E bejme vete, pastaj fajesojme te huajt



-nga Bashkim Kopliku

E kemi bërë zakon që fajet tona t'ua hedhim të huajve. Ky ves na ka ndjekur gjatë gjithë historisë sonë moderne. Në kohën e komunizmit (jo "të monizmit", mor eufemistë të pandreqshëm), ishim "kështjellë graniti në brigjet e Adriatikut", pra "të rethuar nga të huaj që veç të keqen na donin". Në demokraci, kur e kemi punën pisk, prapë të huajt fajësojmë. Tipike është ajo e vitit 1997, që sajuam të huajt si fajtorë, kur duhej t'i falenderonim se na shpëtuan nga vetja: shpëtuan shqiptarët nga shqiptarët.
Në vijim po citojmë një analist shumë të respektuar, që nuk po e përmendim me emër, sepse thotë diçka të përsëritur nga...
...shumë shqiptarë të tjerë: fatkeqësisht mbase nga shumica. Ja citimi:
"Eksperimenti kundëramerikan" i Berishës së viteve 1996-1997, rezultoi fatal, aq sa desh e shndërroi atë në hiç politik. Pra, pavarësisht debateve, në qëndrimin tonë zyrtar ndaj SHBA-ve dhe politikave të saj, nuk pritet të ndryshojë thuajse asgjë."
Pra, ajo që ndodhi në '97-tën, nuk paska qenë një rrënim i shtetit për fajin tonë, të shqiptarëve me në krye z.Berisha, me piramidat e fajdeve, e me zgjedhjet, por paska qenë thjeshtë një dënim amerikan për eksperimentin kundëramerikan të z.Berisha?! Bile amerikanët kështu do të na e punokan gjithënje, sa herë t'i kundërshtojmë: "nuk pritet të ndryshojë asgjë".
Paragjykimi enverist "amerikanët xhelatët e popujve të shtypur", është ana formale e citatit. I bie të kenë qenë më pak hipokritë enveristët, se së paku i konsideronin amerikanët armiq, dhe i trajtonin si të tillë. Kurse këta të sotmit, edhe i konsiderojnë, me llafe, miq, dhe njëkohësisht i shpifin me "reagimet amerikane me pasoja fatale për Shqipërinë", etj.-hipokrizi e pabesi, apo jo?!
Përmbajtja e e citatit të mësipërm është mjerane: një mashtrim i ulët. Në vijim po detyrohemi të rikujtojmë shkurtimisht, faktet që ka 9 vjet që makinat propagandistike të PD-së, dhe edhe të PS-së, po bëjnë çmos t'i fallsifikojnë, dhe jo pa sukses.
Në 1996-tën, shteti me në krye z.Berisha stimuloi (pra krijoi) skemat mashtruese piramidale (Fajdet). Qëllimi ishte që të krijohej përshtypja e mirëqenies në masën e popullit: njerëzit futnin sot "300, e merrnin pas 2 javësh 900 pare", pa punuar fare. Kjo nuk është fare hiperbolë, por është aty ku u arrit në muajt qershor-tetor 1996, në prag të zgjedhjeve lokale. Natyrisht kjo dha "rezultat": njerëzit votuan në shumicë për kandidatët e partisë në pushtet (PD-së), sepse ndryshimi i qeverisjes mund të trondiste atë "parajsë" ekonomike të Shqipërisë së Fajdeve. Me Fajdet u përzien mbi 2/3 e popullsisë së vendit, e kjo duke qenë konservatorë në shifrat-në asnjë vend të botës, nuk kishte ndodhur ndonjëherë një përfshirje relative kaq e madhe e popullsisë, e kjo vërtetë që përbën mbase të vetmin rekord botëror shqiptar. Fajdet u stimuluan që të merrnin këto përmasa katastrofike, pas zgjedhjeve të 26 maj 1996, zgjedhjeve që u kontestuan për vjedhje të votave, si brenda vendit, si dhe ndërkombëtarisht. Regjimit i duhej të fitonte me çdo kusht zgjedhjet lokale të tetorit të 1996, që indirekt të provonte se populli e donte regjimin, prandaj edhe zgjedhjet e majit 1996, gjoja kishin qenë të rregullta. Vërtetë që regjimi fitoi zgjedhjet lokale, tashmë me zgjedhje që nuk u vodhën, e që u zhvilluan në prezencën e mijëra vëzhguesve ndërkombëtarë. Por edhe pas zgjedhjeve, regjimi nguroi të marrë masa efektive kundër Fajdeve. Si pasojë, brenda pak javëve, Fajdet u shembën duke marrë me vete të gjithë Shqipërinë.
Ajo që u bë, krijimi i skemave piramidale, ishte një krim që bëri regjimi, me në krye z.Berisha. Ishte krim, jo sepse po shkelej morali, jo sepse nuk po tregohej e vëmendëshme qeveria, por sepse po bëhej një shkelje e qartë e ligjit (ligji për sistemin bankar). Në bazë të ligjit, që të merrje depozita në publik, duhet të ishe bankë, e jo siç ishin të gjitha fimat piramidale. Pra nuk është e vërtetë ajo që është përsëritur shpesh nga fajtorët politikë kryesorë, se gjoja vetëm sa "u lejuan Fajdet", sepse gjoja "ligji e lejonte". Jo, ligji e ndalonte shprehimisht, dhe regjimi shkeli ligjin me vetëdijë të plotë.
Fajdet nuk kishin më mundësi të paguanin as interesat dhe as kapitalin (paratë që kishin futur njerëzit në to). Njerëzit u revoltuan, se kishin humbur tashmë çdo gjë, dhe regjimi nuk lëshonte vendit, dhe as pendohej për ato ç'kishte bërë. Shteti u rrënua, depot e armëve u hapën, dhe "çdo shqiptar, në vend të lopatës, kishte në dorë një kallashnikov (armë). Gjatë vitit 1997, filluan të vriten shqiptarët me njëri-tjetrin, grabitjet, djegiet e barbaria plasi kudo, vendi ishte në prag të luftës civile.
Ata që na shpëtuan nga ky qamet, qenë perëndimorët, që bënë punën e policëve shqiptarë e të shtetit shqiptar. Pra qenë italianët, francezët, spanjollët etj., e natyrisht dhe amerikanët ishin pas tyre. Ne shqiptarët e sotëm, nuk kemi gojë t'i biem në qafë perëndimorëve në përgjithësi, e amerikanëve në veçanti (çlirimi i Kosovës, ndihmat ekonomike tash 16 vjet etj.etj.).
Nuk po e zgjasim me hollësira të tjera, sepse tashmë kemi shkruar gjatë për këtë problem, dhe sepse nuk duam të largohemi shumë nga boshti i këtij shkrimi: nëse nuk dimë të themi "më fal" apo "faleminderit", së paku a ka mundësi të mos t'u themi plaç atyre të huajve që veçse na ndihmuan!


Ballkan Web