Të shtunën është shënuar ditëlindja e 62-të e liderit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova
Prishtinë, 4 dhjetor - Ditëlindja e 62-të e liderit historik të Kosovës, kryetarit shumëvjeçar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Ibrahim Rugova dhe Presidentit të parë të vendit të njohur ndërkombëtarisht, Ibrahim Rugova, të shtunën është shënuar në mënyrë modeste, me homazhe pranë varrit të tij dhe me vizita në familjen Rugova në Prishtinë.
Presidenti aktual i Kosovës Fatmir Sejdiu, me bashkëpunëtorët, ka vendosur lule pranë memorialit të Ibrahim Rugovës dhe pastaj vizitoi familjen Rugova në Velani. Presidenti pasi vuri lule dhe bëri homazhe ka thënë se është nevojë e përhershme që të takohet me Presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, me njeriun që aq shumë bëri për Kosovën. "Ish presidenti Rugova ka bërë që Kosova të jetë në stadin e sotëm dhe të jetë në prag të njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së saj", tha Sejdiu. Ai theksoi se Ibrahim Rugova ka arritur që ta shndërrojë idealin e lirisë që ka qenë edhe ideal i popullit, në funksion real, duke e shkrirë praktikisht vetën e tij, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Edhe kryeparlamentari Kolë Berisha vuri kurora lulesh dhe bëri homazhi pranë varrit të Presidentit Rugova si dhe vizitoi familjen Rugova.
Homazhe bënë edhe zv/kryeministri Lutfi Haziri, kryetarja e FG të LDK-së dhe ministre e Shërbimeve Publike Melihate Tërmkolli, kryetari i FR të LDK së, Sejdë Tolaj. Të gjithë ata vzituan edhe familjen e Presidentit Rugova në Velani. Sejdë Tolaj gjatë vizitës në familjen Rugova ka theksuar se si të rinjtë e LDK së gjithmonë kanë pasur përkrahjen e parezervë të Presidentit Rugova, kurse Ai ka qenë mbështetja më e madhe që kanë pasur. "Ne do ta vazhdojmë rrugën e Tij që na e ka lënë amanet drejt njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, për çka ai punoi pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së tij", tha Tolaj.
Ndërsa zonja Fanë Rugova pasi ka falenderuar të rinjtë për vizitën, tha se "Presidenti ka pasur një kënaqësi të veçantë kur vizitohej nga të rinjtë e LDK së dhe ai tërë jetën e tij ka punuar në atë drejtim që brezit të ri t'i krijohej mundësia që të gëzonte shtetin e pavarur të Kosovës".
Një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës në ditëlindjen e 62-të të Presidentit Rugova kanë vendosur rreth varrit 62 lule, ku në secilën prej tyre kishin shkruar nga një fjalë simbolike që i ka përdorur Presidenti Rugova. Shkëmb Manaj, me të mbaruar homazhet në emër të shokëve të tij ka deklaruar se "2 dhjetori është ditë dhembjeje për ish presidentin Rugova por edhe një konfirmim se studentët e UP së, do ta ndjekin rrugën e tij".
Poashtu homazhe gjatë tërë ditës kanë bërë edhe shumë qytetarë të Prishtinës dhe Kosovës duke përkujtuar figurën e madhe të Ibrahim Rugovës. Ndërkaq në mjediset e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare është bërë promovimi i librit me poezi me titull "Simfonia e Dardanisë" nga autorë të ndryshëm që i kishte përgatitur Sinan Gashi.
Krijoni Kontakt