Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,456
    Postimet në Bllog
    17

    Aleks Buda, themeluesi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    Tatjana Haxhimihali: Një libër për jetën e babait tim

    Ka punuar për pesë vjet për të thyer heshtjen e të atit. Por, s'ka bërë të flasë vetëm Aleks Budën, por tërë brezin e tij. Në një vëllim prej 358 faqesh, e bija e historianit dhe themeluesit të Akademisë së Shkencave, ka hedhur kujtimet e të atit që nga fëmijëria deri në ditën e çlirimit të Tiranës. "Fillimisht e nisa si një libër kujtimesh për familjen", tregon e bija, Tatjana Haxhimihali, por më pas libri i ka shpëtuar këtyre kornizave. Por a mund të futej në kornizë jeta e Aleks Budës? "Një jetë që kalon nëpër ngjarjet kryesore të kohës së tij, me sfond kombëtar dhe ndërkombëtar, që rrokin dy luftra botërre dhe përmbysje të mëdha revolucionare....Kujtimet e Aleks Budës, do të mbajnë vulën e kësaj kohe, e cila do të hyjë e do të ndjehet në një mënyrë a në një tjetër në tërë jetën e tij", thotë profesor Nasho Jorgaqi në parathënien e "Kujtimeve të Aleks Budës". Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", Tatjana Haxhimihali tregon për "Kujtimet" e të atit. Fëmijëria dhe jeta studentore. Bisedat me Eqerem Çabejn, Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Mitrush Kutelin. Takimet me shkrimtarin Stefan Cvajg dhe aktorin Aleksandër Moisiu. Kthimi në Shqipëri dhe ditari 10-ditor i luftës.

    Ju keni shkruar kujtimet e babait tuaj. Si vajza e profesor Aleks Budës, cilat janë kujtimet tuaja më të bukura që keni nga babai?

    Kujtimet më të bukura që nga fëmijëria e deri vonë janë dashuria për librin, për artin dhe kulturën që i mora që në vegjëli, në ambientin e familjes. Dhoma ku flija ishte e mbushur në të katër faqet e mureve me rafte plot libra nga lloj-lloj autorë, veçanërisht shkrimtarë gjermano-austriakë. Dhe vetvetiu nga kureshtja, duke pyetur, fillova të mësoja shumë gjëra për botën që na rrethonte dhe më vonë për letërsinë, historinë, shkencën, filozofinë etj. Njoha autorë dhe vepra të cilët ishin interesantë dhe shpeshherë nga ata që nuk studioheshin në bankat e shkollës apo të universitetit edhe pse vazhdova studimet në fushën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Ai pasion për dijen, kulturën që kishte im atë, sepse vazhdimisht lexonte, dalëngadalë filloi të na përçohej dhe te ne, fëmijë e tij. Në fillim nëpërmjet përrallave të Andersenit, të Vëllezërve Grim etj., tregime të mrekullueshme që na hapnin horizonte të pamasa për botë dhe vende të çuditshme shumë larg vendit tonë të vogël. Ishin kaq interesante këto tregime, shpeshherë të përshtatura me fantazi nga babai që ta ndjenim më të afërt ngjarjen, sa ne mezi prisnim ditën e dielë që ishte dita e pushimit të tij, për të dëgjuar gjithnjë nga një histori të re. Këto momente ishin më të bukurat e javës për mua dhe vëllain tim më të vogël.

    Sa libra kishte babai juaj në bibliotekën ne tij?

    Kur erdhi nga Austria ku bëri studimet e mesme dhe të larta, babai solli pasurinë e tij të vetme, por me shumë vlerë, grumbuj arkash të mbushura me libra, që ndoshta arrinin rreth 10 mijë vëllime. Këto u pasuruan më vonë vazhdimisht, sepse një bibliofil siç ishte im atë, ndiqte dhe blinte, me sa kishte mundësi, pothuajse çdo libër të ri. Kujtoj gëzimin e tij kur u hap libraria që quhej Libri ndërkombëtar, që me gjithë kontrollin e rreptë të kohës arriti "t'i siguronte një ushqim shpirtëror që nuk e la fare të varfër". Ndërsa me kohë i kaluan të 15 mijët, pa dyshim.

    Po tani ku janë këto libra?

    Ç'është e vërteta, gjendja e librave që ka lënë nuk është fort e mirë, sepse ato janë mbajtur në vende jo të përshtatshme dhe me kalimin e kohës,sidomos librat e vjetër, të kohës së Austrisë siç i quante ai, kanë filluar të dëmtohen. Po ashtu edhe shumë dorëshkrime, korrespondenca që më kanë shërbyer për këtë vëllim me kujtime dhe që nuk e di sesa do të mund të më shërbejnë edhe për të ardhmen.

    Kur lindi ideja për të shkruar kujtimet e babait tuaj?

    Ideja për të shkruar këtë libër më ka lindur në vitet '90 kur shqiptarët të dehur nga liria do ta shpërdoronin atë dhe kur vlerat morale dhe njerëzore filluan të lëkundeshin. Pikërisht në këtë kohë im atë u sëmur rëndë. Dhe pata frikë se mos mbresat që kishin ardhur tek unë nëpërmjet tij, nuk do të arrija t'i shprehja, po të mos i verifikoja edhe me të, me aq sa mundej. Gjithashtu shfrytëzova arkivin e tij, ashtu të pasistemuar, korrespondencën, etj., të cilat ndodheshin të përziera së bashku edhe me librat. Ç'është e vërteta, mprehtësia, saktësia dhe erudicioni i bisedës së tij më kanë bërë t'i ruaja të gjalla ngjarjet dhe subjektet kurdoherë.

    A e dinte babai juaj se do i shkruanit kujtimet e tij?

    Jo, fare. Madje, ai modest si gjithmonë mendonte se nuk ia vlente të shkruante historitë e jetës së vet, aq më tepër për t'i bërë publike. "De sibi es tacendum"( për veten heshtet), shprehej ai gjithmonë. Po nga vlerësimet që kam marrë si brenda dhe jashtë Shqipërisë po bindem gjithnjë e më tepër që kam bërë një punë të mirë, të cilën dhe ai s'do të kish si të mos e çmonte.

    Kujtimet e babait tuaj në këtë libër shkojnë deri në ditën e çlirimit të Tiranës, në mbarimin e luftës. Duket sikur jeta e tij është lënë përgjysmë, a do të vazhdoni me këto kujtime?

    Kjo është e vërtetë. Dëshiroj të vazhdoj sepse në këtë vëllim janë dhënë vetëm premisat e formimit të kësaj figure, por vlera e përpjekjeve dhe punës së një shkencëtari dhe patrioti, siç e kanë quajtur, do të ishte e paplotë nëse nuk do të jepej periudha e pasluftës, deri në vitet e fundit të jetës së tij. Kjo periudhë ishte edhe më e dalluara në aktivitetin e tij.

    Babai juaj përveçse si historian i njohur, është edhe themeluesi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Madje, si kryetar të saj e ka propozuar vetë udhëheqësi i asaj kohe Enver Hoxha. Si kanë qenë raportet e tij me Hoxhën, duke qenë në pozicionin e një njeriu me formim Perëndimor?

    Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po citoj profesor Kristo Frashërin, një nga kolegët e babait tim, i cili në kumtesën e mbajtur me rastin e 85-vjetorit të lindjes së Aleks Budës u shpreh kështu: "Dikush mund të thotë se ai i ka bërë elozhe partisë së Punës. Është e vërtetë. Ishte taksa që duhet të paguante për t'i hapur rrugën shkencës. Le të kujtojmë Naim Frashërin, i cili për të marrë lejen e përhapjes në Shqipëri të veprës së tij "Lulet e verës", ai ia dedikoi atë sulltan Abdyl Hamitit. Historia e tregoi se nga dedikimi askush nuk u bë sulltanist, kurse nga përmbajtja, kush e lexoi, u bë shqiptar i flaktë". Këto dhe episode të tjera ndoshta do të jenë subjekt i një vëllimi të ardhshëm.

    Po ky vëllim kujtimesh, çfarë përmban?

    Ngjarjet e këtij libri përfshijnë periudhën e fëmijërisë dhe të rinisë së babait, Aleks Budës. Ato zhvillohen në dy vende që për të ishin si dy nëna që plotësonin njëra-tjetrën. E para ishte Shqipëria që e ushqeu me dashurinë për vendin, dhe e dyta, Austria, me dashurinë për dijen dhe kulturën. Në libër marrin përgjigje disa pyetje: Përse Elbasani ka qenë vatër e rëndësishme e kulturës shqiptare? Përse pikërisht shkencëtarët austro-hungarezë u morën me problemet e albanologjisë shqiptare? Përse Austria ishte një vend kaq tolerant ndaj të huajve? Përse nga ai brez që studioi në Austri dolën figura të shquara në fusha të ndryshme të shkencës, kulturës, artit në Shqipëri? Në këto kujtime ka mbresa të babait nga ajo kohë e papërsëritshme e studentërisë. P.sh. bisedat me Eqerem Çabejn, Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Mitrush Kutelin etj., të cilët kanë ndodhur të jenë edhe personazhe të librit në kapituj të veçantë. Këtu më ka shërbyer edhe korrespondenca midis tyre që e kam gjetur në arkivin e familjes. Ngjarjet e kohës që jetoi, në libër jam përpjekur t'i jap sa më të gjalla sipas tregimeve të tij. Për shembull, mbresat e tij kur përjeton ardhjen në fuqi të nazizmit në Austri, pushtimin italian dhe gjerman të Shqipërisë. Në libër kam përfshirë edhe një ditar i cili është mbajtur vetëm 10 ditë nga babai, gjatë kohës së përfundimit të luftës, kur ai së bashku me një grup arsimtarësh doli në zonat e çliruara të Elbasanit, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e vendit. E kam gjetur rastësisht, në atë që unë mund ta quaj arkivin tonë, kur edhe vetë im atë s'e dinte që mund të ishte ruajtur ai bllok i vogël shënimesh ku kish filluar të hidhte mbresat e një jete të re, krejt të ndryshme. Thashë se e quajta arkiv për nga vlerat historike që përmban për familjen, por materialet që janë grumbulluar aty nuk janë aspak të sistemuara. Janë interesante takimet e babait me njerëz të kulturës dhe të artit në Austrinë e asaj kohe. Për shembull është një kapitull i veçantë me mbresat e paharrueshme të Aleksit, atë kohë student në Vjenë, nga takimi me Cvajgun, apo me Aleksandër Moisiun. Ai ka qenë nga të vetmit shqiptarë që ka marrë pjesë në varrimin e Aleksandër Moisiut. Kujtimi i pashlyeshëm nga ai varrim, madhështor në thjeshtësinë e vet, që vetë artisti i madh i teatrit gjermanofon dhe botëror e pati kërkuar të ishte i pabujshëm, ashtu si dhe shumë episode të tjera që lartësojnë vlera të larta morale njerëzore, i japin librit një përmasë të re. Një përmasë që kalon përtej biografisë së një njeriu siç ishte im atë.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,456
    Postimet në Bllog
    17
    Kane thene per Aleks Budën

    Dhimiter Shuteriqi
    Profesor Buda është nga ata njerëz për të cilët vitet që shkojnë e bëjnë më të ndjeshme mungesën e tyre.

    Pellumb Xhufi

    Me një intuitë dhe largpamësi të pashoqe prof. Aleks Buda hoqi vijat fondamentale të kërkimeve historike në Shqipëri.... Nëse Tirana u bë qendër e studimeve albanologjike, kjo i detyrohet në një masë të madhe figurës së tij...

    Seit Mancaku
    Një shpjegim historiko-gjuhësor për t'u lakmuar edhe nga historianët ka dhënë prof. A. Buda edhe për formimin e dy dialekteve të shqipes... Ai u ka vënë themele historike dukurive gjuhësore.

    Andromaqi Gjergji
    Në sallat e mbledhjeve, nëpër kongrese e simpoziume ndërkombëtare, ai bënte shpesh ndërhyrje e diskutime brilante që i mahnisnin dëgjuesit

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,456
    Postimet në Bllog
    17
    Kujtimet e Aleks Budës: Takimi me Cvajgun

    Ishte një mrekulli për mua që arrita të gjendesha në këtë takim. Ardhja e zonjushës Feninger (Phenninger) në Vjenë, mësueses së frëngjishtes së motrave të mia, Liri dhe Raze, në Institutin Kyrias, bëri të mundur që të realizohej më në fund dëshira ime për t'u takuar me Cvajgun. Kisha provuar dy herë për t'u takuar me shkrimtarin tim të dashur në Kapuçinerberg (Capuzinerberg) të Salcburgut, ku ai kishte një shtëpi të tijën. Për t'i dhënë të falat nga zonjusha Pfenninger et Bluette (siç e kishte të plotë mbiemrin), mikeshë e familjes Cvajg, që ishte bërë njëkohësisht edhe mikesha e familjes sonë në Elbasan, sepse vinte nganjëherë në verë te ne. Por për fat të keq pa rezultat. Shkrimtari i madh udhëtonte shumë dhe gjithnjë e më pak rrinte në Salcburg.
    Në sallonin ku hyra, i shoqëruar nga zonjusha Feninger, prej pikturave të shumta nëpër mure m'u duk sikur u ndodha në një sallë muzeu. Ishte një nga shtëpitë më të mira të Vjenës, pronë e një bankieri, amator arti, në sallën e pritjes të së cilës mblidheshin nganjëherë miq dhe të ftuar që bisedonin për letërsinë dhe pikturën. Po sa vinte dhe më tepër më dukej vetja si në teatër. Ndriçimi i zbehtë i abazhureve murale dhe drita e vakët e buzëmbrëmjes që mezi hynte nga dritaret me perde të rëna, i jepnin një pamje prej dekori asaj pjese të sallës ku qëndronte folësi, i cili fliste me duart në xhepa. E njohta menjëherë Cvajgun nga vështrimi i rëndë, pak mistik, në një fytyrë të tërhequr, me hundë të gjatë, karakteristikë e njerëzve të mprehtë, siç thuhet. Pikërisht ashtu si e kisha njohur nga portretet e tij të botuar nëpër libra. Së bashku me zonjushën Feninger u ulëm në kanapenë e lirë, nën një tablo të madhe përbri vizitorëve.
    - Në qoftë se Balzaku në veprën e vet parashikoi një shoqëri të re, të një kohe tjetër që do të vinte, Dostojevski na tregoi për natyrën demoniake të jetës, mund të themi pa frikë, me shumë se të gjithë ata që kanë shkruar para tij. Në forcën centrifugale të një vorbulle marramendëse përplasen dhe shtjellohen vullnetet njerëzore në veprat e Dostojevskit. Aty çdo njeri, duke marrë nuancat e spektrit, i kallkanosur nga të ftohtët, apo i rindezur nga flakët, është një variant i pafundmë në shumllojshmërinë e jetës. Poet i ndjenjës njerëzore, mjeshtër kontrastesh, dualist i përjetshëm në atë masë që s'njohu kufi.
    - Më falni, zoti Cvajg, e mori fjalën Klukohn, profesori i njohur i Universitetit të Vjenës. Profesori im për letërsinë gjermane, i cili qëndronte në kolltukun pranë oxhakut. Desha të vija në dukje se ne s'njohim pak personazhe që janë kontradiktorë në vetvete, duke filluar që nga Shekspiri. Mund të përmendim heronjtë e veprave më të njohura të romantikëve gjermanë, apo edhe të klasikëve tanë, të romantikëve anglezë, për shembull, Çajld Haroldi i Bajronit, personazhet e Shellit etj., etj. Apo le të kalojmë në Francë. A s'mund ta quajmë Stendalin një përshkrues të hollë të ndjesive njerëzore, shpeshherë të kundërta? Nuk ju duket se po flisni me një entuziazëm të padrejtë për këtë rus sllavofil?
    - Është e vërtetë se në letërsinë greke e romake më tepër ka mbizotëruar psikologjia lineare e personazheve, nëse mund ta quajmë kështu, - iu përgjegj Cvajgu. Në "Iliadën" e Homerit të gjithë personazhet lindin dhe vdesin me karakteristikat që kanë qëkur i janë prezantuar lexuesit. P.sh. Akili kurdoherë është trim. Dihet dhe se Shekspiri ishte ai që për herë të parë përshkroi me realizëm shpirtin e luhatur të njeriut të ri, duke u bërë një nyje e fortë që lidhi Mesjetën me kohët moderne. Përtej Mesjetës personazhet e gjithë shkrimtarëve të tjerë pas Shekspirit janë plot kontradikta, por janë reale. Ndërsa te Dostojevski personazhet janë të shpirtëzuar. Ata përshkruhen në një mënyrë që hyn thellë dhe ndriçon më shumë shpirtin e tyre, duke u dhënë një përmasë të re të panjohur më parë.
    Por keni të drejtë deri diku, zoti profesor, për Stendalin. Ky vërtet arriti të japë shumëllojshmërinë e ndijimeve dhe transformimin e ndjenjave, por ndoshta plogështia karakteristike e natyrës së tij s'e lejoi të transmetonte dinamikën e pavetëdijes. Dostojevski me analizën e hollë që i bëri ndjenjës, falë aftësive mistike të përjetimit, solli në letërsi atë që bëri Frojdi në shkencë, - e mbylli Cvajgu duke u ulur në kolltukun e lirë të anës tjetër të oxhakut.
    Njerëzit, që bëheshin rreth pesëmbëdhjetë vetë, filluan të lëviznin nëpër salle duke biseduar dhe duke ngrënë diçka nga ato që kish filluar të servirte e zonja e shtëpisë së bashku me një mikeshën e saj, siç m'i kishte prezantuar nga larg zonjusha Feninger që në fillim, kur hymë. Mësuesja e frëngjishtes e motrave të mia dhe unë u drejtuam me ngut për te vendi ku rrinte Cvajgu. Deshim të ishim të parët bashkëbisedues, pas ligjëratës së tij të improvizuar, që ai e zhvillonte shpeshherë me kënaqësi, siç më kishin thënë, për lloj-lloj çështjesh, pothuajse sa herë ishte i ftuar në këtë mjedis intelektualësh vjenezë. Edhe ai po shikonte nga ne. Në përgjithësi unë isha mësuar me një farë kureshtjeje që u ngjallte austriakëve pamja ime ezmere me flokë të dendur të zinj dhe sytë gjithashtu të zinj nën gjyslykët e rrumbullakta me rrathë të errët.
    Cvajgu dukej tip i qetë, lëvizjet i kishte të matura, por me të marrë vesh për origjinën time filloi të interesohej me gjallëri për Shqipërinë, këtë pjesë të Evropës, që pothuajse nuk e njihte. Kur mori vesh se isha student i profesor Klucklohne, ai mendoi se kisha ardhur nga Shqipëria që të ndiqja një fakultet nga më të specializuarit për letërsinë gjermane në Austri, siç ishte ky ku studioja unë dhe mbeti krejt i habitur kur dëgjoi se në vendlindjen time s'kishte fare universitet. Ai u emocionua si fëmijë kur i fola për Erazmin e tij, për vërtetësinë me të cilën kishte përshkruar portretin e humanistit. I thashë se më kishin lënë mbresa të jashtëzakonshme në këtë ese depërtimi në thellësi, njohja dhe zbërthimi i të vërtetave më të larta dhe fare të thjeshta njerëzore, falë një psikologjizmi depërtues e një ndjeshmërie të hollë, të shprehura me një forcë karakteristike si në shumicën e shkrimeve të veta. Tepër modest, me një gjest si prej fajtori u përpoq të ndërronte bisedë, duke marrë pamjen e qetë të mëparshme. Ai më pyeti:
    - Po Dostojevskin a keni arritur ta njihni? Keni lexuar prej këtij shkrimtari që përcaktoi përmasa të reja në matjen e thellësive të brendshme të njeriut?
    - Më vjen keq që s'arritëm me kohë për ta ndjekur që nga fillimi bisedën tuaj dhe nuk e di se për ç'vepra të tij keni folur më parë, megjithatë i jam shumë mirënjohës zonjushës Feninger dhe Bluete që më krijoi mundësinë të marr pjesë në këtë jour-fixe, të dëgjoj ligjëratën tuaj që më bëri shumë përshtypje, se mësova gjëra të reja. Kam lexuar "Përpjekje për një tipologji të shpirtit", studimet për tre mjeshtër, ku ju krahas Balzakut dhe Dikensit, keni analizuar dhe Dostojevskin po kështu. Po pak libra kam lexuar prej tij. T'ju them të drejtën kam lexuar prej këtij shkrimtari rus më shumë vepra në përmbledhje të shkurtuara, në frëngjishte, të tipit livre de poche (libër xhepi), por nuk më kanë tërhequr dhe aq.
    - E kam thënë, - u hodh Cvajgu. Në këto lloj botimesh të shkurtuara në gjuhën frënge që të gjitha rrymat e fuqishme të nëndheshme që përshkojnë romanet e tij janë shkatërruar përfundimisht. Në fillim të duket sikur s'mungon asgjë, ndoshta duket sikur personazhet janë bërë më të gjallë e më dinamikë, por atyre u ka ikur shkëlqimi! Personazhet ngjajnë të varfëruar sepse s'e kanë më atmosferën e veçantë aq shumë të ngarkuar me elektricitet që mezi pret të shpërthejë, sepse s'e kanë më magjinë dostojevskiane.
    Më vonë kur ta lexoja Dostojevskin në origjinal, tregonte babai, do t'i kujtoja fjalët e Cvajgut atë pasdite në shtëpinë e mikes së zonjushës Feninger: "Letërsia botërore nuk njeh ndonjë pëlhurë aq fine dhe të brishtë sa ai vel që mbështjell shpirtin e personazheve të krijuara prej Dostojevskit...Kjo përbën dhe forcën madhore të pendës së tij."

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,456
    Postimet në Bllog
    17
    Fq 194-199, "Kujtime",
    Aleks Buda


    Varrimi i Moisiut, Buda i vetmi dëshmitar shqiptar

    "Mbaj mend se ka qenë muaji mars i vitit 1935, kur vdiq Moisiu. Të paktën mora pjesë në ceremoninë mortore", shkruhet në "Kujtimet" e Aleks Budës, të vetmit dëshmitar shqiptar në ceremoninë e varrimit të Aleksandër Moisiut. E kujton se si ai dhe studentët e tjerë shqiptarë nuk mungonin asnjëherë në teatrot ku debutonte aktori i madh me origjinë shqiptare. "Në ceremoninë e varrimit, që nuk u bë sipas mënyrës tradicionale, fatkeqësisht s'kishte asnjë personalitet zyrtar nga Shqipëra. Hm..po, harrova të them se si personalitet zyrtar kishte ardhur konsulli i plotfuqishëm italian në Vjenë që, për të afirmuar italianitetin e Moisiut e pa me vend të bënte një gjest të shëmtuar, duke mos e respektuar as amanetin e të vdekurit. Ai i doli përpara arkivolit të artistit të madh dhe ngriti dorën për ta përshëndetur antifashistin Moisi në mënyrë romanamente, fashiste, me fjalët: "Ti salute grande italiano" (fq 179. "Kujtime Aleks Buda"). Më lart, profesor Buda kujtonte se në korrespondencën familjare kishte ruajtur një letër të vëllait të tij, i cili i shkruante Taqit, babait të tyre i cili ishte deputet, për t'u interesuar se përse nuk i kthehej përgjigje lutjes së Aleksandër Moisiut për të marrë nënshtetësinë shqiptare. "Duket se Moisiu kishte kohë që interesohej për këtë çështje, ma ka thënë edhe zonja Moisi kur jemi takuar bashkë", kujtonte A. Buda.

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Incidenti i Korfuzit - 22 tetor 1946
    Nga Tannhauser në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 10-06-2011, 08:32
  3. Protokoll bashkëpunimi mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e Kosovës
    Nga Kandili 1 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 05-04-2007, 23:43
  4. Shqipëria dhe pakicat etnike
    Nga RTP në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 93
    Postimi i Fundit: 09-03-2006, 08:00
  5. Informacion i përgjithshëm mbi Republikën e Shqipërisë
    Nga bastardi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-05-2004, 16:05

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •