Historia e 17 guvernatorëve të Bankës së Shqipërisë

Armand JONUZI

Në historinë e saj 81- vjeçare banka e Shqipërisë ka pasur në krye të saj 17 guvernatorë shqiptarë. Guvernatori i parë është Kostandin Boshnjaku. Ai e drejtoi institucionin e “thesarit” të shqiptarëve nga nga 17 janari 1945 deri në 2 prill 1946. Kostandin Boshnjaku u emërua në postin e guvernatorit pas një eksperience të gjatë në bankat e Ukrainës dhe të Rusisë. Por megjithëse një nga bankierët më të mirë në atë kohë, Boshnjaku u burgos në vitin 1947 si pjesëtar i një grupi deputetësh që kishte kundërshtuar regjimin popullor. Ai u lirua pak muaj më vonë dhe deri në fund të jetës në vitin 1953 punoi si përkthyes i materialeve të ministrive dhe organizatave tregtare. Pasardhësi i tij ishte Avdyl Këllezi i cili e drejtoi Bankën që nga viti 1946 deri në vitin 1948. Këllezi mori poste të ndryshme në qeverinë komuniste të asaj kohe, por në vitin 1975 ai shkarkohet nga të gjitha postet që mbante dhe arrestohet. Në vitin 1977 ish-guvernatori pushkatohet. Pas Këllezit, nga viti 1948 deri në rënien e regjimit komunist në fillimin e viteve ’90, ishte 8 numri i guvernatorëve që menaxhuan “thesarin” e Shqipërisë. Guvernatori i fundit gjatë regjimit komunist ishte Qirjako Mihali. Ai mori drejtimin e Bankës në vitin 1989 dhe e dorëzoi atë në vitin 1990. I arsimuar në Bashkimin Sovjetik, ai ishte një nga drejtuesit kryesorë të udhëheqjes së asaj kohe dhe në karrierën e tij mbante një numër të madh postesh të rëndësishme drejtuese.
Niko Gjyzari ishte guvernatori i parë që drejtoi Bankën pas përmbysjes së regjimit komunist. Ai e mbajti atë post për gati 8 muaj dhe u zëvendësua nga Ilir Hoti. Ky i fundit u emërua në maj të vitit 1992 dhe u shkarkua pas 16 muajsh, për shkak të akuzave për përfshirjen e tij në çështjen “Arsidi”. Pasardhësi i tij ishte Dylber Vrioni, i cili më pas u zëvendësua nga Kristaq Luniku i cili e mbajti këtë post në vitet ‘94-‘97. Luniku punon aktualisht si Këshilltar i Drejtorit Ekzekutiv për Evropën Juglindore në Bankën Botërore. Vendin e tij e zuri Qamil Tusha i cili qëndroi vetëm për gjashtë muaj në krye të Bankës së Shqipërisë. Shkëlqim Cani është guvernatori më jetëgjatë i Bankës së Shqipërisë gjatë këtyre 15 viteve. Ai e ka mbajtur këtë post për 7 vjet nga viti 1997 deri në 2004. Cani u zëvendësua nga guvernatori aktual Ardian Fullani.

Historiku i Bankës së Shqipërisë

Për herë të parë, Shqipëria pati një institucion të bankës qendrore në vitin 1913. Ajo u krijua si rezultat i marrëveshjes së qeverisë së Ismail Qemalit, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të “Wienner Bank Verein” që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez si dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher, përfaqësues të “Banca Commerciale Italiana”, që vepronte në emër të grupit bankar italian. Ky institucion nuk jetoi gjatë për vetë kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore. Njohur me emrin Banka Kombëtare e Shqipërisë, ajo e filloi veprimtarinë e saj në vitin 1925. Historia e Bankës së Shqipërisë dhe e sistemit monetar e të kreditit në Shqipëri është historia e përpjekjeve që i paraprijnë krijimit të institucionit të bankës qendrore (1863-1924), krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë (1925-1944), kalimit në Bankën e Shtetit Shqiptar (1944-1992) e cila kishte njëkohësisht atributet e një banke tregtare dhe ato të një banke qendrore, për të përfunduar në sistemin dy-nivelor me Bankën e Shqipërisë (që prej 1992), e cila përmbush atributet e plota të një banke qendrore.

Guvernatoret


Kostandin Boshnjaku
Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së shtetit Shqiptar
17 janar 1945-2 prill 1946

Abdyl Këllezi
Drejtor Përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar
1946-1948

Spiro Bakalli
Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar
1948-1966

Zeqir Lika
Drejtor i Përgjithshëm i bankës së shtetit Shqiptar
1 prill 1966-15 shkurt 1974

Llazar Gjika
Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar
2 shkurt 1974-16 nëntor 1974

ALEKS Verli
Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar
2 Nentor 1974 - Mars 1976

Kostaq Postoli

Drejtor i Pergjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar
1 mars 1976 - 15 korrik 1984

Andrea Nako
Drejtor i Pergjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar 16 korrik 1984 “ 15 korrik 1985

Kamber Myftari
Drejtor i Pergjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar 16 shtator 1986 - 28 shkurt 1989

Qirjako Mihali
Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar
Mars 1989 - Dhjetor 1990

Niko Gjyzari
Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar
1 Janar 1991 - 31 Gusht 1991

Ilir Hoti
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Maj 1992-Shtator 1993

Dylber Vrioni
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Shtator 1993-Dhjetor 1994

Kristaq Luniku
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Dhjetor 1994 - Prill 1997

Qamil Tusha
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Prill 1997-Shtator 1997

Shkelqim Cani
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Shtator 1997- deri ne 2004

Ardian Fullani
Gurvenator i Bankës së Shqipërisë që nga viti 2004
Shkollimi
Ardian Fullani është diplomuar në Fakultetin Ekonomik, dega Financë dhe në Fakultetin Juridik, pranë Universitetit të Tiranës, përkatësisht në vitin 1977 dhe në vitin 1991.
Eksperienca në punë
Ai i ka fillesat në Bankën e Shtetit Shqiptar në vitin 1985, si zëvendësdrejtor i Departamentit të Jashtëm në periudhën 1987 - 1990 e më pas në Bankën Tregtare Shqiptare, si drejtor i Departamentit të Jashtëm, deri në vitin 1992.
2000-2004 Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Italo-Shqiptare