Kryetari i Bashkisë së Poliçanit akuzohet për vrasje të kryer nëntë vjet më parë


Dëshmia: Adriatik Zotka ka vrarë Agim Jaupllarin në vitin 1997-të



Një qytetare nga Poliçani, Raimonda Korçari, akuzon kryebashkiakun, Adriatik Zotka, për vrasjen e babait të saj, Agim Jaupllari, gjatë trazirave të vitit 1997-të. Sipas saj, për më shumë se nëntë vjet kjo ngjarje pranohet dhe nga organet e drejtësisë si e vërtetë, por askush nuk ka vepruar për ta vënë në vend drejtësinë


Një qytetare nga Poliçani, Rajmonda Korçari, akuzon kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Adriatik Zotka, si vrasësin e babit të saj, Agim Jaupllari, në vitin 1997-të. Korçari me anë të një dëshmie denoncon kryebashkiakun e këtij qyteti dhe organet e prokurorisë se me anë të manipulimit kanë fshehur ngjarjen, ndërkohë që Zotka është denoncuar dhe më parë nga e motra e Raimonda Korçarit, në vitin 2005-së, por sipas saj, sërish asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj Zotkës. Madje, ky i fundit nuk është paraqitur në asnjë nga seancat gjyqësore të kërkuara nga familja Jaupllari. Nga ana e saj, në dëshminë Raimonda Korçarit thuhet se edhe prokuroria dhe gjykata nën zë është shprehur se vrasja është kryer pikërisht nga Zotka, por janë të pafuqishëm për ta vënë atë përpara ligjit. Nga ana saj, familja e Agim Jaupllarit shprehet se, në rast se drejtësia nuk vepron, ashtu siç nuk ka vepruar përgjatë 9 vjetëve, atëherë do i drejtohet vetëgjyqësisë. Nuk është hera e parë që drejtësia shqiptare përkulet përpara njerëzve, të cilët në një periudhë të caktuar kanë kryer krime dhe më pas kanë parë pushtetin si mënyrën e vetme për t’i rehabilituar ato. Ky është një tjetër fakt që tregon se prokuroria dhe gjykatat shqiptare janë të ngërthyera keqazi nga korrupsioni dhe pafuqia për të luftuar krimin. Dëshmia e qytetares nga Poliçani sjell dhe njëherë në vëmendjen e organeve shtetërore nevojën emergjente për të kryer reforma të thella dhe të qenësishme në sistemin e drejtësisë, ndërsa për forcat politike është një mesazh i qartë për kandidaturat që duhet të përzgjedhin dhe moralin që duhet të kenë këta kandidatë për votën që i kërkojnë elektoratit. Nga ana e saj, Raimonda Korçari në denoncimin e saj i bën apel të gjitha instancave shtetërore që të vendosin drejtësinë në vend, pasi për të vendosur atë nuk është asnjëherë vonë. Vendosja e drejtësisë në vend në radhë të parë do të thotë vendosje në vend e dinjitetit të shtetit, pavarësisht nga ofiqi, qoftë ky kryebashkiak apo deputet. Çdo njeri duhet të përgjigjet për krimet që ka kryer, në rast se ato vërtetohen nga drejtësia. Më poshtë po japim të plotë rrëfimin e Raimonda Korçarit, me anë të të cilit ajo akuzon kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotka, për vrasjen e vitit 1997-të


Dëshmia e plotë e Rajmonda Korçarit

Sapo dola nga seanca gjyqësore, ku unë Rajmonda Korçari kam bërë kallëzim për kërcënim familjar nga kryetari i Bashkisë të Poliçanit, Adriatik Zotka. Sot, unë vërtetova se ai është një njëri i papërgjegjshëm që bën veprime skandaloze, ku zë vend fjala e urtë popullore “Të vret natën dhe të qan ditën”. Ai njeri ka frikë të përballet me ligjin, gjë të cilën e vërtetova me mosparaqitjen e tij në seancën gjyqësore. Në maj të vitit 2005-së, motra me bën publike vrasjen e babait tim, ku thotë se autori i vrasjes është Adriatik Zotka. Po në maj të 2005-sës ai shprehet në televizion se këto janë thashetheme dhe klane të politikës. Po unë, vajza e Agim Jaupllarit i bëj apel se unë nuk e kam as politike dhe as thashethemnajë këtë veprim që po bëj. Por është një gjë e vërtetë, ku është marrë një jetë njeriu dhe unë kam një detyrim nga ai baba, sepse më rriti dhe me edukoi. Gjatë një fjalimi që Adriatik Zotka mbajti në fushatën për kryetar Bashkie, ai e cilësonte si një detyrim për Poliçanin, duke kërkuar të ngrejë një spital, ku qytetarët e Poliçanit të mos shkojnë më nëpër qytete të tjera për t’u shëruar, po të kenë një spital aty dhe ai përmend edhe babanë e tij. Përse unë të mos e përmend babain tim? Përse unë të mos kërkoj një drejtësi mbi babain tim? I bëj apel gjithë qytetarëve të Poliçanit të më ndihmojnë me fakte për vrasjen e babait tim. Unë i bëj apel shtetit të vendosë drejtësi mbi krimet që janë kryer dhe që po kryen që edhe unë si një nënshtetase e këtij shteti të mos bëj vetëdrejtësi dhe vetëgjyqësi. Pse ka kaluar kaq kohë dhe prokuroria nuk ka vepruar ndaj vrasësit? Vrasja e babait tim ka ndodhur në shtator të 1997-tës. Jemi thirrur disa herë nga prokuroria dhe nga gjykata, si dhe nga njerëz të tjerë që ndjekin këtë çështje. Sapo shkelim nëpër dyert e këtyre zyrave, na thonë se ne jemi të pafuqishëm për të zbuluar këto vrasje, por të sigurojmë që ky e ka bërë këtë vrasje. Kemi fakte, por shteti na urdhëron për t’i mbyllur këto çështje. Në bazë të këtyre fjalëve dua të tregoj edhe gazetat që kanë shkruar mbi ngjarjen e ndodhur në 1997-tën, ku tregohet tragjedia e familjes sime, babanë të vrarë dhe nënën të plagosur. Gjithashtu, dua të theksoj se gjithmonë kur përmendet emri i Adriatik Zotkës nëpër gazeta, ai dërgon një person dhe i blen të gjitha ato, për të mos u lexuar.

Gazeta Tema