-
8 dhjetor 1990 - Lëvizja Demokratike në Shqipëri
8 Dhjetori, datë e rëndësishme në historinë e re të Shqipërisë
Nga Mujë BUÇPAPAJ
8 Dhjetori është një datë e rëndësishme në historinë e re të Shqipërisë. Ajo themeloi doktrinën e lirisë, si një lëvizje e pakompromis e filluar në "Qytetin Studenti" Tiranë. Nëse do të kërkonim një ditë plot shpresë në rrjedhën e jetës sonë, ajo është 8 dhjetori 1990. Ajo përmbysi mitin e diktaturës dhe themeloi mitin e lirisë, bazuar tek guximi dhe energjia. Ata qindra studentë të Universitetit të Tiranës, nën drejtimin e Azem Hajdarit, natën e 8 dhjetorit tronditën diktaturën, por edhe përshpejtuan historinë. Ata kishin dalë në rrugë nga disa konvikte mizerje, për t'u kthyer vetëm pasi të ishte shpallur pluralizmi politik dhe themeluar Partia Demokratike e Shqipërisë, e para parti opozitare pas plot 46 vjetësh sistemi njëpartiak.
Dhjetori i vitit 1990 hyri në Shqipëri plot ankth dhe frikë. Shqipëria ishte i vetmi vend komunist në të cilin regjimi vazhdonte të mbahej me metoda represive. Ish-Presidenti komunist Ramiz Alia, pas mashtrimeve të njëpasnjëshme për reforma, kishte dalë hapur kundër lejimit të pluralizmit politik në vend. Slogani i tij se Shqipëria nuk është as Lindje dhe as Perëndim" apo se "Edhe gjak do të derdhim, edhe bar do të hamë" kishte kërcënuar hapur intelektualët e vendit, të cilët, pas 8 dhjetorit, do të udhëhiqnin revolucionin demokratik në vend. Dominoja e fundit, siç konsiderohej nga SHBA-të Shqipëria, nuk ishte dorëzuar edhe një vit pas shembjes së "Murit" të Berlinit dhe kapitullimit të krejt sistemit komunist në Europë. Në vjeshtë të vitit 1990, Alia kishte shpallur një pseudopluralizëm, duke emëruar organizatat masave si Fronti Demokratik apo Bashkimet e Rinisë dhe të Gruas komuniste, si subjekte elektorale të pavarura. Udhëheqësi komunist po përpiqej t'ia hidhte Perëndimit me këto masa të turpshme, duke iu përgjigjur kritikave dhe presioneve të tij, me idenë se në Shqipëri nuk kishte bazë për krijimin e partive opozitare. SHBA-të vazhdonin ta kualifikonin regjimin e Tiranës si represiv, shtypës dhe kriminal. Në këtë kohë, kur kishte zëra se Shqipëria mund të eksperimentohej si një "Kubë" e Europës, Kongresi Amerikan dhe Departamenti i Shtetit rikthyen vëmendjen tek Shqipëria, duke e kushtëzuar hyrjen në KSBE (sot OSBE) me lejimin e pluralizmit politik dhe respektimin e të Drejtave të Njeriut.
Zija dhe dëshpërimi kishte përfshirë vendin dhe sidomos të rinjtë, të cilët nuk do të pajtoheshin me mbetjen përsëri të Shqipërisë të izoluar dhe jashtë proceseve demokratike europiane. Shumë prej tyre u vranë në kufij, në përpjekje për të dalë jashtë shtetit, të tjerë u zhdukën pa gjurmë.
Shqipëria, dhe pse në mënyrë paradoksale kishte fituar çmimin vjetor të Kombeve të Bashkuara për ushqimin, ishte një vend i uritur, i izoluar dhe gati i pabanueshëm. Prej muajsh mungonin artikujt kryesorë të ushqimit të përditshëm, mungonte buka dhe drita, mungonte lënda e parë për industrinë prodhuese. Shumica e punëtorëve shqiptarë paguheshin pa punuar, nëpërmjet sistemit të 80%. Vendi ishte në prag të një katastrofe ekonomike, por edhe politike. Udhëheqësi komunist Ramiz Alia dhe Byroja Politike, nëpërmjet një numri të pafund pleniumesh të KQ të PPSH, kishin deklaruar masa gjysmake, të cilat nuk preknin në thelb sistemin komunist, por vetëm e liberalizonin atë. Komunistët shqiptarë ishin së paku disa dekada të vonuar në reformat ekonomike, në karahasim me regjimet përreth, të cilat ishin detyruar të dilnin nga skena politike.
"Koka e prerë" e Çausheskut vërtitej si fantazmë në zyrat e Alisë dhe dogmatikëve të tjerë injorantë të Komitetit Qendror. 8 dhjetori 1990 prishi status-quo-n.
Nëse ngjarjet në Shkodër, Kavajë dhe të 2 korrikut me ambasadat në Tiranë kishin dhënë sinjalet e pakënaqësisë ndaj regjimit, Lëvizja Studentore, e udhëhequr nga studenti liberator Azem Hajdari, kishte sjellë urrejtjen ndaj komunizmit dhe bashkë me të edhe përmbysjen fatale.
Kjo lëvizje ia kishte nisur nga rruga, natën e errët të 8 dhjetorit, për të na çuar si përfundim tek 11 dhjetori 1990, në dorëzimin e regjimit njëpartiak dhe themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Kjo lëvizje e udhëhequr nga Prof.Dr. Sali Berisha do t'i jepte fund regjimit komunist në Shqipëri, më 22 mars 1992, kur PD dhe forcat e reja demokratike do të vinin në pushtet, me programin e hapjes, modernizimit dhe integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.
Regjimi komunist i restauruar pas revolucionit bolshevik të marsit 1997, ekzekutoi udhëheqësin e studentëve të dhjetorit, Azem Hajdari, por idetë e tij nuk u vranë kurrë.
Sot, bashkëluftëtarët e Azemit dhe të të gjithë studentëve të Lëvizjes së Dhjetorit drejtojnë qeverinë më të suksesshme gjatë këtyre 16 vjetëve pluralizëm. Kjo ndoshta është mirënjoha më e madhe për Hajdarin, por edhe për të gjithë ata që kontribuan për shembjen e diktaturës komuniste më 8 dhjetor, por edhe më vonë.
RD
-
-
Në "Qytetin Studenti" nisi Lëvizja Studentore kundër regjimit më të egër komunist
Sot, 16 vjet nga 8 dhjetori i '90
Sot është 8 dhjetor. 16 vjet më parë, në "Qytetin Studenti", studentët filluan betejën për të rrëzuar regjimin më të egër dhe hapjen e një epoke të re. Prijësi i studentëve ishte Azem Hajdari. Studentët që jetonin në errësirë, pa ngrohje dhe pa ushqim, u ngritën në demonstratë për të kërkuar të drejtat e tyre jetike. Mirëpo regjimi i atëhershëm u përpoq të manipulojë me kushtet e jetesës.
Lëvizja studentore nisi si një uragan dhe asaj iu bashkuan edhe pedagogët, si dhe qindra e mijëra qytetarë të Tiranës. Ngjarjet e atyre ditëve rodhën me një shpejtësi marramendëse. Diktatura nxori tanket për të shtypur demonstratat e studentëve, por e gjithë Tirana hapi dyert për bijtë e saj. Qindra studentë u plagosën nga dhuna policore, qindra të tjerë u burgosën, por idealet e tyre nuk mund të vriteshin dhe burgoseshin nga diktatura.
E gjithë Tirana ishte në "Qytetin Studenti", ndërsa e gjithë Shqipëria i kishte kthyer sytë nga bijtë e saj. Lëvizjes Studentore i ishte bashkangjitur i gjithë populli i Tiranës. Thirrjet e studentëve "Poshtë komunizmi", "Liri-Demokraci", "Enver-Hitler", "E duam Shqipërinë si gjithë Europa" buçisnin në rrugët e Tiranës. Tashmë, studentët kërkonin hapur lirinë e fjalës, pluralizmin politik, ekonominë e tregut dhe vendosjen e shtetit ligjor.
Më 12 dhjetor të vitit '90, studentët, intelektualët, punëtorët dhe qindra mijëra vetë që i ishin bashkuar Lëvizjes Studentore krijuan të parën parti opozitare, partinë e idealeve të mëdha të lirisë dhe demokracisë, krijuan Partinë Demokratike të Shqipërisë. Kanë kaluar 16 vjet nga 8 dhjetori i '90-ës dhe kanë ndodhur shumë ngjarje të mëdha. Sot, lideri i Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, nuk ndodhet mes nesh. Ai u ekzekutua nga ish-pushtetarët e atëhershëm dhe përsëri janë ata që nuk duan të ngrihet as memoriali i Azemit. 8 dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë i tmerron komunistët e konvertuar në socialistë.
Për tetë vjet, Partia Demokratike ishte në opozitë me një pushtet që shtypte të drejtat dhe liritë që ishin fituar me gjak nga Lëvizja Studentore. Pas tetë vjetësh të mundimshme, Partia Demokratike u rikthye në pushtet me votën e popullit. Megjithatë, rruga e integrimit në Europë nuk është e lehtë. Ata që nxorën tanket për të shtypur studentët në vitin '90, ata që kundërshtojnë ngritjen e memorialit të tribunit të demokracisë, nuk duan ta pranojnë humbjen.
Rexhep POLISI
Ditar i shkurtër i 8 Dhjetorit '90
Ora 10:00.
Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për vizitë tek studentët në Qytetin "Studenti". Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh, pasi baltës nuk i rezistuan as çizmet që Çarçanit ia dërgoi me shpejtësi policia. Në godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Studentja A.B. iu drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të ashpra. Ajo tha se, "unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…"
Ora 20:30.
Kabina elektrike në qytetin "Studenti" merr flakë. Gjithçka fillon nga e para. Fillojnë parrullat kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj qeverisë komuniste dhe thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë u këndua nga të gjithë kënga: "Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri./ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje ja liri"! Si dhe u hodhën parrullat, "Poshtë komunizmi" dhe "Komunistët në litar".
Ora 21:00
Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t'u mbledhur të gjithë. Brenda 10 - 15 minutave u mblodhën rreth 200 - 300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17 u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në Sheshin që sot quhet "Demokracia".
Ora 21:00
Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to. Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri si i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim, Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga rruga e "Elbasanit" me synimin për takim me R.Alinë, ose demonstrim në Sheshin "Skënderbej".
Ora 22.00
Në hyrje të lagjes afër çerdhes, policia kishte vënë postobllok. Aty foli Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte?
Ora 24.00
Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me R.Alinë. Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.
Ora 01.10, 9 dhjetor
Nisi dita e re. Delegacioni u kthye nga Alia me premtimin, se policia nuk do të përdorte forcën me studentët dhe të nesërmen ose do të priste 300 studentë në Qytetin "Studenti" ose 3000 në Pallatin e Sportit "Partizani". Ata komunikuan kompromisin, i cili nuk u pranua dhe u vërshëllye nga studentët demonstrues, numri i të cilëve ishte 2000-2500 vetë. Studentët kërkuan të ecin drejt sheshit. 5-6 vajza që ishin dolën përpara demonstruesve. Acarimi arriti kulmin.
Ora 01.20
Hekuran Isai improvizoi një humbje të pistoletës të një oficeri dhe dha tre herë urdhër: "Bjeruni, bjeruni, pastroni sheshin". Njëri nga studentët e kapi nga dy duart Hekuran Isain dhe u kujtoi premtimin e Alisë se s'do të përdorej dhuna. Isai nuk reagoi, atëherë studenti e shtyu dhe e hodhi ministrin e Brendshëm të PPSH në grumbullin e ferrave anash rrugës.
Ora 01.35
Pas demonstrimit të përleshjes, të plagosur, të irrituar, të baltosur, dhe me urrejtje të madhe kundër komunistëve, duke thirrur parrulla të ashpra, studentët u kthyen në Sheshin "Demokracia". U debatua pak nëse do të vazhdohej natën apo të nesërmen, u la për në orën 7.30 të mëngjesit.
Ora 8.00
Vetëm në atë orë u mblodhën grupet e para. Në godina ishte nxjerrë një njoftim dore për bojkotim mësimi. Megjithëse e dielë ishte mësim, pasi zëvendësohej një ditë pas festave të nëntorit. Disa studentë i kishin prerë rrugën atyre që shkonin në fakultete dhe u bënin thirrje për solidaritet. Më të pabindurit ishin FSHN dhe Juridiku.
Ora 9.00
Në qytetin "Studenti" shkon A.H. djemtë e Inxhinierisë, që i rrinin pranë dhe në një farë mënyre ishin organizatorët e ditës. Ndërkohë sheshi i mbushur plot mori itinerarin Kinostudio-Filologjik-Ambasada Amerikane-Sheshi "Skënderbej".Të gjithë protestonin ndaj R.Alisë që s'mbajti premtimin dhe të gjithë besonin se ishin arrestuar studentë mbrëmjen e parë. Tashmë ishin 5-6 mijë demonstrues. Afër ambasadës amerikane policia i ndau në dysh. Grupi i parë vazhdoi deri afër Liceut. Aty policia e frymëzuar nga Lenini dhe Stalini që vigjëlonin në muze anash, bllokoi rrugën dhe filloi të merrte masa që studentët të mbeten të izoluar nga qytetarët e Tiranës.
Ora 9.30:12.30
Në qytetin "Studenti" shkuan dhe ikën të deleguarit e Alisë. Nuk u arrit asnjë kompromis. Studentët tashmë kishin avancuar në kërkesat politike, thirrjet dhe organizim.
Ora 13.10
Pas një vese të hollë shiu, doli dielli. Policia mori urdhër për veprim, katër herë dështuan. Herën e pestë, pas një sprapje ata u vërsulën fuqishëm mbi studentët. Ishte një masakër e vërtetë. Rreth 20 të arrestuar, 60 të plagosur dhe qindra të tjerë të vrarë në shpirt e në zemër. Për t'i shpëtuar shkopinjve të gomës, u strehuan tek familjarët e lagjes. Gjithçka vazhdoi e tillë në ankthe e pritje, derisa në orën 14.00 shkoi tek studentët Prof. Dr. Sali Berisha, dhe u premtoi atyre se do të bënte të pamundurën se do të lironte studentët e arrestuar. Por atë pasdite do të zgjidhej një komision përgjegjës, i cili kishte mandat për përfaqësimin e mendimeve të studentëve. Policë e ushtarakë u larguan nga Qyteti "Studenti" dhe brenda ditës dhjetëra kujdestarë e punonjës u zëvendësuan me efektiva të 326 ose të Sigurimit të Shtetit.
10 dhjetor ora 9.00:10.00
Studentët u grumbulluan në Sheshin "Demokracia". U deklarua bojkotimi i mësimit dhe në mënyrë të përgjithshme u përvijuan kërkesat e peticionit që iu dërguan R.Alisë.
72 autoblinga ushtarake të mbushura me studentë të Shkollës së Bashkuar që mbante emrin e E.Hoxha me urdhër të Kiço Mustaqit ishin nisur për në rrethinat e Qytetit "Studenti" në pritje për ndërhyrje. Në mesin e rrugës, disa prejt tyre kishin filluar të bërtisnin pro studentëve, shkak që e detyroi atë kolonë të kthehej pas. "Dezertorët" u përjashtuan 10 ditë më pas. Në Qytetin "Studenti" arritën banorët e rinj. Ata ishin studentët e familjeve tiranase dhe punëtorë. Tashmë, sheshi ishte i mbushur për të mos u zbrazur më. Ndërkohë në mikrofonë dhjetëra liderë të ardhshëm shprehnin solidaritetin me studentët dhe i jepnin opsione të zgjidhjes. Pasdite filloi një shi i tmerrshëm, megjithatë studentët nuk u larguan. Të detyruar nga kushtet, komisioni i studentëve (deri atë natë u bënë dy komisione) i ftoi studentët në mencën e studentëve 7-1 dhe u dha variantet e takimit me Presidentin Alia. Të gjithë kërkuan dhe ranë dakord për takim me R. Alinë ose në Qytetin "Studenti" ose me 3000 studentë në Pallatin e Sportit "Partizani".
11 dhjetor ora 9.00
Filloi mitingu i ditës. Pjesëmarrje e jashtëzakonshme, sepse tashmë Qyteti "Studenti " ishte çliruar nga komunizmi. U komunikua se R.Alia priste një përfaqësi prej 30 vetësh në takim në mbrëmje. Çdo fakultet do të zgjidhte përfaqësuesin e vet.
Ora 10:00- 16:00
Vazhdoi zgjedhja e delegatëve nëpër fakultete.
11 dhjetor ora 18.00
Arriti autobuzi dhe në mënyrë madhështore u bë nisja e studentëve dhe pedagogëve për takim me Presidentin komunist Alia.
Ora 20.00
Nëpërmjet RTV u komunikua deklarimi i pluralizmit politik dhe shkarkimet në Byronë Politike të KQPPSH.
Ora 21.00
Delegacioni i kthyer në një pritje entuziaste e madhështore. Delegacioni i cilësoi bisedimet të suksesshme dhe u tha se do të formohej opozita e parë. Pati disa propozime për emrin e partisë së re dhe u la për të nesërmen në mitingun e madh të pasdites.
12 dhjetor Ora 9.00
U mbajt mitingu i parë i punëtorëve në Qytetin "Studenti", ndërkohë që prej darkës së parë në godinën 15 vazhdonte hartimi i dokumentave prezantuese të PD. U mblodhën 365 nënshkrime të domosdoshme për themelimin e një partie, nga të cilët 194 ishin studentë.
Ora 16.00
Në një miting historik madhështor, u shpall themelimi i PDSH, si forca e parë opozitare antikomuniste e demokratike dhe u komunikua programi minimal i PDSH.
RD
-
-
Flet Bislim Ahmetaj, kryetar i Grupimit "Dhjetor '90"
Askush nuk mund t'i nëpërkëmbë idealet e dhjetorit
- Zoti Ahmetaj, si e përjetoni 8 Dhjetorin e vitit '90?
Jetojmë në pluralizëm politik. Partia që themeluam në Dhjetor të '90-ës është tashmë një vit e rikthyer në pushtet pas një opozite tetë vjeçare në një pushtet carist. Shumica e idealeve për të cilat studentët dhe intelektualët që ishin pjesëtarë të asaj lëvizje relativisht janë realizuar. Ne luftuam për lirinë e fjalës, për lirinë politike, për lirinë e besimit, për lirinë ekonomike, për lirinë e lëvizjes. Në pikëpamjen klasike të gjitha këto liri sot janë më se të realizuara. Mënyra e realizimit të tyre në tranzicionin e egër dhe të gjatë shqiptar, sigurisht që le shumë për të dëshiruar. Për shembull, ne nuk e deshëm lirinë politike që kryetarë partish të jenë ish-ministra të Ramiz Alisë, apo ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Sigurisht ne nuk i deshëm pronarë të ekonomisë së tregut ish-drejtuesit politikë të diktaturës, ne deshëm një lëvizje të lirë të qytetarëve në Shqipëri dhe në botë konform standardeve europiane, por ky është fati me të cilën shqiptarët e përdorin lirinë e fituar në Dhjetor të '90-ës. Prijësi i lëvizjes studentore, Azem Hajdari, dhe shumë eksponentë të tjerë të kësaj lëvizje nuk janë më. Azemin e vranë, Arbenin e vranë, Avdylin e vranë dhe shumë të tjerë nuk ndodhen në Shqipëri për shumë arsye.
- Si e konsideroni bllokimin e vendosjes së memorialit të Azemit në Ditën Kombëtare të Rinisë?
Grupimi "Dhjetor '90", në vitin '99 i propozoi kryetarit të Bashkisë së asaj kohe, zotit Brojka, ngritjen e një memoriali të Liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari me tri variante; varianti i parë, para sheshit të Muzeut Historik Kombëtar për arsye se, Lëvizja e Dhjetorit '90 është njëra prej lëvizjeve më të emancipuara në historinë moderne të Shqipërisë. Varianti i dytë, para Korpusit të Universitetit që aso kohe nuk ishte emërtuar sheshi "Nënë Tereza", për shkak se Lëvizja Studentore ishte produkut i këtij korpusi. Dhe varianti i tretë, ishte sheshi "Demokracia" në qytetin "Studenti" tribuna e lëvizjes studentore. Me gjithë përpjekjet e zotit Brojka, në atë kohë të errët kur pushteti i opozitës së sotme mendonte të vriste të tjerë dhe jo më të ngrinte përmendoren e atij që ishte lideri i kësaj lëvizje dhe pushteti e kishte pushkatuar vetë. Kështu, të gjitha përpjekjet rezultuan të pasuksesshme. Ne dhe sot e kësaj dite u qëndrojmë këtyre tre varianteve edhe pse Parku "Rinia" është një qendër e rëndësishme e kryeqytetit. Kreun e sotëm të Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht të Partisë Socialiste, memoriali i Azem Hajdarit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" e trondit, sepse Azem Hajdari ishte dhe mbetet njeriu më paqësor dhe idealist i historisë moderne shqiptare.
RD
-
-
8/12/2006
Sot pasdite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e organizuar, në Pallatin e Kongreseve, me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë. Në këtë ceremoni festive ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritarë, përfaqësues të partive politike, ish studentë të Lëvizjes së Dhjetorit, të rinj dhe studentë të tjerë.
Duke përshëndetur të rinjtë pjesëmarrës, Kryeministri e vlerësoi 8 dhjetorin si festën e lirisë për të gjithë shqiptarët, ndërsa shprehu përkushtimin e tij dhe të qeverisë për të bërë çdo gjë që projekti i Shqipërisë të modelohet me ëndrrat dhe aspiratat e çdo të riu.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha theksoi:
“Të dashur të rinj dhe të reja të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Sot, në ditën tuaj të madhe, ju përqafoj ju, përqafoj mbarë të rinjtë shqiptarë. Përulem me nderimin më të thellë, sepse ishit ju që, në 8 dhjetor, me guximin, trimërinë, mençurinë, pastërtinë tuaj, ndryshuat Shqipërinë. 8 dhjetori është festa juaj, është festa e lirisë, është festa e shqiptarëve. Në 8 dhjetor, një grup të rinjsh, të udhëhequr nga studenti, tribun i lirisë, Azem Hajdari, u përballën me diktaturën më të egër në Europë, e gjunjëzuan, e mundën dhe e plagosën atë për vdekje.
Të rintë dhe të rejat e Tiranës, atë ditë kishin vetëm një thirrje, vetëm një mesazh: “Na ktheni lirinë, na ktheni lirinë, na ktheni lirinë”. Ata, me shpejtësi, themeluan Partinë Demokratike, ngjizën dhe zhvilluan uraganin më të madh të lirisë që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre. Dhe ne fituam. Të rinjtë ishin ata që sollën ndryshimin, që u kthyen shqiptarëve lirinë, u kthyen dinjitetin, shpresën, besimin tek vetja, besimin tek e ardhmja, besimin tek Zoti, besimin tek Shqipëria. Ata që fshinë festën nga kalendari, ata që fshinë festën tuaj, ata që zhgërryen në shtretërit e diktatorëve, nuk kanë të ardhme. Ata nuk ua mbajnë dot qytetin. Ne do do t’u kthejmë juve qytetin, do t’i kthejmë Shqipërisë Tiranën.
Ju, në një hark kohor 15 vjeçar, jo vetëm përmbysët diktaturën më të egër që ka njohur Europa në historinë e pasluftës, por përmbysët, një vit e gjysëm më parë, sistemin kleptokratik më të egër, më të rrezikshëm të Europës dhe më gjerë.
Unë nuk do të harroj kurrë 8 dhjetorin, si ditën më të lumtur të jetës sime, nuk do të harroj kurrë qershorin e 2005-ës, shëtitjen time me ju në rrugët dhe qytetet e Shqipërisë. Të njëjtin besim që kam patur tek Zoti, të njëjtin besim kam patur edhe tek fitorja, sepse e pashë, e ndjeva, e preka në shpirtin tuaj, në vendosmërinë tuaj, në zemrat tuaja.
Unë sot jam këtu para jush për t’u zotuar se me përkushtimin më të madh do të punoj, do të bëj çdo gjë që Shqipëria, projekti i saj, të jetë ëndrra juaj, të modelohet me ëndrrën tuaj, me aspiratat tuaja, me shpirtin tuaj, me mendjen tuaj. Kjo është arsyeja se pse ne hapëm dyert e universiteteve për ju, kjo është arsyeja që do t’i krijojmë mundësinë çdo të riu të ndjekë shkollën e mesme, kjo është arsyeja pse ne do të sjellim Shqipërinë në moshën tuaj, në moshën e internetit.
Të dashur të rinj dhe të reja!. Kushtrimi juaj, thirrja juaj, “na kthe qytetin” është himni i shpirtit dhe moralit shqiptar, i cili do të çlirohet nga mafia, do të çlirohet nga kleptokracia, do të çlirohet nga antivlerat, do të vendosë moralin në piedestal, do të lartësojë çdo ditë flamurin e tij, në mënyrë që ju, gjithë shqiptarët, të marrin pasaportën europiane që e meritojnë. Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.
Nder të madh të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave, me në krye tribunin e lirisë Azem Hajdarin që në 8 dhjetor të vitit 1990, çelën për shqiptarët portat e mbylluara të lirisë.
Nder të madh të gjithë të rinjve shqiptarë që me votën e tyre përmbysën në 3 korrik regjimin e kleptokracisë.
Sot, ju nisni betejën për qytetin. Tirana është gjëja më e çmuar që kanë jo vetëm qytetarët e kryeqytetit, por mbarë shqiptarët, mbarë kombi. Njëri nga ju, simbol i suksesit tuaj, simbol i mençurisë suaj, i përkushtimit tuaj, përfaqëson ju, përfaqëson ne, përfaqëson shqiptarët. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj fitoren, suksesin. Me ju, Shqipërisë do t’i rikthejmë kryeqytetin, me ju shqiptarëve do t’u rikthejmë Tiranën, me ju qytetarëve të Tiranës do t’i kthejmë qytetin.
Gëzuar Festën!"
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt