Close
Faqja 3 prej 8 FillimFillim 12345 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 30 prej 76
  1. #21
    i/e regjistruar Maska e Rroni01
    Anëtarësuar
    19-03-2009
    Postime
    355
    3 korrik,
    Kisha katolike përkujton Shën Tomën Apostull



    Nje shenjt i madhe dhe i kthyer komplet kah Zoti!!!

    Ndoshta edhe ai peshkatar, si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që në aramajke do të thotë “binjak”.

    E takojmë për herë të parë ndërmjet apostujve, por nuk dimë asgjë për jetën e tij të mëparshme. Nuk ia dimë as datën e lindjes, as mjeshtrinë që ushtronte. Ia dëgjojmë për herë të parë zërin, aspak entuziast, në Ungjillin e Shën Gjonit e pikërisht në Kapitullin I. Por duhet të theksojmë se ata të cilët e kujtojnë vetëm për çastin e famshëm të mosbesimit në ngjalljen e Krishtit, gabohen përsa i përket figurës së tij. Ai nuk ishte njeri me fe të paktë, siç mund të besohet, por njeri që e di mirë se nuk është aspak e lehtë të besosh. Prandaj nuk dëshiron të mbajë qëndrim hipokrit. Flet haptazi për vështirësitë e për dyshimet e tij. Shfaqet para syve tonë siç është, pa maskë. E ne na duket se na ngjet, se na ndihmon. Mosbesimi i tij, dyshimet dhe pyetjet që i bën Jezusit, na mësojnë ta thellojmë fenë.

    Tomën e takojmë edhe në Kapitullin XXII të Ungjillit të Shën Gjonit, në kohën kur Jezusi u duket apostujve në brigjet e liqenit të Tiberiades. Pastaj, për herë të fundit, për të flitet në Veprat e Apostujve (Kreu I), menjëherë mbas të Ngjiturit të Krishtit në qiell.

    E pastaj emrin e tij nuk e gjejmë më në asnjë shkrim. Ashtu si nuk e dimë kur e ku lindi, nuk e dimë as kur, ku e si vdiq. Disa shkrime, që mendohen si të tijat, madje edhe një Ungjill apokrif, nuk janë të besueshme. Në gjysmën e shekullit VI tregtari egjiptian Kozma Indikopleusti shkruante se kishte gjetur në Indinë jugore grupe të panjohura të krishterësh, të cilët i kishin pohuar se Ungjillin e kishte sjellë ndër viset e tyre Shën Toma Apostull. Prandaj edhe quhen “Tomokristianë”, bashkësi që vijon të jetojë edhe në kohët tona, por e përzier me besimtarë sa katolikë, aq edhe të kishave protestante e të riteve kristiano-lindore.

  2. #22
    i/e regjistruar Maska e Rroni01
    Anëtarësuar
    19-03-2009
    Postime
    355
    Më 3 korrik Kisha përkujton Shën Tomën Apostull

    Toma, i cili mendohet se ishte peshkatar, si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që do të thotë ‘binjak’. Është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jeruzalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”.

    Figurë shumë e dashur për Papën Benedikti XVI, Shën Toma është kujtuar dy herë nga Ati i Shenjtë gjatë vitit në vijim: në kremtimin e Pashkëve e në atë të 80-vjetorit të ditëlindjes, të dyja herët lidhur ngushtë me jetën aktuale të të krishterit të sotëm.

    Ja si na e përshkruan Ati i Shenjtë Shën Tomën në homelinë e mbajtur me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes ( 16. 04.2007):
    “Në fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës me Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të.

    Mëshira e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. Jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar, si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë, ndonëse është aq e ngushtë sa të zerë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë është Zoti me ne, si mendon për ne pikërisht në gjërat tona të vogla, për të na ndihmuar kështu të arrijmë tek të mëdhatë.

    “Në se përmes këtij Apostulli mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues”.

    Secili nga ne – vijoi Papa, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë?

    “E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë – pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur”.

    Toma – vijoi të shpjegonte Papa - mori nga Zoti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur – reflektoi Ati i Shenjtë - rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare – pohoi Papa e në vijim theksoi: - Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!

  3. #23
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Më 6 qershor, kalendari Kishtar përkujton Shën Norbertin, ipeshkëv


    Shën Norberti është themelues, në vitin 1121, të një Urdhëri të vjetër rregulltar Murgëtar, që ju përkushtue edhe ungjillëzmit “ad extra” të jashtëm, duke paraprijë kështu ngjarjen e Urdhërave lypsar: Premostratensët. Emri vjen nga lugina franceze e Prémontrés, në afërsi të Laonit, ku Shën Norberti qe ndalur dhe pati jetuar gjatë së bashku me disa shokë.

    Norberti lindi në Xanten të Gjermanisë, në vitin 1080. Kaloi një jetë shekullare mes të mirave materiale, larg praktikimit të fesë, derisa një ngjarje që përjetoi, e nxiti ta ndryshonte jetën rrënjësisht. Një rrufe kishte rënë afër tij, po për fat pa e vrarë, vetëm e kishte lën pa ndjenja përtokë.

    Nga kjo ngjarje tronditëse, Norberti vendosi të kthehej dhe ta përqafojë fenë e krishterë, u kushtue Zotit dhe gjithnjë në lutje, më vonë, në vitin 1115 u shugurue prift. Punojë me të gjitha forcat për reformën e klerit e predikonte këmbëzbathur në misionet shëtitëse. Urdhëri murgar, të cilin ai e themeloi, shumë shpejt u përhap në Evropë dhe në Palestinë. Prej vitit 1126 qe emëruar ipeshëv i Magdeburgut. Vdiq më 1134 dhe më 1582 u shpall shenjtë.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  4. #24
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Me 7 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Astin, Ipeshkëv i Durrësit e Martir.



    Për Shën Astin gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak është gërmuar arkeologjia apo ndër kujtesa e ndër libra për ta rikrijuar edhe një herë jetën e këtij bariu martir. Dimë me siguri se Shën Asti ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Durrësit gjatë sundimit të Trajanit (98-117), në sa Iliriku qeverisej nga Agrikolao. Pikërisht në këtë kohë u martirizua Shën Asti, sepse nuk pranoi të nderonte shtatoren e Dionizit. Duhet të ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim derdhi gjakun për Krishtin, duke dhënë dëshminë më lartë.

    Një ditë të nxehtë të korrikut Shën Astin e zhveshën lakuriq duke i lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dha shpirt pas torturave të mëdha e çnjerëzore. Pastaj trupin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më vonë mbi varrin e Shën Astit u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe Shën Asti u shpall mbrojtës i qytetit të Durrësit.

    Emri i Shën Astit, gjendet edhe në përshkrimin e martirizimit të Pelegrinit, Luçianit, Ezikut, Papios, Saturninit e Gjermanit që, sapo ishin strehuar në Durrës, panë trupin e Astit akoma të mbërthyer në kryq e, të ngushëlluar nga flijimi i tij, shpallen se ishin të krishterë dhe pësuan menjëherë të njëjtin fat. Menologu i Bazilit e kremton Astin më 6 korrik e po në këtë datë, edhe Vjetari kishtar greko-sllav.

    Ndërsa në Senasarin e Kostandinopojës, festa e tij kremtohet më 7 korrik, së bashku me Shën Pelegrinin e shokët martirë të Durrësit. Emri i Shën Astit ishte i nderuar në gjithë zonën e Shqipërisë Veriore, gjë që e vërteton Kisha e françeskanëve në Rubik e cila, në se i besojmë dëshmive gojore të përcjella brez pas brezi në popull, duhet të ketë qenë fillimisht e Etërve Benediktinë, për t’u kaluar më pas françeskanëve – siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale “Illyricum Sacrum”. Kisha e vogël ishte e pikturuar me afreske, poshtë të cilave shkruheshin citate nga Shkrimi Shenjt si edhe emrat e shenjtërorëve të pikturuar. Ndërmjet tyre ishte edhe emri i Shën Astit, ipeshkvit e martirit të Durrësit.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  5. #25
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Sot më 8 korrik, kalendari kishtar përkujton festën e Shenjtorëve Akuila e Prishila, bashkëshortë martirë, nxënës të Shën Palit



    Sot më 8 korrik, kalendari Kishtar përkujton Shën Akuilën e Shën Prishilën, dishepuj shumë të dashur të Shën Palit e bashkëpunëtorë në kauzën e Ungjillit, i cili i kujton me emër në Letrat e tij, posaçërisht në Letrën shkruar Efezianëve, Korintianëve e Romakëve. Akuila ishte hebre i ardhur nga Ponto i Azisë së Vogël, në Romë, e ku u martua me të shoqen, Prishilën, e po ku kishte hapur edhe një punishte për regjjen e lëkurave.

    Shën Pali Apostull duke i njohur cilësitë e mira dhe virtytet e këtij çifti bashkëshortor, u kërkoi të mikpritët e të banonte në shtëpinë e tyre në Korint. Dy bashkëshortët e shoqëruan Palin edhe në Siri, deri në Efez. Këtu e përgatitën në katekizmin e krishterë Apolin, jude nga Aleksandria e gojëtar i njohur, njohës i madh i Shkrimeve të Shenjta, por nuk kishte shumë njohuri për doktrinën e krishterë, si për shembull për pagëzimin e Jezusit. Akuila e Prishila e përgatitën dhe e pagëzuan para se të niseshin për në Korint.

    Nuk dihet me siguri e saktësi as data e lindjes, as ajo e vdekjes së bashkëshortëve martirë, por dimë me siguri se qenë model i besnikërisë bashkëshortore e dëshmitarë të bindur e shembullor në fenë e krishterë. Të vetmet burime mbi ta janë citimet biblike. Disa e identifikojnë Prishilën me virgjërën dhe martiren romake Priska e Akuilën me njërin nge banorët e Açilies, e lidhur me Katakombe, prandaj të dy kanë vdekur të martirizuar me kokëprere.
    E dimë edhe se menjëherë pas paqes Kostandiniane, për nder të tyre u ngrit një Kishë. Charl de Foucauld thoshte: “Duhet të bëjmë edhe sot, siç bënin dy njerëz të kohëve të lashta, duhet të mësojmë nga Akuila e Prishila, që flijuan jetën, për të mbrojtur sivëllezërit në fe”.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  6. #26
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    21.7.2009

    Me 21 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Lorencin nga Brindisi, meshtar e doktor i Kishës


    Duke shfletuar kalendarin, Kisha katolike përkujtoi Shën Lorencin nga Brindisi.Në pagëzim u quajt Jul Qesari. Lindi në Brindisi, në familjen fisnike, por tashmë të varfëruar, të Gulielm Russoit e Elizabeta Mazelës. Më 1559 i vdiq i jati, ndërsa e ëma e la vetëm 14 vjeç. Humbja e s’ ëmës i shkaktoi një dhimbje të thellë, të pangushëllueshme.
    Duke qenë tepër i vogël për jetë të pavarur, për të u kujdes një nga xhaxhallarët, i cili edhe e bëri bir në shpirt. Shkoi, kështu, të banonte në Venedik, ku u njoh me kapuçinët. Studioi në Veronë e në Padovë, më pas në Venedik. Në vitin 1582 Juli u bë fra Lorenci nga Brindisi. Ishte njeri i librave, njohës i thellë i Biblës, të cilën e dinte përmendësh në gjuhën hebraike. Shumë shpejt u bë i njohur edhe si predikatar. E kjo sepse, përveç kulturës së jashtëzakonshme, kishte edhe zë të bukur e pamje madhështore.
    Urdhëri e dërgoi në vendet më të vështira, në Bohemi, për shembull, ku popullata ishte shkëputur nga Kisha. U prit me armiqësi, por nuk hoqi dorë nga misioni i tij pajtues: nisi të predikonte me zjarr, të pajtonte armiqësitë, të udhëhiqte veprën e kapuçinëve. Me që fjala e tij përkonte plotësisht me mënyrën si jetonte, nisën ta respektonin edhe kundërshtarët më autoritarë të cilët, duke e ndjekur kur kremtonte Meshën, panë me sytë e tyre se ai e rijetonte flijimin e Krishtit në Kryq, që përsëritej në elter.
    Shumë shpejt u vlerësua nga sivëllezërit aq, sa të zgjidhej në krye të Urdhërit, si gjeneral i të gjithë fretërve, të cilët e mbiquajtën “ngushëllimi i vëllezërve”. Papët e princat evropianë i besuan misione të vështira diplomatike. Për tri vjet Fra Lorenci përfaqësoi Kishën në Bavari. E napolitanët, që nuk mund ta duronin më dukën Osuna, e kërkuan atë si ambasador pranë Filipit të Spanjës.
    Më 1619, pikërisht në sa drejtonte bisedimet e suksesshme me Filipin III në dobi të napolitanëve, u takua, papritmas, me “motrën vdekje” e cila e mori me vete në sa mbushte 60 vjeç. U shpall shenjt nën papninë e Leonit XIII në vitin 1881. Shkrimet e tij mbetën të panjohura deri në botimin e plotë në vitet 1925-1956. E pas këtij botimi, Papa Gjoni XXIII do ta shpallte Shën Lorencin doktor i Kishës, me cilësimin Doktor apostolik.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  7. #27
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Sot me 3 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Lidien.



    Lidia është fryti i parë i pjekur nën rrezet e diellit të krishterimit në Evropë. Ishte prozelite hebraike e jetonte në Filipi të Maqedonisë, ku Shën Pali Apostull, i shoqëruar nga Sila, Timoteo e Luka, pati shkuar gjatë shtegtimit të tij të dytë misionar, ndërmjet viteve 50 e 53. Shtëpia e Lidies u bë qendra e parë e bashkësisë të ndjekësve të Krishtit, pra Kisha e parë në Evropë, në të cilën apostujt takoheshin dhe u jepnin zemër vëllezërve.

    Ndonëse mungojnë të dhënat për kultin e Shën Lidies, që kujtohet në Martiriologun Romak, shenjtëria e saj është e qartë e del në pah, sepse Lidia qe ndër të parat që iu përgjigj me gjithë zemër e plot bindje hirit Hyjnor. “Të shtunën – rrëfen Shën Luka në Veprat e Apostujve - dolëm jashtë portës dhe ecëm gjatë brigjeve të lumit, ku mendohej se do të gjindej një vend për lutje. U ulëm e filluam t’u flisnim grave, që ishin mbledhur për të na dëgjuar.

    Njëra nga ato, e quajtur Lidia, tregtare purpure, nga qyteti i Tiatirës, grua me frikën e Zotit, po na dëgjonte. Zoti ia hapi zemrën që ta kuptonte çka po thoshte Pali. Atëherë ajo kërkoi të pagëzohej, e bashkë me të u pagëzuan edhe njerëzit e tjerë të familjes, të cilët nisën t’i prisnin misionarët në shtëpinë e tyre si miq të dashur. Kështu Lidia u bë prototip e simbol i të gjitha grave, që ndezën brenda mureve shtëpiake, flakën e fesë në Krishtin.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  8. #28
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    08.08.2000

    Me 8 gusht, kalendari kishtar kujton Shën Dedën Guzman, themelues të Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë.

    Shën Deda Guzman lindi në vitin 1175 në Kaleruega, provincë e Burgos, në familjen Guzman.Ishte bir i Feliçes dhe i Gjovanna de Azës. Që i ri ndjeu thirrjen për rrugë rregulltare. Me lejën e Papës, filloi të predikonte në një mënyrë krejt të re, të panjohur më parë. Nuk kërkoi tituj, shtegtoi në këmbë, jetoi me lëmoshë, predikoi Ungjillin me fjalë shumë të thjeshta mes turmave të popullit. Por ajo që kishte më tepër rëndësi e që i bindte dëgjuesit, ishte se e jetoi fjalë për fjalë atë që predikoi, duke i ftuar të gjithë të bëjnë kthesën e madhe e të ecin në rrugën e Zotit. U zgjodh dy-tri herë ipeshkëv, por gjithnjë refuzoi, sepse donte mbi gjithçka, të jetonte mes vëllezërve, në varfëri të plotë.Sapo përfundoi një nga luftërat e shumta, që aso kohe, si sot, nuk pushonin kurrë, më 1214 Deda shkoi në Tuluzë, ku lindi grupi i parë i etërve predikatarë. Pasi pati predikuar në veri të Italisë e në Marke, i raskapitur nga shtegtimet e pafundme, u vendos në kuvendin e tij të shumëdashur të Bolonjës, në një qeli që nuk ishte e tija, sepse ai, Themeluesi, nuk kishte asnjë qeli të vetën.
    Aty edhe ndërroi jetë më 8 gusht 1221, i rrethuar nga sivëllezërit, të cilëve u la këtë testament shpirtëror: “Jini të mëshirshëm, ruajeni përvujtërinë, mblidhni thesaret e varfërisë shenjte”. U shpall shenjt më 13 korrik 1234 nga papa Gregori IX. Urdhëri i etërve predikatarë, të njohur me emrin Dominikanët, që sot numëron 600 shtëpi me 6000 anëtarë, vijon të ecë në rrugën e themeluesit.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  9. #29
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    17.09.2009

    Më 17 shtator Kisha përkujton Shën Robert Belarminin, ipeshkëv e doktor i Kishës


    Më 17 shtator Kisha përkujton Shën Robert Belarminin, ipeshkëv e doktor i Kishës. Emri i Shën Robert Belarminit lidhet ngushtë sa me historinë e Kishës katolike ndër shqiptarë, aq edhe me atë të letërsisë shqipe. Vepra e parë e imzot Pjetër Budit, Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një nga veprat e para të shqipes së shkruar, është përkthim i katekizmit të Shenjtit Jezuit Robert Belarminit. U botua në Romë më 1618. Një kopje origjinale e librit ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449).

    Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna:

    "Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di SantaChiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori".

    (Doktrina e Krishterë, e hartuar për nder të kujtimit të të ndriturit, Papës Klementi VIII, nga Robert Belarmini, rregulltar i Shoqërisë së Jezusit, tani kardinal i Kishës së Shenjtë Santa Maria in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Dom Pjetër Budi, nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e të parëve).

    Në fund të faqes shënohet me shkrim dore: "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).

    Po të ndalemi tek figura e jashtëzakonshme e Shën Roberto Belarminit (1542-1621). Ai lindi në Montepulçano, në vitin 1542, në një familje të pasur, në vitin 1560 hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Studioi në Padovë, në Luvën e në Kolegjin Romak, në Romë. Megjithëse në të ri vuante nga një dhimbje e fortë e kokës, duke qenë i pajisur me një zgjuarsi të jashtëzakonshme, arriti ta përgatiste e ta mbronte tezën e doktoratit për tri ditë. Më 1576 ishte titullar i katedrës së apologjetikës, apo mbrojtjes së ortodoksisë katolike, pranë Universitetit Gregorian, i cili asokohe quhej ‘Kolegji Romak’, ku përgatiti një aradhe nxënësish të shquar, ndërmjet të cilëve edhe Shën Luigj Gonzaga.

    U krijua kardinal e ipeshkëv i Kapuas në vitin 1599. Shumë shpejt u bë i njohur si njëri nga teologët më në zë të kohës. Pati ndikim të madh me doktrinën e tij, me shembullin e me thjeshtësinë e jetës, duke fituar admirimin e të gjithëve. Shkroi shumë vepra ekzegjetike, baritore e asketike. Themelore për apologjetikën janë librat e tij me titull ‘De controversiis”. Doktrina e Krishterë e Belarmimit, botuar së pari më 1597 e përkthyer në shumë gjuhë, u rekomandua posaçërisht nga Kundërreforma, për përdorim misionar. Mori pjesë, në procesin inkuizitor të Galileos e të Xhordanos. E famshme vepra e tij “ Arti i vdekjes së mirë”.

    Shën Robert Belarmini vdiq në Romë më 17 shtator 1621. Në vitin 1930, tre shekuj pas vdekjes, Papa Piu XI e shpalli njëkohësisht të Lum, Shenjt e Doktor të Kishës.
    Në veprat e Jezuitit Shenjt, studiuesit vijojnë të zbulojnë një humanizëm të thellë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga zef malsia : 17-09-2009 më 20:02
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  10. #30
    Ati, Biri dhe Shpirti Maska e simonpjetri
    Anëtarësuar
    28-10-2008
    Postime
    85
    Me 30 shtator kalendari kishtar përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës


    Një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit kostandinian, Shën Jeronimi qe polemist i mprehtë, skripturist i thellë dhe punëtor i palodhshëm.

    Lindi në Stridon të Dalmacisë ilire rreth vitit 347 në një familje të krishterë. Që në fëmijëri u dallua për karakter të pavarur e të pasionuar si edhe për kujtesë e inteligjencë të jashtëzakonshme. U pajis me kulturën më të lartë klasike të kohës dhe u thellua në studimin e Shkrimit Shenjt sipas tekstit grek. Talentin e vet e vuri në shërbim të papës Damazi, i cili e ngarkoi me detyrën të përkthente latinisht tekstet origjinale të Shkrimit Shenjt, në mënyrë që besimtarët t'i kuptonin sa më mirë gjatë kremtimeve liturgjike. Më pas u tërhoq në Betlehem, ku u dha pas pendesës, lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit e studimit të gjuhëve lindore, të aramaishtes e hebraishtes së vjetër.

    Shën Jeronimi e kuptoi se të mos e njohësh Shkrimin Shenjt do të thotë të mos njohësh Krishtin. Nisi, prandaj, të përkthejë krejt Besëlidhjen e Vjetër e të Re nga tekstet origjinale, bashkë me komentet përkatëse, fryt i mendjes dhe i kulturës së tij. Kështu doli në dritë “Vulgata” e cila ende sot, mbas gati 20 shekujsh, përdoret në liturgjí të Kishës. Shën Jeronimi vdiq në Betlehem të Palestinës më 30 shtator të vitit 420, duke përsëritur lutjen që ia kishte drejtuar vazhdimisht Zotit: "Më fal, o Zot, se jam dalmat". Kërkonte falje për temperamentin e tij kolerik, që e kishte bërë shpesh të humbiste kontrollin mbi vetveten. Kishës, të cilën e kishte dashur aq shumë, i la trashëgim thesarin e pallogaritshëm të veprave të tija.

    Shën Jeronimit, është At i Kishës, që përktheu në latinisht Biblën. Jeronimi shte vërtetë njeri i dashuruar me Fjalën e Zotit. Në festën e tij edhe ne jemi të ftuar të ecim në gjurmët e tij dhe ta lexojnë e meditojmë Biblën, Fjalën e Hyjit, duke rikujtuar fjalët e Jeronimit: “Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin”.

    “Bibla pra, është mjeti me të cilin Hyji u flet çdo ditë besimtarëve” (Ep. 133, 13), bëhet kështu nxitje e burim i jetës së krishterë në çdo situatë e për çdo njeri. Të lexosh Shkrimin Shenjt do të thotë të flasësh me Hyjin: “Në se lutesh – i shkruan Shën Jeronimi një vashe fisnike romake – ti flet me Dhëndrin; në se lexon, është ai që të flet”. (Ep. 22, 25). Studimi e meditimi i Biblës e bëjnë njeriun të urtë e paqësor. (krh In Eph., prol).

    Po sikur na porosit Benedikti XVI lypen dy kriteret themelore që duhen pasur parasysh për ta kuptuar Biblën. Së pari: “Vetëm fryma e thellë e lutjes dhe ndihma e Shpirtit Shenjt mund të të ndihmojnë për ta kuptuar Biblën: “Në interpretimin e Shkrimit Shenjt ne kemi gjithmonë nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt” (Në Mich. 1, 1, 10, 15)”.

    Kriteri i dytë i interpretimit të Fjalës së Zotit është përkimi me magjisterin e Kishës, do të thotë me mësimet zyrtare të Kishës: “Nuk mund ta lexojmë kurrë Biblën të vetëm. Gjejmë shumë porta të mbyllura e shkasim lehtësisht në gabim. Bibla u shkrua nga Populli i Hyjit e për popullin e Hyjit, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Vetëm përmes këtij bashkimi me Popullin e Hyjit mund të hyjmë me gjithë vetveten në bërthamën e së vërtetës, të cilën dëshiron të na e thotë vetë Zoti. Për shën Jeronimin, interpretimi i Biblës duhet të jetë gjithnjë në pajtim të harmonishëm me fenë e Kishës katolike”.

    Shën Jeronimi nuk e shpërfilli kurrë aspektin etik, do të thotë detyrën e koherencës së krishterë për ta jetuar Fjalën e Zotit, që duhet ta kenë parasysh të gjithë besimtarët e , në mënyrë të posaçme, predikatarët: “Kështu nxit meshtari Nepoçian: ‘Veprat tua nuk duhet të jenë në kundërshtim me fjalët tua, për të mos ndodhë që, kur të predikosh në Kishë, ndokush të thotë me vete: ‘Po ti vetë, pse nuk vepron kështu?”. I lezetshëm vërtetë ky mësues që, si e ka mbushur mirë barkun, të mëson si të agjërosh; edhe një hajdut mund ta dënojë koprracinë; por Meshtari i Krishtit duhet të flasë gjithnjë ashtu si mendon e si jeton”. (Ep. 52, 7).
    E kjo koherencë duhet të shndërrohet në vepra dashurie të krishterë sepse – siç thoshte Shën Jeronimi – Jezu Krishti është i pranishëm në çdo qenie njerëzore. “Ç’ kuptim ka t’i veshësh muret me gurë të çmuar, në se Krishti vdes urie në njeriun e varfër? (Ep. 58, 7). Jeronimi është konkret e na mëson: duhet ta veshim Krishtin në të varfërit, ta vizitojmë në të munduarit, ta ushqejmë në të uriturit, ta strehojmë në njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë”.

    Sot përmes Shën Jeronimit, të kujtojmë nevojën e edukimit të plotë të njeriut, si kulturor ashtu edhe fetar e moral . “Sepse pikërisht sot shikojmë sesi edukimi i personalitetit në tërësinë e tij, edukimi i përgjegjësisë para Hyjit e para njeriut, është kushti i vërtetë i çdo progresi, i çdo paqeje, i çdo pajtimi e i çdo mospranimi të dhunës. E është Shkrimi Shenjt, Bibla që na prin drejt realizimit të edukimit para Hyjit e para njeriut e kështu, edhe drejt humanizmit”.

Faqja 3 prej 8 FillimFillim 12345 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. 6 dhjetor - Shën Nikolla i Mirës së Likisë
    Nga Manulaki në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 07-12-2024, 02:55
  2. Onufri, ikonografi më i madh shqiptar
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 06-11-2013, 13:00
  3. Shen Nikolla, apo Santa Klaus, apo Plaku i vitit te ri
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-12-2012, 11:53
  4. Niko NIKOLLA, "Arabaja me katër rrota dhe me tri klasë"
    Nga Xhuxhumaku në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-05-2006, 16:14
  5. Niko Nikolla
    Nga Ladi05 në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 06-01-2006, 19:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •