Nëse Kosova nuk arrin Pavarësinë, duhet realizuar menjëherë Shqipëria Etnike
Plani B i shqiptarëve - Shqipëria Etnike
Negociatori i OKB-së Marti Ahtisaari po parqet këto ditë planin e tij për statusin e Kosovës. Ky plan, të cilin Serbia duket se do ta refuzojë tërësisht, ka ngjallur shqetësime tek shqiptarët. Sepse ky plan nuk parashikon pavarësinë dhe sovranitetin e shumëpritur, por në rastin më të mirë vetëm një pavarësi të mbikqyrur. Thuhet se ky plan do t'i hapë rrugën Kosovës të antarësohet në organizmat ndërkombëtarë si OKB, FMI etj. Nga këto organizma, ajo që ka rëndësi është vetëm OKB, sepse vetëm me një vend në OKB Kosova mund të quhej realisht e pavarur. Por një gjë është më se e qartë: ky plan nuk propozon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Propozon vetëm mundësinë që Kosova të ketë mundësi ta kërkojë njohjen e pavarësisë???!!!!
Dhe kjo është shumë larg asaj që shpresonin Kosovarët. Sepse në këtë mënyrë rrezikojmë të hymë në një proces të gjatë e pambarim me një përfundim të pasigurt. Eshtë pikërisht ajo çka dëshiron Serbia: të mos njihet pavarësia e Kosovës, dhe çështja e statusit të shtyhet sa më larg të jetë e mundur dhe të bëhet sa më lëmsh të jetë e mundur. Derisa të krijohet një situatë tjetër ndërkombëtare, derisa Rusia të ketë një peshë më të madhe, derisa komuniteti ndërkombëtar të lodhet me Kosovën dhe ta heqë vëmendjen nga Kosova.
Serbia, e cila në vitin 1999 ndërmori një spastrim etnik radikal, ku largoi rreth 1 milionë shqiptarë nga Kosova dhe vrau rreth 10.000 të tjerë, nga pozicioni i xhelatit ka kaluar tani në atë të "vikitimës". Dhe me një mentalitet të pështirë kolonialisti ankohet se po fitojnë lirinë ata që ajo i shtypi dhe i vrau për vite me radhë. Dhe çuditësisht thirrjet cinike të Serbisë po dëgjohen nga komuniteti ndërkombëtar dhe Marti Ahtisaari, në një kohë që Serbia nuk duhet të kishte patur as të drejtën e fjalës pas atyre mizorive dhe tmerreve qe bëri mbi shqiptarët e Kosovës, tmerre të denja vetëm për barbarët e epokës së Paleolitit.
Kosovarët mendojnë se duke qenë e pavarur dhe sovrane Kosova mund t'i shpëtojë rrezikut serb që i rri mbi kokë. Por nëse kjo nuk arrihet, nëse procesi i statusit shndërrohet në një tallje monumentale me aspiratat dhe dëshirën e një populli për liri, atëherë shqiptarët do të duhej të parashikonin një plan tjetër për shpëtimin e Kosovës dhe kombit shqiptar. Zgjidhja tjetër është Shqipëria Etnike. Faktikisht është e vetmja zgjidhje reale dhe e sigurt si për Kosovën ashtu edhe për krejt kombin shqiptar.
Kosovarët u orientuan në fillim drejt pavarësisë dhe jo drejt bashkimit me Shqipërinë me qëllimin për të ofruar një kompromis, si për vendet e rajonit ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar. Por nëse ky kompromis nuk vlerësohet por përkundrazi merret si një shenjë dobësie, atëherë Kosova dhe krejt kombi shqiptar kanë të drejtën e tyre më se legjitime që të bashkohen dhe të realizojnë Shqipërinë Etnike për të përballuar së bashku rrezikun nga Serbia.
Krijoni Kontakt