
Postuar më parë nga
Humdinger
Dy standarte në luftën e luleve
nga Lorenc Vangjeli
Fatkeqësisht, ligji në Shqipëri u ngjan getave të grave; materiali i tyre sintetik u rri puthitur mbas këmbëve të klientes së mundshme, pavarësisht kilogramëve mish apo dhe celulitit mbi mish që ato mund të kenë dhe natyrisht nuk varet nga ngjyrat. Ministri mediatik i mjedisit, ishi majti Xhuveli, tani antimajtisti Lufter, dha një tjetër shembull të jashtëzakonshëm të trajtimit të ligjit në Shqipëri sipas modelit të getave të femrave, për të mos përmendur llastikun që përdoret për ndonjë objekt poshtë tyre, jo vetëm nga gratë.
Objekti i zemëratës ‘ligjore’ të ministrit dheandejdhekëtej ishte Bashkia e Tiranës që është ndëshkuar me një gjobë prej rreth tre mijë dollarësh sepse nuk ka marrë leje mjedisore për rikonstruksionin e lulishtes mbas statujës së Heroit Komëbëtar Gjergj Kastrioti. ‘Nuk kanë plotësuar formularin tetë’, thonë vartësit e tij për gjithë atë hapësirë të degraduar mbas bishtit të kalit të Heroit. Në vështrim të parë duket se kanë të drejtë gjobitësit; një formular i famshëm – ai mbante numrin katër – shkatërroi brenda pak netësh atë që ishte ndërtuar për shumë ditë me rradhë në kryqëzimin e Zogut të Zi. Dhe hodhi në erë, mbi një milion dollarë duke e shndërruar Zogun, ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri, në një argument sherri për të gjithë burrat e fortë të politikës. Por vetëm më pak se dyqind metra në vijë ajrore nga lulishtja fajtore, një tjetër lulishte në ndërtim e sipër ka një fat të ndryshëm. Bëhet fjalë për sipërfaqen e gjelbëruar që po ngrihet rishtaz mbas Pallatit të Kulturës. Për të, kultura politike e digasterit të zotit Xhuveli, jep një zgjidhje tjetër, në rrethana të njëjta. As për ato punime nuk është marrë leje mjedisore, domethënë, mungon formulari tetë, por atje nuk është vendosur asnjë gjobë. ‘Duhet të kemi parasysh se aty ka qenë një gropë e pistë dhe po kthehet në lulishte, nuk e pamë të arsyeshme të vëmë gjobë sepse po krijohet një sipërfaqe e gjelbër’, arsyeton një Xhuvel i vogël në digasterin e Xhuvelit të madh. Edhe prokuror për një palë, edhe avokat për palën tjetër. I ashpër me armikun, xhentil me miqtë qeverisës.
Kjo luftë lulishtesh mund dhe të mos merret shumë seriozisht. Sepse gjëmimi i këmbanave, zakonisht e mbyt zhurmën e shurdhët të zilkave të tilla dhe përpara zgjedhjeve të pritshme lokale, mbizotëron vetëm stina e këmbanave. Në Shqipëri është luks të debatohet e të bëhet sherr për lulet, që në mos janë ushqim për gomerët, nuk janë kuaj të përshtatshëm betejash politike; lulet këtu nuk merren shumë seriozisht. Por ajo që bën përshtypje në këtë ngjarje është harbutëria e agresiviteti nga njëra anë dhe servilizmi e sensi i dyfishtë i gjykimit nga gjykatësi mjedisor në anën tjetër. Sipas parimit të funksionimit të getave të grave ose dhe llastikut për sende më delikate akoma.
Kapërcimi i ylberit politik nga fenomeni Xhuveli nuk është një rast i shkëputur dhe as një rast jetim në Shqipëri. Problemi qëndron se fenomene të tilla sapo hedhin këmbën në anën tjetër të ylberit, afrojnë jo thjesht mungesë morali, por tentojnë një përkëmbim morali prej luftëtarësh moralistë. Me gjobën për Bashkinë e Tiranës, Xhuveli thjesht thjesht tha një ‘Këtu’ të vendosur për komandën që maxhoranca që tashmë i përket si numër, u ka bërë gjithë të vetëve. Dhe Xhuveli u përgjigj: Këtë kam në dorë të bëj dhe këtu nuk e mbaj dorën që ta bëj. Ai tentoi të afrojë një shërbim nervangritës në nervat e ngritura të politikës së ditës. Ai dëshiroi të japë një sinjal besnikërie, atëherë kur ekzistenca e tij e mëtejshme në një qeveri të djathtë pas zgjedhjeve lokale, është më tepër se e dyshimtë; duke u kapur mbas bishtit të kalit të Skënderbeut, ai rrezikon më së shumti të japë një argument më tepër se pse nuk duhet të merret seriozisht jo si individ apo forcë politike, por si fenomeni i moralit pa moral të politikës së sotme.
Vetë kryeministri Berisha e di që nuk ka më nevojë të mbajë në bishtin e qeverisë së tij këtë peshë; duke i afruar një ftesë për përfshirje të mundshme në qeverinë e nesërme demokristianëve të Ndokës dhe Lesit, ai i ka prerë një biletë lamtumire ikjeje edhe targetit të tyre të preferuar agrar. Që edhe pse kësaj rradhe e zgjati në dy mënyra të ndryshme llastikun me të cilin mati të drejtën që i jep ligji, po ndjen që llastiku i tij privat është këputur. Në fakt nuk është ndonjë humbje e madhe; kushton vetëm tre mijë dollarë. Nuk janë shumë, por nesër ato do të gjejnë patjetër vend në dosjen që Këshilli i Evropës përgatit për atë që raporti i publikuar pak ditë më parë e konsideroi ‘ndërhyrje të qeverisë qëndrore dhe presione të saj për pushtetin lokal’. Gjë që nuk do t’i pëlqejë në asnjë rast kryeministrit që ka të tjera ‘fatura’ më emergjente dhe më serioze për të paguar. Kështu që dhe këto tre mijë dollarë, me siguri do të hyjnë në llogarinë e ngrirë të ministrit Xhuveli. I cili kësaj rradhe gaboi nga zelli i tepërt, por dhe besimi i tepruar që nuk do të kishte fatin e barit në ‘lëndinën’ ku ndeshen të mëdhenjtë. Por fatkeqësisht, dimri nuk është stinë e mbarë për barin. Sidomos kur është dimër zgjedhor.
Ballkan Web
Krijoni Kontakt