Close
Faqja 2 prej 8 FillimFillim 1234 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 76
  1. #11
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192

    2 Janar: Shen Bazili i Madh dhe Gregori Nazanxien

    Kalendari kishtar i 2 janarit përkujton shën Bazilin e Madh dhe Shën Gegën (Gregorin) Nazanxien


    Me 2 janar Kisha përkujton dy figura të mëdha të krishtërimit lindor: Shën Bazilin e Madh dhe Shën Gegën (Gregorin) Nazanxienë, miq të mëdhenj, që të dy ipeshkvij, mbrojtës të fesë dhe ripërtëritës të Kishës së asaj kohe.

    I pari njeri i veprimit, i dyti i adhurimi dhe i meditimit, por dy miq sikur të ishin një shpirt i vetëm në dy trupa. Kështu mund të përshkruhen karakteret dhe marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shenjtërve të kishës së hershme.

    Basili kishte lindur në 429 në Çesarè të Kapadocies, kurse Gega në 430 në Nazanxë. Miqësia e lidhur që në adoleshencë ndërmjet këtyre dy shejtërve u thellua më tej gjatë studimeve në Athinë. Qysh në atë kohë respekti që kishin për njëri-tjetrit ishte i atillë saqë Gega shkruante: “Na shtynte e njëjta dëshirë për të nxënë [...]e pra midis nesh nuk kishte cmirë. Përkundrazi çmonim stimulimin. Gara jonë ishte kjo: jo kush do të dilte i pari, por kush do t’i mundësonte tjetrit të ishte i pari.”

    Bazili mbetet i mrekulluar nga jeta mungare dhe në moshën 28-vjeçare vendos të bëhet vetë murg, duke themeluar edhe Rregullën e Shën Bazilit, e pranishme në Shqipëri që nga shekulli 17 e me ndërprerje deri edhe sot.


    Kurse Gega, i prirë më tepër për një jetë meditimi shugurohet meshtar nga i jati, që ishte ipeshkëv i Nazanxës. Dhjetë vjetë më vonë do të jetë Bazili, tashmë ipeshkëv i Çesarèsë, miku i tij i vjetër, ai që do ta shugurojë ipeshkëv Gegën.
    Janë kohë të vështira për Kishën, kur herezia ariane po dëmton grigjën e Zotit. Bazili përballet me guxim jo vetëm me herezitë por edhe vetë autoritetet. Perandorit Valent, ndjekës i Arit, i cili e kërcënon për qëndrimin rebel që po mban, Bazili ipeshkëv i përgjigjet: “Mbase nuk je ndeshur kurrë me një ipeshkëv.”
    Bazili ndërroi jetë në vitin 379 ndërsa Gregori 10 vjet më vonë.
    Shën Gregori ka rëndësi për historinë e kombit dhe të Kishës shqiptare sepse në veprën e tij “Fjalimi kundër Arianizmit” na informon se rreth vitit 44 pas Krishtit Shën Andreu apostull përhapi ungjillin në Greqi dhe Epir, i cili aso kohe përfshinte Janinën, Delvinën, pjesën jugore të Vlorës dhe pjesën veriore të Trikalisë. (Shih: “Dizionario della Storia Ecclesiastica”, Moroni, vol. 21,22, fq 307.)

  2. #12
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    Sot Kisha katolike përkujtoi shenjtin...

    Shenjti i ditës: Shën Simpliçi, Papë

    Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Simplicin papë, që e drejtoi Kishën katolike nga 3 marsi i vitit 468 deri me 10 mars 483.
    Simpliçi, i lindur në Tivoli të Italisë, u ul në fronin e Shën Pjetrit në vitet e vështira e të errëta, kur Perandoria Romake e Perëndimit shembej nën peshën e padurueshme të dyndjeve barbare e të kolerës. Kjo ngjarje pati pasoja të rënda si për jetën civile, ashtu edhe për atë të Kishës.
    Si Kryebari i Kishës, luftoi kundër herezisë ariane dhe monofizizmit, që mohonte natyrën hyjnore të Krishtit.
    Ndërtoi shumë kisha, ndërmjet të cilave, Kishën e Rrumbullaktë të Shën Shtjefnit, në Romë, pranë së cilës ndodhet Shtëpia e përgjithshme e rregulltareve të Kraharorit të Shenjtë, shumë të njohura në Shkodër për shkollën e tyre, si dhe Kishën e shën Bibianës. Ishte njohës dhe mbrojtës i madh i arteve. Falë ndërhyrjes së tij energjike, shpëtuan nga shkatërrimi shumë vepra pagane arti, sidomos mozaikët e Kishës së Shën Andreut në Romë.Reliket e Shenjtit ruhen e nderohen në vendlindjen e tij, në Tivoli.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  3. #13
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83
    U përkujtua sot Shën Makario i Jeruzalemit.


    Kalendari kishtar shënon 14 shenjtorë me këtë emër shumë simbolik që, i përkthyer nga greqishtja në shqip, do të thotë "i lumtur". Makario, për fëmijërinë dhe rininë e të cilit dihet shumë pak, u zgjodh ipeshkëv i Jeruzalemit në vitin fatlum 314, kur Perandori Kostandin mundi Maksencin në Urën e Milvios. Atëherë Ipeshkvi shembi shtyllën që romakët e kishin ngritur mbi tempullin e rrafshuar të Jeruzalemit dhe nxori rishtas në dritë vendet e adhuruara nga mbarë krishtërimi: zonën e Kalvarit dhe Varrin e Krishtit. Atje më vonë do të lartohej bazilika e madhe e Ringjalljes. E po atje do të shkonte si shtegtare e ëma Kostandinit, Elena.
    Shenjti mori pjesë në Koncilin e parë ekumenik, kremtuar në Nike, në vitin 325, ku mbajti qëndrim të ashpër kundër gabimeve të Arios, i cili e konsideronte prelatin si një nga kundërshtarët e tij më të rreptë. Dha një kontribut të shquar në hartimin e dokumenteve të Koncilit, duke shkruar edhe Simbolin nikean, Besojmën, që u miratua nga etërit konciliarë. Është po ajo Besojmë, që e shqiptojmë edhe sot e kësaj dite në meshë e në çaste kritike të jetës, për të pohuar besimin në një Hyj, në Atin e gjithëpushtetshëm e në Jezu Krishtin, Birin e Tij, një të vetmin Zotin tonë!
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  4. #14
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    18.03.2009

    Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Çirilin e Jeruzalemit


    Shën Çirili jetoi në kohën plot trazira të Kishës së shekujve të parë. U detyrua të merrte pjesë gjallërisht në diskutimet teologjike, nganjëherë tepër të ashpra, të përzjera me ligështitë njerëzore e të ndërthurura me politikën, me luftërat e jashtme për mbrojtjen e perandorisë e me konfliktet e brëndshme për të shtënë në dorë fronin, duke përdorur për këtë qëllim edhe fenë.
    Mjafton të kujtojmë disa data, për ta kuptuar sa e vështirë qe jeta e Shenjtit: i zgjedhur ipeshkëv i Jeruzalemit në vitin 348, në vitin 357 u zëvendësua me një tjetër. Shkaku: ipeshkvi Akaçi i Çezaresë në Palestinë (i cili e pati shuguruar) e akuzoi për gabime doktrinore e, për më tepër, nisi të pretendonte që selia ipeshkvnore e Jeruzalemit të varej nga selia e tij e Çezaresë, asokohe kryeqytet administrativ i Palestinës dhe seli e prokurorëve romakë.
    Në vitin 359 një koncil vendas i ipeshkvijve e rehabilitoi e ai u rikthye në katedrën e Jeruzalemit. Por, pa kaluar as dy vjet, u dëbua përsëri nga një koncil tjetër, i mbledhur në Kostandinopojë me këmbënguljen e Akaçit, që kishte ndikim të fuqishëm mbi perandorin filo-arian, Kostancin. Kujtojmë këtu se Akaçi, ipeshkëv ndërmjet viteve 340-366, qe një nga personalitetet më në zë të kohës. Pasardhës i ipeshkvit të madh, Euzebit, vijoi ta pasuronte bibliotekën e Çezaresë. Për të flet edhe Shën Jeronimi, që i vlerëson lart veprat e tij të mëdha, siç janë komentet dhe interpretimet e Shkrimit Shenjt, të cilat më vonë humbën të gjitha.
    Në vitin 362, pas vdekjes së Kostancit, që ishte në luftë kundër persianëve e pastaj kundër të kushëririt, Julianit, Çirili u kthye në Jeruzalem. Por, rreth vitit 367, perandori Valent e dënoi përsëri. Shenjti u internua, për t’u rikthyer përfundimisht në selinë e vet vetëm në vitin 378, pas vdekjes së Valentit në luftën kundër gotëve.
    Në vitin 381 Çirili mori pjesë në Koncilin II Ekumenik të Kostandinopojës e, më pas, në vitin 382, edhe në Koncilin III, gjatë të cilit u ripohua vlefshmëria e shugurimit të tij si ipeshkëv i Jeruzalemit ku, më në fund, jetoi i patrazuar deri në vdekje.
    Në vitin 1882, pesëmbëdhjetë shekuj më vonë, Papa Leoni XIII e shpalli Dijetar të Kishës, duke theksuar vlerën e katekizmit të tij, kushtuar kryesisht kandidatëve për Pagëzim dhe të sapopagëzuarve. I akuzuar në kohën e tij për lidhje me rrymat e arianizmit, ai në të vërtetë i kundërvihet doktrinës ariane mbi Krishtin; madje e deklaron qartë Bir të Zotit për natyrë e jo për bijësim, e njëkohësisht, të amshuar, si vetë Ati.
    Mësimi i Çirilit të Jeruzalemit do të sfidonte shekujt: do të rikujtohej, së bashku me mësimet e etërve të tjerë të Kishës, edhe në shekullin XX, në dy kushtetuta dogmatike të Koncilit II të Vatikanit: “Lumen gentium”- mbi Kishën dhe “Dei Verbum”- mbi Zbulimin Hyjnor. E akoma, në dekretin “Ad gentes”- mbi veprimtarinë misionare të Kishës në botën bashkëkohore.
    Emri Çiril vjen nga greqishtja e do të thotë: njeri i fortë. Simboli i Shenjtit –ipeshkëv është shkopi baritor.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  5. #15
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    23.03.2009

    Kisha katolike kremton sot shën Turibin e Mongrovejos


    Më 23 marsin e vitit 2006, gjatë një takimi me kardinajtë në prag të Konçistorit, Benedikti XVI e quajti Shën Turibin e Mogrovejos, ‘model i bariut’, që iu kushtua plotësisht shërbimit të Ungjillit’.

    Po kush ishte Shën Turibi?
    Turibio Alfonsi, i lindur në gjirin e një familjeje të njohur fisnike spanjolle në vitin 1538, studioi në universitetet më të famshme të Spanjës: në Valladolid, në Salamankë e në Santjago të Kompostelës, ku u doktorua në drejtësi. Si avokat i shkëlqyer, mbreti Filipi II e emëroi gjykatës në Granadë të Spanjës. Por më pas, duke pasur nevojë për një kryeipeshkëv në trojet e pushtuara nga spanjollët në Amerikën Latine, të cilit mund t'i besonte, ia paraqiti papës si kandidatin e vetëm për këtë mision. Sapo i kishte mbushur 42 vjetët, kur u nis për në Limë të Perusë. Gjatë 25 vjetëve të ipeshkvisë në këtë vend, organizoi kishën peruviane në tetë dioqeza dhe ngriti seminarin e parë në Kontinentin amerikan. Mbajti qëndrim të ashpër ndaj priftërinjve që silleshin si pushtues, duke mbrojtur gjithnjë indianët vendas.
    E përfundoi shtegtimin e tij tokësor më 23 mars 1606, në një kapelë të vogël në rrethinat e qytetit të Limës, në mes të indianëve, si të donte që të gjithë ta mësonin se i desh varfanjakët e tij deri në fund të fundit. Ishte e Premtja e Madhe. Në sa jepte shpirt, eprori i tij luante në harpë psalmet 116 e 31.
    Gjatë shtegtimit në rrugët e Amerikës Latine, pati përshkuar më se 15 mijë kilometra, pati pagëzuar 60 mijë besimtarë, ndërmjet të cilëve, tre shenjtorë: Shën Rozën e Limës, Shën Françesk Solanon e Shën Martinin de Porres.
    Motua e Turibit ishte: " Koha është e vetmja pasuri që kemi, prandaj duhet ta llogarisim me kujdesin më të madh".
    U shpall shenjt më 1726 nga Papa Benedikti XIII.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  6. #16
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    27.4.2009

    Kremtimi i festës së Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër.


    Bijtë e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve, u mblodhën sot rreth elterit të Shenjtërores së saj kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, e rreth ipeshkvijve të tyre. Kremtimin e meshës solemne të festës, sivjet e kryesoi ipeshkvi i Sapës imzot Lucian Avgustini, në bashkëkremtim me të gjithë ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë. Në meshë ishin të pranishëm meshtarë, rregulltarë, rregulltare e sidomos me mijëra besimtarë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare. Zoja e Këshillit të Mirë – u theksua në homelinë e meshës, nuk i harroi kurrë banorwt e kwtij vendi tw martirizuar – as në kohën e kalvarit të popullit shqiptar gjatw diktaturës komuniste, as në kohët e kalvareve të tjera, përjetuar gjatë shekujsh. Nëna e Këshillit të Mirë gjithmonë qe ngushëllim e mburojë e popullit tonë të dashur shqiptar, e edhe sot na tregon shtegun e jetës së vërtetë.


    Festa e Zojës së Këshillit Mirë në Klinë të Kosovës.

    Festa e Zojës së Këshillit Mirë u kremtua solemnisht edhe në bashkësinë kishtare të Klinës në Kosovë. Kujtojmë se, si Kisha kushtuar Nënës së Këshillit të Mirë, po ashtu edhe famullia kishtare kanë një histori të re, por vlera e tyre shpirtërore është e jashtëzakonshme e tejet domethënëse për kosovarët.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  7. #17
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    28.4.2009

    Shën Pjetri Chanel dhe Shën Luigji Maria Grinjoni da Monfort




    Sot më 27 prill, kalendari kishtar përkujton Shën Pjetrin Shanel, meshtar dhe martir. Pati lindur në Francë në Kuen, më 12 korrik 1803. Hyri që i ri në seminar dhe shumë shpejt u shugurua meshtar. Deshi të shkonte menjëherë në mision por nuk mundi ta realizonte dëshirën, sepse ipeshkvi i tij kishte nevojë për meshtarë. Më pas u lidh me meshtarë maristë, të cilët realizonin mesazhin misionar ndër famullitë ku punonin. Sapo iu krijuan mundësitë u nis menjëherë për në Oqeani ku nisi të përhapë Fjalën e Zotit. Kur kishte arritur ta ungjillëzonte thuajse të gjithë ishullin e vogël të Autunës, pleqtë fanatikë e martirizuan.
    Njihet si pajtor i Oqeanisë.




    Shën Luigj Maria Grinjonin da Monfort, meshtar


    Gjithashtu sot Kisha katolike përkujton edhe Shën Luigj Maria Grinjonin da Monfort, meshtar. I lindur në Francë në vitin 1673, Luigji Maria përshkoi zonat perëndimore të Atdheut duke predikuar diturinë e amshuar, Krishtin e mishëruar e të kryqëzuar dhe duke i mësuar njerëzit të arrijnë tek Jezusi. Themeloi Misionarët e Shoqërisë së Marisë duke shkruar edhe rregullin përkatës. Vdiq në St Laurent-sur-Sevre më 28 prill 1716. U shpall shenjt nga Piu XII më 20 korrik 1947.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  8. #18
    “U bëftë vullneti yt” Maska e zef malsia
    Anëtarësuar
    09-09-2008
    Postime
    83

    02.05.2009

    Sot Kisha kremtoi festën e Shën Atanasit.

    Papa: e pagoi me persekutim mbrojtjen e pasionuar të misterit të Mishërimit.


    U përkujtua sot festa e Shën Atanasit të Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i Kishës. Benedikti XVI i ka kushtuar audiencën e përgjithme të 20 qershorit 2007, duke e quajtur “protagonist të vërtetë të traditës së krishterë”. Por, të njihemi më hollësisht me jetën e këtij Shenjti të madh, përmes fjalëve të vetë Papës:

    Shën Atanasi i Aleksandrisë lindi në Egjipt rreth vitit 300. Ishte ende meshtar i ri, kur mori pjesë në Koncilin I Ekumenik, të mbledhur nga Perandori Kostandin në vitin 325, për të siguruar unitetin e Kishës. Etërit konciliarë, në kundërshtim me pohimet e arianëve, ripohuan me forcë se Krishti është Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë. Atanasi u bë teolog i pasionuar i mishërimit të Logos ‘Fjalës së Hyjit’, që u bë njeri, simbol i vështirësive që goditën Kishën e kohëve të para dhe i guximit me të cilin një numër i madh dëshmitarësh mbrojti kauzën e Ungjillit:

    "Pikërisht për këtë arsye, Atanasi qe kundërshtari më i rëndësishëm e më i fortë i herezisë ariane, që asokohe kërcënonte fenë në Krishtin, duke e bërë në asgjë hyjninë e tij, sipas një prirjeje, që vijon në histori e që shfaqet, në mënyra të ndryshme, edhe në ditët tona".

    Si u bë ipeshkëv i Aleksandrisë, Atanasit iu kundërvu vetë Kostandini i cili, për shkaqe politike, dëshironte ta bënte fenë më të pranueshme për të gjithë nënshtetasit e perandorisë:

    “Atanasi… refuzoi me vendosmëri çdo kompromis përballë teorive ariane, të dënuara nga Koncili niken. Me mospajtimin e tij të guximshëm e nganjëherë edhe tejet të ashpër, ndonëse shumë të nevojshëm, kundër atyre që nuk kishin dashur ta shikonin ipeshkëv, e posaçërisht atyre që i kundërviheshin Simbolit niken, tërhoqi armiqësinë e papajtueshme të arianëve të filoarianëve".

    Beteja kundër Arios, i cili gjeti mbështetje nga rrethana jashtëkishtare, i kushtoi një internim të gjatë Shën Atanasit, i cili në këtë periudhë u afrua me monakizmin, sidomos, me Shëna Ndoun Abat. Ky aspekt i dha famë të re ipeshkvit mërgimtar, që u bë mik i vetmitarit tjetër të madh aq, sa të shkruante biografinë e tij, ‘best seller’ i letërsisë së lashtë kristiane’. “Jeta e Shëna Ndout”, ky është titulli i veprës, luajti një rol të dorës së parë për përhapjen e monakizmit në Lindje e në Perëndim. Ndonëse eremitët, siç shkroi Atanasi, jetojnë të vetmuar e dëshirojnë të mbeten të fshehur:

    “Ideja kryesore e gjithë luftës teologjike të Shën Atanasit qe se Hyji është i arritshëm. Nuk është Zot i dorës së dytë, është Zot i vërtetë, e përmes bashkimit tonë me Krishtin, ne mund të bashkohemi realisht me Hyjin. Ai u bë me të vërtetë ‘Hyj me ne’.
    "..ju do të vdisni në mëkatet tuaja, po të mos besoni se UNË JAM".

  9. #19
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Shenjti i ditës

    Sot më 11 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Barnabën Apostull




    11.6.2009
    Quhej Jozef, para se të lidhej me apostujt. Me origjinë nga Qipro, Barnaba shiti gjithçka pati dhe paratë që fitoi nga shitja e pasurive, i vuri tek këmbët e Apostujve, të cilët që nga ai çast nisën ta thërrasin Barnaba, që do të thotë Bir i ngushëllimit. Në Veprat e Apostujve paraqitet pikërisht përmes këtij gjesti, që flet për kthesë rrënjësore. Barnaba është një figurë që del në plan të parë në bashkësinë e flaktë të Jerusalemit pas Rrëshajësh. Ndonëse u përket 72 nxënësve të Krishtit, thirret apostull. Gëzon një respekt aq të madh ndërmjet të Dymbëdhjetëve, sa që ata e zgjedhin për të ungjillëzuar Antiokinë. Shkrimet apokrife flasin për një udhëtim të Barnabës në Romë dhe martirizimin e tij, rreth vitit 70 në Salaminë, ku u mbyt me gurë nga hebrenjtë e diasporës greke.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  10. #20
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Sot më 24 qershor kalendari kishtar përkujton Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit.


    Kisha përkujtoi sot Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit. Tradita e krishterë e quan ‘Pararendës’, domethënë ‘ai që rend para’, kasnec i Mesisë, mbi bazën e profecisë së Izaisë Profet. Jetoi në kohën e Herodit Antipa, të cilin e dënoi publikisht për bashkëjetesën e paligjshme me të kunatën, Herodiadën. Prandaj mbreti e mbylli në burg e, më pas, i preu edhe kokën, thjesht për të plotësuar një tekë të gruas së paligjshme e të së bijës, Salomesë.

    Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë.

    Ungjilltarët e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”.

    Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrrit, të nuses e të mikut të dhëndrrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndërr. Dashamiri i dhëndrrit, i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!” Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë ( së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe linjda), por ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qëndra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Izenhaimit, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grynevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516 e ka vendosur Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.

    "Kur Maria, që tashmë kishte në gji Birin e Zotit, shkoi të vizitonte Elizabetën, Jezusi e shenjtëronte Gjonin, në bark të së ëmës. U shenjtërua para se të lindej e prandaj është shenjti i vetëm, të cilit i kremtohet ditëlindja. E i kremtohet edhe lindja për jetën e pasosur, më 29 gusht, ditën e martirizmit, kur iu pre koka."

    "Ai është shumë i vetëdijshëm për misionin që i është besuar: përgatitjen e ardhjes së Jezusit. Shprehet bukur Shën Agostini, kur thotë se Shën Gjoni është vendosur në kufirin ndërmjet dy Besëlidhjeve: së Vjetrës e së Resë. Është urë lidhëse. Ai është zëri, Krishti-Fjala. Janë dy figura, që kujtojnë njëra-tjetrën e plotësojnë njëra-tjetrën. Gjon Pagëzuesi, që simbolizon Besëlidhjen e Vjetër, plotësohet nga Krishti, simbol i Besëlidhjes së Re."


    "Sot njerëzit nuk duan mësues, por dëshmitarë. Gjon Pagëzuesi është dëshmitar i vërtetë. Ai e paguan me gjak besimin në Krishtin. Nuk e humbet kohën me shumë fjalë, me sofizma. Shkon drejtpërdrejt tek themelorja. E tregon me gisht Krishtin si qengjin, që shlyen mëkatet e botës. Ai i drejton dishepujt nga Krishti. Ndërsa veten e shikon si njeri, që nuk është i denjë t’ia zgjidhë Zotit as lidhëzat e sandaleve. Është ashtu, si duhet të jetë secili prej nesh: dëshmitar, që tregon Krishtin; prani e pranisë së Zotit. E kështu mund të jetë vetëm kur e jeton atë që beson, atë që mëson. Ja, pra, mesazhi është se kemi nevojë për dëshmitarë!"
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

Faqja 2 prej 8 FillimFillim 1234 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. 6 dhjetor - Shën Nikolla i Mirës së Likisë
    Nga Manulaki në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 07-12-2024, 02:55
  2. Onufri, ikonografi më i madh shqiptar
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 06-11-2013, 13:00
  3. Shen Nikolla, apo Santa Klaus, apo Plaku i vitit te ri
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-12-2012, 11:53
  4. Niko NIKOLLA, "Arabaja me katër rrota dhe me tri klasë"
    Nga Xhuxhumaku në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-05-2006, 16:14
  5. Niko Nikolla
    Nga Ladi05 në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 06-01-2006, 19:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •