Putin: Zgjidhja pro Serbisë, ose konflikt brenda OKB-së
Rusia ka kërcënuar me ndezjen e konfliktit në arenën ndërkombëtare, nëse zgjidhja që do të jepet për Kosovën nuk do të jetë e pranueshme për Serbinë.
Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar dje se presidenti i Rusisë e ka siguruar se Moska do të kundërshtojë çdo vendim për zgjidhjen e statusit të Kosovës, i cili cenon integritetin territorial të Serbisë. Kryeministri Koshtunica ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin Putin. Koshtunica tha se lideri rus kishte cituar se "Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk mund të mbështesë një zgjidhje nga i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Marti Ahtisari, nëse ajo nuk është e pranueshme nga Beogradi". Putin ka deklaruar në shtator se vendi i tij mund të përdorë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nëse nuk bie dakord me propozimin Ahtisarit. Ahtisari, vitin e kaluar ka qenë ndërmjetës i bisedimeve pa krye mes dy palëve, Prishtinës dhe Beogradit, mbi të ardhmen e Kosovës. Për pak ditë, pritet që ai të shpallë propozimin tij, i cili parashikohet të jetë një lloj forme e pavarësisë për Kosovën. Pjesa më e madhe e popullsisë në Kosovë kër-kon pavarësinë, ndërkohë që Beogradi ka premtuar se nuk do ta pranojë kurrë këtë zgjidhje.
Një deklaratë nga Kremlini citon se gjatë bisedës telefonike me kryeministrin serb, Putin ka theksuar pozicionin e Rusisë mbi çështjen e Kosovës, se çdo zgjidhje duhet të pranohet nga Serbia. Sipas kryeministrit serb Koshtunica, presidenti Putin ka deklaruar se zgjidhja duhet të jetë patjetër e pranueshme nga Serbia, në të kundërt, çdo zgjidhje tjetër do të çojë në situatë të panevojshme konfliktuale.
Gazeta PANORAMA
Krijoni Kontakt