Close
Faqja 4 prej 8 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 40 prej 76
  1. #31
    Ati, Biri dhe Shpirti Maska e simonpjetri
    Anëtarësuar
    28-10-2008
    Postime
    85
    Sot me 1 tetor kalendari kishtar kujton Shën Terezën e Krishtit Fëmijë


    Pra,sot më 1 tetor, kalendari kishtar përkujton Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, rregulltaren e re të klauzurës nga Lisië, Doktore e Kishës dhe Pajtore qiellore e misioneve.

    Tereza lindi në Alanson në Normandi në vitin 1873 nga një familje të borgjezisë të vogël (i ati ishte orëndreqës) e ajo ishte i teti fëmijë, ku mori edukatë katolike. Në moshë ende të njomë, Tereza u dallua për besimin e thellë fetar si dhe për një karakter të pavarur.

    Shumë shpejti, në moshën 15 vjeçare zgjodhi rrugën e Karmelit, duke u mbyllur në një nga kuvendet e klauzurës ku kaloi vitet e pakta të jetës së saj në një atmosferë thellësisht mistike. Vdiq nga tuberkulozi pa i mbushur ende 24 vjetët. Ndërronte jetë, natën mes 30 shtatorit e 1 tetorit të vitit1897. Vinte te këmbët e Kryqit vuajtjet e saj, si flije shpërblimi për shpirtrat e mëkatarëve. Është shenjta e dialogut dhe e buzëqeshjes. Duke vdekur, la pas vetes, gjithmonë të gjallë, mesazhin e madh "të rrugës së vogël" përmes së cilës mund të arrihet deri te Krishti. E ky mesazh nuk do të vdiste me të. Shpallet e shenjtë më 1925 e po këtë vit shpallet “Pajtore e Misioneve”.

    E motra, Paolina, që e pati nxitur ta shkruante përvojën e saj shpirtërore, vendosi t'i botonte "Fletoret " e Terezës. Fama e Shenjtërisë së Motrës së vogël të Krishtit Fëmijë, të cilën ndër figure e shikojmë me Kryqin në njërën dorë e me një tufë trëndafila në tjetrën, u përhap me shpejtësi.

    Pati premtuar të reshte një shi trëndafilash mbi njerëzimin: reshi hire hyjnore, me aromë edhe më të mirë se ajo e luleve. Më 19 tetor 1997, Papa Gjon Pali II, duke vlerësuar lart doktrinën e saj shpirtërore, i dha titullin "Dijetare të Kishës Universale": është gruaja e tretë që meriton një nderim të tillë në Kishë, pas Katerinës së Sienës dhe Shën Terezës së Avilës. Emrin e saj e mori edhe Nëna jonë Terezë Gonxhe Bojaxhiu, e me lumturimin e saj, Kisha universale njeh tri Tereza të mëdha!

    Ndër fjalët më të njohura të Mësueses shenjte të kohëve moderne, Pajtores së misioneve dhe Pajtores së dytë të Francës, Shën Terezës Martë, që u bë e njohur me emrin rregulltar "Shën Tereza e Krishtit Fëmijë” janë: “Ja qielli im, fati im: të shkrihem nga dashuria për Krishtin”.

  2. #32
    Ati, Biri dhe Shpirti Maska e simonpjetri
    Anëtarësuar
    28-10-2008
    Postime
    85
    Sot me 4 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Françeskun e Asizit.


    Nga një rini e çkujdesur e plot dëfrime, si pati ndjerë mëshirë për të gërbulurit, u kthye në rrugën e Ungjillit dhe e jetoi pa asnjë lëkundje, në varfëri e në gëzim, duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur, të varfër e të pastërt, sipas shpirtit të lumnive. Së bashku me vëllezërit e parë që e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të tij, predikoi kudo dashurinë e Zotit, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në përtëritjen e Kishës.

    I dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave. Qe frymëzues e Atë i familjeve rregulltare mashkullore e femërore që morën prej tij emrin “françeskane”. Piu XII e shpalli Pajtor të Italisë më 18 qershor 1939.
    Urdhri françeskan nisi së pari në Asizi të Italisë, por shumë shpejt u përhap në vise të tjera të botës, e edhe në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare.

    E sot, ndër të gjitha Kishat françeskane të botës u kremtua festa e Shenjtit themelues Françeskut, që vijon të tërheqë me shembullin e vet mijëra njerëz të feve e kombësive të ndryshme në rrugën e Krishtit Zot e Shpëtimtar. Shën Françesku i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore, na mësoi, kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë Ungjillin.
    "Biri i vetëm ‑ që është Hyj, një natyre me Atin"

  3. #33
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83
    Me 6 tetor kisha katolike feston shën Brunon, meshtar e murg e themelues i Urdhrit të Çertozinëve


    Bruno lindi në Këln rreth viteve 1030-1035. Ndoqi shkollën e Katedrales së Reimsit, që i përgatiste të rinjtë për rrugën kishtare. Në vitin 1056 u caktua profesor i filozofisë dhe i teologjisë, duke fituar nderimin e simpatinë e nxënësve të tij. Ndërmjet tyre ishte edhe Odoni i Lagerisë, papa i ardhshëm Urbani II.

    Në vitin 1075 u emërua kancelar i kryeipeshkvit simoniak të Reimsit, Manase. Me që ishte njeri i drejtë, shumë shpejt ndërmjet tij e ipeshkvit lindën konflikte, që përfunduan vetëm më 1080, kur Gregori VII urdhëroi të zgjidhej një ipeshkëv i ri për Reimsin.

    I pakënaqur nga bota, në vitin 1082 nisi jetën vetmitare pranë Molesmes, ndërsa dy vjet më pas, së bashku me gjashtë shokë, u vendos në dioqezën e Grenobles, ku u mirëprit nga ipeshkvi Ugo dhe nga abati Seguino i Sheî-zë- Dië. Me ndihmën e ipeshkvit ndërtoi, në trojet malore të Shartrëzë, shtatë baraka, ku murgjërit jetonin në heshtje, në lutje e në punë. Vetmia e plotë ndërpritej vetëm kur mblidheshin së bashku për të thënë një pjesë të Ofices ose për të marrë pjesë në Meshën shenjte në ditët festive. Së bashku me shokët e tij, shenjti iu kushtua punës së dorës e, posaçërisht, veprimtarisë së kopjimit të dorëshkrimeve.Lindi kështu Urdhëri Çertozin.

    Në vitin 1088 Urbani II e thirri në Romë si këshilltar, por me që aty gjeti një mjedis të korruptuar, në vitin 1092, pasi siguroi njohjen dhe autonominë për kuvendin e themeluar pranë Grenobles, vendosi të largohej në La Torre, në mes pyjeve kalabreze.
    Realizoi përsëri idealin e tij murgar duke kërkuar Zotin në heshtje e në vetmi, në gjurmët e etërve të shkretëtirës. Ndërtoi rishtas një eremitazh sipas stilit të atij të Shartrëzës e edhe këtu rreth tij u mblodhën shumë shokë.

    Vdiq në Serra Shën Bruno më 6 tetor 1101, i rrethuar nga një famë e madhe shenjtërie. Papa Leoni X, në vitin 1514, miratoi kultin e tij; Gregori XV më 1622 e radhiti ndërmjet shenjtorëve të Shkurtores e në Mesharin Romak, ndërsa dy vite më parë, Papa Benedikti XVI, duke bashkëkremtuar Meshën shenjte me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan, e kujtoi kështu Shën Brunon, 905 vjet pas vdekjes: “Misioni i Shën Brunos, i shenjtit që u festua sot, duket qartë në lutjen, që na shpjegon se misioni i tij ishte: heshtje e kundrim i Fjalës së Zotit. Por heshtja e kundrimi kanë një qëllim, shërbejnë për të ruajtur, në përhumbjen e jetës së përditshme, bashkimin e përhershëm me Zotin. Ky është qëllimi: që në shpirtin tonë bashkimi me Zotin të jetë gjithnjë i pranishëm e të na shndërrojë plotësisht”.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  4. #34
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    22.10.2009

    Sot kalendari Kishtar kujton Shën Donatin e Fiezoles.


    Donati lindi në Irlandë aty nga fundi i shekullit VIII në një familje fisnikësh të krishterë. I shtyrë nga dëshira për t’u bërë i krishterë i përkryer, në vitin 816 u largua nga familja e nga atdheu e nisi të shtegtojë në vise të ndryshme. Shkeli si shtegtar edhe në Romë.

    Si e realizoi këtë dëshirë, mori rrugën e kthimit në atdhe e në shtëpinë atërore. Por pikërisht në sa po kthehej, arriti në Fiezole kur populli po zgjidhte ipeshkvin e ri. Çuditërisht fiezolanët zgjodhën shtegtarin e udhëve të largëta. Ishte viti 829. Ai do të vijonte ta drejtonte dioqezën e Fiezoles për 40 vjet me radhë, deri në vdekje.

    Qe njeri i letrave dhe ushtroi ndikim të fuqishëm mbi shkollën e ngritur në Firence nga Lotari. Shkroi shumë vepra, nga të cilat arriti deri në ditët tona vetëm një epitaf i shkruar për varrin e tij, shumë i çmuar për njoftimet autobiografike që përmban, një besojmë poetike, të cilën ua pati lexuar miqve para se të vdiste, si dhe lavdet për Shën Brigjidën, pajtore e Irlandës.

    Vdiq në Fiezole ndërmjet viteve 874- 877 e u varros në katedralen e vjetër të qytetit, tek këmbët e kodrës, në kapelën kushtuar Shën Romulit. Më 1817 u mbart në katedralen e re, të ngritur mbi kodër. Kisha fiezolane e kremton më 22 tetor.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  5. #35
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    24.10.2009

    Me 24 tetor, kalendari Kishtar kremton Shën Antonin Maria Klaret.


    Shën Antoni lindi në Katalonjë të Spanjës më 23 dhjetor 1807, në një familje endësish katalanë, të cilëve Zoti u kishte falur dhjetë fëmijë. U shugurua në vitin 1835, në moshën 28 vjeç. Në vitin 1839 shkoi në Romë, ku i drejtoi Propaganda Fides lutjen të dërgohej si misionar atje ku kishte më shumë nevojë. Si nuk mundi ta plotësonte këtë dëshirë, u kthye në atdhe, ku predikoi në të katër anët e vendit, duke fituar një popullaritet të jashtzakonshëm. Në vitin 1849 themeloi kongregatën apostolike ‘Bijtë e Zemrës së Papërlyer të Zonjës së Bekuar’, që sot njihen si ‘Misionarët Klaretianë’, të cilët në fillim të mijëvjeçarit të tretë kryejnë misionin e tyre në 65 vende të ndryshme ndër të pesë kontinentet.

    Në vitet 1936-39, gjatë luftës civile spanjolle, 271 nga sivëllezërit e tij u mbytën për shkak të mbrojtjes së fesë. Ndërmjet tyre spikasin 51 martirët e Barbastros, shpallur të Lum nga Gjon Pali II më 1992.

    Në vitin 1849 u emërua kryeipeshkëv i Santjagos në Kubë, që asokohe i përkiste kurorës spanjolle. Arriti në vendin e ri të misionit në shkurt të vitit 1851. Iu desh të përballonte problemet e rënda morale, fetare e shoqërore që prisnin prej kohe zgjidhje në jetën e banorëve të ishullit, si bashkëjesta pa kurorë, varfëria, skllavëria, padija etj etj, të cilave u shtoheshin dy fatkeqësi edhe më të rënda të natyrës: thatësira e termetet. Përshkoi katër herë me radhë dioqezën e vet, i shoqëruar nga një grup misionarësh vërtetë të shenjtë. Fuqizoi punën e seminarit për formimin e klerit, nxiti zhvillimin e bujqësisë, duke botuar libra profesionalë e duke ngritur edhe një fermë-model në Kamaguej. Krijoi në çdo famulli arkat e kursimit, vepër pioniere për Amerikën Latine. Promovoi edukimin, duke kërkuar institute fetare e duke krijuar, së bashku me të Nderuarën Maria Antonia Paris, Kongregatën e Rregulltareve të Zojës së Papërlyer (Misionaret klaretiane). Për shkak të mbrojtjes të të drejtave të Kishës dhe të njeriut, nisi të sulmohet nga politikanët e padenjë e njerëzit e korruptuar. E kështu filluan për të kërcënimet e atentatet, në njërin nga të cilët, në Holguin, u plagos rëndë në fytyrë. Në vitin 1857 mbretëresha i bëri thirrje të kthehej në Madrid si rrëfyes i saj. Ai u kthye e vijoi të predikojë Ungjillin në kryeqytet e në gjithë gadishullin. I internuar në Francë, arriti së bashku me mbretëreshën në Paris, ku vijoi predikimin e lajmit të mirë. Pastaj u nis në Romë ku, duke marrë pjesë në Koncilin I të Vatikanit, mbrojti me zjarr pagabueshmërinë e Papës së Romës. U rikthye në Francë, ku nisi revolucioni e me të, edhe një persekutim i ri për Shenjtin. U strehua në kuvendin e Fortfruad pranë Narbonës, ku mbylli shenjtërisht sytë më 24 tetor 1870.

    Mbi varr i skalitën fjalët e Papës Gregori VII: “E desha drejtësinë e e urreva poshtërsinë, prandaj po vdes në internim”. Trupi i tij nderohet në Shtëpinë Nënë të Klaretianëve në Vik - Barcelonë. U shpall shenjt më 8 maj 1950 nën papninë e Piut XII, i cili e quajti: “Njeri i madh, i lindur për të sheshuar kundërshtimet; me trup të vogël, por me shpirt vigan; modest në dukje, por me aftësi të tilla, që u impononin respekt edhe njerëzve më të mëdhenj të tokës; me karakter të fortë, por jo pa ëmbëlsinë e njeriut që di të bëjë pendesë; përherë në praninë e Zotit, edhe ndër veprimtaritë më të zakonshme; i sharë e i admiruar, i lavdëruar e i persekutuar, gjithnjë i ndriçuar nga drita më ëmbël e kësaj bote: devocioni për Nënën e Zotit”.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  6. #36
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Sot me 21 nëntor kalendari Kishtar kremton festën e Paraqitjes së Marisë në tempull




    Mbi këtë paraqitje të Zojës Mari në tempull, për t’iu kushtuar Zotit qysh në fëmijëri të parë, na flasin vetëm tradita dhe shkrimet apokrife. Liturgjia lindore e shënon ketë festë që në shekullin e katërt, ndërsa në Perëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV.

    E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyut me shpirt e me trup. Zonja me ketë akt bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare.

    Prandaj sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha kremton edhe Ditën Pro orantibus, kushtuar kryesisht rregulltareve të klauzurës.

    Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 20 nëntorit 2006, Benedikti XVI pati kujtuar se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve. Maria, që paraqitet në tempull, është ikonë profetike e atyre që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha u shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre që kalojnë çaste të vështira.

    Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës.

    Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar.Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti duhet të jetë në qendër të jetës së tyre, se duhet të luten e ta dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë e tyre.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  7. #37
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83
    Sot më 24 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Andreun Dung-Lak dhe 116 shokët martirë të Vietnamit.



    Historia e krishterimit në Vietnam, filloi në shekullin e XVI me misionarin francez atë Aleksandër de Rodes, që konsiderohet apostulli i parë i kësaj Kishe aziatike, aso kohe e ndarë në tri rajone: Tonkěn, Anam e Koçinçina. Pra në Vientam e në rajonin Tonkěn fjala e Ungjilli për herë të parë kumboi në shekullin e XVI, përmes martirizimit. Numri i përgjithshëm i viktimave, gjatë tre shekujve në këtë tokë, arrijnë në afër 130.000. Data e 24 nëntorit është dita e martirizimit të disa prej këtyre shenjtorëve, si Andreu Dung-Lak meshtar që lindi në Vietnam, në vitin 1795, nga prindër paganë. Duke qenë tepër e varfër, familja ia shiti një katekisti të krishterë, që e mbajti pranë në misionin e Vinh-Tri, ku e pagëzoi dhe e shkolloi. Si u bë edhe ai katekist, vendosi të fillojë studimet teologjike dhe, më 15 mars të vitit 1823 u shugurua meshtar.
    U caktua famullitar në zona të ndryshme. Ndonëse në vend kishte shpërthyer persekutimi më i egër antikristian, ai e vijoi misionin e vet, duke vënë në rrezik edhe jetën. Gjatë sundimit të mbretit Minh-Mahn, u burgos disa herë për shkak të fesë. Por sa herë burgosej, të krishterët e lironin nga burgu, duke paguar shumën e caktuar për këtë qëllim. E kjo nuk ishte aspak e lehtë, në një kohë kur ai që fshihte një të krishterë, dënohej me vdekje.
    Më 10 nëntor 1839 Andreu u arrestua në Ké-Song e më vonë u lirua, pas pagesës së zakonshme. Ndërsa kapërcente lumin me varkë, u arrestua nga sekretari i prefektit, i cili e njohu. Më 16 nëntor 1839 u mbyll në qelitë e tmerrshme të burgut në Hanoi, ku iu nënshtrua një hetuesie të gjatë e të mundimshme. I ftuar të mohojë fenë e të shkelë Kryqin, u përgjigj se ishte gati të vdiste, por jo të mohonte. E dënuan me prerjen e kokës. Dënimi u zbatua më 21 nëntor 1839.
    Së bashku me Andreun kujtohen edhe 116 martirë të tjerë vietnamezë, që e dëshmuan besnikërinë e tyre ndaj Krishtit gjatë historisë së ungjillëzimit të vendit. Fara e hedhur në vitin 1617 në Tonkin nga Atë Aleksandër de Rodes, dha fryte të begata. Andreu e shumë të tjerë u shpallën të Lumë nga papa Leoni XIII më 190. pastaj disa të tjerë nga Piu X më 1909, nga Piu XII më 1925; prej këtyre 117 u shpallën shenjtë nga Papa Gjon Pali II më 19 qershor 1988.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  8. #38
    Ati, Biri dhe Shpirti Maska e simonpjetri
    Anëtarësuar
    28-10-2008
    Postime
    85
    Kisha katolike përkujtoi Shën Gjon Damashenin.


    04.12.2009
    Shën Gjoni, meshtar e dijetar i Kishës, që u pagëzua me emrin Jahja ibn Sargun ibn Mansur, lindi aty nga gjysma e shekullit VII në një familje arabe kristiane e vdiq në vitin 749. Konsiderohet si përfaqësuesi i fundit i patrologjisë greke dhe lindore për veprat e tij monumentale, ndërmjet të cilave shquhet "Burimi i dijes". Veprimtaria e tij letrare është jashtzakonisht e larmishme: ishte poet e autor tekstesh liturgjike; gojtar, filozof e apologjet. Bir i njërit nga funksionarët më të lartë të Khalifit të Damaskut, Gjoni i vogël pati shokë lodrash princin trashëgimtar të vendit, që më vonë do t'i propozonte detyrën e t'et si ministër i financave.
    Po ai, më shumë se oborrin mbretëror, më tepër se ofiqet e luksin e pallatit, parapëlqeu të mbyllej në kuvendin e Shën Sabës, pranë Jeruzalemit, ku u shugurua meshtar dhe thelloi njohuritë e tij teologjike, duke u përgatitur kështu për detyrën e predikatarit në Bazilikën e Varrit të Krishtit.

    Nga Jeruzalemi zëri i tij nisi të dëgjohej në të gjithë botën e krishterë, në mbrojtje të çështjeve më të shenjta. Mbeti i famshëm shkrimi "Tri diskutime në favor të figurave shenjte" në mbrojtje të figurave kundër ikonathyersëve, të udhëhequr nga vetë perandori i Bizantit, Leoni III. Iu desh ta paguante shtrenjt këtë akt të guximshëm kundër vetë Perandorit.

    Në këtë diskutim filozofik, Shën Gjoni pati rastin të zbulonte gjithë përgatitjen e tij teologjike, vënë në dispozicion jo vetëm të Patrikut të Jeruzalemit, por të mbarë Kishës. Kështu në Koncilin II të Nikesë (i 7-ti ekumenik) ai u vlerësua jashtzakonisht jo vetëm për diturinë e jashtzakonshme por kryesisht për shenjtërinë e tij.
    "Biri i vetëm ‑ që është Hyj, një natyre me Atin"

  9. #39
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Me 6 dhjetor nga kalendari kishtar përkujtohet Shën Nikolla, ipeshkëv




    Fama e Shën Nikollës ipeshkëv është universale: dokumentohet nga Kishat dhe veprat e artit, institucionet e traditat e lidhura me emrin e tij. E, megjithatë, të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Pŕtara të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i Mirës, po në Liçie.

    Nikolla vdiq më 6 dhjetor. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i tij nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit.

    Shtatëdhjetë e dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor i qytetit. Më 29 shtator të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një kishë të qytetit, reliket e Shenjtit u vendosën përfundimisht në kriptën e përgatitur pranë bazilikës që u ngrit mbi to. Do të ishte vetë papa Urbani II që do t’i vendoste reliket në lter. Në fund të shekullit XX bazilika, që Papa Piu XII ia besoi dominikanëve, u kthye në vend takimi ndërmjet Kishave të Lindjes e të Perëndimit dhe në seli të Institutit të teologjisë ekumenike “Shën Nikolla”.

    Ne Keshillin e Pare Ekumenik ne vitin 325, Shen Nikolla ishte pjesemarres. Ky keshill shpalli Simbolin Besimit, dhe ai foli kunder heretikeve si Arius me shenjtoret e tjere.

    Ishte jashtzakonist guximtar dhe i mbushur me zellë. Shen Nikolla, i mbushur me zell per ti sherbyer Hyjit, e sulmoi heretikun Arius me fjale dhe e goditi ate ne fytyre. Mirpor per kete arsye, atij iu hoq emblema e ipeshkveit dhe u vendos nen kontrollin e rojeve. Por disa prej Eterve te Shenjte paten te njejtin vegim, pane Vete Zotin dhe qe ia ktheu Shenjtorit Ungjillin dhe emblemen e ipeshkvit. Eterit e Keshilit rane dakord se guximi i shenjtorit ishte i pelqyeshem nga vet Hyji dhe ia riktheun shenjtorin postin qe kishte me parë.

    Pasi u kthye ne dioqezen e tij, shenjtori i solli paqe dhe bekime duke mbjelle fjalen e se Vertetes, duke shkulur me rrenje herezite, duke ushqyer tufen e tij me doktrine te shendoshe dhe duke u dhene ushqim per trupin.

    Sipas traditave dhe gojëdhënave, Zoti neprmjet ketij Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron Mirën nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, ngjall së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët e këndojnë sërish natën e festës së Shenjtit, me devocion të jashtëzakonshëm, nën dritën e qiriut të trashë, ndezur për nder të tij.

    E, gjithnjë sipas traditës, natën e festës, piqet edhe “fërliku i Shën Kollit”, ose flijohet një gjel. Shumë ndër shqiptarët katolikë e ortodoksë mbajnë emrin Nikollë emër që ka marrë një mori trajtash si: Lec, Kolec, Kolë, Nikolin, Koli, Kolin e Lin.

    Edhe ndër trojet shqiptare Shenjtit të mrekullive i janë kushtuar disa Kisha. Po kujtojmë vetëm Kishën e Shën Nëkollit në lagjen Rus të Shkodrës, shkatërruar nga komunistët e rindërtuar përsëri – një mrekulli e re kjo e Shenjtit; një Kishë tjetër e njohur kushtuar Shenjtit ngrihet në Velezhë të Kosovës, që e ka edhe pajtor.

    Shën Kolli njihet menjëherë në ikonografi, sepse mban në dorë shkopin baritor dhe tri kuleta – siç quhen në këngën shqiptare kushtuar Shenjtit, të trija plot me monedha ari, që do të shërbenin për pajën e tri vajzave të varfra.

    Shenjti është pajtor i fëmijëve, i djemve e vajzave të reja, i nxënësve, i farmacistëve, i udhëtarve, i detarëve, i peshkatarëve. Emri Nikolla vjen nga greqishtja e do të thotë fitimtar i popullit.




    Urime dh per shumë mot festa e Shenjtit Nikollë (Shenkollit), Zoti u bekoftë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga toni77_toni : 06-12-2009 më 19:28
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  10. #40
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83
    Sot me 22 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Vinçenc Palotit, meshtar


    “Është meshtar i mirë. I përgatitur, rrëfyes në Seminarin romak dhe në Kolegjin Urbanian të Propaganda Fides. Aktivizohet në shumë vepra bamirësie. Po pse dashka të themelojë një shoqëri për apostullimin katolik? Sikur për këtë të mos ishin prej kohe strukturat e Kishës?

    Vinçenc Paloti, romak, i lindur në vitin 1795, meshtar që nga viti 1818, u ndesh me mosbesim e pengesa të shumta në botën kishtare kur, ashtu si pak kush, (dom Nikollë Maca në Veronë për shembull) kuptoi s’kërkonte koha nga katolikët.

    Pas stuhisë së Revolucionit francez e të Napoleonit, ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë e studiues u vunë me gjithë shpirt në mbrojtje të fesë. E Vinçenci e shikonte këtë dhe e vlerësonte. Por ai mendonte se kjo ishte e pamjaftueshme: problemi i vërtetë nuk ishte të mbrohej gardhi, brënda të cilit ndodheshin besimtarët. Jo, duheshin fituar besimtarë të tjerë, kudo, duke i shembur gjerdhet. E shtonte: kjo është detyrë e të gjithëve; çdo i krishterë e ka për detyrë ta ruajë fenë e ta përhapë atje ku nuk ka arritur akoma ose ku nuk është më. Ky ishte një program sulmi.

    Vinçenci respektonte mandatin e veçantë të Papës, të ipeshkvijve, të klerit, por fliste edhe për ‘apostullimin katolik” si detyrë dhe e drejtë e çdo besimtari, sepse Zoti i urdhëron të gjithë të kujdesen për shëndetin e shpirtit të të afërmit. Mbi këtë bazë lindi në vitin 1835 Vepra e Apostullimit Katolik, shoqatë laikësh, që do të kishte si pjesë të brendshme e si forcë lëvizëse një bashkësi meshtarësh, e ndjekur nga Kongregata e Motrave të Apostullimit katolik (që njihen me emrin Palotine). Qëllimi: ta bënte Krishtin të njohur me fjalë, me mësim, me vepra materiale e shpirtërore bamirësie Gregori XVI e miratoi veprën, e atëherë në Romë të gjithë nisën ta shikojnë me nderim don Vinçencin. Por shoqëria e tij e apostullimit, pas fillimit të mbarë, nisi të haste pengesë pas pengese, duke filluar nga shtyrja e vazhdueshme e miratimit të rregullës (deri në vitin 1904).

    Vinçenci vdiq me famën e njeriut shenjt, por që ama e kishte bërë një gabim.

    Gjithsesi ai që quhej ‘gabimi i tij’, vijonte të përparonte, duke bërë që, në fund të shekullit XX, palotinët të luanin një rol gjithnjë më të rëndësishëm. E megjithatë ky i ashtuquajtur ‘gabim’, që solli frymë të re në Kishë, e ngadalësoi çështjen e shenjtërimit të Tij, gjithnjë përmes keqkuptimesh e dritëshkurtësie. U desh Papa Piu XI për t’i dhënë fund mosbesimit e për ta shpallur Vinçencin punëtor të vërtetë’ e ‘bashkëpunëtor të çmuar të misionit katolik’, ndërsa shenjt u shpall nga Gjoni XXIII në vitin 1963.

    Dy vjet më pas, dekreti Apostolicam actuositatem i Koncilit II të Vatikanit do të shpallte solemnisht: “Laikët kanë të drejtën dhe detyrën e apostullimit, që buron nga bashkimi i tyre me Krishtin, Kryet e Kishës”. Kështu jehuan fjalët e Vinçenc Palotit, 130 vjet pas vdekjes së tij në Kishën universale, me zërin e Papës Pali VI dhe të ipeshkvijve të mbarë botës.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

Faqja 4 prej 8 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. 6 dhjetor - Shën Nikolla i Mirës së Likisë
    Nga Manulaki në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 07-12-2024, 02:55
  2. Onufri, ikonografi më i madh shqiptar
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 06-11-2013, 13:00
  3. Shen Nikolla, apo Santa Klaus, apo Plaku i vitit te ri
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-12-2012, 11:53
  4. Niko NIKOLLA, "Arabaja me katër rrota dhe me tri klasë"
    Nga Xhuxhumaku në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-05-2006, 16:14
  5. Niko Nikolla
    Nga Ladi05 në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 06-01-2006, 19:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •