    Edhe ndër trojet shqiptare Shenjtit të mrekullive i janë kushtuar disa Kisha. Po kujtojmë vetëm Kishën e Shën Nëkollit në lagjen Rus të Shkodrës, shkatërruar nga komunistët e rindërtuar përsëri – një mrekulli e re kjo e Shenjtit; një Kishë tjetër e njohur kushtuar Shenjtit ngrihet në Velezhë të Kosovës, që e ka edhe pajtor.

    Shën Kolli njihet menjëherë në ikonografi, sepse mban në dorë shkopin baritor dhe tri kuleta – siç quhen në këngën shqiptare kushtuar Shenjtit, të trija plot me monedha ari, që do të shërbenin për pajën e tri vajzave të varfra.

    Shenjti është pajtor i fëmijëve, i djemve e vajzave të reja, i nxënësve, i farmacistëve, i udhëtarve, i detarëve, i peshkatarëve. Emri Nikolla vjen nga greqishtja e do të thotë fitimtar i popullit.



    Urime dh per shumë mot festa e Shenjtit Nikollë (Shenkollit), Zoti u bekoftë.
    Sonte është nata neser dita e festës së Shën Nikolla - ipeshkëv apo siç quhet në gjuhen popullore tek Shqiptarët - ShënKollit. Natë kjo qe festohet me shekuj ne truallin shqiptar, pos tjerave prehet qengji apo delja siç quhet "berri i ShenKollit", disa familje e festojnë ne mënyrë ma të veqant, presim sonte miq dhe te afert sepse e kan edhe festë familjare dhe fistare e percjellur brez pas brezi. Por qe, kjo festohet dhe kujtohet nder të gjithë katoliktë.

    Urime dhe per shumë mot.
    Ndryshuar për herë të fundit nga toni77_toni : 07-12-2011 më 11:40
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  3. #73
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Sot me 7 dhjetor kalendari përkujton shën Ambrozin, ipeshkëv e dijetar i Kishës




    I jashtëzakonshëm fati i Ambrozit, i cili u emërua ipeshkëv para se të pagëzohej. I lindur në vitin 339 në Treviri, qytet i Galisë, Ambrozi ndoqi familjen e tij në Romë, ku kreu studimet në retorikë. Si u bë avokat e më pas prokuror, rreth vitit 370 u emërua qeveritar i Liguries dhe Emilies në Itali. Më pas u transferua përfundimisht në Milano.

    Këtu, ndërsa merrte pjesë në zgjedhjen e ipeshkvit të ri të qytetit, duke u përpjekur të zgjidhë mosmarrëveshjet që kishin lindur në bashkësinë e krishterë ndërmjet arianëve e katolikëve, mbajti një fjalim aq të fuqishëm e aq të përshpirtshëm, sa u vendos menjëherë të zgjidhej ai vetë ipeshkëv. Në fillim nuk pranoi, por më pas, nën udhëheqjen shpirtërore të meshtarit Simpliçiani, u përgatit për pagëzim. Në të vërtetë kishte vendosur prej kohe të bëhej i krishterë, sepse tek krishterimi kishte gjetur të vërtetën dhe qëllimin e vetë jetës së tij. Ia dhuroi të gjitha pasuritë Kishës dhe bëri kushtin e virgjërisë. Me shembullin e shkëlqyer të jetës e me fjalën e tij të frymëzuar, ktheu në fenë e krishterë shumë njerëz, ndërmjet të cilëve, edhe Shën Augustinin.

    Ai që thoshte: “Ku është Pjetri, atje është Kisha”, vdiq më 4 prill të vitit 397 e u varros në bazilikën që mban emrin e tij, në Milano, qytet i cili e zgjodhi Pajtor, së bashku me Shën Karl Borromeun. Konsiderohet si atë i liturgjisë ambroziane, që përdoret nga Kisha e Milanos.

    Me jetën dhe veprat e shumta liturgjike, komentarët mbi Shkrimin Shenjt e shkrimet me karakter asketiko-moral, ai mbetet simbol i lirisë e i pajtimit.

    E me 24 tetor 2007, duke u ndaluar tek figura e ipeshkvit të Milanos, Ambrozit, Papa u drejtoi një porosi atërore prelatëve të mbarë botës, duke i nxitur të mos e shikojnë kurrë katekizmin shkëputur nga dëshmia e jetës:

    “Kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme”.

    Të shumta janë veprat e shën Ambrozit dhe mjaft tërheqëse.Veprat mbi Shkrimin shenjt: Veprat egzegetike:

    a) Shpjegimi i Ungjillit sipas Lukës. Kjo vepër ka vlerë shpirtërore dhe dogmatike. Në këtë vepër ruhen edhe disa fletë të kushtuara Zonjës së Bekuar, duke e pasur parasysh se vetëm në Ungjillin sipas Lukës shkruhet mbi Zonjën.

    b) Hexaemeron – Mbi gjashtë ditët e krijimit. Kjo është një vepër e ndarë në gjashtë vëllime dhe përfshin nëntë fjalime të mbajtura në Javën e Madhe. Në këto fjalime vërejmë se Ambrozi i çmon shumë Origenin dhe Bazilin, por shën Ambrozi thellohet shumë me tepër në mendimet e tyre.

    c) De paradiso – Mbi parajsën. Kjo vepër është një komentim mbi parajsën e tokës dhe ramjen e njeriut të parë. Këtu ka edhe raste kur polemizon me gnostikët, maniheistët dhe arianët, sekte të ndryshme të asaj kohe.

    Ambrozi ka edhe vepra tjera që i përkasin kësaj lëmie, por që janë ndoshta më pak të rëndësishme.

    Veprat morale asketike:
    a) De officiis ministrorum – Mbi detyrat e njerëzve të Kishës. Vepra është shkruar sipas modelit të Ciceronit. Kjo vepër ndahet në tri pjesë: në pjesën e parë Ambrozi flet për ndershmërinë si virtyt nga i cili rrjedhi urtia, drejtësia, forca. Pjesa e dytë flet mbi interesat, vlerat njerëzore, për ta përmbyllur me mendimin se e vlefshme është çdo gjë që e përcjell dashuria, butësia, mirësia dhe lëmosha. Në pjesën e tretë Ambrozi mundohet të argumentojë lidhjen e ngushtë në mes nderit dhe vlerave tjera jetësore. Shën Ambrozi mendon se i krishtëri duhet t`i japë rëndësi të veçantë nderit. Nëse është nevoja, i krishteri edhe me jetë duhet të paguajë për mos ta çnderuar besimin në Zotin. A thua nuk vepruan kështu edhe martirët para nesh?
    Ambrozi shkruan edhe disa vepra mbi virgjërinë.

    Veprat dogmatike:
    a) De fide, ad Gratianum – Mbi fenë, drejtuar Gracianit. Graciani ishte perandor dhe kërkon nga Ambrozi që të shkruajë mbi fenë, për ta mbrojtur atë prej heretikëve, gjegjësisht të shkruajë për hyjninë e Fjalës së mishëruar. Vepra ka pasur pesë vëllime. Ambrozi argumenton se Biri është i njëgjëjtë me Atin, dhe se Ai nuk ka pasur fillim dhe nuk ka mbarim. Biri nuk është i krijuar. Ai është i mirë sikurse Ati dhe është Zot i vërtetë. Biri nuk ka hyjni tjetër veçse të njejtë sikurse ka edhe Ati.

    b) De Spiritu Sancto – Mbi Shpirtin Shenjt. Qëllimi këtij shkrimi ishte, sikurse vepra e parë, argumentimi i hyjnisë së Shpirtit Shenjt, i cili është i ngjashëm me Atin dhe Birin.

    c) De sacramentis dhe De mysteriis – Sakramentet dhe Misteret. Është kjo një katekezë për të pagëzuarit e rinjtë. Këtu Ambrozi bukur shpjegon pagëzimin, krezmimin dhe kungimin.

    Mendoj se është me rëndësi që t`i cekim edhe disa fjalime. Këtu po e citojmë fjalimin që mbajti me rastin e vdekjes së Valentinianit perandor. Perandori vdiq si katekumen. Vdiq në moshën 22 vjeçare. Ambrozi ndër të tjera tha: Në qoftë se martirët janë të larë me gjak, ky Valentiniani është i larë me përshpirtëri dhe vendosmëri që ta ndjekë Jezu Krishtin.

    Edhe pak fjalë si përfundim për shën Ambrozin. Ky shenjt jetoi dhe punoi në kushte dhe rrethana të vështira dhe të rrezikshme, kur dominonte kriza e madhe në mes shtetit dhe Kishës. Lirisht mund të themi se shën Ambrozi ishte njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, i cili nuk lejoi që perandori me autoritetin dhe fuqinë e vet të udhëhiqte Kishën siç kishin bërë më parë. Për më tepër ai nuk lejoi as shkeljen e ligjit dhe moralit nga askush, qoftë ai edhe mbret. Ambrozi arrin që t`i çrrënjosë këto dukuri negative. Ambrozi me askënd nuk ishte në armiqësi, pra as me shtetin. Ai në këtë mënyrë e mbronte edhe autonominë e Kishës.

    E në përfundim po kujtojmë fjalët e njërës prej lutjeve të thella të shën Ambrozit kushtuar Krishtit:
    “Në se dëshiron të mjekosh një plagët, Ai është mjeku; në se digjesh nga etja e kërkon një pikë ujë, Ai është burimi; në se ke nevojë për ndihmë, është Ai forca; në se dëshiron qiellin, Ai është udha”.“Të Shpresojmë edhe ne në Krishtin. Do të jemi kështu të lum e do të jetojmë në paqe!”.
    Ndryshuar për herë të fundit nga toni77_toni : 07-12-2011 më 11:55
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  4. #74
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Me 20 janar kalendari Kishtar përkujton;
    Shën Fabianin papë e martir dhe Shën Sebastianin, martir!


    Kliko këtu per të mësuar më shumë per të dhënat historike mbi Shën Sebastianin dhe Shën Fabianin:

    http://www.forumishqiptar.com/showpo...3&postcount=70
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  5. #75
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83
    Më 10 maj kalendari përkujton shën Jobin


    Jobi, figurë tepër e njohur në Bibël e në traditën e krishterë si model i shenjtërisë dhe i durimit, lindi e jetoi në viset e Husit, të cilat shumë autorë i identifikojnë me zonën ndërmjet Idumesë e Arabisë veriore. Gjithçka të bind se ai nuk ishte hebré, por thjeshtë “njeri i drejtë që jetonte me frikën e Zotit”. Prej Shkrimit Shenjt mësojmë se ishte njeriu më i pasur i Lindjes: kishte deve, qé, gomerë e skllevër të panumërt. Ishte në kulmin e pasurisë dhe të lumnisë, kur papritmas i ranë mbi kokë fatkeqësi të tmerrshme njëra pas tjetrës. Në një kohë tepër të shkurtër humbi gjithçka kishte: pasuri, skllevër, bij e bija. Të thjeshta e kuptimplote fjalët që tha, kur e pa veten duke u rrogomisur nga kulmi i begatisë në greminën e mjerimit: “Jahveh m’i dhuroi e Jahveh m’i mori. Bekuar qoftë emri i Jahveh!”.
    Sikur të mos mjaftonin gjithë këto kobe, ashtu i mjerë e i vetmuar, u prek nga një sëmundje që ia shndërroi gjithë trupin në plagë. Por ai s’e humbi duresën, as atëherë kur e shoqja, që ishte ende gjallë, nisi të tallej keqas me të. I dëbuar nga shtëpia, u detyrua t’i kalonte ditët maje një grumbulli plehrash. Aty e gjetën tre miqtë e tij të ngushtë të cilët, të njoftuar për mjerimet që i kishin rënë mbi kokë, vrapuan ta ngushëllonin. Ishin Elifazi Temianit, Baldadi Suhit dhe Safari Naamatit. Këtu, në Librin e Jobit, një nga librat e Shkrimit Shenjt, nis një dialog tepër i gjatë ndërmjet tyre. Diskutohet me frymë të lartë poetike për problemet më të mprehta e më fisnike që kanë munduar mendjen njerëzore në shekuj: për zanafillën e dhimbjes në botë, për lidhjen ndërmjet njeriut e Zotit, lumninë e fatkeqësinë, për fatin e njeriut dhe kuptimin e jetës së tij.
    I pari e merr fjalën Jobi i cili, në një monolog sinqerisht dramatik, shfren gjithë dhimbjen që e bren, duke mallkuar ditën kur lindi e duke i bërë vetes pyetjen e përjetshme: “Pse vjen njeriu në jetë, kur është i dënuar të jetë fatkeq!”. Atë çast ai nuk e di se është djalli që e ka vënë në një provë, të cilën Zoti e ka lejuar, duke pasur besim të patundur në duresën e Jobit. Prova është e gjatë dhe e vështirë. Asaj i kushtohet pjesa kryesore e Librit të Jobit. E fjala e fundit i takon pikërisht Zotit. Atëherë Libri i Jobit i afrohet me shpejtësi fundit. Jeta e Shenjtit që përkujtohet sot, pas provës, përmblidhet në pak vargje (42. 11-17). Zoti ia shpërblen durimin. Ia kthen rishtas të gjitha pasuritë. I fal shtatë bij e tri bija e i jep jetë të gjatë e të lume derisa vdes në moshën 140 vjeç, i ngopur me të mira e me ditë. Emri Job vjen nga hebraishtja e do të thotë “Njeri i persektuar, që i duron të gjitha fatkeqësitë".
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  6. #76
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192

    Më 12 mars kalendari kishtar kujton Shën Luigjin Orione, meshtar

    Shën Luigji Orione

    Don Orioni ndihmonte këdo që kishte nevojë për ndihmë, pa e pyetur se kush je apo nga vjen e të cilit komb apo fe i përket. Bijtë e tij, orioninët, të përhapur në shumë vende të botës, kryejnë misionin edhe në Shqipëria e pikërisht në Elbasan dhe Shirokë. Kudo janë, ndihmojnë përforcimin shpirtëror të besimtarëve, përgatitjen profesionale të të rinjve, asistojnë pleqtë, njerëzit me aftësi të kufizuara fizike e mendore, me sëmundje të pakurueshme.
    Emri:  cq5dam.thumbnail.cropped.750.422 (2).jpg

Shikime: 364

Madhësia:  17.6 KB

    Më 12 mars kalendari kishtar përkujton Shën Luigjin Orione, meshtar e themelues i Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore, për të mirën e të rinjve dhe të gjithë personave të mënjanuar. Shën Luigji Orione është një shenjt i ditëve tona, jetoi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar e ia kushtoi tërë jetën më të varfërve, duke ia besuar veprat e tij Provanisë Hyjnore.
    Bijtë e tij, orioninët, të përhapur në shumë vende të botës, kryejnë misionin edhe në Shqipëria e pikërisht në Elbasan dhe Shirokë. Kudo janë, ndihmojnë përforcimin shpirtëror të besimtarëve, përgatitjen profesionale të të rinjve, asistojnë pleqtë, njerëzit me aftësi të kufizuara fizike e mendore, m sëmundje të pakurueshme. Përgjithësisht don Oroni ndihmonte këdo që kishte nevojë për ndihmë, pa e pyetur se kush je apo nga vjen e të cilit komb apo fe i përket. Lindi më 23 qershor 1872 në Tortona. Në moshën 14 vjeçare shkon në Torino te don Bosko edhe aty kryen gjimnazin.
    Pastaj kalon në seminarin e Tortonës, e kur në vitin 1895 shugurohet meshtar, tashmë ka themeluar një oratorë dhe kolegjin e parë për të rinjtë e varfër. Është filli i “Veprës së Vogël i Provanisë Hyjnore”, që përbëhet prej priftërinjve, studentëve për meshtari e ndihmësve, vepra e të cilëve në ndihmë të të varfërve mbështetët nga lutjet e “Oshënarëve të Provanisë” dhe Motrat Sakramentine të verbra. Në mars të vitit 1940, pas një sëmundje, e çojnë në Sanremo, ku vdes më datën 12 mars të njëjtit vit.
    Më 26 tetor 1988 Papa Gjon Pali II e shpall të Lum gjatë Sinodit të ipeshkvijve, ndërsa shenjt u shpall në maj të viti 2004. Shembulli i tij është për bijtë e tij shpirtëror, orioninën e të gjithë një nxitje për të vijuar udhën në gjurmët e këtij Shenjti, posaçërisht për t’i sjellë tek Kisha e Pjetrit – siç thoshte shpesh ai vetë – njerëzit e vegjël, të përvujtë, punëtorët e varfër e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, që janë më të dashurit për Zotin dhe thesari i vërtetë i Kishës së Jezu Krishtit.

Faqja 8 prej 8 FillimFillim ... 678

Tema të Ngjashme

  1. 6 dhjetor - Shën Nikolla i Mirës së Likisë
    Nga Manulaki në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 07-12-2024, 02:55
  2. Onufri, ikonografi më i madh shqiptar
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 06-11-2013, 13:00
  3. Shen Nikolla, apo Santa Klaus, apo Plaku i vitit te ri
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-12-2012, 11:53
  4. Niko NIKOLLA, "Arabaja me katër rrota dhe me tri klasë"
    Nga Xhuxhumaku në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-05-2006, 16:14
  5. Niko Nikolla
    Nga Ladi05 në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 06-01-2006, 19:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •