Sipas pacientes Zyra Ago, doktori i Reanimacionit në QSUT-së i ka hequr veshkën në vitin 2002 dhe nuk i ka treguar
I heqin veshkën, e zbulon pas 3 vjetësh
Ago: Pas një ekoje që bëra rastësisht në vitin 2005, e mësova se njëra nga veshkat nuk ekzistonte
Eglantina Bardhi
E paimagjinueshme, por e vërtetë.
Ka jetuar 3 vjet, pa e ditur se në trupin e saj ka vetëm njërën veshkë. Një eko e bërë rastësisht, për të parë gjendjen shëndetësore, ka treguar qartë se njëra nuk ekziston fare. Kjo ka shokuar jo vetëm 50-vjeçaren nga Laçi, Zyra Agon, por gjithë të afërmit e saj, pasi asnjeri nuk ka qenë në dijeni të një fakti të tillë. Fajtor për këtë, Zyra Ago bën doktorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në shërbimin e Reanimacionit të sëmundjeve të brendshme, që e ka bërë operacion në vitin 2002 për heqjen e gurëve në veshka por, bashkë me gurët i ka hequr edhe njërën veshkë, për të cilën nuk i ka treguar as të afërmve të saj. Duke e quajtur skandaloz veprimin e këtij mjeku, Zyra Ago dhe familjarët e saj, kërkojnë që ky mjek të marrë dënimin që meriton, pasi u ka shkaktuar atyre një dëm moral dhe ekonomik. “Kërkoi që të më jepet Statuti i Invalidit që në vitin 2002, pasi kam punuar 8 orë të plota pranë KESH-it të Laçit, megjithëse duhej të trajtohesha si invalide, me orë pune më të kufizuara”,- theksoi ajo. Ndërsa presidenti i Urdhrit të Mjekut për Rajonin e Tiranës, Faik Toska, pohon se është në dijeni të kësaj çështjeje dhe se mjeku duhej t’i kishte dhënë pacientes Zyra Ago, epikrizën e sëmundjes me shkrim. “Për këtë arsye, mjekut i kemi tërhequr vëmendjen dhe i kemi dhënë paralajmërim me heqje të licencës për ushtrimin e profesionit”,- thotë Faik Toska.
Ngjarja
Shqetësimet shëndetësore që i kanë sjellë gurët në veshka, e ka detyruar Zyranë t’i drejtohet QSUT-së për ndihmë mjekësore. “Pas vizitës që më bëri mjeku, më tha se duhet të bëj operacion për të hequr gurët, pasi me aparatin e thyerjes së gurëve në veshka nuk realizohej një gjë e tillë, sepse, sipas tij, më ishte formuar një gur i madh që mund të hiqej vetëm me anë të operacionit”,- thotë ajo. Në vitin 2002, sipas saj, është futur në operacion, duke menduar se do të hiqte vetëm gurët në veshka dhe të njëjtën gjë ia ka thënë edhe mjeku pas operacionit, i cili i ka treguar edhe gurët që i kishin hequr, por kurrsesi nuk i ka thënë se ia ka hequr njërën veshkë. “Doktori, jo vetëm që duhej të ma thoshte një gjë të tillë me gojë, por duhej të ma jepte edhe me shkrim epikrizën, pasi me anë të saj do të përfitoja Statutin e Invalides, që në vitin 2002”,- thotë ajo. Pas operacionit, Zyra Ago shpjegoi se shqetësimit shëndetësore do t’i rifillonin përsëri, sepse një trompozë në këmbë do ta përplaste përsëri atë në dyert e QSUT-së, por, përsëri nuk ka mundur të mësojë se jeton me njërën veshkë.
Zbulimi
Shqetësimet shëndetësore të vazhdueshme që ka patur dhe fekondimi i mjekëve, e ka shtyrë atë për të bërë një eko për veshkat në vitin 2005 dhe ky ekzaminim, ka befasuar atë dhe të afërmit e saj. “Mjeku që më bëri ekon, më pyeti se kur e kisha hequr veshkën. I thashë ta shikonte mirë ekon, se kjo nuk ishte aspak e vërtetë, pasi në vitin 2002 kam hequr vetëm gurët në veshka”,- shpjegoi ajo, duke shtuar se mjeku pasi e verifikoi edhe njëherë një gjë të tillë, i është përgjigjur prerazi se ka vetëm njërën veshkë. Kjo situatë tepër e rëndë, e ka detyruar atë dhe familjarët e saj të shkojnë dhe t’i kërkojnë sqarime doktorit që e kishte bërë operacion, se përse ia kishte hequr veshkën dhe përse nuk u kishte thënë atyre. Por, familja Ago, jo vetëm që nuk ka marrë shpjegime për këtë gjest skandaloz nga ana e mjekut, por ai nuk ka denjuar as të dëgjojë shqetësimet e tyre.
27/11/2006
Shekulli
Krijoni Kontakt